Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Instrumentalizimi i marrëdhënieve Kosovë-SHBA
Publikuar më 30 korrik, 2020 në orën 13:11 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Nuk ka asgjë të keqe të vlerësohet lart miqësia shqiptaro-amerikane dhe të shfrytëzohet ajo me menҫuri në funksion të zgjidhjes së problemeve që shqetësojnë vendin dhe popullin. Por, në momentin që ajo vihet në shërbim të agjendave personale, nga dikush, për ngjitjen e shkallëve në karrierën politike dhe nga dikush tjetër, për ta përdorur si rrufepritës, atëherë kemi të bëjmë me instrumentalizimin e saj.
I. Instrumentalizimi i miqësisë
Më 12 shkurt 2019, tre zyrtarë të lartë të administratës amerikane, Metju Palmer, nga Departamenti i Shtetit, Laura Kuper, nga Departamenti i Mbrojtjes, dhe Xhon Erath, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, në përpjekjen e radhës për t’i bindur udhëheqësit e Kosovës për pezullimin e tarifës 100% ndaj mallrave serbe, iu drejtuan atyre me një letër, në të cilën theksojnë: “Është e pabesueshme që, pas gjithë ҫfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët, sa të injorojë këshillat tona”.

Retorika e letrës ishte e qartë: kështu shpërblehen sakrificat që SHBA-ja ka bërë për Kosovën, kur ajo ishte në ditë të vështira? Ku është mirënjohja për ndihmat dhe kontributin e shtetit dhe kombit amerikan për shqiptarët? Gjuha emocionale e saj të kujtonte rrethanat kur Ҫezari iu drejtua Brutit: “Edhe ti, biri im?”. Vetëm se situata për të cilën flisnin tre zyrtarët e lartë amerikanë ishte e manipuluar, nuk ishte Ҫezari nën goditje, por Bruti, Kosova, një pjesë e territorit të së cilës rrezikohej të grabitej nga fqinji i saj verior, me ndihmën e segmenteve të caktuara pushtetore, brenda vendit.

Nuk ishte hera e parë që politikanët dhe diplomatët amerikanë, për të arritur qëllime të caktuara politike, i referoheshin miqësisë Kosovë-SHBA dhe, më gjerë, asaj shqiptaro-amerikane. Kështu pati ndodhur edhe me 2013, në rastin e refuzimit, nga ana e Shqipërisë, të asgjësimit në territorin e saj, të armëve kimike siriane, por edhe në disa raste të tjera.

Pavarësisht se për armët kimike dhe tarifat nuk dha rezultatet që priste Uashingtoni, në shumicën e rasteve të tjera argumenti i miqësisë shqiptaro-amerikane ka funksionuar. Mjafton të përmendim ndikimin e tij për fillimin e dialogut teknik me Serbinë; për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe; për amendimin e Kushtetutës, lidhur me ngritjen e Gjykatës Speciale, për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionint me Malin e Zi etj. Ana e fortë e këtij argumenti qëndron në të vërtetën e pamohueshme që, në 100 vjetët e fundit, asnjë komb, popull e shtet, nuk i ka ndihmuar shqiptarët më shumë se amerikanët. Duke filluar që nga presidenti U. Uillson, në mbrojtje të kufijve të shtetit shqiptar, në përfundim të Luftës së Parë Botërore, për të vazhduar me mbajtjen gjallë të idealeve të lirisë gjatë Luftës së Ftohtë dhe kontributin e jashtëzakonshëm për shembjen e diktaturës komuniste dhe hedhjen e themeleve të demokracisë në Shqipëri. Të pazëvendësueshëm dhe jetikë kanë qenë dhe mbesin ndihma dhe kontributi amerikan për mbijetesën e një populli të pambrojtur, siҫ ishin shqiptarët, nën regjimin e Slobodan Miloshevicit, ҫlirimin e Kosovës nga sundimi i Beogradit, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe shtetndërtimin e saj etj.

Në këtë kuptim, SHBA-ja konsiderohet, me të drejtë, nga shqiptarët si një komb i “pazëvendësueshëm” për ta. Kjo është edhe arsyeja që ata vlerësohen si populli më proamerikan në botë. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë fakt, përfaqësues të lartë të Uashingtonit zyrtar, për shkak të interesave konjukturore në rajon dhe, në ndonjë rast, për interesa të lidhura me agjendat politike personale të figurave drejtuese të shtetit amerikan, përfshirë presidentin Tramp, e kanë instrumentalizuar miqësinë midis Kosovës dhe SHBA-së.

T'u kërkosh autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj mallrave serbe, për hir të miqësisë me SHBA-në, kjo do të thotë të abuzosh me këtë miqësi dhe ta përdorësh atë si një mjet për të arritur objektiva të caktuara politike në marrëdhënie me të tretët. Është një gjë që t’i kërkohet Kosovës një sakrificë në dobi të popullit amerikan dhe krejt diçka tjetër që kjo sakrificë t`i kërkohet në favor të Beogradit.

Instrumentalizimi i miqësisë Kosovë-SHBA është akoma më i dukshëm tek udhëheqësit e Kosovës. Me përjashtim të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetёvendosje që ai drejton, politikanët e tjerë këtë lloj qasjeje e kanë ndër më të preferuarat. Janë të njohura deklaratat e përsëritura të presidentit Thaҫi, “Pa raporte strategjike me SHBA-në, nuk na duhen as liria, as pavarësia e Kosovës”, ose vlerësimet e tij për “aleancën e shenjtë” dhe “miqësinë e përjetshme” midis dy vendeve tona. Ish-KM Haradinaj, veҫ lidhjeve midis popujve, flet edhe për miqësi familjare me SHBA-në. Në një koment nё fejsbuk, ai shkruan: “Unë dhe familja ime dhe ajo politike, jemi me Amerikën. Jemi me të ngarkuarit e Amerikës për Ballkanin dhe Kosovën. Iu besojmë me jetë institucioneve të sigurisë kombëtare të Amerikës”.

Instrumentalizimi i miqësisë shqiptaro-amerikane nuk është dukuri vetëm kosovare. Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka garantuar presidentin Tramp për “miqësi të pakushtëzuar” të shqiptarëve. Kjo dukuri nuk kufizohet as vetëm me pushtetarët, megjithëse ata janë më të zellshmit dhe më të zëshmit në këtë ҫështje. Janë të shumtë studiuesit, analistët, apo përfaqësuesit e shoqërisë civile që miqësinë midis Kosovës dhe SHBA-së e konsiderojnë si “të bekuar” nga zoti, pra të dhënë, njëherë e përgjithmonë dhe që nuk i nënshtrohet ndryshimit. Nga ky kënd vështrimi arrihet në përfundimin e pabazuar se qëndrimi në krah të presidentit Tramp do të thotë të qëndrosh në krah të Kosovës dhe në anën e duhur të historisë.

Nuk ka asgjë të keqe të vlerësohet lart miqësia shqiptaro-amerikane dhe të shfrytëzohet ajo me menҫuri në funksion të zgjidhjes së problemeve që shqetësojnë vendin dhe popullin. Por, në momentin që ajo vihet në shërbim të agjendave personale, nga dikush, për ngjitjen e shkallëve në karrierën politike dhe nga dikush tjetër, për ta përdorur si rrufepritës, atëherë kemi të bëjmë me instrumentalizimin e saj.

II. Instrumentalizimi i besimit të ndërsjellë
Është e natyrshme që një miqësi si ajo midis Kosovës dhe SHBA-së të ketë si element qenësor të saj besimin e ndërsjellë. Miqësia dhe besimi janë bashkëndikues dhe bashkëplotësues të marrëdhënieve të shëndosha midis dy popujve dhe dy shteteve tona, deri në momentin kur ato nuk instrumentalizohen nga përfaqësuesit e administratave shtetërore.

Ashtu si miqësia, në jo pak raste, është instrumentalizuar edhe besimi i ndërsjellë. Kjo dukuri është shfaqur sidomos me emërimin e ambasadorit Grenell si i dërguar i posaçëm në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi. R. Grenelli, ashtu si më parë F. Mogerini, pothuaj e privatizoi këtë proces, duke zhvilluar bisedime të fshehta me presidentët Thaҫi dhe Vuҫiҫ, në Berlin apo edhe Uashington, pa dhënë asnjë informacion se për ҫfarë bisedohej. Nënteksti i një qëndrimi të tillë ishte: “Pse, a nuk po na besoni…?”, “A mos doni gjë me shkrim nga miqtë tuaj më të afërt?”. Mungesë transparence ai shfaqi edhe në një deklaratë të përbashkët me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Kosnet, dhe të dërguarin e Departamentit të Shtetit në Ballkan, Palmer, lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Grenell e përjashtoi faktin që vetё ai të ketë dijeni për këtë tezë, ndërkohë që heshti për dy kolegët e tij. Më vonë rezultoi se edhe ai vetë nuk kishte qenë krejt pa dijeni kur e akuzoi ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Xhon Bolton, se kishte qenë pikërisht ai frymëzuesi i kësaj ideje, në kundërshtim, gjoja, me politikën e presidentit Tramp.

Akoma më të papërmbajtur në instrumentalizimin e besimit të ndërsjellë janë politikanët e Kosovës. Deklarata të tilla si “Unë i besoj pa rezerva SHBA-së”, “I kemi besuar dhe do t`i besojmë gjithmonë Amerikës”, “Të mos dyshojmë kurrë ndaj Uashingtonit”, “Nëse nuk i besojmë SHBA-së, kujt duhet t`i besojmë?”, nuk kanë asgjë të keqe, në qoftë se ato shfrytëzohen në dobi të shtetit të Kosovës dhe jo të idesë së ndryshimit të kufijve, si në rastin e Hashim Thaҫit, apo të lojës së brendshme politike, si në rastin e Isa Mustafës. Problemi është se ata vetë nuk i besojnë Amerikës, por duan ta shfrytëzojnë emrin e saj dhe besimin që qytetarët e thjeshtë kanë tek ajo, duke i ambalazhuar interesat e tyre personale si interesa të SHBA-së. Këtë lloj hipokrizie Hobsi e klasifikon si “ligësi të dyfishtë”. Atë që guxon të përpiqet për të zbuluar hipokrizinë e tyre ata e etiketojnë si të painformuar, dashakeq, antiamerikan dhe paranojak. Siҫ konstaton me të drejtë autori i njohur Veton Surroi, kjo qasje e politikanëve kërkon që besueshmëria ndaj Uashingtonit të jetë si paradhënie ndaj faktit që kemi të bëjmë me SHBA-në, si abstraksion, ose si një trup hyjnor dhe, si e tillë, e pagabueshme.

III. Instrumentalizimi i fuqisë
Në marrëdhëniet e saj me Kosovën, administrata e presidentit Tramp, jo rrallë, ka ushtruar elementë të fuqisë së fortë. E vërteta është se edhe administratat e mëparshme i kanë përdorur këta elementë, por jo kaq hapur dhe në mënyrë kaq arrogante, sa kjo e tanishmja. Në vitin 1998, amerikanët e kanë kërcënuar presidentin Ibrahim Rugova se, në rast se nuk do të pranoheshin kushtet e autonomisë së propozuar nga ana e tyre, atëherë shqiptarët nuk do të duhej të llogarisnin në ndihmën e Uashingtonit. Por ky presion është bërë në rrugë diplomatike, jo publikisht. Në Rambuje, gjithashtu, është ushtruar trysni për të firmosur marrëveshjen, sipas kushteve të propozuara prej tyre, por edhe aty bisedimet janë zhvilluar në kushtet e konfidencialitetit të plotë dhe, mbi të gjitha, është hedhur dritë mbi cakun ku do të arrihej. Raste të tilla janë përsëritur edhe më vonë, gjatë procesit të statusit, si dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por shkalla dhe mënyra e ushtrimit të trysnisë, frikësimit dhe kërcënimit, nga ana e përfaqësuesve të administratës së Trampit, ndryshojnë rrënjësisht nga ato të mëparshmet. Kjo duket qartë, që në letrën e 3 zyrtarëve të lartë amerikanë të datës 12 Shkurt 2019, në të cilën ata kërcënuan hapur se mospezullimi i tarifës 100% për mallrat serbe do të kishte pasoja në partneritetin Kosovë-SHBA, në fushën e sigurisë dhe në aspekte të tjera. Kërcënimi i tyre u materializua në shtyrjen e vizitës së gjeneralit Timoti Orr nga Garda Kombëtare e Ajovas.

Me Grenellin, kёrcёnimet dhe trysnia u intensifikuan mё tej. Elementёt e fuqisë së butë, karakteristikë për marrëdhëniet e mëparshme Kosovë-SHBA, u zbehёn dhe filluan të mbizotërojnë ata të fuqisë së fortë. Tuitplomacia zuri vendin e diplomacisë klasike, gjuha e vrazhdë zuri vendin e asaj elokuente, ndërsa urdhrat nga Uashingtoni, zunë vendin e këshillave miqësore.

Pjesë e kësaj politike të forcës janë: kërcënimet e përsëritura të ambasadorit Grenell ndaj Qeverisë Kurti për pezullimin e tarifave e të reciprocitetit me Serbinë dhe heqjen dorë nga lobimi për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare; pezullimi i fondeve të projekteve në kuadrin e bashkëpunimit me Korporatën për Sfidat e Mijëvjeҫarit (Millenium Challenge Corporation - MCC); kërcënimet e disa senatorëve për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, të përforcuara rregullisht edhe nga tuitet e R. Grenellit.

Duhet theksuar se pezullimi i fondeve të projekteve të MCC-së ishte krejtësisht arbitrar, sepse ai program nuk kishte fare lidhje me tarifat ndaj Serbisë dhe Kosova nuk e kishte shkelur asnjë pikë të asaj marrëveshjeje. Pezullimi ishte thjesht një instrument për të shantazhuar Kosovën nga pozitat e fuqisë ekonomike.

Akoma më i rëndë ishte kërcënimi nga pozitat e fuqisë ushtarake. Sepse, tërheqja e trupave amerikane nga Kosova do të vinte në pikëpyetje serioze praninë e KFOR-it në Kosovë, duke e lënë vendin te vetëm përballë armatës serbe, e cila po furnizohet ҫdo ditë me armë e teknologji ruse, ndërkohë që administrata e Trampit hesht.

Siҫ dihet, fuqia e butë, apo ajo e fortë ushtrohen për të ndryshuar sjelljen e aktorit të shenjëstruar, në rastin konkret, të kryeministrit Albin Kurti, i cili, megjithatë, rezistoi. Ai u përpoq të argumentojë se nuk ishte në interes të Kosovës heqja e menjëhershme e tarifave, se ajo duhej bërë gradualisht, duke parë edhe reagimin e Serbisë. Gjithashtu, ai u shpreh i vendosur kundër heqjes së reciprocitetit me Serbinë, pasi, sipas tij, kështu do të shkelej një ndër parimet bazë të marrëdhënieve ndërshtetërore – barazia. Atëherë, grenelldiplomacia futi në lojë mekanizma të tjerë – bashkëpunimin me partnerin e Kurtit në qeverisje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për ta larguar atë nga pushteti. Një ndër figurat kryesore të LDK-së, akademiku Kujtim Shala ka deklaruar se administrata e Trampit kërkonte me këmbëngulje që Albin Kurti të mos udhëhiqte bisedimet me Serbinë. Në këto rrethana, më 10 mars 2020, u thirr në Uashington një delegacion i LDK-së për të marrë udhëzimet e rastit për rrëzimin e Qeverisë. Albin Kurti u shpall antiamerikan dhe me 25 mars 2020, në kulmin e pandemisë, mocioni i mosbesimit, i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, u miratua me 2/3 e votave të Kuvendit të Kosovës.

Vijmë kështu tek një ҫështje tjetër, specifike për politikanët e Kosovës – instrumentalizimin e fuqisë amerikane, në funksion të interesave të tyre të ngushta. Përfaqësuesi më tipik i kësaj kategorie është presidenti Hashim Thaҫi, i mbështetur nga këshilltarët e tij, si dhe një numër analistësh. Në këtë grup bën pjesë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, por edhe disa politikanë të partive të tjera. Instrumentalizimi i tyre shfaqet në koncepte të tilla si: “po i dole Amerikës kundër, ajo të bën gjëmën”, “të zbatojmë porositë që jep superfuqia e botës”, “ne jemi të vegjël për ta mësuar Amerikën”, “Grenelli duhet të merret seriozisht, ai nuk pyet shumë, as nuk të lutet”, “nuk i bihet murit me kokë”, etj. Një e përditshme e Prishtinës, mё 26 Shkurt 2020, botoi shkrimin: “Ekskluzive: Riҫard Grenell e pret Kurtin deri të premten” (28.2.2020), pra vetëm dy ditë, sepse, paralajmëronte ajo, “administratës së presidentit Tramp po i soset durimi”. Ndërkohё një ligjërues universitar “zbuloi” se “trysnia amerikane mbi KM Kurti është në të mirë të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Se ku e shihte ky ligjërues të mirën e shqiptarëve, kur si pasojë e politikave shtrënguese të administratës së Trampit, u rrëzua një qeveri dhe Kosova u detyrua të pranojë se nuk është e barabartë me Serbinë, duke shkelur kështu Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit 2008 dhe Kushtetutën e vet, e di vetëm ai.

Kongresisti Eliot Engel këtë qasje të administratës Tramp e ka quajtur “vepër bulizmi” ndaj një demokracie të vogël. Presidenti i 26 i SHBA-së, Teodor Rusvelt, (republikan) këshillonte, “Nëse dëshiron të shkosh larg, fol but, por mbaj një shkop të madh me vete”. Në marrëdhëniet me Kosovën, Riҫard Grenelli, jo vetëm që mbajti me vete një shkop të madh, por edhe foli ashpër. Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk e kanë pritur që administrata e një vendi, drejt të cilit ata, historikisht, i kanë drejtuar sytë, mund t’ia vërë Kosovës gjunjët në fyt dhe ta ҫojë në situatën kur ajo ndien se “s’merr dot frymë” (“I can’t breathe”) dhe, në këtë gjendje të rëndë, të psherëtijë, “Edhe ti, Ati im?”

Instrumentalizimi i marrëdhënieve Kosovë-SHBA, sidomos gjatë dy viteve të fundit të administratës së Trampit dhe pasojat e kësaj dukurie mbi fatet e vendit duhet ta bëjnё elitën politike të mendohet fort dhe të reflektojë thellë mbi natyrën e vërtetë të aleancave dhe partneriteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe të nxjerrë mësimet e duhura për hartimin e një politike më realiste, për t’u përballur më me sukses me sfidat komplekse, me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë fazë kritike të zhvillimit të saj historik.

Ajo duhet të vetëdijesohet se të gjitha aleancat dhe miqёsitë midis shteteve kanë një dimension instrumental. “Virtyti i Tukididit” është mysafir i rrallë në to. Këtu nuk bën përjashtim as marrëdhënia midis Kosovës dhe SHBA-së. Henri Kizingeri këshillonte, “Për hir të zotit, jo aleanca sentimentale… një politikë sentimentale nuk njeh reciprocitet”. Me ndonjë përjashtim të rrallë, administratat amerikane i janë përmbajtur këtij postulati në marrëdhëniet e tyre me jashtë. Janë tjetër gjё deklaratat publike, shprehjet e kortezisë, retorika për miqёsi të përjetshme etj. Ato nuk shprehin thelbin e vërtetë të marrëdhënieve. Detyra e politikanëve, studiuesve apo analistëve është të shohin përtej tyre. Jo ҫdo gjë që del nga goja e amerikanëve mund të jetë e vërtetë. Në një studim të CNN-së vihet në dukje se, pothuaj të gjithë presidentët amerikanë, me përjashtim të Xhimi Karterit, kanë gënjyer, përfshirë Xh. Uashingtonin, A. Linkolnin, F. Ruzveltin, Xh. Kenedin, R. Reganin, B. Klintonin etj. Timoti Shnajder, një ndër historianët amerikanë bashkëkohorё më me emër, gjithashtu, pohon se gjithë presidentët gënjejnë, por ndryshimi me Trampin është se për këtë të fundit e vërteta është përjashtim.

Vetëm shqiptarët nuk duan të besojnë se gënjeshtrat ekzistojnë edhe midis partnerëve, aq më pak, t’i zbulojnë e të mbajnë qëndrim ndaj tyre. Ish-ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu, i pati bërë shumë përshtypje fakti që “shqiptarët e merrnin për flori safi ҫdo gjë që thoshin ambasadorët e huaj”, duke u besuar atyre në mënyrë të verbër. Dhe, jo pa dozë ironie, por edhe keqardhjeje, pati deklaruar: “faleminderit që e doni Amerikën, por ju nuk keni konsideratë për vendin tuaj”.

I njёjti mentalitet ekziston edhe tek shqiptarët e Kosovës. Në debatin e nxitur artificialisht, gjatë këtij viti, rreth proamerikanizmit dhe antiamerikanizmit, shumica e politikanëve të Kosovës iu përmbajtën klishesë, “me Amerikën deri në vdekje, sepse me të na ka dalë mirë gjithmonë dhe mirë ka me na dalë, sёrish!”. Kjo logjikë përjashton ndryshimin dinamik të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvendosjen e interesave gjeostrategjike të fuqive të mëdha nga njëri vend tek tjetri dhe nga një zonë në tjetrën, si pasqyrim i ndryshimit të raporteve të fuqisë. Kjo nuk është logjika e politikanit, diplomatit apo studiuesit serioz. Ajo mund të jetë logjikë e rapsodit popullor, i cili thur tekste për këngë polifonike, apo majë krahut.

Pyetja e shtruar në këto shfaqje turbofolku, “A guxon Kosova të kundërshtojë aleatin e vet strategjik?” është retorike, sepse e ka përgjigjen brenda: jo, nuk guxon! Pyetja që duhet shtruar është: si duhet të veprojë Kosova, kur administrata e aleatit të saj strategjik i ndryshon qёndrimet e veta, në raport me të? Aq më tepër, kur këto qëndrime dëmtojnë interesat shtetërore të Kosovës, siҫ ka ndodhur e po ndodh me administratën e Trampit.

Cili ështe bilanci i marrëdhënieve tona me këtë administratë, në përfundim të mandatit të parë të saj, katёrvjeҫar? Si “arritje” mund të përmenden 3 letra synimi për bashkëpunim me Serbinë në fushën e transportit rrugor, ajror dhe hekurudhor, deri tani, pa asnjë rezultat praktik. Nga ana tjetër, si pasojë e presionit të kësaj administrate, Kosova ka vënë dorë mbi disa atribute thelbësore të shtetësisë së saj. Vetë administrata Tramp, në mënyrë të papritur dhe të njëanshme, ka hequr dorë nga politika tradicionale amerikane për t’u marrë me ҫështjet e mprehta gjeostrategjike dhe të sigurisë në Ballkan dhe është vetofruar me një rol të kufizuar dytësor në dialogun Kosovë-Serbi, të përqendruar vetëm në ҫështjet ekonomike, për t’ia lënë BE-së ato politike. Ka njё muaj që ka dështuar Samiti i Uashingtonit dhe Riҫard Grenelli, i cili fliste për urgjencën e zhvillimit të dialogut me Serbinë, në kulmin e pandemisë, nuk bëhet i gjallë. Administratat e mëparshme, mbase, nuk kishin të dërguar të posaҫëm, por Kosovës i ofronin ndihmë reale, ndërsa kjo e Trampit na ka ofruar dy të dërguar të posaҫëm, por jo edhe ndihmë konkrete. Ajo që ka ndryshuar, pra, është administrata amerikane, jo Kosova. Dhe ndryshimi i saj nuk është për të mirë, të paktën, në raport me Kosovën. Atëherë, a duhet që, në këto kushte, ne të ndjekim verbërisht porositë e saj? Përgjigjja ime është, jo. Ne duhet të jemi kritikë ndaj tyre dhe, kur dëmtojnë interesat tona, duhet t’i kundërshtojmë ato, pa mëdyshje.

Si mund të mos jemi ne kritikë ndaj kësaj administrate, kur Kongresi Amerikan ka nxjerrë disa ligje për të penguar arbitraritetin strategjik të presidentit Tramp në marrëdhëniet me jashtë?

Si mund të mos jemi ne kritikë, kur presioneve të kësaj administrate ndaj Kosovës për ndërprerje ndihme dhe tërheqje trupash, u kundërvihet Komiteti i Senatit për Shërbimet e Armatosura (me shumicë republikane)? Nё raportin e tij pёr vitin fiskal 2021, ky Komitet e vlerёson si jetike për Kosovën dhe rajonin praninë e trupave amerikane në kuadër të KFOR-it. Në vend të rolit të kufizuar ekonomik, të ofruar nga Grenelli, nё raport i kёrkohet Uashingtonit zyrtar mbështetje e fortë diplomatike për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, e cila, si element thelbësor të saj duhet të ketë njohjen e ndërsjellë.
Si mund të mos jemi ne kritikë ndaj kësaj administrate, kur prej saj janë distancuar figura republikane kaq të njohura si ish-Presidenti Bush, ish-Sekretari i Shtetit Kolin Pauell, ish Sekretari i Mbrojtjes, Xhejms Metis, senatorët Mit Romni, Liza Murkovski, etj.
Si mund të mos jemi ne kritikë, kur prej kësaj administrate është distancuar ekspertiza shkencore e qendrave të tilla të dijes si “Universiteti i Harvardit”, “Kolumbia”, “Xhon Hopkins”, “Instituti Brukings”, etj. Pa folur për kritikat e përsёritura të miqve të sprovuar të Kosovës, M. Ollbrajt, E. Engel, D. Server, etj, etj.

Realiteti duhet parë në sy. Në raport me Kosovën, kjo administratë nuk e përfaqëson Amerikën që kemi njohur. Kandidati demokrat, Xho Bajden, në deklaratat e tij publike është shprehur qartë për politikën e vazhdimësisë në drejtim të Evropës, të rajonit të Ballkanit dhe të Kosovës. Ky qёndrim ёshtё i mirёseardhur. Megjithatё, qasja kritike duhet tё vazhdojё tё pёrbёjё njё element tё rëndёsishёm tё politikёs sё jashtme tё Kosovёs edhe me administratën që do të dalë nga zgjedhjet e 3 nëntorit 2020. Për një sërë shkaqesh, të brendshme dhe të jashtme, nuk duhen ushqyer iluzione se do të rikthehet Amerika e vitit 1999. Tashmё kemi tё bёjmё me njё realitet tё ri. Ky fakt duhet njohur dhe pranuar nga politikëbërësit e Kosovës. Të heqësh dorë nga faktet, do të thotë të heqësh dorë nga liria. Ndjenja e lirisë, e dinjitetit dhe e përgjegjësisë historike në vendimmarrje kërkon që interesat tona shtetërore e kombëtare të përcaktojnë miqësitë dhe jo e kundërta, qё “miqësitë” të përcaktojnë interesat tona.

Islam Lauka

Ligjërues dhe ish- diplomat karriere, ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Kosovë në vitet 2009-2014)

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 170 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi