Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
FRAGMENT NGA “KËSHTU FOLI ZARATHUSTRA” – FRIEDRICH NIETZSCHE
Publikuar më 30 mars, 2020 në orën 02:13 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Para Lindjes Së Diellit

Oh, qielli mbi mua i pastër e i thellë ! Greminë drite ! Duke të soditur, drithem nga dëshira hyjnore.
Të vërtitem në lartësitë e tua, ja thellësia ime ! Të fshihem në dëlirësinë tënde – pafajësia ime !
I heshtur mbi detin në pështjellim më shfaqesh. Dashuria jote dhe trupi yt janë për mua një zbulim për shpirtin e trazuar.
Më erdhe e mbështjellë me bukurinë tënde. Më fole pa fjalë që tregojnë mënçurinë.
Oh, si nuk të kam zbuluar të gjithë turpin e shpirtit! Erdhe tek unë përballë diellit, o vetmitare.
Ne jemi miq të përhershëm. Ne kemi të përbashkët trishtimin, tmerrin e gabimin. Ne kemi të përbashkët edhe diellin.
Ne nuk flasim. Mjaft gjëra i dimë. Ne rrimë në heshtje. Me një qeshje shfaqim atë që dimë.
A nuk je ti dritë e zjarrit tim? A nuk je ti shpirt motre që më njeh e depërton gjer në thellësitë intime?
Së bashku kemi mësuar çdo gjë. Së bashku kemi mësuar të tejkalojmë veten, dhe të qeshim pa një hije reje.
Të qeshim me sytë e kthjellët, nga largësitë të paana, ndërsa ndën ne avullojnë si shiu shtrëngesa, synimi e gabimi.
Dhe kur endem i vetmuar, ç’kërkon shpirti im i vetmuar nëpër netët dhe shtigjet e gabimit? Dhe kur u kacavirrem maleve, ç’kërkoj tjetër veç teje?
Dhe gjithë këto bredhje e gjithë këto ngjitjet, janë për mua një nevojë dhe një dalje nga ngathtësia. Të fluturoj është e vetmja gjë që dëshiron vullneti im, të fluturoj tek ti.
Dhë ç’gjë urrej më tepër sesa retë që mërgohen e gjithçka që të errëson ty? Urrej edhe zemërimin tim sepse të njollos.
I kam inat retë që ikin, këto mace dredharake grabiqare. Ato marrin nga ti e nga unë çka kemi të përbashkët, – pafundësinë, “Po” – në e pambarim dhe “Amen!” – i.
Ne i urrejmë këto kodoshë e furacake. Retë që ikin. Këto qenie të dykuptimta, që nuk arrijnë as të bekojnë e as të mallkojnë nga thelbi i zemrës.
Do të desha më mirë të ngujohem brenda një fuçie e të mos e shoh këtë qiell. Të rri në këtë humnerë e të mos e shoh këtë kube qiellore fëlliqur nga retë që ikin.
Shpesh më ngërthen dëshira të gozhdohem në një fije ari, i dhëmbëzuar prej rrufesë e në barkun e tyre të fryrë t’i bie daulles si një shpërthim bubullime.
Daullexhi i zemëruar, sepse ato më kanë vjedhur “Po” – në dhe “Amen!” – in tënd.
Më pëlqen më fort rropama, bubullima dhe poshtërimi i kohës së keqe, sesa kjo prehje prej maçoku të kujdesshëm e imtar. Tek njerëzit urrej mbi të gjithë ata që ecin lehtë, gjysmëqeniet dyshimtare e imtare si retë.
Dhe “kush nuk di të bekojë, duhet të mësojë të mallkojë!” – kjo doktrinë e qartë më ka rënë nga qielli i kthjellët. Si yll më ndrin edhe netët më të errëta.
Unë bekoj, them “Po”, sepse ti më rrethon, ti e dëlirë, e ndritshme, greminë drite! Në të gjitha qiejt do ta çoj “Po” – në time që bekon.
U bëra një bekimtar që pohon me krenari se luftova gjatë për këtë, gjersa çlirova duart për të bekuar.
Ky është bekimi im: qofsh sipër çdo gjëjë si qielli, si çatia e tij sferike, si kupola e kaltër, si siguria e vet e përjetshme. Është i lumtur ai që bekon në mënyrë të tillë.
Të gjitha janë pagëzuar në burimim e përjetësisë, tej kufijve të së mirës e të së keqes. E mira dhe e keqja nuk janë veç hije endacake, trishtime të thella dhe re që kalojnë!
Unë bekoj dhe nuk blasfemoj kur predikoj se: “Mbi të gjitha gjërat mbretëron qieli i fatit, qielli i pafajësisë, qielli i paparashikuar, qielli i trillit”.
“Për fat” – ja fisnikëria më e lashtë e botës, që ia kthej të gjitha gjërave, dike çliruar nga skllavëria e një qëllimi. Këtë liri e kthjelltësi qiellore e vura si këmbanë të kaltër mbi gjithçka kur mësova që mbi ta dhe për ta, nuk duhet asnjë “vullnet i përjetshëm”. Këtë trill e këtë çmenduri e vendosa në vend të këtij vullneti kur mësova se, “mbi të gjitha vetëm një gjë është e pamundur, të qenit i arsyeshëm!”.
Pak arsye është e nevojshme. Një thërrime mençurie e shpërndarë nga ylli në yll. Ja tharmi i përzierë tek gjithçka. Për dashuri të çmendurisë, mençuria është e shpërndarë ngado.
Pak dituri është e mundur të fitohet. Kjo siguri e bekuar gjëndet në të gjitha gjërat që vallëzojnë nën këmbët e fatit.
Oh, qiell sipër meje i pastër e i lartë! Imja është tani kjo dëlirësia jote, ku nuk ka asnjë merimangë të arsyes e asnjë pëlhurë të përjetshme të saj. Ti je për mua një vend vallëzimi për trillet hyjnore të fatit, një tryezë hyjnore për zarët e kumarxhinjve hyjnorë.
Ti u skuqe? Mos po flas gjëra që s’duhen thënë? Mos po blasfemoj kur dëshiroja të bekoja?
Apo turpi i të qënit i dyzuar të bën që të skuqesh?
Mos më thuaj të iki e të hesht, sepse po vjen dita?
Bota është e thellë, më e thellë nga ç’e beson dita. Nuk mund të thuhen të gjitha në praninë e ditës. Por dita erdhi, të ndahemi pra!
O qiell sipër meje, ti i turpshmi! I zjarrti! Oh, gëzimi im, përpara sesa dielli të zbardhë! Dita erdhi, të ndahemi pra !?” –
Kështu foli Zarathustra.

Dëshira e Madhe

O shpirti im, të mësova të thuash “sot”, “një herë” dhe “atëherë”, dhe të shpërndaje qeshjen në të gjitha ato që janë këtu, atje dhe poshtë.
O shpirti im, të lirova nga çdo kthinë, ta shkunda pluhurin, merimangat dhe hijet.
O shpirti im, ta shkula prej teje turpin meskin dhe virtytin e kthinave, dhe të binda të rrije lakuriq para syve të diellit.
Me shtrëngatën që e quajnë “frymë” u sula mbi detin tënd të trazuar, shtyva tej çdo re dhe e mbyta atë vrasësin, të cilin e quajnë “mëkat”.
O shpirti im, të kam dhënë të drejtën të thuash “jo !” si shtrëngata, dhe të thuash “po !” si qielli i hapur. I qetë si drita ti shkon përmes shtrëngatave mohimtare.
Të dhashë liri mbi gjithçka që është krijuar dhe nuk është krijuar.Kush, porsi ti, njeh dëshirën e së ardhmes?
O shpirti im, të mësova përbuzjen që nuk vjen si një tenjë, por përbuzjen e dashur, e cila, kudo më shumë, ndien përbuzje më të thellë.
O shpirti im, të mësova të bindesh në të tillë mënyrë, sa dhe shkaku të të dorëzohet, ashtu si qielli që ia mbush mendjen edhe diellit të ngjitet në lartësitë e tij.
O shpirti im, çrrënjosa prej teje çdo bindje, çdo gjunjëzim, çdo servilizëm.
O shpirti im, të kam ngjitur emra lloj e lloj ngjyrash, të kam quajtur “fat” dhe “rreth i rretheve”, “litarth i kërthizës së kohës” dhe “këmbanë e kaltër”.
O shpirti im, të dhashë të pije në mbretërinë tënde tokësore të gjithë urtësinë time, të gjitha verërat e reja, dhe të gjitha verërat e forta dhe të vjetra të mençurisë.
O shpirti im, të derdha çdo diell dhe çdo natë, çdo heshtje dhe çdo dëshirë, dhe u rrite si një trung hardhie.
O shpirti im, tani je i ngarkuar dhe përplot me begati, një trung hardhie me gjinj të fryrë, plot me bistakë rrushi me një ngjyrë të zeshkët të praruar. I ngarkuar dhe e shtypur nga lumturia jote, në pritje e në mbushullim dhe i turpëruar nga pritja.
O shpirti im, nuk ka asgjëkundi një shpirt më të dashur, më të gatshëm për përqafim, më të gjerë. Ku gjetiu e ardhmja dhe e shkuara mund të jenë më afër njëra – tjetrës sesa tek ti!
O shpirti im, gjithçka të dhashë dhe në duar s’më ka mbetur më asgjë, dhe tani? Dhe tani më thuaj duke qeshur dhe plot melankoni “Cili nga ne duhet të falenderojë? A nuk duhet të falenderojë dhurimtari marrësin e dhuratës? Nuk është nevojë të dhuruarit? A nuk është mëshirë të marrurit?”
O shpirti im, duke qeshur e kuptuar buzëqeshjen e melankonisë, mbushullimi të shtrin duart plot dëshirë.
Bollëku yt e hedh vështrimin mbi detet që gjëmojnë. Kërkon dhe pret. Dëshira e pafund e tij hedh vështrimin në qiellin e qeshur të syve të tu.
Dhe, në të vërtetë, o shpirti im, kush do ta shihte buzëqeshjen tënde pa lotë? Dhe engjëjt vetë qajnë nga mirësia e madhe e buzëqeshjes sate. Mirësia dhe tejmirësia jote nuk i do ankimet dhe lotët por buzëqeshja të mallohet për lotë dhe për dënesa goja që dridhet.
“A nuk është çdo qarje një ankim? Dhe çdo ankim një akuzë?” Kështu i flet ti vetes, por përse buzëqesh, o shpirti im, përpara sesa ta zbrasësh dhimbjen; ta derdhësh në dallgë lotësh të gjithë dhimbjen që të shkakton mbushullimi dhe të gjithë ankthin e vreshtës për vreshtarin e biçakun e tij? Në nuk do të qash, mos qaj gjersa të neveritet mërzija jote e purpurtë. Ti duhet të këndosh, shpirti im! Vështro, unë vetë po qesh, unë që të thoja: Këndo me zë të fuqishëm gjersa të heshtin edhe detet, nga dëshira jote e madhe, gjersa mbi detet e heshtur e të përndezur të shkasë varka, kjo mrekulli e artë, dhe rreth shkëlqimit të saj të vërsulen të gjitha gjërat e mira, të këqija e të mahnitshme. Shumë kafshë, të vogla e të mëdhaja, gjithçka që ka këmbë të lehta, do të sulet në shtigjet ngjyrëmanushaqeje, drejt detit të praruar, drejt varkës së lirë dhe timonierit. Ai është vreshtari që të pret me një biçak të diamantë në dorë, çlirimtari i madh, shpirti im, i paemëri, të cilit do t’i venë një emër këngët e së ardhmes.
Dhe, në të vërtetë, frymëmarrja të ka aromën e këngëve të së ardhmes, ti tani digjesh dhe ëndërron, pi i etur në bunaret ngushullimtare që kumbojnë, dhe gëzimi të prehet në lumturinë e këngëve të së ardhmes.
O shpirti im, të dhashë gjithçka, edhe të mirën më të fundit. Në duar nuk më mbeti më asgjë, të fala dhe zjarrin e këngës, dhuratën time më të fundit. Të fala zjarrin e këngës. Fol, tani, fol, kush duhet të falenderojë?
Apo më mirë: këndo për mua, shpirti im! Dhe më lër të të falenderoj!”
Kështu foli Zarathustra!

Këngë Tjetër Vallëzimi

1.
“Në sytë e tu vështrova, pak më parë, o jetë. Arin kundrova të shkëlqente në sytë e tu natorë dhe zemra m’u platit nga kënaqësia.
Një varkë të artë sodita të vetëtinte në ujrat e natës, një varkë e artë, që fundosej, përkundej dhe ngrihej sërish.
Më hodhe një vështrim tek këmbët e dalldisura për vallëzim, një vështrim të qeshur, pyetës dhe dëshirak.
Vetëm dy herë u re zileve me duart e vogla, dhe këmbët më fërgëlluan nga dehja e valles. Thembrat m’u nderën, gishtërinjtë e këmbëve mbajtën vesh, për të kuptuar. A nuk u dëgjojnë dhe gishtërinjtë e këmbëve valltarëve? Drejt teje kërceva, ti u stepe nga ky vrull, flokët e tu të gjatë e valimtarë më lëpinë me gjuhën e tyre.
Kërceva larg teje dhe gjarpërinjve të tu. Gjysmë e zhveshur, më hodhe vështrimin plot dëshië. Me vështrime të tërthorta më mësove shtigje të tërthorta, dhe nëpër to këmbët më mësuan dredhinë.
Të trembem, kur të kam pranë. Të dëshiroj, kur më je larg. Ikja jote më josh, kërkimi yt më shtang. Vuaj, por kush nuk vuan nga dëshirimi!
Për ty, që ndez me ftohtësinë, të josh me urrejtjen, të bën për vete me ikjen, të prek thellë me talljen.
Kush nuk do të të urrente ty, magjistare dhe rrënimtare, joshëtare dhe kërkimtare, ledhatare dhe pendestare.
Kush nuk do të donte ty, e pafajshme dhe e paduruar, e nxituar dhe mëkatare me sy fëmijërorë.
Ku po më çon tani tek virtyti apo te vesi? Tani më ikën prapë, hutaqe, e ëmbël dhe mosmirënjohëse!
Të ndjek pas duke vallëzuar, edhe në shtigje të pasigurta. Ku je? Jepmë dorën! Apo vetëm një gisht të saj! Këtej ka zgafella dhe kaçube drizash, mund të humbasim udhën! Ndalo! Mos ec më tej! A nuk sheh si fluturojnë përreth lakuriqë nate dhe hutinë?
Ti hutin! Ti laskuriq nate! Ti do të tallesh me mua! Ku jemi?
Prej qenve e mësove këtë ulërimë edhe lehje.
Më rrëfen dhëmbët e vegjël e të bardhë, sytë që më shohin përmes flokëve të dredhura më plagosin.
Kjo është një valle nëpër male e lugina. Unë jam gjahtari, a do të jesh langoi apo kastori im? Afromu! Më e shpejta vallëtare zemërkeqe!
Tani për lart! Dhe tani nga ana tjetër! Vaj medet, duke kërcyer rashë dhe u shëmba. Ah, shihmë si dergjem! Dëgjoe si lutem!
Me ëndje do të ndiqja nëpër shtigje dhe më të përpjeta! Nëpër shtigjet e dashurisë përmes kaçubeve shumëngjyrëshe. Apo, poshtë, në shtigjet e nënujshme të liqenit, ku notojnë dhe hedhin valle peshqit e artë. U lodhe? Atje poshtë kullosin delet dhe skuq dielli që po perëndon. Nuk është e bukur të flesh, kur barinjtë u bijen fyejve. Je tepër e lodhur? Për atje të çoj unë, vetëm më lër të mbahem te krahu! Mos ke etje?
Do të ta shuaja etjen, por nuk dua ta pijë goja jote!
Ah, kjo nepërkë e nëmur, e shkathët, e zgjuar, kjo shtrigë e pangopur! Ku je? Ndiej nëpër fytyrë shenjat e duarve të tua, si dy makje të kuqërremta. Jam lodhur së qeni bari për ty.
Për ty kam kënduar: moj zemërqene, tani duhet për mua të ulërish.
Duhet të kërcesh e të ulërish nën ritmin e kërbaçit!
Unë të harroj kërbaçin? Jo!”
2.

M’u përgjegj atëherë kështu jeta, duke mbuluar veshët e hijshme:
“O Zarathustra, mos më qëllo kaq fort me fshikull! Ti e di se zhurma i vret mendimet, dhe mua tani më vërshëllojnë mendime mjaft të ëmbla!
Ne të dy jemi njerëz që nuk bëjnë as mirë as keq. Përtej së mirës e së keqes gjetëm ishullin dhe luadhin tonë të blertë, vetëm ne të dy e gjetëm. Prandaj duhet ta duam njëri – tjetrin. Dhe nëse nuk duhemi me gjithë zemër, nuk duhet të urrehemi, se nuk duhemi kështu.
Ti e di që të dua shumë, në më të shumtën e herëve.
Për arsye, se jam xheloze me urtësinë tënde! Ah, kjo urtësi e vjetër e marroke!
Nëse kjo urtësi do të ikte ndonjë herë nga ti, do të të linte dhe dashuria ime!”
“ Zarathustra, ti nuk me je dhe aq besnik! Ti nuk më do aq sa thua. Unë e parandiej, se së shpejti do të më braktisësh.
Një këmbanë e vjetër me ngurrim, por ti e di se … “. – Dhe diçka i thashë në vesh, në mes tufave të flokëve të verdhë e të hallakatur. “
“Ti di diçka, o Zarathustra? Diçka që s’e di askush”.
Dhe ne vështruam dhe vështruam luadhin e blertë, ku frynte fresku i mbrëmjes, dhe ia shkrepëm të qarit.
Dhe atëherë jeta m’u duk më e dashur, sesa urtësia”. –
Kështu foli Zarathustra.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 245 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi