Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
TRI NGJARJE
Publikuar më 13 shtator, 2019 në orën 23:45 ( ) Beqir Elshani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Një ditë në programin televiziv shikova një film, quhet “Njeriu me 1000 fytyra! U habita me titullin e filmit, pak u duket njerëzve njeriu dyfytyrësh, mbase edhe me dhjetë fytyra. Uroj që njeriu i poshtër të mos bëhet më shumë se dyfytyrësh. Po të ishte njeriu me 10 fytyra, do të thosha që dikush me ironi ia ka shtuar dy zero dhe ka përfituar numrin “1000”. Sipas FGjSSh dyfytyrësi domethënë mashtrues që mbulon qëllimin e vërtetë për të mashtruar të tjerët. Konkretisht, mashtrues që mashtron, domethënë njeriu, i cili në sipërfaqe duket se është i drejtë, mirëpo fshehurazi vepron ndryshe. Pastaj idioma “njeri i pafytyrë”, domethënë i pacipë dhe i paturp, prej nga njeriu i mirë më parë do të jepte kokën se fytyrën - se të shkelë nderin. Prandaj njeriu i ndershëm fytyrën dhe nderin i ruan si sytë e ballit. Shkurt e këput, dyfytyrësi domethënë njeri hipokrit, që vepron në mënyrë të rreme, veprim i të cilit nuk përputhet me premtimin e dhënë.

Dyfytyrësi dhe hipokrizi kanë një kuptim, megjithëse e dyta vjen prej fjalës greke “hypokrisis”. Nuk ka asnjë dyshim që kjo fjalë librore është zmadhuar tej mase, jo dhjetë, por njëmijë, domethënë 100 herë më shumë, kur dihet që baza e saj është dyfytyrësia. Megjithatë, pa marrë parasysh numrin hiperbolik që shprehet me emocione, siç thuhet prej zemërplasjes, trajtimi i dyfytyrëshit mbetet i njëjtë. Hiperbolë të ngjashme ka përdorur edhe deputeti i “Nismës”, Milaim Zeka, i cili për rrëzimin e qeverisë së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, deklaroi se as edhe për 1000 vjet nuk mund të rrëzohet Qeveria e Kosovës. Numrat në matematikë janë numra të mirëfilltë, të paluhatshëm, siç thuhet dy edhe dy bëjnë katër, mirëpo në politikë numrat bëjnë çudira. Prandaj deputetit Zeka i duken pak dy mandate e gjysmë që bëjnë 10 vjet, por shkon në 1000 vjet sundim. Shifrat e mëdha po keqpërdoren edhe për qëllime karrieriste, kur ndonjë femër fort e bukur dëshiron të mbivlerësohet, tregon se si burrat i kanë ofruar miliona dollarë për të kaluar natën, mirëpo nuk ka pranuar. Duke qartë që deklarimi i bukuroshes është thikë me dy presa, me anën e së cilës bën përdhosje të dyanshme, duke fyer integritetin e burrave, por edhe veten si femër.

Gjithashtu kam shikuar edhe filmin “Hajdutja e librave” me shumë-shumë fytyra, kështu shkruante në tekstin e përkthyer të filmit. Tekembramja, po të numërojë njeriu dyzetë pula në oborr, do të lodhet, jo më mashtruesin me 1000 fytyra. Sido që të jetë, njeriu me dy e më shumë fytyra të tilla është hipokrit, prej nga veprimi i mashtruesit shfaqet me anën e maskave teatrale. Shembull konkret është kur shefi i ndërmarrjes këshillon që në lokalet zyrtare ndalohet pirja e alkoolit, ndërkohë që në dollapin e tij mban uiski që të shkrumbon.

Ditën e festivalit

Unë me bashkëshorten dhe fëmijët ditën e mesverës dolëm shëtitje në Malme, ishte java e festivalit në qytet. Rastësisht iu afrova një sporteli me libra të vjetra dhe me rekuizite të ndryshme. Aty shikova një glob, kushtonte 100 korona. Brenda kishte llambën elektrike, kënaqësi ta shikosh natën, të duket sikur gjendesh në hapësirë dhe prej së larti shikon tokën, siç thonë latinët – mëmën e të gjithëve. Prandaj tregtarit formalisht i dhashë për 50 korona, duke menduar se ai nuk pranon shitje me çmim të ultë. Për habi tregtari e mbërtheu boshtin e globit dhe ma dha për 50 korona, prandaj e mora. Thënë të vërtetën, po ta dija që ma shet përgjysmë më lirë, nuk do të flisja, sepse ma dëmtoi imazhin e shëtitjes, tani tërë kohën duhej ta mbaja globin në mes të qytetarëve që nuk kishe ku ta veje këmbën. Fill pas meje afrohet një qytetar suedez, dëshiron të blejë një kryq, mbase prej bronzi, kushtonte 100 korona. Gjithashtu myshteriu i dha për 50 korona, mirëpo tregtari nuk pranoi, vetëm 100 korona, i tha. Prandaj qytetari u detyrua ta blinte për 100 korona. U habita me tregtarin e festivalit, derisa unë globin si mjet mësimor e bleva shumë lirë, myshteriu suedez rekuizitën fetare e bleu dyfish më shtrenjtë, prej të cilit asnjë dobi nuk kishte dhe kurrë asgjë nuk mëson prej simbolit fetar, sepse është mall dogmatik. Nuk thoshte kot iluministi mesjetar, Erazmo Roterdami, se ndryshimi midis të marrit dhe të mençurit qëndron në faktin se të parit i prijnë pasionet, kurse të dytin e qartëson arsyeja. Prandaj derisa unë globin e bleva si mjet mësimor, qytetari suedez kryqin e bleu si pasion fetar. Sipas fjalës së urtë mos i shiko gunën, por shikoji punën, domethënë mos i shiko çmimin, njeriu duhet shikuar vlerën shkencore të globit, jo kryqin dogmatik me çmim të lartë. Po të kishte gojë globi, tregtarin do ta qortonte për shitjen e mjetit me rëndësi mësimore me çmim të ulët, kundrejt kryqit fetar pa ndonjë vlerë me çmim të lartë. Gjatë shëtitjes në qendër për pak nuk ma theu një muzikant me qafën e gjatë të kitarës. Bashkëshortes dhe fëmijëve globi iu kishte ardhur në maje të hundës, sepse na e prishi atmosferën e shëtitjes. Prandaj derisa globi mua po më pengonte gjatë shëtitjes, me siguri që suedezi një pëllëmbë kryq po e mbante në xhep. Në darkë kishim paraparë të shkonim në restorant, prandaj u detyruam të ndërpremë shëtitjen dhe të kthehemi në banesë. Sapo hyra në dhomë, vajza e vogël e ndezi dritën e globit, dhe me sy mbyllë e vuri gishtin e fatit në glob. Kur e shikoi, gishti kishte qëlluar mu në detin Adriatik, prandaj tha se verën e ardhshme do të shkojmë në bregdetin shqiptar.

Ndërrimi i moshës

Këto ditë shtypi gjerman shkroi për një gjerman që ka ndërruar vitin e lindjes, jo për 4-5 vjet, as për 10 vjet, por një moshë plotë për 20 vjet. Tani gjermani 69-vjeçar do të përballet me gjykatën, për shkak se ka ndërruar moshën duke u bërë 20 vjet më i ri dhe tani ka 49 vjet. Prandaj sipas uljes së moshës qytetari nuk duhet të jetë gjerman i bardhë, por gjerman i kuq*. Ka disa njerëz që për nga shëndeti përtërihen dhe rinohen, domethënë bëhen më të ri, ashtu siç përtërihet hëna, por edhe fusha pas shiut. Nuk është aspak humor, por është gjeturi e gjermanit, sepse mund të sigurojë punë, gjithashtu mund të martohet me një nuse të re. Në anën tjetër, edhe komuna fiton, sepse me punësimin e gjermanit, Sigurimi Social kursen afro 400 mijë dollarë. Prandaj unë që jam pensionist 70 vjeçar, kam mundësi të bëhem 50 vjeçar dhe mund të punësohem besa edhe të studioj në universitet sa për të siguruar punë të re. Ka gjasa që gjermani ta humb këtë të drejtë, dihet, sepse mund të shkaktojë turbullira, jo vetëm në Gjermani, por edhe në mbarë Europën. Folur konkretisht, ai ka të drejtë dhe rastet e tilla janë të shumta.

Ndryshe me plakun gjerman, farmacistja japoneze, quhet Eiko Hiruna, është e moshës 95-vjeçare, që për habinë më të madhe, ende vazhdon të punojë në farmaci. Siç dihet në shumë vende të botës punëtorët në moshën 65-vjeçare dalin në pensionin e pleqërisë, përkundrazi kjo grua, më falni se u ngatërrova, kjo plakë e hekurt i ka mbushur 70 vjet punë dhe as që mendon për pensionim. Duket qartë që plaka e fortë do të punojë derisa ta mbajnë këmbët dhe duart. Shumë qytetarë në botë po e ndërrojnë emrin me të cilin e kanë pagëzuar prindërit, emrin kureshtar që e kanë përgatitur qysh para lindjes, pastaj po e ndërrojnë fenë ngjashëm siç po i ndërrojnë rrobat modelistet, dhe ç’është më e tmerrshmja po e ndryshojnë gjininë, me anën e ndërhyrjes kirurgjike transgjinore burri po bëhet femër. Që njerëzve t’u ndalohet ndërrimi i moshës dhe ndërrimi i gjinisë është dashur me kohë të harmonizohet ligji për mbrojtjen e etikës njerëzore, në mënyrë që asgjë të mos lejohet të ndryshohet, duke filluar prej emrit deri te gjinia e njeriut.

*fjala është për moshën e bardhë të pleqërisë dhe për moshën e kuqe të djalërisë.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 166 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi