Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
DERRI I EGËR APO DERRI KOKËFORTË
Publikuar më 22 gusht, 2020 në orën 19:08 ( ) Beqir Elshani | Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Kreshtat me fundleshin e butë nën barkun e derrit të egër janë shtresë e lëkurës së trashë për mbrojtje nga plumbat e gjahtarëve. Prandaj nuk është e çuditshme që derri i egër të mbijetojë një breshër plumbash. Sinonimi i derrit të egër është se kjo kafshë qafën e ka të trashë, që në popull njihet si kafshë pa qafë, kurse nofullën e ka të gjatë po ashtu me katër dhëmbë të fortë, saqë edhe lisin e thyen. Derrat e egër të mëdhenj janë aq të kujdesshëm dhe jashtëzakonisht të fortë, sa që shpeshherë gjuetarët dhe qentë i sjellin në maje të hundës. Është një ndër kafshët e para të zbutura, pasi që mishi i tij është përdorur për ushqim, kurse lëkura e tij është përdorur për mburoja dhe këpucë, pastaj eshtrat për mjete dhe armë si dhe qimet për furça të ashpra.
Kjo kafshë e egër që me të drejtë populli e quan derr i pyllit, është i mençur, nuk e formon kasollen larg pellgut me ujë. Sa i përket lëvizjes, derri i egër është i shkathtë kudo në përleshje dhe vrapime, veshët i ka të lëvizshëm dhe nuhatjen e erës e ka të zhvilluar. Kafshimi me dhëmbë i kësaj egërsire është armë e rrezikshme, prej të cilëve gjuetarët shpeshherë janë plagosur, kurse qenve ua ka çarë barkun. Duhet pasur parasysh se kafshimi i derrit të egër me tërbim është vdekjeprurës, me anën e së cilës mund të infektojë kafshët tjera, sidomos qenin dhe njeriun. Tregohet se kur Napoloni Bonaparti gjuante afër Parisit, mezi shpëtoi, përndryshe mund të sulmohej nga derri i egër i tërbuar, të cilin qentë e kishin kafshuar në vesh.

Në kohën e vjetër të gurit njeriu duhej të ishte i fuqishëm për t’ia dalë në luftë me anën e shtizës kundër derrit të egër. Këtë e vërteton edhe mitologjia greke, kur kreshniku Teze me kërkesën e fshatarëve vrau derrin përbindësh me njëqind krerë që shkatërronte të lashtat. Prandaj me kalimin e kohës dolën armët e zjarrit që e zvogëluan numrin e madh të derrave të egër, përndryshe numri i këtyre kafshëve të pyllit do të rritej dhe do të rrezikonte jetën e njerëzve, por edhe kafshëve tjerë në botë. Megjithatë derri i egër njeriun e sulmon vetëm në rast mbrojtje. Gjuetia e derrit të egër mund të zbatohet në të gjitha vendet europiane. Pikërisht në Francë derri i egër radhitet si «kafshë dëmtuese», prandaj po qe se e dëmton bereqetin, fshatarët kanë të drejtë ta gjuajnë ditë e natë, dhe atë në të gjitha stinët e vitit.

Në fund vlen të përmendet, se njeriu duhet falënderuar derrat e egër që me mishin e tyre ushqehen ujqit, përndryshe kafshët e buta, siç janë delet dhe lopët do të ishin viktimë për plotësimin e nevojave të ushqimit për ujqit. Mishi i derrit të egër konsiderohet si mish më cilësor, sepse kjo kafshë pa qafë ushqehet kryesisht me bimë malore, prandaj ndryshon me mishin e derrit shtëpiak që ushqehet me krunde. Vërtet mishi i derrit të egër është më cilësor se i derrit të butë, i vetmi dallim është se ky i fundit jep më shumë mish se i pari. Kjo kafshë e egër nuk është e ngathët sikur pasardhësi i tij i butë që jeton në stallë, por është i konstruktuar për të vrapuar dhe për të luftuar për ekzistencë. Nëse derri i butë është pasiv, përkundrazi derri i egër është aktiv, prandaj mishin e ka të shijshëm dhe kushton shtrenjtë.

Në qoftë se ndonjë automjet gjatë vozitjes e lëndon ujkun apo ariun, shoferi vazhdon rrugën, asgjë e keqe nuk ndodh, pasi që ujku nuk hakmerret. Mirëpo nëse shoferi e lëndon derrin e egër, atëherë gjërat ndryshojnë, për shkak se derri i egër prej zemërimit sapo ta sheh njeriun e parë në pyll, do të hakmerret. Mu për këtë shoferi detyrohet t’i lajmërojë organet policore për ta vrarë kafshën e plagosur, në mënyrë që të pengohet rreziku ndaj njerëzve tjerë. Nëse automobili është dëmtuar, atëherë shoferi duhet të qëndrojë brenda derisa të vijnë organet policore. Në këtë rast njeriu duhet të ketë kujdes, nuk është njësoj sikur ta lëndosh një vjedull, një dre apo një ujk. Duhet lajmëruar policinë rrugore, e cila vjen në vendin e ngjarjes dhe derrin e egër të plagosur e kërkon në pyll. Zemërimi i derrit të egër është i madh, prandaj populli thotë derri do plumb, meqë këtë egërsirë nuk e ndal asgjë tjetër pos plumbi.

Kënaqësia e kafshëve në ujë ka dallime, janë disa kafshë që dëshirojnë të lahen në ujë të pastër, sidomos sokoli dëshiron të lahet në lumin e kthjellët. Ndërsa derrat e egër, nuk i kënaq uji i pastër, po nuk pati baltë. Të gjitha kafshët e egra kudo që shtegtojnë, pikësynim kanë burimin e ujit për shuarjen e etjes. Ngjashëm porsi derri i egër edhe ujku i stepës gërryen dheun me këmbët e para për hapjen e gropës për të pirë ujë, pas tyre vijnë zogjtë dhe gjitarët tjerë për të shuar etjen. Ngjashëm sikur njeriu kur i ushqen shpezët në oborrin e shtëpisë, korbat dhe pulëbardhat e uritur vijnë menjëherë, sepse e ndjejnë erën e bukës. Sa i përket betejës midis qenit dhe ujkut, siç thuhet qenit të egër dhe qenit të butë, ky i fundit dëmtohet.

Derri i egër, ekspert për shfarosjen e kokainës
Po të kishin mundësi organet policore të merren me stërvitjen e derrit të egër për zbulimin e lëndëve narkotike, do të arrihej sukses i madh. Me anën e kësaj kafshe të do të kurseheshin shumë qenë dhe kohë, njëkohësisht, do të shpejtonte procesin e zbulimit të lëndëve narkotike në çdo skutë të fshehur, qoftë në objekte, qoftë në fushë e në pyllin e dendur, siç thuhet edhe në shtatë palë fuçi. Siç dihet, derri i egër shikimin e ka të dobët, mirëpo dëgjimin e ka të mirë, kurse nuhatjen e ka jashtëzakonisht të fortë, erën e së cilës mund të dallojë me dhjetëra kilometra larg. Këtë e vërteton edhe lajmi i shtypit italian në të cilin shkruan se derrat e egër trafikantëve po ua shkatërrojnë kokainën e fshehur nëpër pyll, të cilët e fshehin për nevoja të shpërndarjes në tregtinë e tyre kriminale. Prandaj mafia për të mos u zbuluar nga organet policore, lëndën narkotike të paketuar po e fshehin nëpër pyje. Duket se këtë mësim e kanë marrë prej ketrit, i cili frytet për nevoja të ushqimit në dimër i fsheh nëpër gropa. Mirëpo derisa zogjtë e uritur i zbulojnë frytet e ketrit, ngjashëm e dhe derrat e egër me nuhatje të fortë që ua kalojnë qenve të stërvitur, i gjejnë dhe i asgjësojnë. Kështu trafikantët duke u mbrojtur prej zbulimit nga ana e organeve policore, ankoheshin për shkak se derrat e egër ua kishin shfarosur. Me të drejtë parashtrohet pyetja hamletiane ”Të luftosh, apo të mos luftosh me derrat”, prandaj edhe kjo strategji e fshehjes së drogës po dështon. Padyshim që shërbimi i derrit të egër rreth asgjësimit të lëndëve të fshehura narkotike është një sukses për organet policore, por gjithmonë në të mirën e shëndetit të popullit. Vetëm një trafikanti i janë shkatërruar 20 mijë euro kokainë të fshehur në pyll.

Ndonëse derri i egër mund të jetoj prej 10 deri 25 vjet, megjithatë për shkak të dëmeve që shkaktojnë në bujqësi, dhe për shkak të gjuetisë për mishin e tyre të mirë, mesatarisht, 60% e derrave të egër mbijetojnë vitin e tyre të parë, 20% arrijnë në dy vjet dhe më pak se 10% bëhen katër vjet. Sipas historisë së vendeve skandinave, derri i egër është banori më i hershëm në Suedi, para 11000 vitesh, qysh në kohën e akullit dhe u përhap në mbarë Suedinë jugore.

Vendi i mishit të derrit
Sipas fesë islame ndalimi i ngrënies së mishit të derrit në të gjitha aspektet e jetës fizike dhe shpirtërore, kështu shkruan në librat e shenjtë, duhet të qartësohet për shkak se mos ngrënia e mishit të derrit është bërë sipas bindjes fetare, jo për shkak të jetës biologjike. Prandaj dallimi në mes jetës biologjike dhe bindjes shpirtërore është se qysh para 5000 vitesh njerëzit derrin e egër e kanë zbutur për nevoja të ushqimit. Mirëpo po t’i hiqen 1440 vjet sipas kalendarit islam për ndalimin e ngrënies së mishit të derrit, atëherë mbesin 3400 vjet kultivim dhe ngrënie e mishit të derrit, pa përmendur gjysmën e popullit në rruzullin tokësor, siç janë të krishterët, shihet që të krishterët nuk i ka gjetur asnjë e keqe për ngrënien e mishit të derrit. Nuk duhet harruar faktin se mishi i derrit të egër krahas kafshëve tjera të egra është ngrënë edhe para zbutjes. Prandaj njerëzit primitivë që në fillim i kanë zbutur qenin, dhinë, derrin, lopën dhe kalin, i kanë bërë në bazë të punës dhe me arsye të shëndoshë. Po të ishte mishi i derrit i dëmshëm për jetën biologjike, atëherë njerëzit qysh para monoteizmit nuk do të merreshin me zbutjen dhe kultivimin e madh të derrit. Me të drejtë mund të pyetet, si mund të jetë mishi i derrit i rrezikshëm për jetën biologjike të njeriut, kur gjysma e botës ushqehet me këtë mish dhe asgjë e keqe nuk u ndodh? Në anën tjetër, feja islame nuk e quan mëkat ngrënien e mishit të derrit nëse njeriu është i detyruar nga uria dhe nëse nuk e di burimin e mishit. Prandaj besimtari mysliman i detyrohet tabusë fetare, edhe pse mishi i derrit është i vjetër dhe kultivohet për 5000 vjet me radhë. Qysh në kohën e re të gurit njeriu mendonte që kafshët janë më të mençur se njerëzit, prandaj me anën e ngrënies së mishit të tyre mund të bëhej më i zgjuar. Njëkohësisht me mishin e kafshëve njeriu mendonte të largonte frikën dhe të bëhej i guximshëm.

Kur besimtari mysliman flet për besimin hyjnor të perëndisë, të cilin sipas Kur'anit 6: 145 se "mish derri - është i papastër, duhet të merret parasysh se edhe fjala e Zeusit ka qenë besim hyjnor për ndalimin e ngrënies së mishit të kaut, ndërkohë që indianët në lindjen e largët e kanë të ndaluar ngrënien e mishit të lopës. Edhe sot për shkak të ndikimit fetar indianët nuk e pinë qumështin e lopës, ndërsa hindusët nuk e hanë mishin e gjedhit. Prandaj ngrënia e mishit të gjedhit te indianët është e ndaluar në shenjë të kultit fetar, përkundrazi ngrënia e mishit të derrit te myslimanët sipas parimit fetar është i papastër, domethënë jo sipas parimit shkencor. Duket qartë që profetët po i nënshtrohen bindjes fetare pa e njohur përbërjen e mishit të kafshës, kur dihet që mishi i derrit është ushqim ekonomik, pa të cilin, bota njerëzore do të ishte ndryshe.

Deklarimi fetar “Rrjedhimisht, myslimanët janë të vetëdijshëm për rreziqet e të ngrënit të asaj që nuk lejohet” është pa bazë shkencore, sepse gjysma e botës vazhdon të ushqehet pa pasoja me mishin e derrit. Bindja e zotit mund të kundërshtohet, vetëm nëse mishi i derrit është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve, nëse u rrezikohet jeta, mirëpo kurrë për shkaqe të bindjes shpirtërore të fesë islame. Kur feja islame thotë që ngrënia e mishit është kundërshtim ndaj zotit, mirëpo, askush nuk mund të dijë se ç’lloj ushqimi ka ngrënë njeriu në shtëpinë e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Gjermani ndihej mungesa e ushqimit, prandaj banorët për të përballuar mungesën e ushqimit, hanin mishin e qenve, kuajve, derrave dhe kangurëve nëpër kopshte zoologjike. Këtë e përforcojnë më së miri edhe disa të krishterë të rritur që vullnetarisht deklarohen myslimanë, të cilët xhamitë i pranojnë, edhe pse ata një pjesë të jetës së tyre e kanë konsumuar mishin e derrit. Pikërisht vajza e krishter në Suedi pas martesës me refugjatin mysliman, heq dorë nga konsumimi i mishit të derrit. Megjithatë kjo nuse e konvertuar në myslimane, edhe pas ndërprerjes së ngrënies nuk do të neveritet ndaj mishit të derrit për shkak se është rritur në familjen e krishterë, siç thuhet me keca e me derra.

Për mishin tabu
Lidhur me fetarët e ndjeshëm ndaj mishit tabu (domethënë mish i ndaluar) do të shprehesha me këshillën popullore se nuk shkohet në Bagdad me gomar topall, dhe me qese bosh. Fjala është për udhëtarin mysliman që është zemëruar për shkak se dyshonte që stjuardesa gjatë fluturimit me aeroplan i ka servuar proshutë derri në vend të gjeldetit. Udhëtari e ka fyer stjuardesën dhe prej kompanisë ajrore ka kërkuar dëmshpërblim. Prandaj kur qytetari është besimtar i ndjeshëm, atëherë më së miri është që ushqimin ta marrë me vete. Vlen të përmendet anekdota e shkrimtarit anglez, Erasmo Roterdami, i cili thoshte se shpirtin e ka katolik, mirëpo barkun e ka të pafe, do të thotë që uria e detyron të harrojë besimin fetar. Mirëpo derisa udhëtari mysliman ankohet se proshuta ishte e derrit, stjuardesa thotë që ishte e gjeldetit, kështu shkruan shtypi britanik "Daily Mail”, atëherë duhej që udhëtari senduiçin ta fuste me një qese dhe t’ua dorëzonte organeve policore për trajtim laboratorik. Prandaj nëse proshuta vërtet ka qenë e derrit, kompania ajrore paguan dëmshpërblimin, duke përfshirë edhe fyerjen ndaj etikës fetare; mirëpo nëse proshuta vërtet ka qenë e gjeldetit, atëherë detyrohet që udhëtari mysliman stjuardesës dhe kompanisë ajrore t’i kërkojë falje si dhe t’ia paguajë dëmin etik. Pikërisht mua më ka ndodhur që me një restorant në Suedi një grup shokësh të hamë drekë me mish gjedhi, mirëpo kur një shok bëri shaka, tha që mishi është i derrit, dhe sakaq, njëri prej nesh nuk ngrëni. Më kot u munduam ta bindim që mishi është i gjedhit. Mirëpo ai tha, se kur dikush thotë që është mish derri, nuk e shijon edhe sikur me javë të jetë i uritur. Prandaj e meta më e madhe e njeriut është te bindja e gabuar sipas paragjykimit fetar, qoftë edhe mish gjedhi apo bibani të jetë.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 1 vizitorë
Lexuar: 853 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi