Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Koalicioni VV – LDK nuk guxon të dështojë
Publikuar më 20 janar, 2020 në orën 00:13 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Po bëhen 3 muaj që u mbajtën zgjedhjet që përçuan mesazhin e fuqishëm të ndryshimit të domosdoshëm, por Kosova ende nuk ka qeverinë e dalë prej tyre. Këta tre muaj, ditë pas dite, u kthyen në një përditshmëri habie, zhgënjimi e zemërimi: Jo po takohen sot, jo po takohen nesër, jo po merren vesh, jo s’po merren vesh…

… Ia dha kryeparlamentarin e pesë ministri, por Isës iu ka shishmu me u ul në kolltukun e presidentit dhe i ka ngulë këmbët si gomari plak në urë…, as nuk e lëshon urën, as nuk lejon të tjerët ta kalojnë lumin…
Duke i analizuar këta muaj të humbur kot së koti, edhe njeriu me vullnetin më të mirë nuk mund të mos konstatojë mjerimin e klasës politike të Kosovës, papërgjegjshmërinë e saj, mungesën e seriozitetit dhe faktin se ajo vazhdon të mbetet peng i dy aleatëve të kahershëm që po e ngulfatin Kosovën: Serbisë dhe Prontomafisë.
Në krijimin e iluzionit për formimin e shpejtë të qeverisë ka kontribuar shumë marrëveshja e arritur mes grupeve punuese të VV-së dhe LDK-së për programin qeverisës, që është thelbësori për një koalicion, por edhe optimizmi i tepruar i Albin Kurtit, se, pas çertifikimit të zgjedhjeve, “qeveria do të formohet brenda 24 orësh“!
Kjo dëshmon se Kurti, ani se lojtar rëndësor në logun e politikës, nuk i ka mësuar ende labirintet dhe prapaskenat e panumërta të lagjes politike të Kosovës.

Ai që në fillim do të duhej ta dinte se LDK, falë njerëzve të Serbisë dhe të Prontomafisë në udhëheqje të saj, në kundërshtim flagrant me traditat e saj, ka marrë pjesë aktive në shtetrrënimin e Kosovës: mbështetja parezervë e Hashim Thaçit në veprimtaritë e tij të hapura antiKosovë; sajimi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, në të cilin Kosova doli humbëse e thellë; bisedimet e Brukselit që arritën kulmin me nënshkrimin e Marrëveshjes së 15 gushtit 2016 mes Vuçiqit dhe Isa Mustafës përmes së cilës krijohej Zajednica si njësi konfederale në Kosovë dhe për pasojë krijimi i rrethanave për luftë civile në vend…
Pra Kurti do të duhej ta dinte se pikërisht njerëzit e Serbisë dhe të Prontomafisë në udhëheqje të LDK-së, duke paralizuar forcat atdhetare në LDK, që i personifikon Vjosa Osmani, nuk do të lënë gurë pa lëvizur për ta sabotuar koalicionin që në embrion…

Habia e Kurtit para kurtheve të Isa Mustafës, dëshmon se ai ka shkuar në bisedime krejtësisht i papërgatitur, prandaj edhe kreu i LDK-së, një tip i rryer e i thekur në vaj e në uthull ia mori lehtësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe imponoi temën e paqenë për presidentin. Ishte ky një diversion perfid që Kosovës por sidomos LDK-së i solli dëme kolosale.
Në këtë rast Kurti në vend që të thotë jo, do të duhej të mendonte mirë dhe të kërkojë të bisedohet për profilin e presidentit të ardhshëm, në mënyrë që përmes këtij profili ta përjashtojë çdo mundësi që kandidat të jenë argatët e deklaruar të Pronomafisë dhe të Serbisë në udhëheqjen e LDK-së.

Kjo ishte dhe është shumë e thjeshtë: Në rregull, po këmbëngulni për president, por kandidati i ardhshëm duhet të jetë një person me të kaluar të pastër, i paimplikuar në afera dhe kundërshti të mëdha politike në mënyrë që të jetë i pranueshëm edhe për opozitën; të jetë njohës i mirë i anglishtes, të ketë përvojë diplomatike; të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë për të vënë rregull në Ministrinë e Mbrojtjes, në politikën e jashtme dhe në çkapjen e sistemit të drejtësisë nga Prontomafia…
Në këtë rast pse edhe të mos propozojë emra të pranueshëm për të dy subjektet por edhe për opinionin, ta zëmë: Avni Spahiun, një kuadër i dëshmuar i LDK-së ose Muhamedin Kullashin, apo edhe të tjerë të këtij profili…

Një propozim i tillë do ta forconte krahun atdhetar e demokrat në LDK dhe do t’i jepte atij mundësinë të kalojë në ofensivë. Krejt kjo në interes të Kosovës. Sepse sot, për atë që merr vesh nga politika, beteja e dy krahëve brenda LDK-së, është betejë jo vetëm për LDK-në, por parasegjithash për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Sepse pa u vënë LDK në pozitat e saj të dikurshme shtetformuese, nuk do të mundë të stopohen as Serbia e as Prontomafia.

Kurti duhet t’ua marrë argumentet argatëve të dreqit në udhëheqje të LDK dhe ta ndihmojë krahun atdhetar aty që është shumicë absolute. I takon këtij krahu që të mendojë se çfarë dëmesh i ka bërë LDK-së sjellja serbisht e Isa Mustafës. Kjo ka ndikuar që madje edhe disa familje të njohura gjithandej Kosovës, deri sot mbështetëse të paepura të LDK-së të thonë hapur: kurrë më LDK nuk do të marrë vota prej nesh…
Në anën tjetër Kurti do të duhej ta fshinte mirë edhe oborrin e tij, sepse, siç del nga një intervistë e Vjosa Osmanit, funksionarë të VV-së, përmes sms-ash të pistë janë sjellur me Vjosën si ai gorilla i Podujevës. E këtë dashamirët e koalicionit nuk do të duhej ta bënin kurrë.
Një çështje tjetër e mprehtë që i dëmtoi bisedimet për koalicionin, ishte edhe interpretimi i tyre publik. Është e papranueshme që detajet e bisedimeve të nxjerren dhe të deformohen nëpër medie. Sepse kështu helmohet dhe minohet çdo mirëkuptim e mirëbesim…

Për çështje kaq delikate duhet të ketë maturi maksimale dhe të autorizohen të flasin vetëm zëdhenësit, që matin çdo fjalë, e jo musketirët e ndryshëm që i kanë fulqitë e mëdha.

Albin Kurti duhet të marrë sërisht dhe shpejtë inisiativën për bisedime, i vetëdijshëm se kompromiset janë të pashmangëshme. Pasi të jenë marrë vesh për ministritë dhe profilin e presidentit, atëherë duhet të flitet për emra të përveçëm të kabinetit qeverisës dhe për këtë nuk duhet të vendosin partitë, por ata që kanë marrë besimin e popullit, pra Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, si njerëz në krye të qeverisë dhe të mandatuar gjerësisht për ta nxjerrë vendin nga anarkia.

Është e drejtë e tyre e patjetërsueshme që ta zgjedhin ekipin me të cilin do të përballen në fushëbetejë me të këqijat që e kanë kapluar Kosovën dhe sidomos në përballjen e vështirë me Serbinë.
Në këtë rast, nëse Ministria e Punëve të Jashme i mbetet LDK-së, natyrshëm atë duhet ta udhëheqë Vjosa Osmani, por nëse ndodhë ndryshe, atëherë, Vetëvendosje do të duhej ta emëronte Veton Surroin ta udhëheqë këtë dikaster, sepse është kuadër i përgatitur për ta ngritur në këmbë këtë Ministri të shkatërruar plotësisht nga Prontomafia…
Ndërsa Vjosa Osmani, si zëvëndeskryministër i parë duhet të jetë edhe ministër i Punëve të Brendshme. Sepse ajo e ka edhe përgatitjen solide por edhe vullnetin për të vënë rregull e rend në këtë Ministri, deri sot qerthull i krimit dhe i Shikut.

Xhafer Shatri

3 Janar, 2020

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 70 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vetÃ...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllazÃ...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi