S' po them që Albini është i përkryer dhe s'gabon ndonjëherë në hapa. Por ato gabime vijnë nga sinqeriteti brutal në komunikim dhe artikulim, si dhe nga pafajësia e padjallëzia natyrale dhe mungesa e përvojës në pushtet.
Prandaj, sa herë që tenton për ta imituar ndonjë "hoxhë beter", ai duket si një amater.
Albini nuk duhet ta braktis orbitën e tij natyrale intelektuale, kreative dhe shpirtërore për t'i bërë lajka njerëzve që nuk e meritojnë, sepse është një aktor i keq.
Ngaqë, origjinaliteti i tij është një vlerë që s'paguhet me asgjë.
Mjafton që ai ta kupton, analizon drejtë, identifikon dhe profilizon detajisht dhe saktësisht brumin prej të cilit janë të ndërtuar kundërshtarët e brendshëm politik, komplotistët muldimensional dhe armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm që e kanë një profil të sofistikuar dhe të djallëzuar shumëngjyrësh, apo një mozaik.
Dhe pastaj ta bëjë dallimin ndërmjet tyre dhe ta ndërtojë një tabele të prioriteteve, që mund të jetësohen vetëm në etapa.
E jo t'i shpallë luftë frontale të gjithëve përnjëherë, sepse është e pamundur fitorja kundër tyre pa 80% të votave.
Në fakt ai e di shumë mirë që nuk bëhet fjalë vetëm për një fitore të tij personale, por për një fitore të popullit dhe shtetit ndaj të këqijve dhe të keqes, prandaj menaxhimi profesional i çdo betejë që është pjesë e kësaj lufte duhet të jetë prioriteti i tij kryesor.
Dhe për këtë luftë atij i nevojitet jo vetëm vota masive e popullit, por edhe alianca me njerëzit e të gjitha partive tona politike, të cilët e meritojnë një shans të vërtetë për t'u dëshmuar.
Dhe kjo aliancë arrihet nëpërmjet të një gjuhe komunikuese dhe artikuluese që e kanë përdorur politikanët dhe diplomatët më eminent botëror. Mirëpo as këtu nuk guxon të mungon mbishkrimi i tij autentik.
Pra në politikën e brendshme prioritet duhet ta ketë ndërtimin e urave me njerëzit që e meritojnë, e nganjëherë edhe me disa që se meritojnë, por që janë të gatshëm për t'i larë mëkatet e tyre përmes bashkëpunimit kundër tradhtisë dhe krimit.
Ndërkaq në politikën e jashtme prioritet duhet ta ketë forcimin e urave të bashkëpunimit me aleatët e dëshmuar dhe ndërtimin e urave të reja të miqësisë me sa më shumë shtete që është e mundur.
Mirëpo për t'a përsosur metodologjinë e punës atij i nevojitet jo vetëm një politikë më profesionale kadrovike, por edhe një sens për t'i tubuar rreth vetes njerëzit më të përgatitur, pavarësisht diplomave që i posedojnë, që në politikë shpesh herë janë vetëm relikte, sepse aftësia për interpelancë efikase dhe kreative me fushat dhe lëmitë e ndryshme për një qëllim të caktuar praktik, është një cilësi që më së shumti u mungon pikërisht njerëzve të barrikaduar në një profesion të vetëm.
Pra politikan i madh nuk mund të bëhet dikush vetëm pse është specialist në një fushë apo lëmi, përkundrazi politikanin modern e karakterizojnë paralelisht shumë aftësi dhe shkathtësi.
Lirim Gashi
|