Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Parimet për bashkim kombëtar, në rrethanat e krijuara sot
Publikuar më 13 tetor, 2019 në orën 01:24 ( ) Afrim Morina | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Çështja e bashkimit kombëtar bëhet temë diskutimi, dhe atë, më tepër përbuzës dhe mohues gjatë fushatave zgjedhore. Këtu secili nga “analitikët” mundohet të jep arsyetimin se kjo gjë është e pamundur, pa e njohur teorinë e evolucionit në shoqëri, duke e marrë si akt të kryer mosbashkimin, sepse këtë nuk e do Perëndimi dhe SHBA-ja, se ata nuk durojnë një Shqipëri të madhe. Kësaj teorie i paraprijnë diku rreth 99% e klasës politike, me propagandë të konsoliduar bukur mirë.
Perëndimi, nuk e ka dashur as shtetin e Kosovës dhe Shqipërinë londineze të zonjë për të zgjidhur problemet e veta. Arsyeja, se nuk e ndjenin veten si protektor e tutor atje, e në Shqipërinë e robëruar, për të marrë si alibi kundër kombeve që i mbajnë të robëruara, se si mund të jetohet në “vëllazërim-bashkim” pa nacionalizëm. Kjo është shkolla që kanë kryer këta “analistë” të “demokracisë” dhe pjesa dërmuese e politikanëve, e pse të mos i bëjnë ison analistët e robëruesve dhe burrështetasit që mbajnë të robëruar kombet?! Ata pa u munduar shumë, gjejnë mendime të arta për vete dhe trumbetojnë se nuk duhet lejuar një Shqipëri të madhe. Edhe koha e “Republikës së Kosovës” si artikulim, gjente “analist” dhe “shkencëtar”, që politika fashiste serbe i përkëdhelte dhe i dekoronte, si shembuj konkret mund të marrim Azem Vllasin dhe Arsim Bajramin. Koha e tyre, se shqiptarët nuk e duan Republikën, shkoi, dhe vendin e tyre për të trajtuar bashkimin kombëtar e kanë marrë “teoricienët e rinj”, “analistëve” dhe politikanëve të vjetër iu kanë bashkëngjitur edhe politikanët e rinj.

Parashtrohet një pyetje shumë serioze: Mund të bëhet bashkimi kombëtar edhe pa luftë? Një pjesë e kombit tonë mund të bëhet, madje, edhe kjo ka mundur të ndodh shumë më herët, sikur të kishim pasur një klasë politike të ndërgjegjshme, kombëtare, në gjithë hapësirën kombëtare, përjashtuar Çamërinë, e cila është rast më vete, që nuk mund të arrijmë gjer aty nëse nuk kemi një politikë dhe shtet të konsoliduar shqiptar.
Sikur LDK-ja të kishte mbajtur qëndrimin e nënshkrimit për krijimin e një Qeverie të Përkohshme nga Rambuileja, ne do të ishim shtet që në nëntorin e vitit 1999, sipas dëshmisë së znj. Olbraj. Mirëpo, edhe pushtetet e krijuara më vonë, në të dyja krahët, nuk punuan e as që punojnë për bashkim, të paktën të këtyre dy Republikave, gjë që askush nuk i ka penguar. Këtu edhe qëndrojnë parimet e bashkimit të pjesërishëm.
E para: - Në disa takime të dy qeverive, janë nënshkruar edhe protokolle bashkëpunimi, madje, edhe në një tryezë të mbuluar me flamur kombëtar, të cilat asnjëherë nuk u bënë publike për qytetarët. Se sa ishin serioze ka treguar koha, sepse përherë na lindin probleme në kufi, e jam i bindur se faktori ndërkombëtar nuk ka gisht në to. Krejt kjo po ndodh se kush do të mbaj primatin nëse do të arrihet deri te bashkimi.
E dyta: - Përafrimi i bashkëpunimit në fusha më të ndjeshme, arsim, tregti etj. do t’i lidhte më tepër qytetarët dhe pushtetet. Kjo, patjetër duhet të ndodhë, sepse përmes këtij bashkëpunimi do të regjistrohen prioritet për kuadro, konsum ditor, etj.
E treta: - Nëse ky bashkëpunim do të ishte në nivel të duhur, atëherë do të paraprinte edhe në diplomaci, në histori, në marrëdhëniet ndërkombëtare, etj.
Po t’i analizojmë këta tre faktor, prioritete, do të kishim një ekonomi më stabile, të planifikuar kombëtare, do të kishim punësim të ndërsjellë me kualifikime të duhura, do të kishim një zë unik në diplomacinë kombëtare, do ta kishim një respekt më të madh në faktorin ndërkombëtar, do ta ndrydhnim politikën serbe, do ta kishim larguar ndikim rus nga trojet tona dhe përafrimi me Perëndimin dhe SHBA-në do të ishte më i madh, sepse vetë pozita gjeopolitike dhe gjeostrategjike e mundëson këtë.
Bashkimi kombëtar bëhet me punë, dhe atë pa luftë, po të ishte punuar në forcimin e dy shteteve, që në plan të parë do të duhej ta kishim zhvillimin ekonomik, se pa një ekonomi stabile nuk mund të veprohet. Një shembull i tillë është bashkimi i Gjermanisë, që përkundër çmimit të paguar, pak u reflektua në planin e brendshëm ekonomik e politik. Ajo gjeti mbështetje nga të dyja blloqet politike, sepse kishte investuar me vite për të arritur qëllimin. Kjo dëshmi rrëzon teorinë e “analistëve” dhe “mençurakëve politikë”, të cilët të yshtur nga politika pansllave, mundohen të na mbushin mendjen që ta shlyejmë nga koka bashkimin kombëtar, të pranojmë kombin kosovar, sepse nuk mund të bëhet bashkimi i pjesshëm. Ndërsa, për një bashkim kombëtar, të plotë, do t’i ndërgjegjësonim edhe pushtuesit, siç është rasti i Vietnamit kur arriti qëllimin në vitin 1972, në Paris.
Rrugët janë të hapura, për bashkim të pjesërishëm, por për këtë duhet të kemi koordinim të qeverive në të gjitha planet e bashkëpunimit dhe plotësimit ndërvete, në planin e brendshëm dhe të jashtëm, e jo me kalkulime, siç bëri Edi Rama me “përzgjedhjen e këshilltarëve dhe emërimin e dy ministrave” nga Kosova. As të parët, e as të dytët nuk i kanë bërë nderë atij dhe kombit, sepse ka mohuar këshilltar që do t’i kishin për lakmi edhe kryeministrat e vendeve perëndimore, ka mohuar intelektual me përmasa kombëtare për të udhëhequr ministritë dhe kjo na jep për të kuptuar se sa serioze ishin takimet e të dyja qeverive. Nepotizmi dhe korrupsioni që i ka kapluar pushtetarët dhe funksionarët e lartë në të gjitha sferat e jetës, në gjithë hapësirën kombëtare, është pasqyrë në të cilën duhet ta shikojmë veten tonë, siç na shikojnë të tjerët, që pengojnë zhvillimin e mirëqenie dhe perspektivës sonë, e mos të flasim për afrim ndërvete.
“Analistët dhe dijetarët politikanë”, i bien kambanave të alarmit, se nuk po arrijmë t’i plotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian, për të hyrë në “familjen e tyre”. Ata nuk shohin dhe as që çajnë kokën për kriteret që duhet plotësuar ndërvete, për bashkim të pjesshëm, dhe kur diskutohet e ngritet zëri për këtë, menjëherë vërsulen si korbat për t’i nxjerrë sytë njeri-tjetrit, sepse kanë bërë mëkate të mëdha dhe të pafalshme, dhe për këtë duhet të ndëshkohen, se po na i prishin punët me Perëndimin dhe SHBA-në, si dikur kur u ngritën kundër Galile Galileut e Gjordano Brunos, se po i prishin punët me Zotin.
Nëse arrihet forcimi ekonomik, dhe ai duhet të arrihet me çdo kusht, edhe lufta kundër nepotizmit, korrupsionit e diletantizmit politik do të jetë më e lehtë, atëherë mungojnë vetëm ndryshimet kushtetuese, për të mundësuar referendumin për bashkim në të dyja shtetet.
Këtë, mund ta bëjmë dhe duhet bërë, për të hapur rrugë edhe për pjesët tjera të atdheut dhe do të binden të gjithë, edhe heshtakët, edhe “luftëtarët e ruajtjes së republikave”, “mbrojtësit e kombit kosovar” dhe “trumbetuesit e ruajtjes së aleatëve”, se bashkimi kombëtar paska qenë i nevojshëm dhe i domosdoshëm, siç e kemi realitetin sot, që dikur nuk u mbushej mendja se do ta lejoj Jugosllavia dhe Evropa Republikën e Kosovës. Edhe ndërkombëtarët do të binden se shteti komb i shqiptarëve do ta shuante vatrën e një lufte të mundshme në brendinë e saj, sepse rrezja e veprimit do të jetë shumë më e gjerë se sa ajo që ndodhi në ish- Jugosllavi.
Duhet ndërgjegjësuar veten, për t’i ndërgjegjësuar ndërkombëtarët, duhet punuar vetë, për t’i shtyrë ndërkombëtarët të punojnë, duhet bindur vetën për t’i bindur edhe ndërkombëtarët se kjo është e drejtë historike, e drejtë e mbijetesës kombëtare, e drejtë e realitetit politik, sepse kemi rritjen e fashizmit në Serbi, Rusi dhe Greqi, kjo e fundit edhe kërkon mbajtjen e një referendumi për “Verio Epirin”. Nën ankth nuk duhet lënë gjeneratat që vijnë, jo vetëm shqiptare, por edhe ato të Evropës e gjetkë, për bajraktarizëm e unin e sëmurë të politikanëve diletantë. Prandaj, në këto realitete të krijuara në seriozitetin tonë do të na bashkëngjiten edhe ndërkombëtarët nëse dimë të zgjedhim se kush do të na përfaqësojë.

Prishtinë, 05. 10. 2019

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Afrim Morina
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 198 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi