Ashtu si liria, edhe krimet kanë emër |
Publikuar më 15 nntor, 2020 në orën 12:44 ( ) |
Opinion | |
|
|
Konfirmimi i aktakuzave ndaj disa drejtuesve të UҪK-së, arrestimi dhe dërgimi i tyre në Hagë, iu dha shkas një numri politikanësh, analistësh dhe organizatash joqeveritare, në Kosovë e Shqipëri, të përfshihen në një dalldi “patriotike”, me monologje e dialogje patetike, në televizione dhe nё rrjete sociale, kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës, në mbrojtje, gjoja, të kauzës së lirisë dhe të shqiptarëve si komb.
Pjesë e pandarë e kësaj dalldie luftarake është edhe teza e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, e shfaqur që në dhjetor të vitit 2017, në një përpjekje të dështuar të një grupi deputetësh dhe drejtuesish kryesorё të institucioneve të Kosovës dhe e aktivizuar këto ditë nga politikanë aktivë dhe joaktivë, nga juristë dhe organizata joqeveritare, në dy vendet tona.
Në gjykimin tim, ngritja e kësaj teze, në këtë moment, është kundërproduktive, sepse mandati i Dhomave të Specializuara është përcaktuar qartë në amendimin e kushtetutës, në ligjin numër 3.04/L-274 dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës (BE, Holandë), sipas të cilave, proceset e nisura hetimore e gjyqësore vijojnë edhe përtej afatit pesёvjeҫar të gjykatës, deri sa Këshilli i Bashkimit Europian të mos njoftojë për mbylljen e tyre përfundimtare.
Jo vetëm kaq, shfuqizimi i Gjykatës Speciale në këtë fazë, do të ishte vetëvrasje për vetë të akuzuarit, për UҪK-në dhe për dy shtetet tona, Kosovën dhe Shqipërinë. Interesi ynë jetik është që të zbardhet e vërteta. Këtë qëllim mund ta arrijmë vetëm nëpërmjet Dhomave të Specializuara. Ne duhet ta mbështesim dhe mbrojmë atë gjykatë, jo se kështu na thonë të tjerët, por se ky është interesi ynë strategjik, shtetëror dhe kombëtar.
Nëpёrmjet Dhomave të Specializuara, ne kemi rastin t`iu japim fund shpifjeve e trillimeve të Beogradit dhe Moskës, të Karla Del Pontes e Dik Martit, të cilët, kanë vite e vite që përsërisin se krimet në Kosovë kanë emrin e Hashim Thaҫit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit etj. Atë që shqiptarët nuk e kanë bërë në kohën e duhur, për të dëshmuar krimin e strukturuar shtetëror të Serbisë, të kapluar, siҫ thotë Ismail Kadare, nga babëzia për para, pushtet e lavdi, më së fundi, duhet ta bëjmë në Gjykatën Speciale. Të akuzuarit duhet të ofrojnë prova, dëshmi, argumente dhe t`i japin krimit emër.
Ata duhet të hedhin poshtë akuzën për “ndërmarrje të përbashkët krimi”, duke u bazuar edhe në argumentet e Tribunalit të Hagës për Jugosllavinë, sipas të cilave, UҪK, jo vetëm nuk ka patur një platformë për dhunë sistematike, krime e spastrim mbi baza etnike, siҫ ka ndodhur me shtetin serb, por nuk ka patur as një komandë unike. Megjithatë, vendimtare është që, krahas këtyre argumenteve logjike, ata të ofrojnë edhe fakte konkrete që hedhin poshtë këtë akuzë.
Të akuzuarit kanë rastin që, jo vetëm të mbrojnë pafajësinë e tyre, por edhe të hedhin dritë, sidomos, mbi krimet ndaj kundërshtarëve politikë, gjatë luftës dhe pas saj. Në qoftë se ndonjëri prej tyre, megjithatë, rezulton se ka kryer krime, ai duhet të mbajë përgjegjësi individuale dhe të marrë dënimin e merituar, në bazë të ligjit.
Vërtet liria ka emrin e gjakut e të sakrificave të panumërta të brezave të tërë të shqiptarëve në shekuj dhe, në kohët më të reja, të Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e qindra e mijëra luftëtarëve të tjerё nga Kosova, Shqipëria e trojet e tjera amëtare, por edhe krimet që mund të jenë kryer, mbi baza individuale, në luftën e padrejtë dhe të pabarabartë, të imponuar nga Serbia agresore, duhet të kenë emër.
“Patriotëve” të dalldisur ju sugjeroj të lexojnë deklaratën e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, para se ai të nisej për në Hagë: “Dhomat e Specializuara i shoh si një mundësi që, më së fundi, të përgjigjem ndaj dyshimeve dhe thashethemeve, të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra… Kur thirremi për të bashkëpunuar me drejtësinë, ta bëjmë këtë pa hezitim… Të veprojmë si burrështetas të kalibrit ndërkombëtar”.
Rrugë tjerër nuk ka. Funksionimi i Gjykatës Speciale bën të mundur ndëshkimin individual për krimet e kryera, kushdo qoftë ai. Shfuqizimi i saj, në këto momente, në vend të ndëshkimit individual, do të ndëshkonte UҪK-në si organizatë, Kosovën si shtet dhe shqiptarët si komb.
Islam Lauka
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Nuk është vlerësuar deri më tani! |
Lexuar:
286 herë
|
|
|
|
|
|
|