Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJËVE SHQIPTARË NË KOSOVË
Publikuar më 21 mars, 2020 në orën 01:50 ( ) Prof. Hazir Mehmeti | Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”.

Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili trajtoj me sukses fëmijët e helmuar, ai i cili trajtoj minatorët grevist në zgafellë tremijë metra në zemër të tokës shqiptare. Doktori trim e atdhetar i pa luhatshëm deri në ditët tona.

Nën harqet e Urës së Gurit në Vushtrri takohemi pas tridhjetë vjetëve me Dr.Shukri Gerxhaliun, një ambient i cili flet mbi historinë e Lumit të qytetit dhe vet Vushtrrisë si vendbanimi urban ndër më të vjetrit në kontinent i njohur para njëzetë e katër shekujve në kohën e Ilirisë me emrin Vicianum. Thuhet se ishte vendbanim i njohur me proporcione të Londrës së asaj kohe. Këto rikujtime nga leximet dhe e kaluara e ime këtej vinin fshehurazi nga miqtë e mi shoqërues Dr. Shukri Gerxhaliu dhe Prof. Bedri Tahiri.
Derisa kamerieri rregulloi karriget dhe mbulesën e tavolinës, filloi të frynte një erë ca më e theksuar, kjo mund te ishte pengesë në incizimet e intervistës në diktafonin japonez, dhuratë nga Vlora, vajza ime pas mbarimit të hulumtimeve atje.
- “Ju përgëzoj për këtë mund tuajin, kjo na nderon ne, ata që e pësuan nga helmimi, qytetin tonë dhe gjithë ne. Ky qenka edhe një dokument në paharresë të një akti kriminal të armikut serb kundër shqiptarëve”, e hapi bisedën Dr. Shukriu.
Urimi i tij më dha kurajë në vazhdimin e punës sime.
Faleminderit Doktor! E vlerësoj kohën tuaj me vlerë dhe nuk do doja të ju marrim shumë nga ajo, i them i përgatitur për bisedën dhe kureshtar të mësoj prej tij nga ajo kohë e ligë për ne.
Po, e filloi Dr. Shukri Gerxhaliu, ishte pranvera e vitit 1990, dhe zakonisht njerëzit i gëzohen pranverës, por kësaj radhe erdhi një hata për fëmijët dhe popullin e Kosovës e cila nuk do harrohet kurrë. U helmuan nxënësit dhe së pari ata i sollën mësimdhënësit në Shtëpinë e Shëndetit në Vushtrri. Atë ditë kujdestar ishte Dr. Behrami, i cili na thirri të gjithëve, aty ishte me ne edhe Dr. Shaban Merovci, neuropsikiatri i njohur. Unë e propozova që të vinte Dr. Shabani i cili ishte më i vjetër dhe me përvojë. Ai arriti shpejtë, u bëmë së bashku: Dr. Behrami, Dr. Shabani, unë dhe policia serbe. Policët serb rrinin aty të pranishëm, kjo mua më befasoi dhe mendova: çka donë ata këtu? Në ndërkohë Dr. Shaban Merovci ishte ngatërruar me ta dhe u tha: A doni t’i kçyrni (kontrolloni) ju apo po i kçyri unë! Ata serbisht thanë, ne po rrimë këtu. Dr. Shabani ua preu shkurt: Ju nuk guxoni të rrini kur unë jam këtu. Këta janë pacientë të helmuar me helme të luftës dhe u duhet ndihma, ju duhet të dilni jashtë. Kjo shtyrje fjalësh zgjati bukur shumë derisa ata u detyruan të dalin jashtë. Faktikisht ata i përzuri Dr. Shabani edhe pse kundërshtonin praninë e tyre i gjithë personeli shëndetësor në ambulancë.

Si vepruat ju në nivel kolegjiumi mjekësor në këto rrethana?

Ata që i sillnin nxënësit e helmuar: arsimtarë, taksi, privat deri në Shtëpinë e Shëndetit, maltretoheshin nga policia serbe, thirrem Kolegiumin dhe u morëm vesh që disi ta ngremë një ordinancë të improvizuar disi në Qendrën Shkollore, aty më afër nxënësve që të mos kemi probleme gjatë rrugës. Pas bisedave në kolegjium u caktova të shkoj unë për të biseduar me drejtorin, ishte një malazez, Slobodan Dokniq. Unë pranova, edhe pse nuk ishte e lehtë, kur janë në pyetje fëmijët, atdheu dhe populli nuk hezitoj fare. Pa vonuar shkova në zyrën e tij, ai më njihte pasi ishte mësimdhënës i imi dikur.

Si ishte pritja e tij?

Më priti mirë, ia shpjegova situatën dhe rrethanat të cilat e kushtëzojnë nevojën e një ambulante te improvizuar diku në lokalet e Qendrës Shkollore. Ai më tha: “Televizioni dhe shtypi po thonë se këto janë aktrime dhe nuk janë helmime”. Unë ia ktheva: Profesor, këto nuk janë aktrime por nxënësit janë të sëmurë. Ai u kujtua pak dhe shtoi: Unë ty të besoj, por si t’ia bëjmë, çka duhet? Ia shpjegova, se ne kërkojmë një hapësirë brenda shkollës për një ambulantë të improvizuar ku do trajtojmë rastet e paraqitura të të sëmurëve të cilët rrugës deri në Shtëpinë e Shëndetit po vonohen e maltretohen. I them, ju sigurisht i keni parë nxënësit e sëmurë se çfarë gjendje të rëndë shëndetësore kanë kur po i kap helmi ose ataku gjatë helmit. Ai pa hezitim tha po, i kam parë, bënë, pajtohem. Bënë, veç unë kam dëshirë të ma jepni me shkrim. Ai pak u kujtua dhe tha, po. Drejtori menjëherë i tha sekretares ta shkruan vendimin, e nënshkroi dhe e vulosi.

Kjo diç e veçantë për atë kohë, po pastaj si rrodhi situata?

Pastaj më ra ndër mend që ta kopjoj vendimin. Shkova tek Abit Fejza në zyrën e tij i cili e kishte një makinë kopjimi dhe i bëra disa kopje. Me këto kopje u ktheva në Kolegjium, u dhashë një kopje dhe i rekomandova që tani e tutje të shkonin rregullisht për kontrollimin e nxënësve pasi e kishin të lejuar. Kolegiumi më çdo kusht më caktoj mua edhe pse isha edhe te minatorët në zgafelle gjatë grevës së urisë për kontrolle mjeksore, edhe tani këtu. Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem, ju them në kolegjiumin e mjekëve në Shtëpinë e Shëndetit në Vushtrri.

A ju kujtohet kush ishte me ju në ndihmë nxënësve dhe sa kohë funksionoi puna e juaj?

Po, me mua vazhdimisht ishte Motra, Kimete Zekolli-Gubetini, së bashku kemi trajtuar nxënës të sëmurë disa kohë. Gjatë asaj kohe kur nxënësit ishin të sëmurë erdhi një aktivist dhe i incizoi nxënësit e sëmurë, në ato momente kemi qenë unë dhe Motra Kimete. Gjatë asaj kohe problemet më mëdha i kishim me terapi. Simptomat ishin: humbje e vetëdijes (ngjashëm me epilepsinë), skuqje në fytyrë, zgjerim të bebëzave, lemerisje në zë të tmerrshëm. Vinin shumë raste përnjëherë dhe nuk dinim cilin përpara ta ndihmojmë, por për fat ishim aty në lokalet e shkollës. Shpesh u bënim disa veta për ndihmë, na ndihmonin gjithashtu profesorët të cilët nuk më kujtohen me emra dhe pedagogu i shkollës Sylejman Maxhuni.

Si ishte furnizimi me barnat elementare dhe kush ju ndihmonte në sigurimin e tyre?

Gjatë asaj kohe kishte një solidaritet të madh në popullatë dhe na furnizonin me barna. Nuk e harroj ndihmën e madhe nga Agim Osmani, i cili tani jeton në München të Gjermanisë. Furnizimi me barëra ishte shumë i vështirë. Ai sillte barëra por edhe ushqime të domosdoshme, si jogurt, byrekë, bukë, pije dhe ushqime tjera të cilat, ai e kishte një byrektore për nxënës e arsimtarë në Qendrën Shkollore. Çdo ditë vinin policët serb, kishin mbetur edhe dy shqiptarë policë, të tjerët i patën larguar nga puna, kontrollonin, plaçkitnin çka gjenin: barëra, pije, ushqime, por ne prapë i siguronim disi. Ata shpesh pyetnin: Sa të helmuar i trajtuat sot, sa janë të sëmurë, çka po thonë... etj. Ne nuk pritnim mirë prej tyre dhe ishim të vendosur të vazhdojmë trajtimin pa marrë parasysh pasojat e mundshme personale. Por pasi e kishim vendimin nga drejtori nuk na largonin.
Furnizuesi ynë ishte Agim Osmani (nga Bajra), ai shkonte në Letnicë (Binçë) në Kishen tonë shqiptare ku motrat e nderit i jepnin barëra dhe ai me gjithë ato sakrifica i sillte tek ne. Ajo ishte një shpëtim për ne, ishin barëra simptomatik (tonizime të kombinuara vitamina me glukozë), kundër temperaturës, kundër dridhjeve, rrallë herë edhe qetësues ose sedativ kur kishte situata dramatike, kur nuk mundnim kurrsesi t’i qetësojmë në situatat dramatike, sepse kishin dridhje, shpesh të vjella, skuqje, dridhje, kishin gjysmë vetëdije, me subkorteks mendonin derisa kalonte atakimi nga helmet. Tek epilepsia zgjatë një kohë të shkurtër dhe kthehet, në këtë rast zgjaste gjysmë ore, shpeshherë edhe më shumë.

A ju kujtohet cilët fëmijë ishin më të prekur, çfarë pasojash pësuan dhe a janë takuar me ju ndonjëri nga të helmuarit?

Shumica e të helmuarve ishin femra, por kishte edhe meshkuj. Po, kam pasur kontakte me shumë prej tyre edhe pas asaj kohe janë ardhur dhe janë falënderuar. Pasojat më të rënda ishin tek femrat, disa nga ato janë shëruar, disa kanë pasur pasoja gjatë gjithë jetës, bie fjala kurrë s’kanë mundur të kenë fëmijë. Disa nga të helmuarit janë dërguar jashtë vendit për shërim pasi kishin familjar atje. Në atë kohë na vizitoi Dr. Zekirija Cana, drejtues i Forumit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë. Atij i dhashë i mostra gjaku, vjellje, dhe deklaratat tona të cilat ai i dërgon tek mjeku francez Bernard Bendetit në Francë.

Po mjekët serb, si ishte veprimi i tyre?

Ata nuk janë përzier fare. Ata në çdo moment i kam bindur, se fjala është për helmim tipik nga helmet e luftës, nga sarini helmues. Mjekët dhe personeli serb janë bindur se saktësisht janë helmime e jo aktrime. Ka edhe njerëz që i kanë parë duke hedhur pluhurin, thonë se fjala është për helm i hedhur ne formë pluhuri. Disa raste, ata serb që e kanë kundërshtuar ka ndodhë që janë helmuar vetë siç ishte rasti i dy policëve, njëri serb dhe tjetri shqiptar, kur vijnë në Qendrën Shkollore për të kontrolluar edhe helmohen pastaj trajtohen nga unë dhe dërgohen për trajtim tutje.

Cili helm kimik mund të jetë përdorur nga sigurimi serb, sipas njohurive tuaja mjeksore?

Në ushtrinë jugosllave kam lexova shumë rreth helmimeve, efekteve, simptomave nga helmet e luftë pasi pata shërbye në repartin e efekteve të helmeve së luftës. Një libër nga ajo kohë me detaje rreth helmeve dhe efekteve të tyre ia dhashë Dr. Zekirja Canes, aty shkruante rreth simptomave tek të helmuarit të cilat përputheshin plotësisht me këto te fëmijëve tanë të helmuar. Sipas të gjitha simptomave helmi nga helmet e luftës të llojit sarin i hedhur formë pluhuri dhe i cili merrej përmes frymëmarrjes në organizëm.

A keni mbajtur shënime mbi të helmuarit dhe ku mund të gjejmë shënime konkrete rreth të helmuarve?

Po, unë kam mbajtur shënime në një fletore dhe të gjitha i kam të regjistruara. Shumë nga dokumentet janë humbur gjatë luftës. Shumicën e rasteve i kemi trajtuar aty në ambulancën e improvizuar, por disa raste të rënda i kemi dërguar në Prishtinë. Shumica e rasteve u trajtuan në shkollë, aty më afër dhe më shpejtë, më efektiv dhe për këtë duhet ta falënderojmë Dokniqin në ketër rast. Ai ishte malazez dhe si duket e kuptonte situatën e rëndë.

Dr. Shukri Gërxhaliu në punën e tij u dallua me zellin e tij, përkushtimin, etikën dhe mbi të gjitha guximin e tij në shërbim të pacientëve në situata të renda para, gjatë luftës dhe pas saj. Ai ishte një ndër mjekët e parë që vizitoi minatorët e Trepçës në 1989 në grevën e urisë, njëri ndër doktorët e parë që u dha ndihmë nxënësve të helmuar nga serbët gjatë vitit 1990. Dr. Shukri Gërxhaliu ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmitar në Gjykatën e Hagës, kundër kryetarit serb, kriminelit, Sllobodan Millosheviq duke argumentuar krimet serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Ai ishte doktori i të mbijetuarave të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Hazir Mehmeti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 1 vizitorë
Lexuar: 1,406 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi