Recension
(Rreth vëllimit "Poetika e të rrëfyerit" (recensione, kumtesa, fjalime) të Bedri Tahirit)
Bedri Tahiri tashmë në letrat shqipe e ka krijuar profilin e tij jo vetët prej një krijuesi letrar (si prozator dhe poet), por sidomos edhe si autor i veprave dokumentare e historike. Përpos letërsisë imagjinative (poezi, prozë) dhe letërsisë dokumentare-historike, ky autor ka dhe një fond shkrimesh e veprash të letërsisë diskursive (kritikë letrare, recensione, ese), siç është vëllimi “Përsiatje recensionale” (2013), dhe libri në dorëshkrim "Poetika e të rrëfyerit" (recensione, kumtesa, fjalime).
Ashtu sikundër e nënvizon autori, ky vëllim përçohet nga shkrime diskursive letrare e shkencore (recensione, kumtesa), si dhe nga fjalime që autori, si figurë e njohur publike, ka mbajtur në raste ngjarjesh të ndryshme, si Dita Botërore e Librit, (në Vushtrri), Dita e Plisit (kumtesë e mbajtur te Kulla e Azem Bejtë Galicës), fjalime e kumtesa në përurime librash e përkujtime dëshmorësh, etj. Së këndejmi, edhe specifikat e shkrimeve të tilla, e detyrojnë autorin që veprën e tij “Poetika e të rrëfyerit” ta ndajë në disa pjesë: në pjesën ku përfshihen recensione e analitikë veprash letrare e joletrare (pjesa e parë,), në "Kumtesa, fjalime e falënderime" (pjesa e dytë), por autori në fund vë dhe një pjesë tjetër ("Të tjerët për mua" e ku përfshihen shkrime e opinione të autorëve tjerë për veprimtarinë shkrimore të Bedri Tahirit.
1.
Te pjesa e parë autori, gjithnjë në rolin e redaktorit e të leximit kritiko-letrar, shkruan për vepra si "DRENICA DJEP I UÇK-së dhe BATALIONI I i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” e Hamdi Thaçit (vepër historiko-dokumentare), për librin "Shpirtparajsa" i studiuesit letrar Xhemail Pecit, për veprën historike (me lëndë edhe etnografike, gjeografike etj.) të autorit amerikan George Fred Williams me titullin "Shqiptarët", libri dokumentar e historik i Jusuf Osmanit "Masakrat serbe në fshatin Zagori- Dumnicë të Vushtrrisë më 1924", romani "Dallgë jete" i Sabit Istogut, një vëllim letrar gjimnazistësh me titullin "Vrulle rinore", si dhe një vëllim për fëmijë me titullin "Rrëfimet e gjyshit" i Behlul Spahiut.
Kjo do të thotë që interesimet për prezantimin një libri, te Bedri Tahiri janë të gjera e që nuk përkufizohen vetëm te një lëmi zhanri. Janë të sferës së kërkimeve shkencore, të sferës së ndriçimit të historisë sonë më të re, si dhe të asaj letrare etj., duke u hedhur edhe në fusha të tjera që ndërlidhen me Kosovën e rreth shqiptarëve. Janë vepra e autorë, që, në një mënyrë ose tjetër, ndërlidhen me kontekstin e letrave shqipe sot.
E pra, kjo do të thotë se Arti e Jeta, Dëshmia dhe E kaluara, Heroizmi dhe Shqiptari, ecin krahas për ta bërë Kohën dhe Historinë. Ndonëse fjala kryesore emërtuese e librit përkufizohet si poetikë e rrëfimit, atëherë le ta lexojmë këtë poetikë si përndriçim të studimit të veçorive kryesore të veprave në shqyrtim, nga njëra anë, si dhe të tërësisë së mjeteve të ndërtimit të strukturës së këtyre vëllimeve, pra si mjeshtëri autoriale të bërjes së librit, nga ana tjetër (e ku këto tipare i sintetizon termi “rrëfim”). Mirëpo, autori shkon përtej një poetike e rrëfimi. Do theksuar se fusha kaq e gjerë e interesimeve të këtij autori, përbën një shkallë të gjerë vlerash kritiko-letrare, studimore e publicistike, aty ku spikat dhe një intelektual e vështrues, me pasuri faktografike e referenciale, dhe, pse jo, edhe mjeshtërinë e të shkruarit.
2.
Te pjesa e dytë shquhen një varg shkrimesh që pikëzojnë ngjarje, autorë dhe vlera, po edhe shenja që karakterizojnë identitetin tonë. Edhe te kjo pjesë autori merret me librin nga të njëjtat fusha, por nga një kënd tjetër, për autorë si Latif Berisha, Adem Gashi, Fadil Halimi (romani “Dy vdekjet e një jete”), Safet Hasani (libri “QYTETI TRAGJIK- Krimet serbe në Qytetin e Vushtrrisë 1998-1999”)”, Jahe Fida (“Shqiponja e Qyqavicës”), Xhemail Peci (“Arba-princesha e pranverës”), Ymer Berbati (romani “Nifa”) dhe Sabri Godo.
Spikasin dhe kumtesat shkencore si “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në romanin shqiptar”, ato për Hasan Prishtinën dhe Ditën e Plisit.
Libri, kulla, plisi, personaliteti historik, veprimtaria atdhetare e mërgimtarëve, zbulimi i pllakës përkujtimore kushtuar Kamer e Murat Lloshit etj., përbëjnë një sferë sintetike interesimesh.
Autori përzgjedh ngjarje, personalitete e bëma që janë burime të pashtershme frymëzimesh, e që iu kthehemi për t’i sintetizuar nëpër kohë shqetësimet tona të përbashkëta, përvojat tona, vetveten tonë; lëvizjet tona të rezistencës, demonstratat, organizimet e ilegales atdhetare, betejat e kryengritjet tona të derisotme. Koha jonë, ripërtërihet me shpirtin e përjetësisë së tyre.
Me anë të këtyre shkrimeve, në fjalën përkujtimore solemne, në çastin e leximit të një libri, shfaq mbresën e parë, dhe gjithsesi që është i interesuar ta zbulojë thelbin e kohëve që i lamë pas, thelbin e vlerave tona trashëgimore, përjetimet që na mbeten si shtresa idealesh të sublimuara a si stres motesh, si apel për t’i mbijetuar përplasjet, kundërthëniet, intrigat e çastit a ato të orkestruara... po edhe të përveçimit të vlerave të një libri. Libri drejtohet kundër harresës, që askush më të mos na e rrëmbejë kujtesën tonë nacionale, të mos na e sakatojë, gjymtojë a fshijë të kaluarën e historinë.
Në të gjitha këto shkrime shquhet toni solemn i ligjërimit.
Gjithnjë në këtë frymë të polifonisë së tekstit e të metatekstit, lexohet edhe pjesa e fundit, ku autorë të ndryshëm shkruajnë për veprat e Bedri Tahirit.
Libri, më shumë se sa një përmbledhje e rëndomtë shkrimesh në çaste të ndryshme të angazhimit të autorit, është edhe një ftesë për këtë ndërgjegjësim të sotëm: përse duhet t’i nderojmë emrat, historinë dhe vlerat tona!
Prend BUZHALA
Prishtinë, 2 tetor 2019
|