Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
VARËSI E FRIKSHME
Publikuar më 08 mars, 2009 në orën 21:16 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Dy deklarata të ditëve të fundit, njëra nëpërmjet kancelares gjermane Merkel, tjetra nga ish-ambasadori slloven në Prishtinë, Vojko Volk (sot drejtor politik për Ballkanin në MPJ të Sllovenisë) dhanë një sinjal alarmi për raportet e skajshme të varësisë së plotë të politikës zyrtare të Kosovës me faktorët e jashtëm.

Ato thanë troç diçka që është ditur tashmë në sferat e mirënjohura me zhvillimet politike në Kosovë shumë më herët, por asnjëherë deri më tani nuk është aktualizuar kaq qartë dhe fuqishëm, sidomos nga ana e faktorëve ndërkombëtarë, e që tregon edhe për një deficit të rëndë themelor në raportet politikanë të Kosovës-faktorët ndërkombëtarë. Kancelarja gjermane në një takim të mbajtur ditëve të fundit me gazetarë në Berlin vetëm sa vërtetoi raportin e varësisë së skajshme të politikës së Prishtinës me faktorët ndërkombëtarë dhe dëmin potencial që shkaktojnë këto raporte aktuale. Ajo kërkoi vendosmëri nacionale nga udhëheqja e Kosovës që ta bëjnë atë një shtet funksional. Merkel u shpreh: “Kurrfarë faktori ndërkombëtar nuk mund të nxisë forcat e vendit; njerëzit e Kosovës këtë duhet ta bëjnë vetë.”
Kurse Volk ishte edhe më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë. Ai në një deklaratë për gazetën sllovene “Dnevnik” tha: : “Bëhet fjalë për formën e varësisë të cilën nuk e kam parë askund në Ballkan. Në Slloveni nuk ka ekzistuar kurrë kjo varësi. Gjithçka që kemi fituar, kemi fituar dhe rregulluar vet, keq ose mirë.”
Më tej ai thekson se kjo varësi në Kosovë është e frikshme.
Dhe ky alarm në radhë të parë bie për Kosovën, për perspektivën e zhvillimit të saj në të ardhmen. Alarmi është i thjeshtë: politika e Kosovës është e varur dhe e paralizuar nga “këshillat” e miqve ndërkombëtarë në atë shkallë, saqë pamundëson çfarëdo nisme për ndryshim nga faktori i brendshëm “vendim-marrës” politik dhe kështu është krejtësisht e paaftë të sillet dhe të mendojë e pavarur, në përputhje me shtetin e pavarur dhe sovran të shpallur vetëm një vit më parë.
Më e rrezikshmja është që kjo varësi totale vjen nga ato nivele përfaqësimi politik e institucional që do të duhej të ishin shembull për horizont të gjerë e vizionar që buron nga mendje të zgjuara e të hapura, për të cilat varësia e nënshtrimi ndaj “këshillave të miqve” jo vetëm që do të ishte e huaj si mënyrë pune, por edhe si mënyrë e të menduarit politik. Natyrisht kjo nuk do të thotë injorim i ndikimit të faktorëve të jashtëm apo hapje e vijave të konfrontimit me ta, por thjesht ndërtim i qëndrimit tënd si shtet, jo mbi bazën e shprehjes inekzistente në cilindo fjalor politik “miqtë tanë”, por mbi bazë të një platforme politike e cila është rezultat i analizave të mira të interesave politike, ekonomike e gjeostrategjike të lojtarëve të mëdhenj që janë aktualisht të pranishëm në skenën ndërkombëtare (BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia) dhe përfitimit tënd si shtet nga përputhja apo përplasja e këtyre interesave për dhe rreth Kosovës.
Por në Kosovë kjo nuk ndodh pothuajse për vite me radhë. Përkundrazi, fitohet përshtypja që më i aftë është ai politikan apo ajo politikë e cila e ka “më fort” me “miqtë ndërkombëtarë”. Pra njësi matëse e (mos)suksesit të politikës nuk ka qenë së paku deri më sot, aftësia e politikës që të përballet dhe t’i zgjidhë problemet konkrete të qytetarëve, por matet me takimet e nivelit të lartë e jo të lartë me përfaqësues ndërkombëtarë të shteteve të ndryshme, aq sa lajm i rëndësishëm për politikanët është bërë këtyre ditëve edhe marrja e meritave të njëri-tjetrit për njohjen e fundit të Kosovës nga Ishujt Maldive.
Ky parametër vlerësimi edhe ka pasur njëfarë logjike deri në përfundimin e luftës më 1999 kur me të vërtetë çdo takim i cilitdo nivel me përfaqësues të jashtëm jepte njëfarë shprese në opinion e brendshëm (sado që edhe kjo keqpërdorej shumë nga politikanët e çdo krahu për ruajtjen e status-quosë nën Serbi), por ndryshimi i madh i rrethanave politike pas këtij viti ka bërë që ky “parametër” të mos mund të pranohet sot, sidomos kur jemi në periudhën e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së kësaj pavarësie nga shumë shtete anembanë botës. Një shtytje plotësuese për demagogjinë e këtij parametri në këtë drejtim e dhanë me qëndrimet publike të tyre kancelarja gjermane dhe ish-ambasadori slloven në Prishtinë.
Shembuj të kësaj varësie të pështirë janë të panumërt dhe, çka është më skandalozja, kjo varësi nuk është e plotë vetëm në raport më çështjet politike me peshë, siç është “hartimi” i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit të cilën institucionet e Kosovës e kanë përkthyer, kurse Deklarata si e tillë është hartuar - servuar nga lart (lexo: lart nga kodra “Arbëria” në Prishtinë), por edhe në çështje t’i quaj kushtimisht më “të lehta” (kujto këtu përpjekjen e katërt të njëpasnjëshme dhe të pasuksesshme nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për emërimin e Avokatit të Popullit, që nuk po mund të realizohet që nga viti 2006). Për të vazhduar më tej me fusha tjera me peshë që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarit të Kosovës, siç janë decentralizimi i pastër etnik dhe asimetrik duke u thirrur në bashkëjetesë e shumetnicitet, miratimi absurd i një statusi special për kishat dhe manastiret mesjetare serbe, mbrojtja e të cilave nuk ka lidhje në thelb me “mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe”, por është kryekëput imunizim politik i këtyre objekteve të kultit, emërimet në nivele të larta politike që duhet të bëhen doemos me aminin e ndërkombëtarëve, apo marrja e vendimeve që prekin në thelb identitetin kombëtar të Kosovës (aprovimi i ligjit për simbolet dhe festat zyrtare në Kosovë) me të cilat së paku formalisht Kosova zhvishet nga çdo gjurmë sado e vogël shqiptare në simbolet përfaqësuese të saj.
Vargani i këtyre shembujve është i pafund, por porosia që ato përçojnë në opinion është e qartë: paaftësi, lakmi e pafre për pushtet dhe mohim i plotë i tërë sakrificave dhe përpjekjeve të derisotme të popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar nga ana e krerëve institucionalë.
Të gjitha veprimet e dëmshme të politikës në raport me faktorët ndërkombëtarë vishen me formulime boshe dhe pa përmbajtje të tipit të “integrimeve euro-atlantike” të cilat i aspiron Kosova e që në fakt janë një maskë për servilitetin e pakusht të politikanëve të Kosovës ndaj ndërkombëtarëve. Mirëpo defekti qëndron në bazën e këtij konstruksioni akrobatik. Për të qenë e aftë që të hyjë në rrjedhat e integrimeve evropiane dhe atlantike të cilat edhe duhet t’i synojmë pa asnjë dyshim, së pari duhet që në rregullimin kushtetues të Kosovës të përcaktohet qartë bartësi i këtij sovraniteti që do ta çonte vendin drejt këtyre integrimeve. Kjo në Kushtetutën e Kosovës qëllimisht është lënë pezull, pikërisht për shkak të moszgjidhjes përfundimtare të raporteve shqiptaro-serbe, raporte këto që vetëm sa komplikohen edhe më me shpikjen e kategorisë së komunitetit/komuniteteve në të gjitha aktet juridike të Kosovës ahtisariane.
E ardhmja jonë do të jetë shumë e pasigurt gjithnjë përderisa ta kemi në pushtet një udhëheqje të këtillë politike çfarë e kemi ne tani, udhëheqje e cila nuk di t’u thotë JO miqve tanë ndërkombëtarë as atëherë kur PO-ja e tyre ka pasoja fatale për popullin tonë.
Kambanat e alarmit po bien për të gjithë ne: duhet ndërmarrë diçka që kjo gjendje të ndryshojë...

Driton Avdiu
Sekretar për Marrëdhënie me publikun i Lëvizjes për Bashkim
dritonavdiu@levizjaperbashkim.com

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 20 vizitorë
Lexuar: 1,216 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi