Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
LLOJET E BIMËVE NË KOSOVË
Publikuar më 21 mars, 2009 në orën 18:13 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Prof. Bexhet Berisha



Pinus peuce Griseb. - Arneni i bardhë
Pinaceae - Pishore


Dru 20-30 m i lartë, me kurorë piramidore dhe me lëvore të çarë pllaka - pllaka të vogla e me ngjyrë të përhime të murrme. Sythet pa rrëshirë dhe kanë formë vezake.
Gjethet në tufa nga 5, të forta, majëmprehta, në prerje trekëndore, të afruara nga degët.
Boçet e pjekura cilindrike, të verdha në kafe, deri 10 cm të gjata me bisht të shkurtër.
V-IV.
Rritet në substrate silikate të zonave subalpine dhe alpine. Ndeshet në Malet e Sharrit, Alpet Shqipëtare. Bimë endemike e Ballkanit.


Pinus sylvestris L. – Pisha e bardhë
Pinaceae – Piahore


Dru deri 25 m, me lëvore dy ngjyrash: të murrme të mbyllur në pjesën e poshtme të trungut, të kuqe në të verdhë në pjesën e sipërme.
Halat dyshe, të rimta sidomos në faqen e rrafshët, shpesh të përdredhura, 3 – 8 cm të gjata.
Lulet mashkull janë të mbledhura lO e më tepër rreth boshtit të boçës, ngjyrë të verdhë të qelur. Lulet femër janë më të vogla se ato mashkull, të kuqe. Boçet të murrme të verdheme, pa shkëlqim.
Lul. V–VI; fryt. X–XI.
Spontane dhe e kultivuar.


Pseudotsuga menziesii (Mirbel) Franco – Pseudotsuga
Pinaceae – Pishore


Dru monoik i përherëblertë, deri 100 m, me kurorë piramidore të gjerë.
Halat të vendosura në spiral, majëlakuara, me nga dy vijëza të bardha përposh, me aromë të fortë kur fërkohen.
Lulet mashkull në sqetullat e halave. Boçet të varura, me mëlluga të qëndrueshme, me brakte me tri gjuhëza në majë mjaft më të gjata se mëllugat.
Lul. IV-V, fr. IX-X.
Me origjinë nga perëndimi i Amerikës Veriore.


Juniperus communis L. – Dëllinja e zezë
Cupressaceae – Selviore


Është shkurre ose dru, dioike, 7 - 8 m e lartë. Ka lëvore të lëmuar, të murrme të përhime.
Gjethet në qerthuj nga 3, vizake, të forta, majëtherëse. Nga ana e sipërme me një rripth të bardhë të përhime.
Boçëzat janë vezake ose rruzullore, me pluhurizë. Piqen vitin e dytë ose të tretë. Kur piqen bëhen të zeza ose ngjyrë qielli të errët.
IV-V.
Rritet në pyje dhe shkorreta të zonës kodrinore - malore.E përhapur. Bimë aromatike dhe mjekësore.


Juniperus nana Willd. – Dëllinja e rrëgjuar
Cupressaceae - Selviore


Shkurre dioike, e degëzuar, jo më e lartë se 1 m, e shtrirë gati për toke.
Gjethet më të shkurtra se 10 mm, jotherëse, të përkulura përpjetë.
Fryti ka formë vezake ose të rrumbullakët, 7 - 10 mm. Farat të mbështjellura me arilus (boça si rrushk mishnor).
V-VII.
Rritet kryesisht në zona subalpine, sidomos në substrate gëlqerore.
Frytet çmohen për aromën e këndshme dhe vetitë terapeutike të tyre.


Juniperus oxycedrus L. – Dëllinja e kuqe
Cupressaceae – Qiparisore


Shkurre 4 - 5 m e lartë, dioike.
Gjethet të qëndrueshme, të vendosura në qerthuj trishë.Ato kanë formë halash dhe mbarojnë me maje të mprehtë e të fortë. Në pjesën e sipërme janë me dy rriptha të rimtë.
Lulet mashkull janë boçe të vogla. Në faqen e poshtme të luspave kan strajca të polenit. Lulja femër është poashtu një boçe. Fryti i rremë ka pamjen e një rrushku. Sa janë të reja të verdhme dhe me pluhurizë, kur piqen bëhen të kuqërreme, me dy ose tri fara.
IV-V.
Rritet në vende të thata, boka. E zakonshme.


Taxus baccata L. - Tisi
Taxaceae – Tisore


Shkurre ose dru halor e cila rritet shumë ngadal dhe mund të arrijë lartësi 15 – 20 m. Halat vizake, me majucë, përsipër të blerta e të ndritshme.
Lulet mashkull të përbëra prej 6 – 14 luspash me 4 – 8 qeskëza pjalmore në faqen e poshtme. Lulja femër përbëhet nga një bosht i shkurtër me luspa në majën e të cilit qëndron një vezës e vetme. Fryti rrushk i rremë, me mish të kuqërremtë (aril).
III-IV.
Rritet në pyje me lagështi dhe hije. Ka përhapje të pakët në Kosovë. I ngrënshëm vetëm arili, pjesët tjera janë mjaft helmuese.


Magnolia grandiflora L. – Manjola lulemadhe
Magnoliaceae – Manjolore


Është bimë drunore deri 20 m e lartë. Degët janë me push ngjyrë ndryshku.
Gjethet kanë formë eliptike, të trasha e të lëmuara, nga ana e sipërme të shkëlqyeshme, kurse nga ana e poshtme kanë ngjyrë ndryshku. Qëndrojnë edhe gjatë dimrit.
Lulet janë të vetmuara, të mëdha, të bardha e me erë limoni. Rrethlulja e thjeshtë, e përbërë prej 9 fletëzave të njejta të vendosura në tre qerthuj me nga tri. Thekët janë të shumtë. Fryti rrëshekth.
VI-IX.
Është e kultivuar gati në tërë botën si bimë dekorative. Ka prejardhje nga Amerika Veriore.


Magnolia liliiflora Desr. – Manjola lulezambak
Magnoliaceae – Manjolore


Është shkurre 2-3 e nganjëherë deri 5 m e lartë. Ka kurorë të rrumbullakët. Lëvorja e degëve është e përhime.
Gjethet janë të gjera dhe eliptike, 15-20 cm të gjata. Në bazë kanë formë pykore, kurse në maje pak të mprehta.
Lulet nga ana e brendshme të bardhëreme, kurse nga ana e jashtme kanë ngjyrë lejla - trëndafili.
Lulëzon para se të gjethojë. Lulëzimi mund të përsëritet gjatë verës dhe vjeshtës.
Ka prejardhje nga Kina Qendrore. Tek ne e kultivuar nëpër parqe ose pranë shtëpive si bimë dekorative.


Aristolochia clematitis L - Petriku kulpër
Aristolochiaceae – Petrikore


Bimë barishtore shumëvjeçare, me erë të keqe, e shogët e me kërcell nëntokësor zvarritës dhe të degëzuar, 30-70 cm e gjatë.
Gjethet të këmbyera, të plota, pjesa bazale e tyre si zemër.
Në sqetullë të gjetheve zhvillohen disa lule, 2 - 7. Rrethlulja e verdhë, e çrregullt, në fund e fryrë për të vazhduar në gypin e hapët me gjuhëz gjatore ose vezake,të gjatë sa gypi ose pak më e gjatë. Fryti kapsulë me shumë fara. Ka formë të dardhës dhe qëndron i varur.
V-VIII.
Rritet në vende barishtore, djerrina e shkorreta. Është bimë helmuese dhe mjekuese.


Aristolochia merxmuelleri Greuter et Mayer - Petriku i Grojterit
Aristolochiaceae - Petrikore


Bimë barishtore shumëvjeçare, me zhardhok të rrumbullakët, 5-12 cm e lartë. E tërë bima është e përhimë – blertë.
Gjethet në pjesën e mesme të kërcellit janë të gjera trekëndore - zemërore.
Lulet janë në sqetullën e gjetheve,të vetmuara, me bishta shumë të shkurtër. Pjesa e poshtme e periantit e fryrë në fund, e ngushtuar më sipër, në maje në formë gjuhe. Gryka ka ngjyrë të verdhë - të blertë, përgjatë dejve vjollce e mbylltë.
IV-V.
Është konstatuar vetëm në Koznik, pra bimë endemike e Kosovës. Lokaliteti ku rritet është i rërët–guror, me shkurre dhe toka ka përbërje gjeologjike serpentine. Është zbuluar në vitin 1985.


Aconitum variegatum L. - Akonita shumëngjyrëshe
Ranunculaceae – Zhabinore


Bimë barishtore shumëvjeçare., shpesh e degëzuar, deri 150 cm e lartë Rizoma rrepore me gungëza zhardhokore.
Gjethet thellë të ndara në 5-7 pjesë ose segmente. Segmentet të ndara në vriguj.
Lulesa e thjeshtë dhe e dendur. Braktetë të ngjashme me gjethet, më të vegjël, më thjesht të ndarë dhe lulet nuk i tejkalojnë. Lulet të mëdha. Kanë ngjyrë vjollce të mbyllët, më rrallë të kaltërt ose të bardhë.
VI-VII.
Rritet në livadhe, shkorreta dhe pyje të zonave të larta.


Aconitum vulparia Rchb. – Akonita e verdhë
Ranunculaceae - Zhabinore


Bimë shumëvjeçare, 50–150 cm e lartë. Rizoma cilindrike, shpesh e degëzuar.
Gjethet pëllëmbore të ndara në 5–7 pjesë. Gjethet e poshtme me bisht të gjatë.
Lulet kanë ngjyrë të verdhë të çelët. Braktetë të thepëta. Fryti i shogët, 10 -20 mm i gjatë. Farat të zeshkëta.
VI-VII.
Rritet në lëndina të pyjeve mezofile.


Adonis aestivalis L. - Adonisi i verës
Ranunculaceae – Zhabinore


Është bimë barishtore njëvjeçare, 20-50 cm e lartë. Kërcelli është i thjeshtë ose i degëzuar, i shogët ose me pak qime.
Gjethet e poshtme janë me bishta, të sipërmet pa bishta, pendore të ndara.
Sepale 5, të gjelbër të çelët. Petale 6-8, dy herë më të gjata se sepalet,të kuqe ose rrallë ngjyrë limoni, në bazë me ose pa njolla të zeza. Thekët janë të shumtë. Fryti aken, 5 - 6 mm i gjatë.
V-VI.
Rritet në ara, livadhe etj. E përhapur.


Adonis flammea Jacq. - Adonisi i flaktë
Ranunculaceae - Zhabinore


Bimë barishtore njëvjeçare e cila mund të arrij një lartësi prej 20-40 cm. Ka rrënjë penjëzor.
Gjethet trefishpendore me segmente vizake
Lulet me diametër 20 - 30 mm, zakonisht me 5 sepale, kurse petale 5-8. Petalet janë me ngjyrë gjaku të flakët dhe kanë formë vizake - gjatore. Thekët janë të shumtë. Fryti akenë.
V-VI.
Ndeshet në vende me bar dhe toka të punuara, kryesisht në zona deri diku të larta.
I përhapur në Evropën e Mesme dhe Jugore. Bimë e helmët.


Adonis vernalis L. - Adonisi pranveror
Ranunculaceae - Zhabinore


Bimë barishtore shumëvjeçare, deri 40 cm e lartë. Ka rizomë të fuqishme me ngjyrë të murrme të mbyllët. Kërcelli është i padegëzuar. Në fillim me qime e më vonë i shogët.
Gjethet janë dy deri katër herë pendore. Vrigujt e gjetheve janë të ngushta dhe lineare.
Në majë të kërcellit qëndrojnë lulet e vetmuara. Ato janë 3-7 cm në diametër. Kupa ka 5 sepale. Numri i petaleve sillet prej 10-20. Janë me ngjyrë të verdhë - ari. Fryti është aken.
III-IV.
Rritet në vende të thata me diell në toka gurishtore me natyrë karbonate.


Anemone apeninna L. - Fillikatja e Apenineve
Ranunculaceae - Zhabinore


Është bimë shumëvjeçare, 12-25 cm e lartë. Ka rizomë të zhardhokët e të zeshkët.
Zhvillon 1-3 gjethe. Ato janë zakonisht dyfish të ndara tresh. Bishti i tyre është hollak dhe i gjatë.
Lulet janë të vetmuara dhe kanë ngjyrë blu. Anteret e thekëve kanë ngjyrë të verdheme ose të bardhë. Fryti aken. Ka formë eliptike.
III-IV.
Rritet në vende me bar, shkorreta etj.



Anemone narcissiflora - Fillikatja lulenarcis
Ranunculaceae - Zhabinore


Është bimë shumëvjeçare pushlore.
Gjethet janë thellësisht të prera në segmente vizake të ngushta. Në pjesën e poshtme gjethet kanë bishta të gjatë.
3-8 lule sajojnë lulesë ombrelore. Segmente të rrethlules 5-6, në trajtë vezake. Anteret kanë ngjyrë të verdhë.
VI-VIII.
Rritet në vende shkëmbore të zonave alpine dhe subalpine. Është bimë e helmët.


Anemone nemorosa L. - Fillikatja e pyjeve
Ranunculaceae - Zhabinore


Bimë shumëvjeçare, me rizomë të murrme, zvarritëse dhe të mishtë, 10-30 cm, me kërcej hollakë pak pushlorë.
Gjethet e bazës një deri dyfish të ndara tresh, me bisht të gjatë. Gjethet kërcellore të ngjashme me të bazës, por më të vogla.
Lulet të vetmuara. Segmentet e rrethluljes ngjyrë trëndafili ose purpur në pjesën e poshtme, përsipër të bardha. Thekët të verdha. Fryti akenë. Akenët e kërrusur dhe pushlorë.
IV-VI.
Ndeshet në pyje, sidomos me ah, në vende me hije të zonave malore. Bimë e helmët.


Anemone ranunculoides L. - Fillikatja si zhabinë
Ranunculaceae - Zhabinore


Është bimë barishtore shumëvjeçare, 7-30 cm e lartë. Rizoma ka vendosje horizontale, e murrme. Kërcelli është i drejtë, gati i shogët.
Gjethet bazale janë me bishta të gjatë. Kërcelli me një qerthull me 3 gjethe; gjethet të ndara në 3 segmente. Segmentet me buzë thellësisht të dhëmbëzuar.
Lulet janë të vetmuara ose nga dy, rrallë 3-5. Rrethlulja ka 5 fletëza me ngjyrë të verdhë portokalli. Thekët janë të shumtë.
IV-V.
Rritet në pyje mezofile. Bimë tipike e pyjeve gjetherënëse.
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 408 vizitorë
Lexuar: 30,292 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi