Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
LISI KUSHTRIMTAR
Publikuar më 01 mars, 2021 në orën 00:28 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në 23-vjetorin e Betejës së Qirezit-Likoshanit

Si çdo luftë, edhe kjo e fundit, pati betejat dhe dëshmorët e vet. Njëra nga këto beteja është edhe Beteja e Qirezit dhe e Likoshanit, e cila bëri kthesë historike dhe i dha kuptim të ri luftës sonë çlirimtare. Ajo qe hyrje e Epopesë së madhe, që njihet me emrin Lavdia e UÇK-së e që zgjati deri më 12 qershor 1999.
Dëshmitari më besnik i asaj ngjarjeje të madhe historike, padyshim, është Lisi gjashtënjak i Likoshanit, të cilin unë e quajta Lisi kushtrimtar! Po të kishte gojë ai do të rrëfente:
...E shtuna e 28 shkurtit 1998, gdhiu e zymtë fare. Edhe dielli përtueshëm lëshonte rreze mbi Qyqavicën mitike. Masakrimi i Abdulla Nikës nga Gllanasella, në vendin e tij të punës nga barbarët serbë, kishte shtuar ankthin e frikës në këto anë. Mirëpo trimat e lirisë dhe komandant Adem Jashari kishin ngjeshur armët dhe kishin dhënë betimin: O sot, o kurrë!
-Ju lumtë, o trima!- bekoi populli, dhe, që nga beteja e Klysyrës, sidomos pas varrimit të mësuesit Halit Geci, ku UÇK-ja doli hapur, ai hapi zemrën e madhe për ushtrinë e vet çlirimtare.
Dhe, atë ditë, në orën 11 e 30 minuta, para shitores së Likoshanit, policët serbë ndalojnë traktorin që shkonte për ngushëllime në Gllanasellë. Sakaq, nga Dobrashefci erdhi vetura Pasat dhe kaloi pranë tyre. Cerberët e nuhatën dhe iu turren pas. Trimat: Musë Jashari, Rasim Kiçina, Sabit Lladrofci dhe Jahir Hajdari, taktikisht e tërhiqnin zjarrin jashtë katundit. Te Lisi Gjashtënjakë, sikur shkreptiu moti për së kthjellti. Mortaja e Musë Jasharit volli zjarr dhe “NIVA” fluturoi në erë. Kukulelet e bishave u shuan shpejt nga armët e luftëtarëve të lirisë.
Toka mëmë u ujit edhe me gjakun e lirisë. Rasim Kiçina ndihmonte të plagosurin rëndë, Sabit Lladrofcin. Nga radiolidhja e 405- it u përhap lajmi kushtrimtar. Sakaq, një veturë nxitonte drejt flakës së luftës. Sabit Geci merr të plagosurit dhe niset drejt Gojfileve të Prellofcit. Helikopteri i ndjek pas, duke i mitraluar pa pra. Të plagosurit marrin plagë të reja. Plagoset edhe Musa, plagoset edhe vetë Sabiti. Vetura e tij humb drejtimin dhe përplaset në murin e një shtëpie bri rrugës. Mitralozi i komandant Adem Jasharit, i cili tashmë me bashkëluftëtarë kishte mbërritur aty, e detyron helikopterin të largohet nga fushëbeteja...
Dielli po u afrohej Bjeshkëve të Nemuna e flaka e luftës nuk po pushonte. Edhe “NIVA” tjetër, që erdhi përforcim, u asgjësua me gjithë policë, nga njësiti tjetër i UÇK-së, që atë natë ishte në Qirez, në shtëpinë e atdhetarit, Brahim Rexhepi, babai i të cilit, Ajeti, ishte komandant i Gardës Kombëtare në Brigadën e Shaban Polluzhës. Aty ishin ushtarët: Xhemë Kodra, Beqir Mehaj, Skënder Gjeli, Isë Beqiri e Beqir Beqiri. Ky i fundit ishte ndër themeltarët e celulës së parë, i 18-ti me radhë, në regjistrin e Adem Jasharit. Kur krisi pushka, atyre iu bashkëngjitën edhe Rexhepi 63 vjeçar me nipin Zeqirin si dhe Naser Gjeli, i cili, me armën që ua mori policëve të vrarë, bashkë me të atin, Muhametin, qëndruan derisa ranë heroikisht në oborrin e shtëpisë së vet.
Djajtë u tmerruan fare. Hakmarrje!...Hakmarrje!- ulërinin krerët nga Beogradi.
Dhe, toka zu të dridhej nga tanket e helikopterët. Ata sollën përforcime të shumta. Pos helikopterit të parë erdhi edhe një tjetër që mbante lidhje dhe barte të vrarët dhe të plagosurit serbë në spitalin ushtarak të Beogradit. Erdhën edhe 47 autoblinda e mjete të tjera ushtarake. Qielli nuk dukej nga tymi e nga flaka. Trimat e Adem Jasharit me gjokse e me dhëmbë sfidonin mortjen e zezë...
Gjakatarët e stepave karpatiane zunë të shfrenin me tërbim të paparë mbi popullsinë duarthatë. Gjurmëve të gjakut të Rexhepit të plagosur ata u futën edhe në shtëpinë e Ahmetajve të Likoshanit dhe masakruan të gjithë meshkujt që gjendeshin aty. Sefer Nebihut nga Qirezi ia ekzekutuan renë shtatëzënë, Rukien, dhe djalë Xhemshirin...Sheremet Sejdiut ia shuan katër drita rinore...Ata vranë edhe shumë të tjerë...
Fill pas stuhisë, më 3 mars 1998, Qyqavica ishte veshur me të zeza. Pranë këmbëve të saj, në kodrën midis Qirezit dhe Likoshanit, hapeshin plagë të reja. Njëzet e katër varre hapnin gojën, sikur donin të na përpinin të gjithëve të gjallë. Lumenjtë mortorë rridhnin nga çdo anë. Aty, në zemër të Drenicës, bashkohej Kosova, bashkohej Shqipëria. Përpara binës së improvizuar radhitën 24 flamuj lirie, të cilët, të gjithë tok do ta kenë një emër: DËSHMORËT E QYQAVICËS!
Pra, atë ditë, në Altarin e lirisë, me gjak të njomë u skalitën edhe këta të pavdekshëm:
Ilir Nebihu (30)- Qirez
Rukie Nebihu (27),
Xhemshir Nebihu (33),
Rexhep Rexhepi (63),
Beqir Rexhepi (30),
Beqir Sejdiu (26),
Nazmi Sejdiu (24),
Bedri Sejdiu (24),
Bekim Sejdiu (23),
Ismail Behrami (30), Baks,
Behram Fazliu (50), Gradicë,
Ahmet Ahmeti (50), Likoshan
Elhami Ahmeti (16),
Shemsi Ahmeti (21),
Lumni Ahmeti (20),
Naim Ahmeti (22),
Driton Ahmeti (23),
Hilmi Ahmeti (48),
Basri Ahmeti (20),
Hamzë Ahmeti (44),
Gani Ahmeti (46),
Ibish Rama (38),
Muhamet Gjeli (70) dhe
Naser Gjeli (38).

Sot, në këtë 23-Vjetor të kësaj beteje, kur krerët e luftës sonë çlirimtare padrejtësisht po mbahen në Hagë, kemi obligim moral e kombëtar që ta nderojmë dhe ta lartësojmë veprën e madhe të UÇK-së, formacionit më të lavdishëm që ka krijuar populli shqiptar në historinë e tij, ta nderojmë gjakun e dëshmorëve që na solli Ditën e Bardhë. Në të kundërtën, amaneti tyre mbetet peng dhe paskëtaj, vaj halli për ne, na mallkon historia, na mallkojnë brezat e ardhmërisë!
Lavdi të gjithë të rënëve për LIRI!

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 269 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi