Një lajm i trishtë ishte për ne shqiptarët edhe ndarja nga jeta, në moshën 50-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë, e mikes sonë të madhe gjermane, shkrimtares e gazetares berlineze SILKE BLUMBACH! E dashuruar me ne shqiptarët, Silke e quajti veten me emrin LIRI dhe kurrë nuk harroi, që, kudo nënshkrimi i saj të ishte SILKE LIRIA BLUMBACH!
Silke jetoi në Berlin, por e lidhur fort me viset shqiptare ku ishte shpesh e pranishme. Silke Blumbach me një dashuri shpirtërore për njerëzimin, shkruante nga zemra, shkruante edhe shqip. Ajo është shpërbluar disa herë për krijimtarinë e saj. Silke ka punuar në Kosovë dhe ka jetuar edhe në Shqipëri. Silke ishte shkrimtare, poete dhe gazetare me ndjeshmëri të lartë krijuese dhe artistike. Humaniste dhe veprimtare aktive e shoqërisë civile me ndjeshmëri të lartë sociale.
Silke Blumbach, si një shqiptare e vertetë ka shprehur dashurinë dhe respektin për kombin shqiptar në shumë shkrime të saj...Shumë prej ne mërgimtarëve e kujtojmë Silken si një mbështetëse të fuqishme dhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës, në luftën kundër okupimit serbosllav, ku Silke ka marrë pjesë edhe në shumë demonstrata, të organizuara nga ne shqiptarët në Gjermani.
Gjithashtu kontributi i saj për shqiptarët është ndier në shumë aktivitete e veprimtari si në Kosovë e Shqipëri dhe Silke krahasohet me motrat tona, ndaj ajo do te mbetet për jetë në kujtimet e atyre, që kanë pasur fatin ta njihnin së afërmi. Pra, edhe une pata fatin ta njohë ne demonstratën e organizuar në Shtutgart, për t‘i bërë apel Serbisë, që t‘i lironte të burgosurit politikë shqiptar nga burgjet serbe.
I lehtë i qoftë dheu kësaj mike të madhe, gjermane, të shqiptarëve!
I PAHARRUAR KUJTIMI PËR SILKE LIRIA BLUMBACH!
Ngushëllime familjes së saj dhe për të gjithë ata, shokë e miq, që e kanë njohur!
|