Lidhja Shqiptare në Botë
Albanian World Union
Albanischer Weltbund
Fèdèration Mondiale Albanaise
Lega Degli Albanesi Nel Mondo
Kosova, si edhe mbarë bota, po kalon nëpër momente të vështira si pasojë e
pandemisë globale, që tani ka pjesë edhe një pjesë të qytetarëve të saj. Gjithkund në
botë po merren masa rigoroze parandaluese, me qëllim të reduktimit sa më të madh
të pasojave nga virusi Covid-19. Po dëshmohet se sa më efikase të jenë këto masa,
aq më të vogla po dalin pasojat për jetën e njerëzve.
Një shtet si Kosova, që ende vuan pasojat e ngadalësimit të zhvillimit ekonomik
dhe izolimit, e ka të domosdoshme rritjen e mirëkuptimit të brendshëm shoqëror
dhe efikasitetit institucional për parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie
globale.
Zhvillimet e fundit politike, megjithatë, po tregohen si aleat i keq i kësaj situate
emergjente. Në vend të unitetit dhe mirëkuptimit, në pah po del egocentrizmi
politik i grupeve e individëve nga jeta publike e institucionale e Kosovës dhe për
rrjedhojë kriza shëndetësore mund të merr përmasa fatale.
Nëse shtetet shumë të zhvilluara dhe më të organizuara se Kosova po kalojnë
momente dramatike në përballje me Covid-19, ky është një sinjal i mjaftueshëm për
një reflektim të ri, duke u bërë bashkë të gjithë, edhe pozitë edhe opozitë në
luftimin e një të keqe të përbashkët, siç është virusi korona.
Tani nuk ka hapësirë për beteja partiake kundër njëri tjetrin. Tani Kosova dh
qytetarët saj presin nga klasa politike përgjegjësi maksimale në evitimin e pasojave
fatale nga pandemia, duke hequr dorë për një periudhë të caktuar nga përpjekjet për
rrëzimin e Qeverisë aktuale. Për gjithçka ka kohë, por jo edhe për neglizhim të
masave më të rrepta institucionale e shëndetësore në parandalimin e kësaj
pandemie të rrezikshme, që aktualisht po tregohet si sfiduesi më i madh i shëndetit
të njeriut dhe i ekonomisë globale.
Lidhja Shqiptare në Botë është me mendje e zemër me vuajtjet dhe brengat e gjithë
shqiptarëve, sidomos tani kur mobilizimi ynë i përgjithshëm duhet të jetë prioritet
mbi të gjithë prioritetet, sepse bëhet fjalë për jetën e njerëzve dhe kjo është vlera
më sublime që duhet të na bëjë bashkë të gjithëve.
Përfundimisht, jeta e çdo shqiptari është më e vlefshme se karriera secilit politikan.
Nazmi Jakurti
Kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë
Bern, 20 mars 2020
|