Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NË 22 VJETORIN E RËNIES SË GJENERALIT TË UÇK-së, KOLOSIT TË LUFTËS ҪLIRIMTARE AGIM ҪELAJT
Publikuar më 21 korrik, 2020 në orën 23:10 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Gjatë verës së vitit 1998 në zonat e luftës në Drenicë kam pasur rastin të takoj shumë eprorë dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët shquheshin për kah përkushtimi dhe vendosmëria. Një ndër ta është Agim Binak Çelaj - komandant “Coli” nga Dukagjini, i cili, prej të gjithë ushtarakëve që kam takuar, ishte më i afti në aspektin ushtarak. Ka qenë qershor i vitit 1998 kur e kemi xhiruar emisionin “Territoret e çliruara”.
Zbulimi i figurës qendrore ushtarake të UÇK-së, që u bë imazh i dinjitetshëm i UÇK-së
Para xhirimit të betimit të UÇK-së shkuam në Jashanicë për të xhiruar një zonë, një pikë që kontrollohej nga forcat serbe nga Klina dhe pjesa tjetër që kontrollohej nga UÇK-ja. Aty shkuam me Shaban Shalën, me makinën e tij, me një xhip. I thashë Abazit xhiro pak pamje nga makina, ende pa zbritur. Aty i pamë disa luftëtarë me uniformë të UÇK-së. I thashë xhiroi në mënyrë të natyrshme. Abazi filloi të xhirojë. Një nga të uniformuarit, shtatgjatë dhe shumë serioz na ndaloi në mënyrë shumë të kulturuar, ashtu si i ka hije një ushtaraku. Ishte hera e parë që na ndalonte dikush në stilin ushtarak:“Mirëdita!”, na thotë. “Mirëdita”, i themi.“Më falni, kush jeni ju?”, na pyet.I tregoj: “Unë jam gazetari Nuhi Bytyçi. Ky është kameramani Abaz Zeka. Kemi marrëveshje me Shtabin e Përgjithshëm të xhirojmë pamje në të gjitha zonat që kontrollohen nga UÇK-ja”. Ushtaraku më thotë: “Në rregull, zotëri Nuhi por, keni kujdes, se këtu afër janë pozicionet e forcave serbe dhe mund t’ju sulmojnë dhe të rrezikohet jeta juaj”.

Bëmë disa xhirme në Jashanicë. Ushtarakut trupgjatë vërtet i kishte hije uniforma e UÇK-së. Ai qëndrimin e kishte tamam ushtarak. Ai nuk na e tha emrin, por unë e pyeta Shaban Shalën për të dhe ai më tregoi se ai ishte ushtaraku, oficieri i karrierës Agim Çelaj. Pastaj shkuam në një pikë tjetër, aty afër në Jashanicë që t’i xhironim pozicionet e forcave serbe.
Kur jam takuar me krerët e UÇK-së në Kleçkë, duke u konsultuar për realizimin e emisionit të parë dokumentar kushtuar UÇK-së, i propozova që gjithsesi në emision të jetë edhe Agim Çelaj. Ata u pajtuan plotësisht me propozimin tim. Kështu e zbulova figurën kryesore të nivelit të lartë ushtarak të UÇK-së.
Si e xhiruam dokumentarin e parë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ?
Pas qëndrimit disaditor në Kleçkë dhe në Drenicë (Likoc, Abri, Rrezallë, Ticë dhe fshatra të tjerë), me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn, Ferat Shalën, Sahit Jasharin, Jahir Demakun, Rexhep Selimin dhe eprorë të tjerë të lartë të ShP të UÇK-së, kemi biseduar se si ta realizojmë xhirimin e një dokumentari special kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për transmetim në Televizionin Shqiptar në Tiranë.

Unë e kam bërë konceptin, skenarin e xhirimit dhe ua kam propozuar drejtuesve të UÇK-së. Drejtuesit e UÇK-së e kanë përkrahur skenarin tim dhe m’i kanë dhënë disa ide shtesë për ta kompletuar sa më mirë dokumentarin. Unë jam treguar bashkëpunues me këtë rast, sepse për mua kjo ishte një punë shumë e rëndësishme dhe isha i interesuar që dokumentari të dalë sa më mirë dhe të ketë jehonë pozitive në opinion.
Kam propozuar të fillojmë me xhirimin e aktit të ngritjes së flamurit kombëtar nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj të betimit të pjesëtarëve të UÇK-së dhe të vazhdojmë me intervista të eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së.
Jemi marrë vesh me Fatmir Limajn, që në Luzhnicë, ku ishte komanda e një kompanie - e Batalionit të Njësitit “Çeliku”, që komandohej nga Ismet Jashari - komandant “Kumanova”, për ta xhiruar aktin e ngritjes së flamurit kombëtar.
Para se ta xhirojmë aktin e betimit solemn të UÇK-së, në kuadër të dokumentarit kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ditë më parë në komandën e njësiteve që komandonte Ismet Jashari-“Kumanova”, në Luzhnicë, kemi xhiruar bisedën me Bislim Zyrapin, i cili ishte shef i Shtabit Operativ të UÇK-së dhe me gjeneral Agim Çelën, i cili komandonte njësitet speciale të ShP të UÇK-së. Në Luzhnicë, në natyrë, i pari foli Bislim Zyrapi, i cili paraqiti vlerësimet për veprimin operativ të UÇK-së. Pastaj xhiruam deklaratën e eprorit të lartë të UÇK-së, Agim Çelajt. Agimi shkëlqente me uniformën e UÇK-së dhe qëndrimi i tij burrëror para kamerës më emocionoi shumë. Ai tha, me qëndrim bindës: “Jam epror i lartë i UÇK-së. Jam kthyer vullnetarisht nga Perëndimi për t’iu bashkangjitur vullnetarisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu po e shoh një vullnet të madh të popullit shqiptar, sidomos te rinia, që të luftojmë për çlirimin e Kosovës. Shumë të rinj nuk kanë përvojë në përdorimin e armatimit, por ata kanë vullnet të madh për të luftuar kundër Serbisë. Jam optimist për të epilogun e luftës sonë.”

Kjo deklaratë me të vërtetë ishte e jashtëzakonshme. E transmetova të tërën, ashtu si e tha Agimi. Për paraqitjen e gjeneral Agim Çelës para kamerës mund të them se gjatë punës sime shumëvjeçare gazetareske televizive nuk kam hasur në një personalitet të tillë ushtarak që është i përgatitur profesionalisht dhe i veçantë nga aspekti i shprehjes, oratorisë në mënyrë shumë bindëse, me dukje shumë impozante para kamerës.
Gjenerali Agim Çelaj i prin dinjitetshëm marshit të gjatë të luftëtarëve të lirisë
Kur më 26 qershor të vitit 1998 në Kleçkë xhiruam rreshtin e gjatë të ushtarëve të UÇK-së, të cilëve u printe gjeneral Agim Çelaj, krijuam një çast tjetër të veçantë për kujtesën kolektive për luftën. Ishte ky rreshtimi i famshëm i luftëtarëve të lirisë, duke kënduar marshin e njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: “Jemi trupa komando!” Agimi dukej si oficer i ushtrisë amerikane dhe te të gjithë eprorët, pjesëtarët e UÇK-së, te civilët dhe te unë e Abazi, la përshtypje të veçantë. Më ka rënë që me Agim Çelajn të komunikoj drejtpërdrejt. Mbaj mend shumë fjalë të tij sepse ishte shumë autoritativ dhe punonte me shumë përkushtim me ushtarët e rinj të cilët i ushtronte. Aty Agimi tregoi përkushtimin, profesionalizmin dhe menaxhimin e mirëfilltë të UÇK-së. Insistova te Hashim Thaçi, meqenëse Agim Çelaj ishte epror, oficer karriere i mirëfilltë profesionalisht, ta xhirojmë një pjesë të emisionit me të. Agim Çela merr hartën ushtarake dhe i sqaron Xhavit Ferizit disa çaste të planifikimit të ofensivave kundër forcave serbe. Konkretisht tregonte ku janë pozicionet e forcave serbe, se këtu është e pozicionuar UÇK-ja, se çfarë duhet të bëjmë dhe të tjera. Xhirimi u realizua shumë mirë. Agim Çelaj kishte vazhduar punën profesionale si epror i karrierës ushtarake edhe në Grykën e Llapushnikut, edhe në pjesë të tjera të Zonës Operative të Pashtrikut dhe të Drenicës. Ai punonte për konsolidimin e radhëve të UÇK-së dhe kishte fituar besim të madh jo vetëm tek ushtarët dhe Shtabi i Përgjithshëm, por edhe në popull, kudo që takohej. Kisha dëgjuar rrëfime të veçanta për atë njeri, për sinqeritetin e tij, për përkushtimin e tij. E kishte të lindur komunikimin e natyrshëm dhe të sinqertë me të gjithë ata që i takonte.

Sa më tronditi lajmi për rënien e Agim Çelajt?
Më 19 korrik, në betejën e Rahovecit, sa isha në Tiranë për t´i dërguar dhe transmetuar emisionet dokumentare për luftën e UÇK-së, kishte rënë dëshmor Gjeneral Agim Çelaj, njëra prej figurave më të afta ushtarake të luftës sonë për liri. Kur mora vesh për këtë sikur mu ndal frymëmarrja, ngase ndjeva dhembje për humbjen madhe të oficerit më të shquar të karrierës, strategut të UÇK-së, me emrin e të cilit lidhen shumë suksese të luftëtarëve nëpër beteja në mbarë Drenicën e Llapushën. Bashkë me të kishin rënë edhe Sadik Shala, anëtar i familjes së madhe Shala nga Kleçka, në shtëpinë e të cilit ishte i vendosur edhe një pjesë SHP të UÇK-së dhe të Shtabit të Brigadës 121 të UÇK-së. Sadikun e kisha takuar në Kleçkë shpesh dhe më kishte lënë përshtypjen e një luftëtari të shkathtë dhe të një organizatori të mirëfilltë të luftës. Në Betejën e Rahovecit kishin rënë dëshmorë edhe luftëtarët Hamdi Berisha, Afrim Krasniqi, Liman Gegaj, Habib Berisha, Gani Paçarizi, Tafil Zyberaj, Arian Brahimi, Eshrafedin Kastrati, Ruzhdi Xhuliqi, Ramadan Morina, Bajram Veliu, Faik Rama, Remzi Ukshini, Mizahir e Bekim Isma, Gëzim Mullabazi, Xhevat Kasapi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Abdullah Bugari, Gëzim Hamza-Piktori dhe shumë dëshmorë të tjerë. Në mesin e dëshmorëve të lirisë që u bë gurthemel i lirisë së Rahovecit dhe Kosovës ishte edhe veprimtari dhe prijësi shpirtëror i Anadrinisë.

Legjenda dhe miti për komandantët Agim Çelaj dhe Ismet Jashari-Kumanova
Kur kam shkuar në Kleçkë dhe jam takuar me drejtuesit dhe luftëtarët e Brigadës 121 kishin nisur të qarkullonin disa versione të legjendave për komandant Agim Çelajn-“Colin” dhe Ismet Jasharin-“Kumanovën”. Ushtarët kishin krijuar mitin për “Colin” dhe “Kumanovën”, për pavdekësinë e tyre. Nga Shtabi i Përgjithshëm dhe nga Brigada 121 ishte përhapur lajmi se Agim Çelaj dhe Ismet Jashari-“Kumanova” janë plagosur dhe janë duke u shëruar në një spital ushtarak. Kjo ishte bërë për shkak se, nëse ushtarët e kuptojnë se ata janë vrarë nga forcat serbe, do të zhgënjehen, sepse “Coli” dhe komandant “Kumanova” ishin bërë emra të mëdhenj në UÇK, për ushtarët ata ishin të pamposhtur dhe të pavdekshëm. Një lajm i tillë kishte qarkulluar disa muaj në të gjitha njësitet e UÇK-së në vargmalet e Berishës. Një kohë edhe unë kisha filluar t’i besoja këtij lajmi sepse nuk mund të pajtohesha me faktin se ata kanë rënë në fushën e nderit. Për këtë kisha botuar një shkrim në revistën “Zëri”. Por, rënia e komandant “Kumanovës”, e “Colit”, e “Arbrit”, e Nuhi Mazrekut - “Snajperistit”, e Afrim Buçajt, e Gani Kastratit, e Sadik Shalës, e Hamdi Berishës dhe e luftëtarëve të tjerë në betejën e Rahovecit ishte humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Roli i tyre ishte i jashtëzakonshëm, prandaj s’mund ta zinte pothuajse askush, sepse të bëmat e këtyre dhe të trimave të tjerë ishin të përmasave tejet të mëdha për luftën tonë për liri dhe pavarësi.

Sfidat për realizimin e filmit dokumentar për gjeneral Agim Çelajn-“Colin”
Kur kam realizuar dokumentarin për Agim Çelën kam punuar kohë të gjatë dhe me përkushtim të veçantë. Kam punuar për dizajnimin e saktë të skenarit disa muaj, pastaj një vit kam për realizimin e tij. Më ka ndihmuar shumë familja e Agimit, sidomos vëllai i tij, Besimi, të cilit i thashë të m’i shënojë në e-mail të gjitha çfarë i di për të, jetën, kujtimet, bisedat, kontaktet dhe të tjera, si fëmijë e si oficer i ish-Armatës së Jugosllavisë, zhveshjen e uniformës së saj si dhe përgatitjen për të hyrë në luftë në Kosovë. Kështu bashkë me kameramanin Bekim Qyqalla e kemi xhiruar dhe e kemi përgatitur filmin dokumentar kushtuar heroit të Kosovës Agim Çelajt, i cili ka qenë ndër dokumentarët e punuar më me përkushtim dhe realizuar më me sukses. Kam punuar bukur gjatë. Vetë fakti që e kisha intervistën me Agimin sa ishte gjallë, në Luzhnicë e Kleçkë, në qershor të vitit ’98 dhe xhirime të tjera në Kleçkë, më kanë shërbyer që ky dokumentar të dalë më i begatuar me xhirime arkivore, me fjalë të gjalla të heroit të Kosovës, Agim Çelës.
Edhe rrëfimet e vëllait të Agimit - it dhe Florinit, ishin shumë emocionuese, dokumentuese dhe të natyrshme. Ndërelaq, fëmijët e Agimit, Gentiani dhe vajzat Syzana e Valentina dhe bashkëshortja Buba, me rrëfimet e tyre për përkushtimin e ushtarakut Agim Çelaj për të shkuar në luftë në Kosovë, dëshmuan dëshirën e tij të madhe për të kontribuar, madje edhe për tu flijuar për lirinë e Kosovës.
Rrëfimet e familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të Agimit për kontributin e këtij gjenerali të madh në aftësimin e luftëtarëve të tij dhe pjesëmarrjen e tij në beteja frontale me forcat serbe, ishin pjesët më të mira të dokumentarit “Agim Çelaj, oficer i karrierës – luftëtar i lirisë”.

Takimi im me nënën e tij, Zelfijen, një nënë vërtet heroinë, ishte shumë emocionues sepse nëna, pos që kishte krenari për të, kishte dhimbje për rënien e tij dhe e vërente pas luftës mungesën e Agimit.
Në 22 vjetorin e rënies heroike të Gjeneral Agim Çelajt, si gazetar që kam përcjellë zhvillimet gjatë periudhës së luftës, jam ndier i privilegjuar që kam pasë fatin dhe nderin që ta takoj drejtpërdrejt dhe ta intervistoj oficerin e karrierës, strategun e luftës sonë çlirimtare Gjeneral Agim Çelajn. Ruaj kujtimet më të mira për të dhe veprën e tij madhore për lirinë e Kosovës. Familja atdhetare Çelaj, por edhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët me Agimin morën pjesë në shumë beteja të lavdishme kundër forcave serbe, duhet të jenë krenarë më kolosin e luftës, Heroin e Kosovës Gjeneral Agim Çelajn. Falë sakrificës sublime të Agimit dhe të mijëra dëshmorëve të tjerë, Kosova u çlirua nga Serbia dhe sot është shtet i pavarur e domokratik, duke synuar që të arrijë të bëhet pjesë e të gjitha proceseve integruese të familjes së madhe Evropiane dhe të çojë deri në vend amanetin e dëshmorëve të lirisë.
pashtriku.org

(Fragmente nga „Libri i luftës“ i autorit Nuhi Bytyçi, botuar në mars 2019 nga shtëpia botuese “Armagedoni”)

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 180 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi