Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
HËNA SYPËRLOTUR DHE VARRET BINJAKE
Publikuar më 28 shtator, 2020 në orën 16:53 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Retrospektivë (22-vjeçare): E martë 1998- E martë 2020

Agu i hirtë i së mërkurës së 23 shtatorit 1998 u gdhi fare i zymtë. Rrezet e purpurta të diellit herak mezi depërtonin në thellësitë e lugjeve të trazuara të Qyqavicës mitike. Edhe mrizet e qeta të Krojeve të Bardha ishin zgjuar të befta që me natë. Po zanat flokëgjata ku ishin që s’po dukeshin gjëkundi: Ndoshta strukur mes shkëmbinjsh të thepisur pas shkurresh të dendura mbanin vesh se çka po ngjiste. Lisat dridheshin e karvanët e bardha nxitonin drejt tyre. Vallë, mos ishin dasmorët e Mujit, që me daulle shkonin ta merrnin Ajkunën? Ah, jo. Ishin mijëra fatzinj të pastrehë, mbuluar me najlona e granatat kobzeza i ndiqnin pas.
Dielli i hutuar sikur e kishte humbur rrugën dhe s’bënte dot tutje. Të mjerët, sa shumë e dëshironin terrin në ato çaste kritike. Granatat pareshtur plasnin përherë e më afër.
Në turmën amorfe tollovi çmendurake. Përpëlitjet e mundimshme me vdekjen, që vinin nga qielli, i kishin sfilitur për vdekje. Qën¬dronin si mumie të shushatura e të gurëzuara. As të vrarët, që u binin para këmbëve, më nuk u bënin aq përshtypje shqetësuese. Ishin bërë një, si hije të ngritura nga varri. As të gjallë, as të vdekur. Xhelatët, me thika të gjakosura afroheshin këmba-këmbës. Tymi e flaka ngriheshin deri në qiell. Katunde të tëra të Drenicës rrafshoheshin për tokë.
-O burra, të dalim nga ky ferr i mallkuar,- foli dikush i çakërdisur nga tmerri dhe shumë traktorë mësynë për të çarë rrethimin e Kozhicës. O zot, si kështu, nga vdekja ikim e drejt vdekjes shkojmë, mërmërisnin plakat kurrizdala, që gërmuqur nxitonin pa ditur se ku venin.
Tek kur u rrasën te këmbët e kalasë së lashtë dardane, Gjytetit të Dubofcit, u ndien pak të sigurt dhe ndaluan të marrin frymë. Por u mashtruan keq. Hijet mortore, me kohë kishin zënë muret e saj dhe u lëshuan tatëpjetë për t’ua prerë rrugën. Vajtëm si cjapi te kasapi, - thoshin më vete, derisa shpirtkatranosurit i tubonin për ta shfryrë sadizmin e tyre të pangopur. Edhe luftëra të tjera kemi përjetuar, por luftë të tillë marroqe s’kemi parë, flisnin pleqtë, kur burrat i veçonin nga gratë dhe fëmijët. As që do t’i shihni më, ua ktheu komandanti i operacionit “Qyqavica”, një mesoburrë zeshkan e fjalëpaktë, që i kishte dëgjuar tek flisnin. Lotët e grave e britmat e fëmijëve s’bënin punë fare. Përkundrazi, veçse i ngazëllenin lakenjtë e pashpirt, që me automatikët e gatshëm për zjarr u qëndronin kërcënueshëm mbi koka.
-Hë profesor, profesor, ç’mendove të na shpëtosh edhe kësaj radhe, ë? Ah, jo, të erdhi fundi. Mjaft bëre deri sot. Nëse pesë vjet u përballove torturave dhe qelive mizore të burgjeve tona, nëse vite me radhë sfidove përpjekjet tona për të të gjunjëzuar e nëse edhe granatave të panumërta u shpëtove, nuk do t’u shpëtosh dot hanxharëve tona të helmatisura,- sikur flisnin sytë xixëllues nën maskën e zezë të atij që e shkëputi nga krahët e fëmijëve, gruas e nënës së dashur.
E ai, krenar siç qe përherë, ecte sypatrembur midis tyre e sikur porosiste: Qëndroni burra, se liria i ka rrënjët në gjak!
-Mos, profesorin tim të mirë, mos, gjakatarë!- u dëgjua nga nëndheu zëri i Fitim Jasharit. Mos barbarë të ndyrë!- shungulluan edhe lugjet e Qyqavicës, kur po zbrazej një plumb revoleje në zverkun e intelektualit të paepur...
Të gjithë të donin profesor, se na mësoje shumëçka, edhe ato që ishin të ndaluara. Çudi, të patëm njohur edhe pa të parë hiç.
Të tjerët na tregonin se kishe qenë ndër aktorët kryesorë në dramën e madhe kosovare të 81-shit. Dhe të burgosën e të torturuan, por s’të gjunjëzuan dot. Nga qelitë serbe dole edhe më i fortë e më i guximshëm. As përgjimet e përndjekjet nuk morën fund, por nuk ua vure fare veshin. Sikur të përcolli fati i gjyshit tim e gjyshit tënd. Edhe ata shokë ishin: Shaban Jashari e Shaban Ferati. Të burgosur e të përndjekur. Lirinë dhe shkollën i çmonin mbi të gjitha. Thonë edhe emrat ata na i lanë, Enver e Fitim. Kur e punuam hartimin e fundit me temën: Rrugët tona drejt lirisë, u ndave shumë i kënaqur. Ja tregova edhe gjyshit. I entuziazmuar tej mase, tha: Të tillë mësimdhënës na duhen ne!...
Velloja e zezë e territ skëterror grupin e gjeti më të ligështuar se kurrë. Në mesin e tyre mungonte më i miri e më i dashuri, profesori i gjuhës dhe i letërsisë shqipe Enver Haliti nga Luboveci. Maja e lartë e kalasë, ku për herë të fundit piu ujë Millesh Kopiliqi, më herët se të gjithë kishte marrë vesh për gjëmën e madhe dhe lotonte në heshtje. Lajmin kobzi e kishte ndryrë thellë në themelet e përgjakura. E zemrat e plagosura ende rronin me shpresa të thyera duke mos ia shqitur sytë rrugës që shpinte ku po bëhej hataja...
-Ku ma çoni djalin?!- u tha xha Shabani.
-Veç do ta pyesim diçka dhe e kthejmë shpejt,- ia kthyen zuzarët dhelparakë.
Të gjithë mbetëm me sy e vesh andej nga Dubofci, andej nga mori turr makina laroshe me dyert e prapme të hapura.
Më keq se të tjerët ngela unë, shoku i tij i ngushtë i fëmijërisë e i studimeve. Por, krenaria qëndronte mbi dhembjen. Pastaj ishim edhe me familje dhe duhej maturi...
-Pse po vonohet babai?- pyeste djali i tij i vogël.
-Veç sa s’ka arritur,- ia prisnin ata me gjysmëzëri, duke kthyer kokën mënjanë, që t’i fshihnin lotët.

Enver Haliti ishte i pathyeshëm, ishte shkëmb graniti. Ai u lind më 3 maj 1956 në Lubovec. Qe i pari nga shtatë fëmijët e bashkëshortëve: Halitit dhe Zojës nga Gllanasella (Enveri, Osmani, Hysniu, Sanija, Resmija, Sylejmani dhe Haxhiu ). Mësimet e para i mori në vendlindje dhe në shkollën fillore “Azem Bejta” në Prekaz të Epërm, ndërkaq të mesmet në gjimnazin e Mitrovicës, me sukses të shkëlqyeshëm. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i mbaroi në Prishtinë, në afat rekord. Edhe në edukimin e brezit të ri u tregua mjaft i suksesshëm.
-E kemi obligim të bëjmë ç’mos që brezat e ardhshëm të jetojnë të lirë e të pavarur,- thoshte vazhdimisht, duke mos i këputur lidhjet me grupet studentore të ashtuquajtura “treshe ilegale“.
Por, as kukuriqët nuk flinin, ata nuhatnin punën e tij, duke mos e lenë kurrë të qetë... Pranvera e Madhe studentore ’81 profesorin e ri e gjeti në krye të demonstruesve, për çka, më 1982 u dënua me pesë vjet burg për “ veprimtari armiqësore ” kundër popullit dhe shtetit. As qelitë e burgut në Mitrovicë, në Sarajevë e në Foçë nuk e gjunjëzuan dot. Të zezat nuk i shqiten as më pas, pas daljes në liri. Për të nuk kishte vend në asnjë shkollë, ishte “i papërshtatshëm”.
Me rënien e sistemit totalitar edhe këtej nga Arbëria shkrepi një fije shprese. Arsimdashësi nisi punën me nxënës, në fillim në Skënderaj e pastaj në Mitrovicë, aty ku e kishin arrestuar.

Në vitet e 90-ta, përveç punës profesionale, ai angazhohet edhe në punë të tjera me peshë kombëtare, si në Shoqatën për zhdukjen e analfabetizmit, në Shoqatën e intelektualëve të Skënderajt etj. Më 1991, Fronti për Çlirimin e Kosovës, e përcakton dhe e autorizon përgjegjës për organizimin e vetëmbrojtjes dhe armatosjen e popullatës me vetëfinancim në rajonin e Drenicës. Kur disa anëtarë të kryesisë ranë në burg Enveri i shpëton arrestimit duke vepruar akoma në ilegalitet. Veprimtaria e tij intelektuale dhe patriotike ishte shembull për të gjithë. Ndikimi i tij ishte i madh, jo vetëm te ata që ishin në atë rrugë, por edhe të të luhatshmit. Këtë e dinte edhe pushteti, andaj e kërkonte me qiri e me pishë në dorë...
Dhe, ja e gjeten, më 23 shtator 1998, nën muret e lashta të kalasë së Gjytetit, e cila lajmin kobtar nuk na e thoshte ende, e mbante ndryrë në vetvete...

Rreth e rrotull vazhdonte tragjedia marramendëse. Vrasje, masakrime, ekzekutime, djegie e shkatërrime vandale. Vrastarët kanibalistë iu kishin futur Qyqavicës mu në zemër dhe terrorizonin të pafajshmit e të pambrojturit. Orgjitë e tyre s’kishin të sosur. Poshtë, në të djathtë, lokalet përreth shkollës i përpinte flaka e busti i Azem Galicës përdhosej e shqelmohej egërsisht. Edhe ashtu ia kishin frikën zuzarët. Minutat bëheshin orë e orët vite. Përmbi koka, shpatë e Demokleut. Një tank me mitralozin e gatshëm për zjarr qëndronte përballë, duke shkaktuar trauma psikologjike. Por, fati është çudibërës i madh. Herë-herë as vdekja s’të dëgjon, ashtu të lë zvarrë, që të vuash më shumë.

Lisi rrënjëthellë
-Që kur tokat arbërore u copëtuan e u sakatosën keq, familja jonë nuk pa ditë të bardha. Përherë e patëm varrin hapur, se nuk u pajtuam dot me pushtuesin gjakatar. Meshkujt tanë kurrë nuk i zuri vdekja me krye në jastëk, por në fushën e nderit, në frontet e luftës. Gjakimet për liri i kemi amanete të të parëve dhe i ruajmë besnikërisht, duke ia përcjellë brezi-brezit,- fliste gjyshi i tij, tetëdhjetë e dyvjeçar, axha Shaban, duke ecur drejt varreve të reja.
Sa shumë i lakmoja këtij burri të paepur e me zemër sa bjeshka. Karshi tij vetja më dukej fare i vockël, liliput. Katër vjet të pandërprera fytafytas me çetnikët serbë e njëmbëdhjetë vjet të zeza në qelitë e burgut famëkeq të Nishit nuk e kishin rrëzbitur fare këtë shkëmb graniti. Vital, i qëndrueshëm dhe mendjekthjellët, si uji kristalor që buronte nga bjeshkët e larta.
Me këta dy nipa po bëhen katërmbëdhjetë meshkuj të rënë në luftë me shka nga familja jonë,- vazhdoi ai prapë, aty ku e kishim lënë bisedën. Çetës luftarake të Azem Galicës, që nga themelimi, pa u hamendur iu bashkuan burrat tanë. Edhe vetë plaku Halit Bajrami, kurrë nuk iu nda atij trimi me fletë. O Azem, vështirë qenka plak e kaçak, por dashuria për lirinë e këtyre trojeve dhe urrejtja për shkelësit e huaj, po më japin fuqinë e të riut, i thoshte shpesh kapedanit. Dhe kështu ata u bënë halë në sy për organet serbe të SKS-së.
Një ditë të egër dimri, ishte 6 janar 1922, katër xhandarë të postëkomandës së Prellofcit erdhën në Lubovec, gjoja për ta marrë një dash për Krishtlindje. Në fakt, ata duke e ditur se Azemi me shumë të tjerë ishin në Shkodër, u përpoqën ta shthurnin këtë çerdhe kryengritëse. Me gjithë insistimin e kryeplakut, ata vajtën në shtëpinë e Halitit. Derisa djali i tij i vetmuar, Osmani 18-vjeçar, po kacafytej me ta, nga shtëpia e Xheladinit dolën: Xheladini, Salihu, Murati dhe Beqir Hajrizi, mysafir nga Kotorri. Ata në luftë e sipër i vrasin tre xhandarë serbë e i katërti ashtu i plagosur merr ikën...
Të nesërmen forca të mëdha nga Prellofci, nga Vushtrria dhe nga Deviçi rrethojnë fshatin. Mbi tridhjetë e pesë burra, kryesisht të rinj, i mbyllin në kullën e Salihut për t’i djegur të gjallë. Sakaq, derisa çatia me çardak mori flakë, Kosum Gërdovci, një xhandar, so¬lli urdhëresën e naçallnikut të Vushtrrisë për lirimin e të pafajshmëve. Dhe, pa e pyetur fare udhëheqësin e ekspeditës, ua hap derën dhe i liron të gjithë. Ai, i mllefosur, urdhëron të digjet rrafsh me tokë lagjja jonë. Pasi e pushkatojnë kryeplakun Jetullah Fazliu me gjithë djalë dhe Ramadan Abazin, me vete morën familjet e Xheladinit, të Salihut e të Hamitit dhe i dërguan në internim në Deviç.

Dy vjet më vonë, kur Arbëria e Vogël mori flakë, nga kjo familje u vranë: Halit Bajrami me tre nipat, Muratin, Asllanin dhe Bajramin, si dhe dy kushërinjtë, Salihu e Sadiku. Pa kaluar as gjashtë muaj, në një betejë të zhvilluar në Kotorr, bie heroikisht edhe vetë Xheladini. Fati nuk na kurseu as gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku ranë dëshmorë: Lah Rama (pjesëmarrës i Kuvendit të Organizatës Politiko-Ushtarake "Besa Kombëtare" dhe Komandant i fshatit Lubovec gjatë kohës 1941-1945, i vrarë më 22.02.1945) me djalë Sadikun dhe Hamëz Hamiti. Ai fat po na përcjell edhe sot e kësaj dite,- përfundoi plaku Shaban, kur veç ishim afruar te varret.
UÇK-ja kurorëzoi synimet tona shekullore
Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë, më 28 Nëntor 1997, në Llaushë qetësoi zemrat e zhuritura të pjesëtarëve të kësaj familjeje me tradita të lashta atdhetarie.
Dhe kush tjetër do ta udhëhiqte njësitin e luftëtarëve të lirisë në Lubovec, të formuar në fillim të majit 1998, në mos pinjollët e Halit Bajramit.
Enveri ka punë të tjera, të mëvonshme,- thanë burrat me mend. Komandant yni do të jetë historiani, Murat Haliti. Fort mirë. Ashtu edhe u vendos.
Murat Haliti u lind më 3 maj 1964 në Lubovec. Për të qenë edhe nuk e pati të vështirë. Rrugën e lavdisë e kishte të hapur denbabaden. Prindërit, Muharremi dhe Feridja (ishte bijë e Mehajve të Prekazit) patën tetë fëmijë: Shukrijen, Muratin, Mexhitin, Sherifen, Qamilen, Zyhrijen, Ekremin dhe Afërditën, por Murati veçohej prej të tjerëve. Ishte më kureshtar dhe më inteligjent. Mësimet fillestare i mbaroi në vendlindje e në Ashlan, të mesmet në Mitrovicë, ndërsa fakultetin Filozofik- dega e historisë, në Prishtinë. Historiani midis historianësh. Gjyshi i tij ishte histori në vete. Mjaftonin rrëfimet e tij për ta njohur hasmin shekullor. Edhe djalin e axhës, Enverin, po ashtu e kishte prijës dhe ideolog largpamës...
Murati për një kohë punoi mësimdhënës në gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë. Ai kaherë ishte i lidhur me ilegalen. Kolegu i tij, Hashim Thaçi sa e sa herë gdhiu pa vënë gjumë në sy në odën e tyre me traditë. Edhe si komandant u tregua shumë i suksesshëm. Përreth vetes kishte edhe djem që vdekjes i thoshin ku je? Betejat nëpër Drenicë e gjetiu rridhnin lumë. Nuk harrohen tri ditët e Pantinës dhe disa të tjera në Vojtesh.

Dita e 22 shtatorit 1998 erdhi si rrebesh shiu, andej nga na erdhën përherë zezonat, nga ana veriore, nga ana e Mitrovicës. Granatat e para ranë në Lubovec ende pa gdhirë mirë. Popullata mori drejt Qyqavicës. Shqipet e lirisë zunë kreshtat dhe u betuan: O sot, o kurrë! Minutat zgjateshin në pafundësi. Akrepat e orës sikur nuk lëviznin fare. Edhe dielli mbase kishte ngatërruar rrugën.
-Si t’ia bëjmë, o komandant?- u kujtua dikush të pyeste, më tepër sa për ta thyer heshtjen që rëndonte si gur mulliri.
-Si t’na e marrë mendja të gjithëve, o trima!- ua ktheu ai, duke përcjell një granatë që fishkëlleu mbi kokat e tyre dhe u përplas furishëm matanë në Kërshin e Lepurit.
Përreth mbante erë lufte. Kudo gjëmonin armët e rënda. Toka dridhej në themel. Luftëtarët e lirisë qëndronin si shkëmbinjtë strallorë. Muratit nuk i bëhej zemra rehat pa dalë deri në kodrën mbi katund, për të parë mos kishin nevojë të tjerët për ndihmë. Me vete kishte marrë edhe ushtarin e ri, Fatmir Ahmetin.
-Atë ditë prisnim shpërthimin e stuhisë. Të gjithë kishim zënë pozicionet përgjatë kodrave mbi fshat. Komandantit nuk i zihej vendi-vend. Donte sa më parë të dinte kah po vinin shkijet. U nis drejt kodrës bashkë me Fatmirin. Dhe kur arrin te Livadhi i Kolës, siç i themi ne një lëndine, has në korbat e zinj. Breshërisë së plumbave tinëzarë u përgjigjen flakë për flakë. Ata ishin shumë dhe trimat, pas një qëndrese titanike, bien heroikisht,- rrëfen ushtari dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Muhamet Zeneli.
Me krenarinë e tij sot jetojnë prindërit, jeton e shoqja bashkë me fëmijët: Shkëlzenin dhe Majlindën.
Varret binjake
Dhe, kur dielli gatitej të fundosej tej Bjeshkëve të Nemuna, varrtarët kishin mbaruar punën e tyre. Edhe ceremoniali mortor qe i shkurtër, se luftë ishte. Secili nga të pranishmit, kush me lopata e kush me grushte, hidhnim dhe mbi varret e njerëzve me ideale të larta. Pak më tutje preheshin edhe Hajrush Ahmeti me të birin Fatmirin. Kortezhi zu të shpërndahej në heshtje zymtësie. Secili shkonte në drejtimin e vet.
Edhe unë mora drejt Galicës, duke lënë prapa VARRET BINJAKE, që nën ndriçimin e hënës sypërlotur shkreptinin ATDHEDASHURI.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 374 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi