Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
AKTOR E LUFTËTAR SHEMBULLOR
Publikuar më 24 shtator, 2020 në orën 21:03 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në përkujtim të dëshmorit Naser Kodra

Më mirë një pushkë në male,
se njëqind fjalë në parlament!
(Hasan Prishtina)
Për çudi, ngjarjet e mëdha jetësore, sado që përpiqesh të mos i kujtosh, të imponohen dhunshëm dhe nuk të shqiten dot nga mbamendja. E tillë është edhe një ditë e nxehtë vere e vitit 1998. Ca intelektualë atdhetarë, që punonin në Prishtinë e që ishin përkrahës të flaktë të rezistencës së armatosur, por ende nuk kishin pasur rast të takonin pjesëtarë të UÇK-së, m’u luten që t’i shpija nëpër disa pika luftarake të Drenicës.
Një gjë të tillë e pranova me gjithë qejf dhe, ditën e caktuar, morëm atë rrugë. Ata, sa nga kureshtja, sa nga gulçimi përzier edhe me drojë, mezi përmbaheshin nga emocionet. Mbase edhe nuk kishin faj. Për herë të parë ishin në një ambient krejt tjetër nga ai ku po jetonin. Këtu, kudo, mbante erë gjaku e baruti. Në secilën pikë që ndaluam u ndanë të kënaqur, por, midis Polacit dhe Prekazit të Poshtëm, u fascinuan fare. Aty gjetëm një kreshnik malesh, me mitralozin e madh përpara, me gjoksoret përplot fishekë e bomba, me mustaqet e kuqe vesh më vesh, me revolen pesëmbëdhjetëshe në brez e me rrobat e zeza, ku në krahun e majtë i shkëlqente shqipja dykrenare. Ishte ky djaloshi sypatrembur i Prekazit, Naser Kodra, të cilin e njihja kaherë, andaj edhe muhabetin e bëmë aq shtruar, saqë atyre u bëri përshtypje të veçantë dhe në të kthyer thanë: Ah, ç’na u kënaq shpirti dhe me djem të tillë do t’ia dalim mban Serbisë!

Më Naserin nuk e pashë. Kur dëgjova për rënien e tij u mërzita tepër. Disa herë provova të shkruaj diç, por kot. Nuk e donte se nuk e donte e bekuara muzë. Dhe, ja, sot, në këtë tetëvjetor përkujtimor ia dola ta bëjë këtë nekrolog, që s’është veçse një guralec, në Kalanë e madhe, të quajtur NASER KODRA.
Histori e ripërsëritur
Të katër lagjet e Prekazit të Poshtëm: Jasharët, Lushtakët, Kodrajt dhe Mehajt, qoftë veç e veç, qoftë të gjithë së bashku, lanë gjurmë trimërie nëpër brezat e historisë.
Edhe vëllazëria Kodra ka një histori të lavdishme dhe shumë herë të përsëritshme. Në ato kulla të pamposhtura kurrë nuk pushoi kënga e bukur e grykëhollave të lirisë. Mjafton të rikujtohet dimri i egër i vitit 1945. Atëbotë, Kosova e në veçanti Drenica, ishin gjakosur keq. Kur Lufta e Dytë Botërore po merrte fund dhe pritej të agonte liria, lumi Klina, afër Skënderajt, brenda natës qe mbushur me të vrarë e të gjymtuar nga çetnikët e mbështjellë me lëkura qengji. Tribuni popullor, Shaban Polluzha, mblodhi luftëtarët e tij dhe bëri çmos për t’i dalë zot vendit.
Brigadës së tij zunë t’i bashkëngjitën edhe shumë partizanë shqiptarë. Kështu veproi edhe Batalioni IV i rinisë, në krye me komandant Isuf Gjilanin. Ai u lidh me ta dhe bën planin për likuidimin e Shtabit, i cili qe vendosur në Prekaz, në kullën e Sheshivar Ali Kodrës, i cili u vra bashkë me djalin Zekë Kodrën.
Mu në themelet e kësaj kulle heroike, ku lanë kokat sllavokomunistët çetnikë, u ngjiz shpirti luftarak i dëshmorit Naser Kodra. Ai u lind më 17 mars 1962 dhe qe një gëzim i madh për babë Ahmetin, i cili, kur iu vra i ati, Zeka, ishte vetëm 18 muajsh. Madje edhe fëmijërinë e pati të vështirë dhe me plot sakrifica. E keqja nuk iu nda kurrë, sepse ishte djalë ballisti, andaj edhe gjëra i kishte të cunguara. Përherë qe halë në sy për pushtetarët dhe mbahej i izoluar, i mënjanuar, i përjashtuar...
Ahmeti u martua me Fazilen e Sejdi Cenës nga Mikushnica dhe paksa sikur u buzëqeshi fati, duke i gëzuar ato vatra me fëmijët: Naserin, Mihrijen, Lumnijen, Remzijen, Elfeten, Zekën, Sheshivarin dhe Linditën.

Naseri ishte djali i madh i tyre, ishte gëzimi i parë në atë shtëpi, e cila mezi mbajti fijen e pakëputur të jetës, prandaj edhe e donin më shumë së të tjerët. Për të qenë edhe ishte disi i veçantë; i bukur, i shëndoshë, i dashur, i zgjuar, i sjellshëm, kureshtar. Qëndrimi nëpër oda, ku llafosej e këndohej për burra trima e atdhetarë, i hapi horizonte të reja dhe ia shtoi dashurinë për historinë e të parëve e për shqiptarinë.
Mësimet e para katërvjeçare i mori në vendlindje, në shkollën që kishte hedhur shtat mu në truallin e tyre, të falur për rrezet e diturisë e që për nun pati mësuesin e parë drenicar, Shaban Jasharin. Katër vjet të tjera i vazhdoi në Skënderaj. Aty kreu edhe shkollën e mesme me sukses të shkëlqyeshëm. Krahas mësimeve, djaloshi entuziast, zu të merrej edhe me aktivitete të lira e me punë më të thella atdhetarie. Talenti i tij, për artin dramatik, u ra në sy të gjithëve, sidomos atyre që merreshin me këtë punë, dhe shumë shpejt e angazhojnë në grupin dramatik të shkollës, të udhëhequr nga profesori artdashës, Beqir Beqiri. Aty ishte edhe Hamzë Jashari dhe kur bëheshin bashkë skena merrte shpirt...
-Unë tek kur e kam parë dramën “Hakmarrja” e kam kuptuar angazhimin e djalit tim në teatër, dhe më kurrë nuk e kam penguar, edhe pse kishim mjaft punë në shtëpi,- shprehet sot i ati, Ahmet Kodra.
Për të studiuar zgjodhi atë që më së shumti ia plotësonte kërshërinë e tij, letërsinë, të cilën e mbaroi me nota të shkëlqyeshme, në SHLP në Prizren.

Në ballë të aksioneve
Djaloshi me shtatin e burrave të motit, qysh moti e kishte kuptuar së pa sakrifica nuk vinte liria, andaj me mish e me shpirt ishte vënë në shërbim të kombit e të atdheut. Në Pranverën studentore’81 ishte mjaft i zëshëm. Atë e gjeje përherë në ballë të demonstruesve, në Skenderaj, në Drenas, në Mitrovicë, në Prishtinë. E kishte mundur frikën dhe nuk i bënte syri terr para tytave serbe. Të mos harrojmë së, më 25 korrik 1990, kur në Galicë u mbajt një tubim i madh popullor dhe u përurua obelisku i kryetrimit të Kosovës, Azem Bejtë Galica, Naser Kodra me komandantin legjendar, Adem Jasharin, ishin aty të armatosur e të gatshëm për çdo eventualitet.
Heroizmi i tij doli në pah edhe më 31 dhjetor 1991, kur forcat serbe rrethuan kullën e Adem Jasharit. Naseri u angazhua dhe bëri çmos për t’i ndihmuar Ademin, Hamzën e Rifatin që të dilnin jashtë rrethimit.
Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, kishte besim të plotë te Naser Kodra, sepse ia dinte rrënjët. Atë e kishte provuar që nga 20 korriku 1995, kur ishte angazhuar në Treshen ilegale dhe gjithmonë kishte qenë i gatshëm për vetëflijim dhe kishte dalë faqebardhë. Duke u bazuar në të gjitha këto edhe ia besonte detyrat më të rëndësishme.
Në përballjen e parë të formacioneve të rregullta të UÇK-së me forcat e barbarisë serbe në Klysyrë, më 27 nëntor 1997, Naseri me Njësitin e tij ishte caktuar prej vetë Komandantit Adem Jashari që të pengonte ardhjen e forcave serbe nëpër rrugën Drenas- Skënderaj. Ashtu veproi edhe të nesërmen, më 28 Nëntor 1997, kur edhe doli hapur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci.
Trimi sypatrembur gëzonte edhe një dhunti të pashoqe, oratorinë. Kështu, në një takim që u mbajt në shkollën fillore “Azem Bejta” në Prekaz të Epërm, masës së tubuar iu drejtua me këto fjalë: “Vëllezër, ne nuk mundemi vetëm, na duhet përkrahja Juaj, andaj mos hezitoni, ndihmojeni ushtrinë, sepse rrugë tjetër për çlirim nga shkau nuk ka, përveç luftës me armë! Këtë e kemi amanet nga të parët tanë”.
Gjatë sulmit të dytë që iu bë familjes së Komandantit, më 22 janar 1998, Naseri bashkë me trimin e orëve të para, Ilaz Kodrën dhe me djem të tjerë liridashës, qëndruan në pozicione , të gatshëm për t’u përballë me të keqen. Ndërsa gjatë Betejës së Likoshanit- Qirezit, më 28 shkurt 1998, ai me gulinovin e tij dhe me mortajën e dorës kishte zënë vend në Kikë të Prekazit, i gatshëm për të parandaluar çdo lëvizje të armikut në atë drejtim.
Me një fjalë, ky luftëtar i shquar, ky komandant Togu, i Brigadës 114 “Azem Galica”, njeriu më i afërt i komandant Ilaz Kodrës, gjendej aty ku bënte bam. Atë e gjeje në të gjitha betejat, si në: Hade, Pantinë, Hamidi, në Bardh të Madh etj.
I vetmuar përballë kolonës serbe
Ushtria Çlirimtare e Kosovës sa vinte e zgjerohej, masivizohej, mobilizohej, forcohej. Kjo i tmerronte krerët e Beogradit. Të zhduket me gjithë rrënjë kjo farë e mallkuar!- shfreu kryesatanai plot mllef e inat. Dhe, forca të shumta policore, ushtarake e paraushtarake, u nisën në zbatimin e operacionit të planifikuar hollë e mirë, me emrin “QYQAVICA”.

E martë, 22 shtator 1998. Dielli nuk po ndriçonte Majën e Zezë të Qyqavicës heroike. Krismat e topave dhe të pragave serbe sinjalizuan fillimin e stuhisë shkatërrimtare, që për cak kishte Drenicën dhe Artakollin. Kolonat e vdekjes, të prira nga tanket e shumta, morën drejt cakut, drejt malit Qyqavicë, duke djegur e shkatërruar çdo gjë ...
Po, më 24 shtator 1998, te kryqëzimi i rrugës Polac- Dashec, në të kthyer nga kasaphana dyditore, pse ndaloi kuçedra e gjakosur dhe nuk po bënte dot më tutje?!
Ah, të keqen vëllai, aty, me turr e vrap, ia kishte prerë rrugën dragoi flatër hapur me kushtrimin e tij:
Ngadalë shka, he hasmi plak
Se do ta lajë trupin me gjak!

Kështu tha Naser Kodra, dhe, fare i vetmuar, mu si Mic Sokoli, u hodh mbi egërsirat e harbuara.
Dhe, zbrazi gjithë karikatorët e mitralozit!
Dhe, hodhi të gjitha bombat që i kishte në gjoksore!
Kukulelet e atyre që zhgërryheshin në dheun e shkrifur nga zinxhirët e tankeve ia kënaqnin zemrën.
Sakaq iu harxhuan edhe fishekët e nagantit, me të cilin kishte qëlluar në lule të ballit oficerin maje kupolës së tankut. Pushuan edhe krismat përreth. Pikat e gjakut u shndërruan në lulëkuqe për të dëshmuar një betejë heroike e të pabarabartë për mbrojtjen e vatrave stërgjyshore. Po, po, se trupin e trimit e morën me vete cerberët, nga frika se po ringjallej...Nëse osmanlinjtë, eshtrat e të madhit Skënnderbe i shpërndanë nëpër Evropë e Azi dhe kokën e Ali Pashë Tepelenës ia hoqën nga trupi dhe e dërguan në Stamboll, trupin e dëshmorit Naser Kodra, cerberët kaukazinë e vendosen në një pizgauer të shpluar dhe, ashtu ulur në karrige, e shëtitën nëpër punkte policore- ushtarake, për t’u dhënë zemër zuzarëve se ishin më të fortë se sa ushtarë e UÇK-së, derisa në fund e dërguan në Mitrovicë...Kështu rrëfejnë shumë dëshmitarë.
Rënia e tij qe një humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij e për Prekazin, por për luftën, për kombin, për Kosovën, për Shqipërinë.
-“Secili ndjehet krenar kur flet për një atdhetar siç ishte Naser Kodra dhe familja e tij. Këtë e them duke u bazuar edhe në traditën e tij familjare që nga stërgjyshi, Sheshivari, i cili edhe pse njëqindvjeçar, ndihmoi në likuidimin e Shtabit, që ishte vendosur në kullën e tij. Me humbjen e Naserit, ne humbëm një oficer, humbëm një strateg të luftës,- është shprehur Zenun Kodra, njëri nga themeltarët e UÇK-së, në një përvjetor.

Shpirt artisti
Naser Kodra, para së gjithash ishte njeri i skenës dhe kishte shpirt artisti. Ai me këtë profesion merrej që nga viti 1997 e mbase edhe më heret, kur nisi të luaj në Teatrin Amator të Skënderajt.
-“Me Naserin si aktor dhe si dëshmor më lidhin shumë kujtime. Ai qysh si nxënës i shkollës së mesme tregoi aftësi për skenë. Unë si regjisor e si aktor i Teatrit “Drenica”, gjithmonë, që nga roli i Rexhës të drama “Hakmarrja”, e angazhoja në ato role që i përgjigjeshin karakterit e tipareve të tij prej një atdhetari, të cilat i realizonte shkëlqyeshëm”,- thotë Beqir Beqiri. Këtij regjisori, i ka ngelur në kujtesë edhe roli i Zefit te “Adisa e Ademi”, sidomos thirrja e tij karakteristike: Adiissaaaa... që i kishte bërë të oshëtijnë lugjet e Qyqavicës e që kishte qenë si një kushtrim mitik për diçka të shtrënjtë e të humbur, që nënkuptonte vetë lirinë...
Ndërkaq Shaqir Bejta shprehet:”Naser Kodra në teatrin tonë është kyçur që nga fillimi. Ai ka qenë aktor dhe shok i mirë. Prej të gjitha roleve të tij do të veçoja Mujë Drenicën në filmin “Deri kur?”, të cilin e realizoi shumë mirë. Edhe rolet i kërkonte sipas karakterit të vet burrëror. Më kujtohet një rast kur tha: Shokë nëse nuk ka role pozitive, mos më jepni, se rolet e spiunave nuk mund t’i luaj”. Kjo tregon se ai herët ishte përcaktuar në rrugën e madhe të çështjes kombëtare”.
Pra, siç po shihet, ky artist i madh, edhe përmes roleve përpiqej ta edukonte masën në frymën atdhetare. Kjo u pa edhe gjatë betejave, që, sa herë që ushtarët i kaplonte zymtësia e lodhja, i dispononte dhe ua ngrinte moralin me fjalën e tij të bukur.
-“Që në rolin e parë të Rexhës në dramën”Hakmarrja” të Jusuf Kelmendit, pamë së Naseri kishte shpirt artisti. Sa më dashuri e vullnet i përvetësonte rolet. Të gjithë i lakmonim, -kujton sot Bilall Koci.
Dhe, rolet e tij, dramatike e filmike, janë të shumta. Ato që mbahen mend më gjatë janë në dramat: “Hakmarrja” e Jusuf Kelmendit, “Shtatë shaljanët” e Ndrekë Lucës, “Nita” të Josip Relës, “Halili e Hajria” të Kolë Jakovës, “Fosilet” e Azem Shkrelit, pastaj në filmat:”Dalja nga errësira”, “Adisi e Adami”, “Deri kur...”, “Kohë të liga”, apo në komedinë filmike “Kalanica e kadiut” etj.

Rivarrimi dhe nderimi
Lirinë, të cilën e mbëltuan me gjak dëshmorët tanë, e gëzuan edhe fëmijët e Naser Kodrës: Blerimi dhe Ismeti, për të cilët u kujdes e ëma e tyre, Feridja nga Rezalla.
Por ç’e do, ore burrë, kur ata nuk pajtoheshin dot me realitetin, me mungesën e babait dëshmor! Ai ende mungonte e ata e kërkonin. Dhe, një ditë, një lajm trokiti në zemrat e tyre të njoma. Në Zveçan të Mitrovicës, në varrezat shqiptare, u zbuluan eshtrat e dëshmorit Naser Kodra!
Babë Ahmetit sikur i lëvizi mustaku i djathtë, por u përmbajt. As nënë Fazilen nuk e tradhtoi loti.
Kështu, ditën e martë të 24 dhjetorit të vitit 2002, trupi i tij i pajetë iu bashkëngjit bashkëluftëtarëve të tij, në Varrezat e Dëshmorëve, në Polac. Varrimi u bë në mënyrë madhështore. Pos familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, morën pjesë edhe pjesëtarë të Zonës së Parë të TMK-së, të prirë nga gjeneralbrigade, Bashkim Jashari, pjesëtarë të Gardës Kombëtare, në krye me komandant Nuredin Lushtaku, përfaqësues të pushtetit lokal etj.
-Prej sot jam më i pushueshëm e më i qetë, pasi e di që edhe trupi i djalit tim pushon në mesin e dëshmorëve. Jam krenar që pata djalë të tillë me i dalë zot vendit,- shprehet i ati, Ahmet Kodra, i cili, me mall e krenari, ruan shtatë plumba, të nxjerrë në pjesën e parme të kraharorit të majtë të të birit, nga mjekët ndërkombëtarë.
Ndërkaq major Hasan Hoxha tha: ”Naseri ishte ndër ushtarët më të dalluar, trim dhe shumë i afërt me bashkëluftëtarët. Ai bashkë me dëshmorët e tjerë ka zënë vend të merituar në historinë e popullit shqiptar. Ideali i dëshmorëve është i gjallë edhe të ne ushtarakët e Kosovës, si një ndër shtyllat më të rëndësishme të shtetit, dhe po tregojmë se jemi të gatshëm ta vazhdojmë rrugën e tyre, si dhe për ta kryer misionin tonë që kemi përpara”.

Emri i tij është përjetësuar dhe është nderuar.
Në katërvjetorin e rënies së tij, mu në vendin e betejës, është ngritur Lapidari dhe Pllaka përkujtimore me portretin e bukur të dëshmorit.
Teatri gjysmëprofesionist i qytetit të Skënderajt, në shenjë nderimi për të, mori emrin “Naser Kodra”. Atë ditë, kur u promovua emërtimi, është shfaqur premiera e dramës “Kali i shtrigës” të Gjon Gjergjit dhe është bërë zbulimi i bustit të Naser Kodrës, punuar nga skulptori i ri, student i Akademisë së Arteve në Prishtinë, Malsor Bejta.
Për të janë hartuar poezi e janë thurur këngë. Kështu rapsodi nga Tropoja, Isa Berçani, pos tjerash thotë:
Naser Kodra tuj mposhtë dhunën
Deri në vdekje se ndali luftën
Ballë për ballë ushtrisë çetnike
Bashkë me veprën heroike...

Trimi dhe familja e tij janë nderuar edhe me mirënjohje e dekorata të shumta.
Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës i ka ndarë NDERIM.
Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për familjen e tij ka ndarë MIRËNJOHJE.
Me MIRËNJOHJE e kanë nderuar edhe Teatri i qytetit të Skënderajt “DRENICA” edhe Teatri gjysmëprofesional “Naser Kodra”.
Mirëpo, më mirë se kudo, kujtimi për të ruhet në shpirtin e madh të POPULLIT.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 172 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi