Beqir Elshani: Anekdota |
Publikuar më 10 gusht, 2020 në orën 13:49 ( ) |
Beqir Elshani | Kulturë | |
|
|
1. ERA TRADHTI
- Më duket se Qeverisë po i vjen era burokraci?! - tha një burrë duke shikuar ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
- Jo vetëm era burokraci, por edhe era tradhti, - shtoi kalimtari tjetër.
2. BURGU I MADH
- Çka po ndërtoni në këtë vend, me siguri qendrën e rekreacionit? – i pyeti gazetari ndërtimtarët.
- Jo, po ndërtojmë Burgun Qendror për burgosjen e masakruesve serbë, - u përgjigjën punëtorët.
3. PRANGAT JUGOSLLAVE
- A kalbet Jugosllavia? – e provokoi gardiani të burgosurin shqiptar.
- Kur të kalben prangat e mia, kalbet Jugosllavia, - ia ktheu i burgosuri sypetrit.
- Uh, majku… krejt Evropa m’u kalbë, Jugosllavia nuk kalbet, - ia ktheu gardiani duke qëlluar me pendrek shqiptarin e burgosur. Flitet se atë ditë që u shkatërrua Jugosllavia, gardiani bëri vetëvrasje.
4. BRESHKA SERBE
- Serbët e kanë vështirë të heqin dorë nga pushtimi i trojeve shqiptare, herë në veri, herë në lindje. – tha një analist.
- Pasi e kemi Rusinë mbi kokë, po na i kafshon veshët, përndryshe nuk do të guxonte t’i afrohet Nishit, - shtoi veterani i burgosur në kampet jugosllave.
5. GISHTI QORTUES
- Çka do të ndodhte po t’i thoshte deputet Ukaj kryetarit të LDK-së “Ule gishtin se ta fus në b…?” – e pyeti deputeti i PDK-së deputetin e Vetëvendosjes.
- Do të shpërthente lufta civile, - u përgjigj flakë për flakë deputeti i Vetëvendosjes.
6. SINTAKSA
- Si quhet fjalia ”Kryeministri ka pallat, automobil dhe vilë, kurse mësuesi ka vetëm një qyqe dhi”? – e pyeti arsimtari i gjuhës nxënësin.
- Quhet dallim i madh klasor, - përgjigj nxënësi.
7. SHËNDETI I PARASË
- Baba, a dëgjove, një karrierist kryeministrin e Kosovës e këshillon për trajtim psikik, - tregoi i biri.
- Fajet i ka Banka Kombëtare, që po i lajmëron se kontributi i tyre ka rënë në shifrën zero, pasi që deri vitin e kaluar ka jetuar me anën e kamatës së kursimit në Bankë, - tregoi babai.
8. MESATARJA E SHPENZIMEVE
- Agim, nxirre mesataren e shpenzimeve ditore për dreka e darka në mes qeverisë Kurti dhe qeverisë Haradinaj, - iu drejtua arsimtari i matematikës nxënësit.
- Arsimtar, me shkumës nuk e di, kurse me gojë e di që shpenzimet ditore të qeverisë Haradinaj janë katër herë më të mëdha se të qeverisë Kurti, - tregoi nxënësi me gojë.
9. SHEKULLI XV
- Agim, në cilin shekull gjendemi ne? - e pyeti arsimtari nxënësin.
- Sipas objekteve fetare që po ndërtohen në vendin tonë, gjendemi në shekullin XV-të, - u përgjigj shkurt nxënësi.
- Ua, shumë prapa na çove, - ndërhyri nxënësi tjetër.
- Nuk na çoi Agimi, por na çoi qeveria e korruptuar e Kosovës, - shtoi arsimtari.
10. GJENDJA FINANCIARE
Në Kuvendin e Kosovës flitej për gjendjen financiare, andaj babai nuk e dëgjonte mirë lajmin televiziv, prandaj të birin e pyeti se çka po flitej.
- Në kuvend po flitet për strategjinë e fluturimit në planetin Mars, - tregoi i biri me ironi që ishte mërzitur nga deklaratat boshe të qeverisë.
- E knaqen tokën, tani duan të thyejnë qafën në Mars, - ia ktheu babai me zemërim.
11. BASHKIMI EUROPIAN
- Të nderuar zotërinj, dini të më tregoni pse mungon përfaqësuesi i Kosovës, zotëri Muja, - i pyeti udhëheqësi zyrtarët e konferencës në Bashkimit Europian.
- Duhet të jetë ndonjë dashamir i dhënë pas lojërave kompjuterike, prandaj nuk ka ardhur, - tha njëri prej përfaqësuesve.
12. GJYKATA E HAGËS
- Kush ia paguan shpenzimet e transportit dhe të avokatit kryetarit të Kosovës në Gjykatën e Hagës? – e pyeti njëri mikun e tij.
- Ia paguajmë unë dhe ti, mbase edhe ky varfanjak që me kapelë në dorë kërkon lëmoshë, - ia ktheu miku i tij duke kaluar për skaj lypsarit.
13. REUMATIZMI
- Pse nuk po e mbroni Qeverinë Kurti që është zgjedhur me votën e popullit, - e pyetën një grup njerëzish kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
- Unë nuk kam asgjë në dorë, për shkak se Gjykatën Kushtetuese e ka marrë reumatizmi, - tregoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
14. ANTONIMI
- A ka dallim lufta atdhetare me luftën grabitqare? – e pyeti gazetari analistin.
- Patjetër. Kush ka bërë luftë atdhetare, pas çlirimit të vendit bën luftë grabitqare të pasurisë së vendit dhe popullit, - u përgjigj analisti.
15. VENI, VIDI, VICI
- Çka domethënë shprehja latine Veni, Vidi, Vici sipas Skënder Hysenit që shkoi në Amerikë? - e pyeti arsimtari i latinishtes nxënësin.
- Domethënë “Shkova, u qorrova, u mashtrova”, - u përgjigj nxënësi me stil poetik.
16. FJALA MALOK
- Çka domethënë fjala “malok”, - e pyeti arsimtari studentin.
- Malok domethënë njeri bastard, siç janë Mustafa që ka kulturë jugosllave dhe Hoti që ka kulturë osmane. Besoj se jam përgjigjur drejt?! – u përgjigj studenti.
- Padyshim, drejt dhe saktë, si Buna me Drinin në Shkodër, - e miratoi arsimtari.
17. BISEDË AKADEMIKËSH
- A është e vërtetë që Kosova ka politikanë dhe diplomatë të aftë? – e pyeti një akademik kolegun e tij.
- Patjetër, dhe atë prej bariut deri te kryeministri, - u përgjigj i dyti.
- Pse atëherë po vuan populli dhe Kosovës nuk po i hiqen të zezat? – ndërhyri i pari.
- E, këtu është faji i besimtarëve, mbase edhe i Zotit, - shtoi i dyti.
18. KANDIDATI PËR KRYETAR
- A mund të qash para popullit të vuajtur dhe të shtypur, - e pyeti komisioni kandidatin për kryeministër.
- Si jo, unë jam nip i dajës Odise, prandaj di ta përdor vajtimin sa që edhe kafshët do të tronditen, - tha kandidati.
- Atëherë vazhdo të udhëheqësh vendin tonë, - e miratoi komisioni.
19. DHELPRA
- Unë e urrej dhelprën, po na i sulmon pulat, - tha një deputet.
- Mirëpo ti nuk ke pula, prandaj nuk ke arsye të merresh me dhelprën, - ia ktheu tjetri.
20. DIPLOMACIA
- E pyeta ujkun, çka domethënë fjala “diplomaci” – e nisi bisedën një mik.
- Mirë, ç’të tha ujku? – ndërhyri i dyti.
- Më tha se pikërisht me këtë punë merret vëllai i tij, dhelpra, - ia ktheu i pari.
21. MJEKU PA RROGË
- Mjeku është një njeri me mantel të bardhë që shëron të sëmurët, - tregoi një qytetar.
- Mirëpo nëse mjeku nuk ka të sëmurë, atëherë si quhet? – ndërhyri me pyetjen i dyti.
- Quhet mjek pa rrogë, - tregoi i par.
22. KRIZA
- Çka duhet bërë nëse populli i varfër nuk blen ushqim në shitore? – e pyeti gazetari avokatin.
- Duhet ulur çmimet, - tha avokati.
- Mirëpo nëse mjekët mbeten pa të sëmurë, atëherë çka duhet bërë? – vazhdoi të pyes gazetari.
- Duhet shtrenjtuar ushqimin, dhe ambulancat i ke plotë, - u përgjigj avokati me përvojë.
23. MJERIMI
- Ku e gjete këtë litar të madh, o i mjerë? – e pyeti gruaja e tronditur burrin.
- E bleva me garantim, nëse këputet, mund ta ndërroj, - tha burri.
- Mirëpo ne nuk kemi bagëti, - pyeti gruaja.
- Ehe, kur të mungojë buka, litari i zgjidh të gjitha problemet, - tha burri skamnor.
24. NEUROPSIKIATRI
- Për habi, neuropsikiatri nuk më shkroi barna, sapo i thash që dy edhe dy bëjnë pesë, më tha që do të bëhem ministre në qeveri, - tregoi një qytetare e re.
- Mirë, a pati sukses parashikimi i neuropsikiatrit? – e pyeti shoqja e saj.
- Natyrisht, pa kaluar një vit, u zgjodha ministre në qeveri, - tregoi qytetarja.
25. LYPSARI
- Në qendër të qytetit pashë një ministër dhe një lypsar duke kërkuar lekë, - tregoi një qytetar.
- Jo, ministri kërkon votën prej popullit, kurse varfanjaku kërkon lekë, - tregoi miku i tij.
26. AVOKATI DHE BARIU
- Cili prej tyre është më i mirë, avokati me diplomë që gënjen, apo bariu pa diplomë që kujdeset për bagëtinë? – pyeti njëri mikun e tij.
- Dihet, bariu që kujdeset për bagëtinë, me anën e së cilës e ushqen popullin, - u përgjigj i dyti.
27. PROVIMI
- Është rast i rrallë që dhelpra të bie në provimin e diplomacisë, - i tha njëri mikut të tij.
- Vetëm dhëmbët e luanit mund ta pengojnë të shkretën kafshë që merret me pula dhe me lepuj, - shtoi i dyti.
28. RETORIKA
Një gazetar avokatin e pyeti se a është më mirë që bankën ta plaçkit drejtori apo dhjetë varfanjakë.
- Në mes dy të këqijave, uroj që dhjetë varfanjakët të kenë sukses në plaçkitjen e bankës, - foli avokati me retorikë.
29. PLAKU ME FENER
- Ç’po kërkon me fener në pikë të ditës? - e pyeti njëri plakun me fener.
- Po kërkoj një akademik me mjekër dhe një gjykatës të sinqertë, - tha plaku.
- Akademikë me mjekër mund t’i gjesh edhe për drite të hënës, kurse gjykatësin e sinqertë as për drite të diellit nuk gjendet, - ia ktheu qytetari.
30. OPTIMIZMI
- Mësues i nderuar, ç’po kërkon me fener në pikë drekës? – e pyeti njëri kur pa mësuesin e vjetër me fener në dorë.
- Po kërkoj optimizmin, - tha mësuesi me fener.
- Po të thoshe për ndonjë objekt që shihet me sy dhe preket me dorë, do të besoja, por më habit që po kërkon gjëra abstrakte, - shtoi miku i mësuesit.
- Për fat të keq, vëllain e tij, pesimistin, mund ta gjej edhe natën, jo më ditën, - tha me dëshpërim mësuesi i vjetër.
31. KOMPLEKSI
- Ku është dallimi i kompleksit në mes njerëzve? – e pyeti gazetari psikologun.
- Fëmijët mbajnë monitorin, të rinjtë mobitelefonin, ndërsa pleqtë i mbajnë tespihet, - tregoi psikologu.
32. CILËSIA DHE GRYKËSIA
- A më shpejt ecë cilësia apo grykësia në qeverinë shqiptare? – e pyeti njëri mikun e tij.
- Cilësisë i janë thyer këmbët kaherë, prandaj grykësia nuk ngutet, - tregoi miku i tij.
33. LEGENI
- Flitet se banorët në Amerikën Latine i kanë rënë legenit për ta magjepsur diellin dhe hënën, - tregoi një student.
- Kurse pacifistët tanë e kanë përdorur për të trembur armiqtë e popullit shqiptar, - tha i dyti.
- Armiku hiqet me pushkë, jo me krisma të legenit, - shtoi veterani i luftës.
34. MATRIA-PATRIARKALIZMI
- Ku është dallimi i dënimit me burg në mes patriarkatit dhe matriarkatit? – e pyeti gazetari kryetaren e këshillit për të drejtat e grave.
- Nëse burri e vret gruan, dënohet 4-5 vjet burg, nëse gruaja e vret burrin atëherë dënohet mbi 20 vjet, - tregoi kryetarja e këshillit të grave.
- Pse ndodh kështu? – vazhdoi të pyes gazetari.
- Sepse pushteti është në duar të patriarkalizmit, - tregoi kryetarja e këshillit të grave.
35. EUFEMIZMI
- Gjatë javës që kaloi asnjë banor nuk ka vdekur në Kosovë, - e hapi bisedën një qytetar.
- E pamundur, vetëm në Gjakovë kanë vdekur pesë veta, jo më në mbarë Kosovën, - ndërhyri një tjetër.
- Megjithatë nuk kanë vdekur, por kanë ndërruar jetë, – përforcoi i pari.
36. TËRBIMI
- Ore, kastravec, a ka mbet shqiptaria pa çika që je martuar me bijën e hallës? – e qortoi daja nipin, kur e pa vajzën e hallës me të.
- Unë i përmbahem Kuranit, jo Kanunit, - tha besimtari i tërbuar.
37. APETITI I DASHURISË
- I dashur, sot po më dashuron më shumë se javën e kaluar, - tha bashkëshortja e rrëmbyer nga duart e bashkëshortit.
- Ehe, kam ngrënë mish rose*, prandaj më është shtuar apetiti i dashurisë, - ia ktheu bashkëshorti.
38. DENTISTI
- A do ta largoje modelisten prej ordinancës, nëse hyn me gjoks të zbuluar? – e pyeti shefi mjekun e dhëmbëve.
- Pse ta largoj e të humb mëditjen, kur unë me mantelin tim mund t’ia mbulojë gjoksin, - ia ktheu mjeku i dhëmbëve.
39. URREJTJA
- A kam të drejtë ta urrej shkrimtarin e keq, gazetarin e keq dhe përkthyesin e keq? – e pyeti nxënësi pedagogun.
- Më mirë është të mos lexohet asnjëri, - e këshilloi pedagogu.
40. DASHI PA SYZA
- A gjendet ndonjë historian të më tregojë se kur është mbajtur Lidhja e Lezhës? – pyeti njëri të pranishmit në kafene.
- Po, në tryezën tjetër është një dash, mirëpo i mungojnë syzat për lexim, - tha qytetari me alegori për “profesorin”, i cili për diplomë e ka shitur dashin.
Suedi, 10.08.2020
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Nuk është vlerësuar deri më tani! |
Lexuar:
246 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|