Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Faik Shatku, Ministri që solli në atdhe eshtrat e poetit kombëtar Naim Frashërit
Publikuar më 09 shkurt, 2009 në orën 12:56 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Faik Shatku, Jetëshkrim biografik. (Diber e Madhe, 12.06.1889 - Tiranë, 15.04.1946)

Nga Saimir Shatku/ LL.M
SidiShatku/ MSc

TORINO (ITALI) - U lind më 12.06.1889 në Dibër të Madhe, në një familje patriotike e atdhetare. Në vendlindje përfundoi shkollën fillore. Kur u bë emigracioni i popullsisë dibrane në vitin 1912, familja e tij u vendos në Stamboll, gjatë kësaj kohe Faiku vazhdonte studimet në shkollën e mesme tregëtare Franceze në Selanik.

Pas përfundimit të shkollës tregëtare në Selanik, kthehet pranë familjes së tij në Stamboll për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Stambollit. Pranë këtij Fakulteti u diplomua dhe mbrojti doktoraturen.

Ne Stamboll, ai ushtroi detyrën e avokatit publik. Në fillim të vitit 1924, njëri ndërmjet Shqiptarëve të arsimuar, largohet familjarisht nga Turqia për tu vendosur përfundimisht në Tiranë. Në dt. 14.05.1924 u emërua anëtar i gjykatës së shkallës së parë në qytetin e Elbasanit, e pastaj në Korcë.

Në 11.02.1925 u emërua prokuror i gjykatës së shkallës së parë në Tiranë. Po ashtu ishte gjyqtar, prokuror dhe kryeprokuror në Tiranë. Më 23.03.1925 u emerua sekretar i përgjithshëm i ministrit të drejtësisë, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1929.

Po në këtë vit emërohet anëtar i këshillit të shtetit dhe më pas zëvëndëskryetar i këshillit të shtetit. Po ashtu ishte kryeprokuror i përgjithshëm i shtetit dhe kryeprokuror i përgjithshëm i gjyqit ushtarak të naltë deri në vitin 1936 kur hodhi kandidaturën për deputet..

Në zgjedhjet për Asamblenë Parlamentare të vitit 1936 u zgjodh deputet i prefekturës së Elbasanit, së bashku me intelektualë të tjerë dibranë si: Abdurahman Dibra, Fiqiri Rusi, Hafiz Xhemali, Jashar Erebara këta në prefekturën e Dibrës, si dhe Izet Shatku (Dibra), në prefekturën e Durrës-Tiranë. Më 09.11.1936 u emërua Minister i Arsimit( Edukacionit ) post të cilën e mbajti deri në vitin 1938.

Gjatë kësaj periudhe Faik Shatku dha kontribut të shquar në zhvillimin e arsimit kombëtar. Ai rekrutoi nënpunesa të arsimuar në vëndet më perëndimore, si dhe reformoi sistemin pedagogjik duke e klasifikuar atë në shkolla foshnjore, fillore, dhe të mesme.

Ai i dha rëndesi eleminimit të analfabetizmit në përgjithësi, si dhe emancipimit të vajzave në shoqeri. Ngjarje e rëndësishme për kombin Shqiptar ishte dhe kthimi në atdhe i eshtrave te poetit të madh Shqiptar Naim Frasherit në vitin 1937, me rastin e 37 vjetorit të vdekjes së tij. Ky veprim u propozua nga ministri i Arsimit z.Faik Shatku.

Ai kryesonte komisionin e kthimit të eshtrave të poetit tonë kombëtarë së bashku me komandantin e përgjithshëm të xhandarmërisë kolonel Shefki Shatku. Më 01.06.1938 me ndryshimet që u bënë në qeverinë e kryeministrit Koço Kotta, Faik Shatku u mandatua si Ministër i Drejtësisë, detyrë të cilën e mbajti deri në 07.04.1939.

Gjatë kësaj periudhe ai nisi reformën për depenalizimin e disa veprave penale, shfuqizoi disa ligje arkaike si dhe riformatoi legjislacionin procedurial penal dhe civil. Me okupimin e Shqipërisë, më 7 prill 1939 nga Italia fashiste, largohet së bashku me mbretin Zog I dhe me suitët shoqëruese për në Turqi.

Në muajin mars të 1940 kthehet në atdhe, por fashistët e internojnë në Itali, pa asnjë motivacion. Në fillim e mbajnë në burgun e Barit, e pastaj në atë të Bergamos. Në maj të vitit 1941 lirohet nga burgu dhe kthehet në atdhe. Pas kthimit, ai emërohet kryetar i komisionit të kontrollit pranë Ministrisë së Financave. Ndërroi jetë në 15.04.1946 në qytetin e Tiranës.

2.Veprimtaria profesionale dhe kombëtare

Faik Shatku mund të themi me plotgojë hodhi bazat më të rëndësishme të arsimit kombëtar, përgjatë periudhës së mbretërisë Shqiptare. Gjatë kësaj kohe kur ai mbante postin e ministrit të arsimit kombëtar, kishte si pikësynim kryesor rininë. Ai e konsideronte atë “si shpresa e së ardhmes, dhe shtylla e atdheut. Po! Po Thoshte ai, për të qënë kjo rini shpresa e së ardhmes, shtylla e atdheut, duhet të formohet, të përgatitet, të paiset me një kulturë të shëndoshë, të frymëzohet me idealet e larta kombëtare, ato ide që ndezin gjakrat e shtyjnë për punë të mëdha.

Dhe pikërisht ky mision i rëndesishëm i është ngarkuar arsimtarëve. Detyra e arsimtarit, është e rëndësishme dhe funksioni i tij, është funksion i shenjt”. Fatmirsisht fjalimet, diskutimet parlamentare e debatet për arsimin kombëtar të z. Faik Shatkut janë publikuar gjersisht në shtypin e kohës. Në to gjejmë të pasqyruar realitetin e arsimit kombëtar dhe vështirsit për të luftuar analfabetizmin e cila ishte kthyer prolog i jetës së shqiptarëve si pasojë e skamjes.

Por për të mënjanuar keto vështirsi të jetës, Faik Shatku e shihte zgjidhjen e vetme në arsimimin e të rinjëve, hapjen e shkollave të reja fillore e të mesme si dhe institutet teknike dhe ato profesionale. Me iniciativen e tij u realizuan një sërë investimesh në ngritjen e shollave fillore nëpër fshatra dhe në qytete, si dhe paisjen e tyre me mjete arsimore e edukative. Kujtojmë këtu krijimin e institutit-femëror “Nana Mbretnesh”, ku me rastin e inagurimit të saj dhe të diplomimit të maturanëtve të parë të kësaj shkolle femërore, Faik Shatku mbajti një fjalim të rëndësishëm historik.

Në këtë fjalim ministri i arsimit z. F.Shatku theksoi se
“mbas kompletimit të këtij instituti me klasat, sot ai po nxjerr 13 maturantë, 9 të degës normale dhe 4 të gjimnazit, të cilat tash patën nderin të marrin dëftesat e pjekurisë. Por të jemi të sigurtë se numri i nxënësve vitin e ardhshëm do të rritet më tej. Mbas shumë përpjekjeve dhe një pune të gjatë në mësim, sot u kurorzua studimi i juaj duke marrë dëftesat e pjekurisë. Sot ju po leni bankat e shkollës. Disa prej jush mund të marrin karjerën e mësuesisë (pedagogjisë) e disa të tjera mund të kthehen duke qënë të kulturuar (shkolluar) në gjirin e familjeve të veta ose mund të ndjekin mësimet më të larta. Por sidoqoftë këndej e tutje, si juve, ashtu edhe vajzat e tjera që janë në vazhdim e sipër të mësimeve, ju pret një detyrë tjetër me rëndësi patriotike. Sot ju po kapërceni pragun e këtij instituti dhe po inkuadroheni në një shoqëri të re. Në shoqërinë e moralit, të arsimimit dhe të kulturës shqiptare. Në fund të këtij fjalimi shkëlqesia e tij z.Faik Shatku tha: Të dashtuna Maturantë ! Këto janë këshillat e mija që mund t’ju jap në këtë kohë kur po kaloni pragun e kësaj shkolle. Suksese në sfidat e tjera të jetës."

Përgjaët mandatit të tij si ministër i një qeverie mbretërore, Faik Shatku organizoi punën për krijimin e një federate sportive. Kështu me iniciativen e tij dhe të një grupi sportdashësish, ai hodhi bazat për krijimin e një djelmnije sportive. Ministria e arsimit gjatë asaj kohe, përveç detyrave në zhvillimin e arsimit kombëtar, në luftën kundër paragjykimeve dhe skepticizmit të kohës, dhe të analfabetizmit, hodhi themelet për krijimin e një federate sportive, për të rinjtë shqiptar, për ti nxitur në zemrat e tyre kulturën dhe edukatën sportive.

Përgjatë viteve 1936-1938 aparati arsimor i kryesuar nga z.Faik Shatku, i shpërndau bursa nxënësve nga rrethet e ndyshme të vëndit, jetimëve, të varfërve dhe nxënësve të shkëlqyer me qëllim paisjen e tyre me kulturë perëndimore. Përveç aktiviteteve të jetës arsimore të vëndit, me propozimin e Faik Shatkut i cili ishte njëkohësisht dhe Kryetar i Federates Sportive Shqiptare, janë realizuar dhe mjaft kampionate sportive ndërmjet klubeve sportive Shqiptare me ato Italiane si: (Ankona, Bari dhe Torino) dhe me ato të Serbisë.Ishtë karakteristikë e Faik Shatkut ndjenja e oratorisë dhe e patriotizmit.

Në një fjalim të mbajtur në 2 qershor 1936 të publikuar në gazetën “Vatra “ ai theksonte këto fjalë të cilat i dilnin nga zemra e shpirtit: ” I tanë kujdesi em i kushtohet djelmnis, e cila, e pajisun me virtyte të nalta të racës sonë,si besë, nder e burrni, e bindun dhe e disiplinume, fizikisht e forcnueme, mendësisht e naltësueme, me mendim të prerë. Atdheu mbi të gjitha gatitet në shkolla shtetnore për realizimin e idealit kombëtar.”

Por evenimenti më i rëndësishem i këtij ndriçuesi të arsimit kombetar ishte padyshim kthimi në atdhe i eshtrave të poetit tonë kombëtar, të Naim Frashërit. Kjo ngjarje ndodhi me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë dhe të 37-vjetorit të vdekjes së këtij bilbili të gjuhës shqipe. Ishte pikërisht 3 qershori i vitit 1937 ku një komision i përbërë nga z. Faik Shatku Ministër i Arsimit, z.Musa Juka, Ministër i Brendshëm dhe Kolonel Shefki Shatku Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, të cilët u nisën drejtë Stambollit për të marr eshtrat e poetit tonë kombëtar.

Gazeta “Shtypi”, një organ shoqëror dhe kombëtar i asaj kohe e përshkruan në këtë mënyrë emocionet dhe fjalët e ministrit të arsimit z. Faik Shatku, gjatë ardhjes së kortezhit me trupin e poetit kombëtar: “ I mallëngjyer z. Faik Shatku flet: Vllazër Shqiptarë ! Sot arritën në tokën e atdheut tonë eshtrat e Naim Frashërit ! Një mallëngjim i papërshkrueshëm në kët çast pushton shpirtin tonë, ndjejmë gëzim por në anën tjetër zemra mbushet njëkohësisht edhe me melankoli të patregueme kur mendojmë të kaluemen e vjershëtorit atdhetar, të Naimit, me plot mundime, përpjekjen e tij me plot sakrifica dhe kështu pa dasht lotët na ngjiten në sy ! Emni i tij tingellon vesh në vesh, fluturon buzë në buzë te të gjithë shqiptarët, i madh ose i vogël qoftë dhe ky fenomen është fare i natyrshëm. Gjuha amtare e palëvrueme gjeti në të, frymëzuesin e gjallë, artistin me plot elokuencë, gjeti nevojën e tij bilbilin e pa lodhur i cili, tue këndue, tue vajtue, anë e mbanë elektrizonte nervat e tanë popullit Shqiptar për me e zgju nga gjumi i randë dhe fatal.

Faik Shatku, në ndryshimet e qeverisë së at’hershme të kryeministrit Koço Kotta, u lirua nga pozicioni i ministrit të arsimit kombtar për të kaluar në drejtimin e dikasterit të drejtësisë. Por ai kurrë nuk e hoqi vëmëndjen nga dashuria që kishte për punën shkencore dhe pedagogjike, për këtë qëllim bashkëpunoi me kolegët e tjerë të këtij dikasteri për ti kurorzuar me sukses reformat e nisura prej tij. Fatkeqsisht, pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste dhe fillimi i luftës së dytë botërore, do ta gjente Faik Shatkun të kalonte njërin pas tjetrit karvanet e vuajtjes nga pushtuesit fashist . E burgosin në muajin mars të vitit 1940 në burgun e Barit, dhe më pas e transferojnë në burgun e Bergamos, pa asnjë motivacion. Pas çlirimit të Shqipërisë punoi në Tiranë si kryetar i komisionit të kontrollit financiar pranë ministrisë së financave, deri në prillin e vitit 1946. Ndërroi jetë më 15. 04.1946 në Tiranë. Trupi i tij u përçoll me nderime për në banesën e fundit nga shumë bashkëkombas Shqiptar.

Hermesnews

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 18 vizitorë
Lexuar: 2,673 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi