Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
“DRENICA” E DURRËSIT- TEMPULL ATDHETARIE
Publikuar më 27 gusht, 2008 në orën 17:05 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Kuvendim në hotel “DRENICA” në plazhin e bukur të Durrësit

(Në foto: Autori i shkrimit Prof. Bedri Tahiri me poetin e akademikun Xhevahir Spahiu)


Këto ditë, Akademisë së Shqipërisë iu shtua edhe një anëtar mjaft i fuqishëm, poeti dhe atdhetari i shquar skrapallinj, z. Xhevahir Spahiu. Dhe, unë pata fatin të jem i pari që bëra një bisedë me akademikun e ri. U takuam në odën e madhe të shqiptarizmës, në Drenicën e durrësakve, në tempullin e atdhetarisë, siç e cilësoi vetë poeti, në konakun e ngrohtë të vëllezërve Kapiti, ku u bë pritja dhe përcjellja për frontet e luftës së UÇK-së e mijëra e mijëra luftëtarëve shqiptarë e të huaj, të ardhur kryesisht nga diaspora. Si përherë, në krye të këtij takimi qëndron i palodhuri z. Skënder Kapiti. Më mua janë edhe dy miq të mi të dashur, z. Miftar Miftari, mësues i gjuhës shqipe në Finlandë dhe z. Galip Avdiu, historian nga Vushtrria. Kësaj dreke solemne, të shtruar nga vëllezërit Skënder, Naim e Gani Kapiti, më 3 gusht 2008, ia shtonin madhështinë edhe te pranishmit e tjerë: z. Ilir Malindi, avokat, z. Novruz Zejnati, oficër në pension, z. Shpend Topollaj, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Durrës...

Cili është Xhevahir Spahiu?
Xhevahir Spahiu u lind më 1944 në Malind të Skraparit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Skrapar, ndërsa studimet universitare, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Tiranës. Një kohë punoi në vendlindje, ndërsa më vonë gazetar e redaktor në gazeta e revista të ndryshme. Një kohë ishte edhe libertist në Teatrin e Operës në Tiranë. Është i njohur si krijues që shkruan kryesisht poezi, për të rritur e për fëmijë, e herë pas here edhe reportazhe. Jeton në Tiranë. Veprat më të njohura të tij janë: “Mëngjez sirenash”(1970), “Ti qytet i dashur”(1973), “Vdekje perëndive”(1977), “Dyer dhe zemra të hapura”(1978), “Bashkëkohësit” (1980), “Zambakët e Mamicës”(1981), “Ekrani i kaltër”(1982), ” Kitaristët e vegjël”(1983), “Nesër jam aty”(1987), “Kryeartëzat”(1987), “Heshtje s’ka”(1989), “Dielli i lodrave”)1990, “Poezia shqipe”(1990), “ Ferrparajsa”(1994), “ Pezull”(1996), “Rreziku”(2001) etj.
Dhe, biseda jonë, nuk ishte thjeshtë një intervistë konvencionale e steriotipe, por kuvendim zemrash dhe çarje hallesh për fatet e atdheut e të kombit, duke u fokusuar, jo të krijimtaria poetike, as tek pranimi i tij në Akademi, për çka po ngrisnim dolli, por kryesisht rreth Drenicës heroike dhe luftës së lavdishme të UÇK-së, të udhëhqur nga komandanti legjendar, Adem JASHARI, para të cilit përkulej me pietet të lartë, rreth DRENICËS durrësake, rreth njësimit të kombit...

I nderuari zoti poet e akademik Xhevahir Spahiu, a keni qenë ndonjëherë në Drenicë, për të cilën keni kaq repekt?

Shpirtërisht kam qenë jetë e mot me Drenicën heroike. Dhe gjithmonë, në mënyrë poetike, këtë emër, Drenicën, e lidh me drenin e me Drinin, i cili buron rrëmbyeshëm në dy vende, Drini i Bardhë e Drini i Zi, dhe pastaj bashkohen në NJË. Kur isha për herë të parë në Kosovë, më 1979, isha i fundit nga poetët e Shqipërisë që shkoja në atë pjesë të truallit tonë. Gjatë gjithë rrugës Pejë- Prishtinë pyesja ku është Drenica, ku ështtë Drenica? Takimi i parë me të ishte i fuqishëm dhe më bëri për vete, siç i thonë një fjale, duke më lidhur edhe më pazgjidhshëm me gjysmën e atdheut tim. Lumturisht kjo ndodhi në një moshë ende të re. Nuk jam ulur t’i shkruaj ato kujtime, por të gjitha i kam thadruar në mendje. Kur i fola rreth një orë e gjysmë Myslim Islamit për frymëzimet e mia nga Kosova, ai më shikoi i habitur dhe më tha: Bëre një gabim të pafalshëm që këto nuk i ke publikuar! Më duhet ta them edhe një detaj. Një ditë më drejtohet njeri:
- Ti Xhevahir je poet dhe ke shëtitur gjithë Shqipërinë?
- Po, por kam lënë një vend pa e parë!
- Cilin?
- Kolonjën!
- Po përse?!
- Që Kosova të mos ishte e fundit!
Pas luftës së fundit fati e deshi që të jem ndoshta poeti i parë që vizitova Kosovën. Isha me miqtë e mi të respektuar: Moikom Zeqon, Bardhyl London e Pano Taçin. Fillimisht qëndruam në Gajkovë e në Pejë. Çdo gjë ishte shkatërruar. Pamjet mjeruese na llahtaronin. Rrugës për në Drenicë ndaluam të hanim ca bukë që e kishim marrë me vete. O Zot! Ishim ulur në një vend të minuar dhe kur na pa një burrë, gati u çmend. A e dini ku jeni ulur?- na e pret ai i shqetësuar. Jeni ulur mbi mina! Ne u trembem, shoferi ishte më i shpejt, por unë disi nuk nxitova.
Kur hym në Drenica mbante erë shkrumbi e erë baruti. Ndalojmë në Drenas. Doja ta shihja vendin ku ishte vrarë poeti i njohur Ymer Elshani me gjithë familje. Në oborrin e shtëpisë së tij na pret një plak mbi të 70-tat, me qeleshe të bardhë në kokë e me një shall malësori. Ishte babai i poetit. Pasi përshëndetemi vëllazërisht, ulemi në tokë. Lotët na pushtuan. Të gjithë qanim. Ai qante pa zë, unë isha gati të vija kujën, por u përmbajta. Aty erdhi edhe i vëllai i Ymerit. Kur erdhën policët serbë fill u drejtuan nga ai grumbull me thengjill,- tregon ai me dorë andej nga cepi i oborrit. Aty gjeten dorëshkrimin e një vepre të Ymerit kushtuar Skënderbeut, të cilën e asgjësuan. Nga dritarja e dhomës së punës së poetit dëshmor shikoja një kumbull. Një frymëzim i çastit ku më lindën disa vargje...Sakaq, kur mora vesh se ende askush nga Prishtina nuk e kishte vizituar këtë familje, nëpër mend më silleshin vërdall pyetjet:
- A janë botuar të gjitha librat e Ymer Elshanit në Kosovë?
- Po në Tiranë?
- Kush do të kujdeset për to?
Kjo është periudha e njohjes sime me Drenicën dhe e mallkoj veten që ende nuk kam shkuar tek Kompleksi i Jasharëve në Prekaz!

Kam informacione se sa ishe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë e keni ndihmuar luftën në Kosovë, duke e vënë edhe zyrën tënde në shërbim të UÇK-së?

Meqë po e ditke po ta them se, përndryshe, nga modestia nuk do ta përmendja ketë fakt. Gjatë gjithë luftës që bëhej për mbrojtjen e tokave tona stërgjyshore në Kosovë, prej dhomës ku punoja në Tiranë, luftëtarët dhe veprimtarët flisnin drejtpërsedrejti me Drenicën dhe me trimat që mbanin frontet e luftës. Por, kjo nuk ishte gjë në krahasim me atë që bëhej atje, ku derdhej gjaku i lirisë.

Po për Drenicën e Durrësit ç’mund të na thoni?

Po, DRENICA e Durrësit është qendra kryesore e frymëzimeve atdhetare këtu buzë detit. Zërat e tij harmonizohen me dallgët e detit. Në vitin 2000 po mbahej veprimtaria “Lulet e veres”. Ishte edhe përvjetori i UÇK-së, dhe me insistimin e z. Ilir Malindi, një i përkushtuar me zemër për çëshjtën kombëtare, erdhëm mu këtu tek DRENICA. Këtu na pritën burrërisht e bujarisht vëllezërit Kapiti. Pos poetëve e krijuesve letrarë, me ne ishin edhe artistet tona të mëdha, si Tinka Kurti, Margeritë Gjepa etj, të cilat me recitimet e tyre ia shtonin madhështinë këtij vendi. Ky muze i vogël, në shikim të parë, por shumë domethënës, në vete mbledh gjithë dashurinë e trojeve shqiptare. Të mos harrojmë se poetët e Shqipërisë kanë bërë atdhe para se sa ta bënin luftëtarët me kobure apo shpata, e krijuan me gjakun e tyre, e ka bërë De Rada me vargjet e tij, e ka bërë Naimi, e ka bërë Fishta. Fjala dhe ideja e tyre është ajo që kanë vënë në lëvizje armën.

Më vjen mirë që DRENICA, kjo shtëpi lirie dhe tempull i atdhetarisë, pikërisht u pagëzua nga poetët dhe artsitët. Ai takim e ndërshqiptarizoi këtë vend, nga i cili buroi jetësimi i çështjes sonë madhore, çlirimi kombëtar. Paskëtaj që këtu duket deti dhe deti është liri, është kulturë, është Evropë.

( Në nderim të UÇK-së: Skender Kapiti, Xhevahir Spahiu, Naim Kapiti, Bedri Tahiri dhe Ilir Malindi )

Z. Xhevahir, pse DRENICA e Durrësit dhe luftëtarët e lirisë, madje edhe vetë dëshmorët dhe familjet e tyre, as sot e kësaj dite, sidomos këtu në Shqipëri, nuk trajtohen si duhet dhe nuk e kanë vendin e merituar?

Kjo qendër, e propozuar për muze nga poeti Moikom Zeqo, mund të themi se vetvetiu është kthyer në një lloj Tempulli. Këtu vazhdimisht vijnë poetë dhe shkrimtarë nga Tirana, nga Prishtina, nga Shkupi, nga diaspora, shpesh edhe të huaj, intelektualë që i bashkon qenësia shqiptare, gjuha, gjaku, kultura, mbijetesa, ardhmëria. Me sa kam marrë vesh këtu më së paku, për të mos thënë fare, vijnë politikanët.
Punë e tyre!
Historia mban shënime!
Trimat nderohen në të gjitha kohët. Nëse vendos një mosnderim për ta do të thotë se ndërgjegja e kombit është e sëmurë. Edhe po s’u bë sot, kjo do bëhet nesër, por është detyrë e shenjtë, është ndjenjë përgjegjësie dhe atdhetarie që të çmohen vlerat, të përjetësohen gjaku dhe trimëria kombëtare. Një komb që nuk nderon heronjtë e tij, ata që janë vënë në rrënjët e themeleve të lirisë dhe të ekzistencës kombëtare, është për t’u përçmuar, madje edhe për t’u urryar. (Këtu, për ta sforcuar këtë, më duhet të hap një parantezë. Ditë më parë, mu këtu, në lokalin DRENICA takova një luftëtar nga Gjirokastra (Y. D.), të njohur me nofkën “Shqipnia”, i cili, kur krisi lufta në Kosovë dhe Adem Jashari i dha jetë lirisë, kishte lënë Athinën ku punonte dhe pasi ishte rekrutuar këtu kishte vajtur në Burrel e prej andej, si pjesëtar i opracionit “Shigjeta”, theu kufirin në Pashtrik dhe luftoi deri në çlirimin e Kosovës. Fare pranë iu kishin vrarë shumë luftëtarë, në mesin e tyre edhe Safet Boletini, por fati e kishte mëshëruar në luftë dhe e kishte dënuar në paqe. Sot, ai nuk gëzon asnjë beneficion prej luftëtari a veterani, madje aq më keq, ka ngelur rrugëve me gishta në gojë, ka ngelur pa pronat e veta atërore...)
Por, unë mendoj që në thellësinë e tij populli e ka të shenjtë në zemër emrin e luftëtarëve të lirisë. Sot ai mund të hesht për këtë harresë, por nesër do t’u kërcas dhëmbët dhe do t’u kërkojë llogari Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës!

Si mund të shkojmë drejt njësimit shpirtëror kombëtar?

Ky është një shqetësim imi i përhershëm dhe, sigurisht edhe i të gjithë shqiptarëve. Ne ende edhe në kohët moderne po jetojmë me feudalizëm (përçarje). Duhet shumë punë që të ngjizemi, të afrohemi, që të përbëjmë fuqi. Sepse mendja enciklopedike, Sami Frashëri, ka thënë:”Nuk mjafton vetëm e drejta, duhet edhe fuqia”. Bashkimi bën fuqinë! Është e çuditshme për mua se si janë pakësuar takimet midis poetëve e shkrimtarëve nga Kosova dhe Shqipëria, se si çdo vit e më shumë përmenden me pak vlera të ndërsjella, se si librit që hyn e del aty në Qafë- Morin i thuhet ndal!!! I vëhet një tatim 20% mbi çmimin. Kjo nuk është më ndryshe nga koha e dikurshme, kur librat nga Kosova hynin në Shqipëri me varka nëpër Liqenin e Shkodrës. Çfarë po ndodh?! Ku janë marrëveshjet kulturore Prishtinë- Tiranë?! Si kuptohen ato?! Ne kudo duhet të paraqitemi si një KOMB, ashtu siç jemi! Ja çka më ndodhi mua në Francë.
Para dhjetë vjetësh më thirren në Festivalin “Zërat e Mesdheut” që mbahej në Lodev, në jug të Francës. Më thanë të përpiloja listën e poetëve shqiptarë. Mirë, u thashë, dhe ua dërgova listën ku kisha futur edhe poetë nga Kosova. Organizatori ma ktheu përgjigjen negative, duke thënë se ata të Kosovës nuk mund të vijnë, sepse nuk janë mesdhetarë. I nervozuar në kulm ua ktheva: Unë jam mesdhetar e ata janë vëllezërit e mi. Ky trualli i shqiponjave është i njëjtë. Ne kemi një histori, një gjuhë, një poezi. Po ju kur botoni antologjitë tuaja, pse futni edhe poetë francez të Kanadasë, të Zvicrës, të Belgjikës. Nëse nuk pranoni poetë nga Kosova nuk do të vijnë as poetët nga Shqipëria!
Dhe, ç’nodhi? Pas gjashtë muajsh u detyruan të pranin listën e përbashkët të poetëve nga Shqipëria e nga Kosova. Dakord, mund të vini ashtu siç doni ju, më thotë kryesuesi, Mark Deluz. Kështu u thye muri atëbotë. Kështu duhet vepruar edhe me poetët nga Maqedonia, nga Çamëria e kështu me radhë. Por sot ku jemi?! Ne duhet kudo të përfaqësohemi si një mozaik arbëror. Mjerisht, këtë prirje për një njësim nuk e kam parë në politikë. Me sa duket politika nuk ia ve veshin kulturës, andaj është politikë e pakulturuar. Për çfarë afrie kombëtare mund të flitet kur avioni Tiranë- Prishtinë merr trefishin e çmimit ndërkombëtar?!

Z. Xhevahir Spahiu, në fund më lejoni që t’ju falënderojë për bashkëbisedimin, duke ju uruar suksese në krijimtarinë poetike dhe e gëzofsh titullin e lartë të akademikut!

Faliminderit edhe nga Ju z. Bedri. Kënaqësia ishte imja dhe shumë gjëra për herë të parë i shpalosa para Jush.
Mirë u takofshim!


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 15 vizitorë
Lexuar: 5,299 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi