| Intervistë me Fehmi Berishën - veprimtar i çështjes kombëtare |
| Publikuar më 05 prill, 2009 në orën 02:52 ( ) |
Intervista | |
|
|
|
(PJESA E PARË)
Të gjithë ata shqiptarë të Kosovës që kishin ndjenjën e lartë të atdhedashurisë dhe një vizion për të ardhmen e popullit të vet, u desh të sakrifikonin shumë nga jeta për realizimin e idealit të tyre.
 Fehmi Berisha Njëri nga ata që pati fatin e tillë dhe që herët u nis në rrugën përplot peripeci e sakrifica, duke mos kursyer asgjë nga vetja në shërbim të popullit të vet, është edhe Fehmi Berisha nga Podujeva.
Fehmiu me shokë e shoqe, është organizatori i demonstratave të mëdha të vitit 1981 në Podujevë me rrethinë dhe njëri nga koordinatorët e demonstratave përgjithësisht të atij viti. Përpos organizator i demonstratave të 81-tës, ai njihet edhe për veprimtari të shumanshme patriotike, me shumë vite në burgjet famëkeqe serbo-sllave, por gjithmonë i palëkundur dhe i pathyeshëm në qëndrimet e tij.
Megjithatë, ai asnjëherë nuk deshi të fliste për veprën e vet, duke thënë se kemi ende për të bërë e se ka kohë për të folur. Por, tani që në Kosovë nuk udhheq Serbia dhe Udba, nuk vlejnë më arsyetimet e modestia dhe e bindëm se ishte në interesin e historisë dhe të brezave të ardhshëm të na e jepte me ca fjalë një pjesë të historisë nga jeta e tij e vrullshme, me përqendrim në vitin e madh 1981.
Kush është Fehmi Berisha?
Organizatori i demonstratave të vitit 1981 në Llap, i burgosur politik, i dënuar më 15 vjet burg të rëndë Serbie, kur thërriste zëri i Atdheut ushtar i UÇK-së, profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe…
E vizitova këto ditë Fehmiun në banesën e tij në Cyrih të Zvicrës. Me qëllimin e vetëm: ta bindi të flasë, sepse mjaftë më ka heshtur për veprimtarinë e tij atdhedashëse dhe vetësakrifikimin për çështjen kombëtare.
Shumë herë më ka thënë se nuk do të dalë në opinion për dy arsye: dikur, sepse nuk ka dashur t’ i jepte UDB-së famëkeqe emrat e atdhetarëve të dëshmuar dhe së dyti, i është dukur jo modesti të flasë për vete.
Këtë herë duhet të flasësh, i thashë! Arsyeja e parë, për të heshtur-nuk qëndron më, ndërkaq modestia e të gjithë atdhedashësve të dëshmuar duhet të kthehet në krenari kombëtare. Madje, përkushtimi juaj për çështjen kombëtare duhet të bëhet i njohur, duhet t’i mbetet historisë, pasuri e çmueshme për brezat e ardhshëm.
Fehmi Berisha:
Është e vërtetë se prej daljes nga burgu, fundi i shtatorit 1990, më janë ofruar shumë gazetarë, që t’u jap intervistë për veprimtarinë time të gjithëmbarshme dhe të bashkëpunëtorëve të mij, për heqjen qafe të robërisë shumëshekullore. Mirëpo, unë asnjëherë nuk kam pranuar të flas. Arsyet janë ato që theksova në fillim të kësaj bisede
Tani që e përmende vitin 1981, mendoj se me të drejtë e quajte viti i madh.
Demonstratat gjithëpopullore të atij viti duhet të ndriçohen nga të gjitha aspektet. Duhet bërë këtë, sepse edhe tash, po e shoh, disa po mundohen që ato t`i shtrembërojnë, disa të tjerë t`i përvetësojnë, e disa të tjerë si njëekterfytyrëshi Azem Vllasi, t`i lënë edhe pa organizatorë, ose edhe më keq, që organizimin e tyre t`ia mveshin UDB-së ose KGB-së. Dhe logjikisht, nëse i paska pas organizuar UDBA, atëherë po del që organizatori kryesor qenka vetë Azem Vllasi me shokët e vetë, pasi që UDBA ka vepruar nënë urdhrat dhe këshillat e Komitetit Krahinor, pra ka qenë nënë vartësinë e tyre.
- I nderuari Fehmi, për ata që nuk ju njohin, është mirë të na thoni shkurtimisht jetëshkrimin tuaj…
Fehmi Berisha:
Jam i lindur në katundin Dyz të bashkisë së Besianës. Meqë babai im Idrizi punonte në qytezë, më 1959 u zhvendosëm nga Dyzi në Besianë. Aty mbarova shkollën fillore dhe të mesmen -gjimnazin, ndërsa studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe i mbarova në Universitetin e Prishtinës. Jam i martuar me Mejreme Krasniqin nga Radosta e Rahovecit. Kemi dy fëmijë: Kastriotin (14) dhe Kreshnikun (13). Për shkak se ende nuk kam arritur të siguroj shtëpi-banesë në atdhe, edhe ndonjë kohë detyrohemi të qëndrojmë në kurbet.
- Duke kujtuar veprën tuaj, del i bashkuar mrekullueshëm fati personal me fatin kolektiv të popullit shqiptar. Cilat ideale ju nxitën të veproni në këtë bashkecje individ - popull?
F.Berisha:
Çdo njëri që dëshiron të dijë më shumë për fatin e vet, duhet të dijë më shumë për fatin e shtetit të vet, pra ky është një binom i pandashëm për shekullin në të cilin jetojmë; është proces përcaktues i fatit të përgjithshëm, ku bën pjesë edhe ti si fat individual. Unë nuk cytesha nga fati individual, por nga ai i përgjithshmi yni, i ne të shumëvuajturve, që fatin na e përcaktonin të tjerët.
Pra, fashizmi u mund në Luftën e Dytë Botërore, por ai fatkeqësisht nuk u zhduk. Ai jetoi në disa vende të botës, ndër to edhe në vendburgun e popujve, në Jugosllavi, kështu që sëpata e Demokleut gjithnjë qëndronte mbi kokat tona. Ndëshkimi i të fortit ndaj nesh, gjakimi për të kontestuar,sepse jashtë kufijve të Shqipërisë jetonte më shumë se gjysma e kombit shqiptar, që dhunohej nga e drejta për të VETËVENDOSUR dhe për të qenë i lirë...
- Lufta e popullit shqiptar për liri nuk ka pushuar kurrë, posaçërisht që prej Kongresit të Berlinit në vitin 1878, kur u sakatosën për herë të parë trojet shqiptare. Përse ky fat?
F.Berisha:
Fatkeqësisht është ashtu. Shkaqet e kësaj, në radhë të parë, unë i shoh në shtrirjen gjeostrategjike të vendit tonë: Trekëndëshi Prishtinë-Bujanoc-Shkup, kryqëzimi i akseve rrugore e hekurudhore, hapsira ajrore e krijuar nga vetë natyra, si rrafshnaltë Kosova bënë të mundshëm vështrimin-kontrollin mbi të gjitha lëvizjet tokësore ,ujore ,ajrore në të gjitha ngushticat Europiane e botërore. Ne nëpër shekuj kemi luftuar kundër armiqve të egër e barbarë, gjithmonë më të shumtë në numër, por me sakrificat dhe flijimet tona e me gjakun tonë kemi mbrojtur identitetin tonë kombëtar, kemi mbrojtur kulturën tonë, zakonet tona, gjuhen tonë. Dhe, duke i ruajtur këto vlera, neve nuk mundën të na asimilojnë as edhe perandoritë më të mëdha, siç ishin ajo Romake, Bizantine, Turke, dhe as kjo e fundit Ruso- Jugosllave. Mirëpo, pushtimet barbare që nga ato romake e deri te këto sllave na dëmtuan shumë në rritje (natalitet), arsimim e përparim, shumë shqiptarë dhunshëm u detyruan t`i lëshonin trojet e stërgjyshërve dhe të shpërngulen në Turqi (pesë milion) e më tej dhe bënë që ne të jetojmë me terrin dhe egërsinë. Megjithëkëtë, ne kishim shpirt të patrembur dhe qëndronim ballëlartë, sepse ”edhe pse nëntë plagë në trup i kishte Gjergj Elez Alia, u ngrit dhe i doli bajlozit në mejdan”.
Kalorësi i krishterimit, Gjergj Kastrioti, me murin shqiptar mbronte vlerat euro-perëndimore nga terri aziatik dhe për këtë “shpërblehej” vetëm me bekime apostolike të papëve hipokritë e djallëzorë.
Edhe Lidhja e Prizrenit, Lufta antifashiste, si dhe lufta e UÇK-së nuk u kurorëzuan me bashkimin e natyrshëm të trojeve shqiptare. Kjo nuk ndodhi ,sepse edhe më tutje shumica e shteteve evropiane, për shkak të interesave të tyre, nuk duan që çështja shqiptare të zgjidhet në mënyrë të drejtë. Kësaj duhet shtuar edhe përçarjet dhe kundërthëniet brenda vetë nesh, të cilat dhëmbin, trondisin, sidomos ato politike, sepse kanë shtrirje të gjerë, prekin atje ku dhemb shumë, prekin shtresën e urtë dhe të pafajshme, atë që është gjithherë e gatshme për sakrifica dhe e cila me forcën e shtetit mat gjithçka personale. Këso çarje e përçarje fatkeqësisht patëm në të gjitha fazat e rëndësishme historike dhe vendimtare, të cilat pa dyshim çuan ujë në mullirin e ujqërve që na rrethonin, në veçanti të Greqisë dhe Jugosllavisë.
- Në vazhdim, është me interes të na tregoni kur janë shfaqur për herë të parë në shpirtin tuaj shenjat e atdhetarizmit?
F.Berisha:
Babai im, Idriz Berisha-Dyzi, u ka takuar radhëve të para të N.D.SH-së në Llap, ishte njëri ndër 17 themeluesit e NDSH-së në nahinë e Llapit. Në shtëpinë tonë vinin shumë mysafirë, që në këtë rast do të veçoja: Ajet Ruhani-Dyzi, Mulla Ramë Govori, Ramadan Ajvazi-Perani, Emin Maloku, Nazmi Sejdiu, Sabit Zejnullahu, Bejtush Gjata, Zeqir e Xhemail Lala, ky i fundit më së tepërmi më mbolli dashurinë për Enver Hoxhën, mysafirë këta, të cilët për tema bisedash zakonisht kishin atdheun-trojet shqiptare me të gjitha peripecitë që e përcillnin çështjen tonë, si dhe punën dhe veprimtarinë e ideologut dhe arkitektit të Lëvizjes ilegale në Kosovë, Adem Demaçit. Atëherë, si i ri, bisedat dhe rrëfimet e tyre në mua binin si shiu në lulet kur bën vapë.
- Si u reflektuan në moshën tuaj djaloshare demonstratat e vitit 1968?
F.Berisha:
“Si poezitë, që ushqehen nëpër histori dhe vijnë e u flasin zemrave tona”.
Shpërthimi i atij vrulli, i mbledhur prej vitesh, në mënyrë aq madhështore, te unë la mbresë të pashlyeshme. Arrestimi dhe dënimi i bartësve të atyre demonstratave neve nuk na frikësuan, përkundrazi, na nxitën për të vepruar, sepse ato biseda që shumë herë i kisha dëgjuar nga babai dhe shokët e tij, erdhën e u përplotësuan për mrekulli.
Isha nxënës i klasës së tetë të shkollës fillore ”Gjuro Gjakoviç”. Aty merrnim mësime rreth 800-1000 nxënës, përafërsisht mbi 80% ishim shqiptarë.
Duhej të zgjidhnim Kryesinë e Rinisë së shkollës. Edhe pse votimi ishte për kandidatin shqiptar, çfarë bëri drejtori i shkollës nuk e morëm vesh, por kryetare na e emëruan njëfarë Sllavica Pantiq (shumë e bukur). Me këtë ne shqiptarët u revoltuam. Me shokun tim të klasës, Nebih Selmanin, i cili njëherësh ishte edhe nxënësi më i mirë i shkollës, me klasat e shtata dhe të teta organizuam bojkotimin e mësimit dhe për një javë nuk hymë në mësim. Këndonim rreth shkollës.
Për këtë organet e shkollës dhe kryetari i Lidhjes së Rinisë të Podujevës, mua dhe Nebihun na dërguan në Komitetin Komunal, ku na pritën alamet njerëz të mëdhenj; sekretari i Komitetit dhe kryetar i Komunës dhe disa serbë, të cilëve nuk ua mbaj mend emrat dhe nuk ua dija postet. Për më se tri orë ndaj nesh bënë presion goxha të madh me kërcënime, fyerje e sharje për të zbuluar kush na kishte urdhëruar, kush ”fshihej” pas nesh. Më së shumti silleshin rreth arsimtarit Hazir Raçi, i cili ishte shumë i afërt dhe i dashur me ne nxënësit, e i cili për herë të parë kishte themeluar grupet e punës teknike me nxënës. Çdo ditë pas orarit të mësimit i mbushnim kabinetet, që më parë nuk e kishim ditur çka janë, dhe punonim gjëra të ndryshme nga druri, punonim fotografi të ndryshme, dëgjonim muzikë të zgjedhur shqiptare; njëherë së bashku me arsimtarin nxorëm-punuam 100 fotografi të Enver Hoxhës. Me një rast në kabinet hyri arsimtari serb Gvozden Gruiq, i cili një foto të Enverit e mori në dorë dhe e shikoi, pastaj pyeti: -Kush është ky, koleg?
-Është një dajë imi, i cili jeton në Amerikë dhe po ua punoj nga një foto të afërmve-u përgjigj arsimtari Hazir. Me kaq u mbyll ky incident jo edhe i parrezik. Hetimet e udhëheqësve më të lartë të komunës sonë mbetën pa rezultat.
- Amendamentet kushtetuese të vitit 1968 dhe Kushtetuta që i pasoi ato propagandonin me të madhe barabarësinë midis kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Pikërisht ju në këtë kohë me disa shokë nisët angazhimin praktik atdhedashës. Cilat ishin ato forma veprimi, me të cilat ju synonit prishjen e “vëllazërim-bashkimit”, të atij shteti krejtësisht të huaj për shqiptarët?
F.Berisha:
“Nevoja për balancimin e forcave të brendshme të Federatës Jugosllave çoi në njëfarë rishikimi formal të statusit të Kosovës, e cila nga krahinë e thjeshtë e Serbisë u emërua Krahinë autonome e saj”
Enver Hoxha
T'ua shtimë në këpucë nga 2-3 guralec të vegjël dhe të mos mund të ecin rehat- thosht babai im Idrizi, sepse për t'i rrokur armët ende nuk janë pjekur kushtet.
Pas Plenumit të Brioneve, popullit shqiptar të Kosovës i ishin krijuar disa favore, siç thoshte i madhi ENVER HOXHA: Ajo çka iu dha shqiptarëve në viset e tyre në Jugosllavi, ishte një gjë shumë e vogël në krahasim me të drejtat që ua kishin marrë.
Pra, me amendamentet e 68`-ës paksa na u dha mundësia të arsimoheshim. Bëmë Universitetin e Prishtinës, Institutin Albanologjik, atë të Historisë, mësuam historinë kombëtare, zhvilluam kulturën, krijuam kontakte kulturore me Shqipërinë, mirëpo vazhduam të ripeshim ekonomikisht nga Federata Jugosllave e në veçanti nga Serbia. Merreshin gjithë ato pasuri nga Kosova;Trepça për një muaj jipte Një(1) ton Ar, shtatdhjete katërmijë (74 ) ton plumb, katrdhjetedymijë (42 )ton zink e shumë e shumë minerale të tjera, dhe ne ishim lypsarë të kafshatës së bukës, ishim sharraxhinj nëpër familjet e shkieve në Beograd e Novi-Sad. Kanalet e Serbisë ishin përplot me lopata e kazma në duart e plisbardhëve. Pra, edhe pse depërtuan një numër i konsiderueshëm kuadrosh shqiptare të punësoheshin në administratë dhe vende udhëheqëse të Kosovës etj,etj.
Të gjitha këto ishin vetëm”maska”, shumë pak në krahasim me ato që duhej bërë, që Kosova të ishte vërtet e barabartë me republikat tjera.
Kjo mosbarazi e madhe si koncept shprehej në fushën politike, juridike dhe ekonomike, e që pasojat e saj po i heqim edhe sot, gjë që shihet në çdo pëllëmbë të Kosovës.
Këtë që e thashë do ta ilustroj me një rast konkret, që aso kohe në atë moshë që kisha më brengoste.
Në vitin 1973 isha nxënës i klasës së tretë të gjimnazit. Nga të gjitha lëndët që i mësonim, në pesë prej tyre: biologji, anglisht, frengjisht, muzikë, ç`absurd, dhe serbishten, për hir të “vëllazërim- bashkimit” dhe për qejfin dhe interesat karrieriste të udhëheqësve komunal, ne nxënësit, nga të cilët 90% nuk dinin serbisht, ishim të detyruar që për ato lëndë mësimet t’i merrnim në gjuhën serbe! Kjo vazhdoi edhe në vitin shkollor 1974/75.
Këtë vit, ne një grup shokësh, entuziastë të Shqipërisë dhe Enver Hoxhës, themeluam një grup ilegal, të cilin e emëruam: GRUPI REVULUCIONAR PËR BASHKIM KOMBËTAR.
Tubimi qe mbajtur në shtëpinë time. Të pranishëm ishim: Ramadan Dibrani, student i elektro-teknikes, Jetullah Islami, student i historisë, Mustafë Abdyli e Fehmi Berisha, maturantë të gjimnazit dhe Arsim Sejdiu nxënës i shkollës së mesme teknike nga Prishtina.
Tubimin e udhëhoqi Ramadan Dibrani i kthyer nga Shqipëria, ku kishte ikur ilegalisht, të cilin edhe e zgjodhëm kryetar. Nuk kishim statut. Arsimi u zotua që përmes babait të tij, Nazmi Sejdiut, i cili ishte veprimtar i radhëve të Adem Demaçit, do të siguronte disi Statutin e L.R.B.SH-së.
Nuk kishim anëtarësim të rregullt. Vendosëm të gjendeshim si të mundeshim
Para flamurit dhe fotografive të shokut Enver Hoxh dhe shokut Adem Demaçi bëmë betimin se do të veprojmë aq sa mundemi dhe aq sa dimë drejt bashkimit të trojeve shqiptare dhe se nuk do ndalemi deri në realizimin e qëllimit.
Fikrije Hasani-punëtore e Elektro- Kosovës nuk ishte e pranishme, u pranua anëtare e këtij grupi, e që duhej të betohej në njërin nga takimet e radhës. Detyra e parë për çdonjërin prej nesh ishte: të gjejë literaturë ilegale; libra me përmbajtje kombëtare; të inçizoheshin këngë patriotike dhe fjalime të udhëheqësve të Shqipërisë, nga radio Tirana dhe ato të shpërndaheshin dorë pas dore. Ato vite me të madhe dëgjohej Radio Tirana.
Në këtë vit shkrova Trakt-thirrjen “DERI KUR NË ROBËRI”, të cilin në 100 kopje e daktilografoi Fikrije Hasani, dhe një mëngjes, para se të fillonte mësimi, unë dhe Mustafë Abdyli këtë trakt-thirrje e shpërndamë nëpër banga të klasave të treta, të cilat vazhdonin që biologjinë, anglishten, frëngjishten dhe muzikën t`i dëgjonin në serbishte. Me anë të këtij trakti, pos tjerash, ne i ftonim nxënësit që ta bojkotonin mësimin derisa të zëvendësoheshin arsimtarët-et serbë nga ata shqiptarë. Thirrjes nxënësit iu përgjigjen masivisht.
Ky trakt në fund mban shifren: FX-ZH11.
Komiteti dhe UDB-a u çartën. U mbush gjimnazi me ta. Arrestuan disa nxënës dhe disa punëtorë.
Profesori i gj. shqipe Nazif Lepaja, i cili e dinte kush e ka shpërndarë traktin, na informonte se si po debatohej ajo vepër “armiqësore” në drejtori. Të arrestuarit, në mungesë faktesh, u liruan pas 3-15 ditësh.
Dy-tre vjet më vonë kam mësuar se derisa unë dhe Mustafa e kishim shpërndarë traktin, kishim qenë të vërejtur nga kuriri i shkollës Hamdi Restelica, i cili edhe pse qe kërcënuar me burgosje dhe përjashtim nga puna, nuk na kishte denoncuar para hetuesve të UDB-së. Ruaj një respekt të madh për të. Ai qe treguar burrë i vërtetë, sepse ne nuk e dinim se ishim vërejtur nga ai.
PA KULTURË ETIKE, NJERËZIMI S`KA SHPËTIM. (Ajnshtajni)
- Në këtë kohë u dënua në mënyrë drakonike Adem Demaçi dhe grupi prej 33 veprimtarësh atdhedashës. Çfarë faqeje të zezë të këtij shteti shpaloste ky proces i montuar politik?
F.Berisha:
Jugosllavia me sistemin e saj qe një simbol universal i dhunës dhe tiranisë, kjo në Kosovë ndjehej edhe më shumë. Procesi i këtij rasti është edhe një dëshmi më shumë. Shoqëria juridike e këtij shteti, hajnin, kriminelin, rrenacakun, dhunuesin e matrapazin, hipokritin e servilin do t`i duronte dhe do të jetonte me ta, ndërsa individin i cili nuk i kishte ato veti të shëmtuara, por që kërkon ndryshimin e thelbit dhe të mënyrës së qeverisjes, si Adem Demaçi, dënohet rëndë. Ademi s`kishte as ca muaj që kishte dalë nga burgu i dënimit të dytë, pra ende pa iu çmpirë këmbët, se le më të fillojë veprimtarinë politike, Komiteti Krahinuer dhe këlyshët e tij, UDBA, e arrestuan dhe e dënuan me 15 vjet burg.
E dënuan, jo se kishin fakte, por nga frika. Vetë prezenca e Demaçit jashtë grilave ua fuste frikën, sepse baca Adem tashmë ishte bërë simbol i rezistencës dhe ideolog i lëvizjes për Bashkim Kombëtar. Ademi për sistemin jugosllav, sa ishte i rrezikshëm jashtë grilave, aq ishte edhe brenda tyre, sepse siç thashë, ishte simbol për atdhetarët, në veçanti për rininë shqiptare, ishte mobilizues. Pra, Ademi jashtë organizonte, Ademi brenda mobilizonte. Kjo ndodhi edhe për shkakun se Tito kaloi nëpër Kosovë dhe ndër të tjera tha: ”Në vendet tjera në Jugosllavi po luftohet nacionalizmi (atë vit qe dënuar Vllada Dapçeviqi me një grup shokësh-bashkëmendimtarësh të tij).
Mjaftoi kjo, dhe mjeranët e Komitetit Krahinor bashkë me këlyshët e tyre UDB-istët të hidheshin në aksion, sepse duhej dëshmuar besnikërinë ndaj padronit të Beogradit. Viktima ishte gati, kush tjetër pos heretikut Adem Demaçi. Vullneti i tyre ishte vetë ligji, si në kohën e Car Dushanit.
Kjo burgosje jugosllavëve dhe mjeranëve të Kosovës nuk u dha rezultate, përkundrazi, masat e gjëra popullore dhe në veçanti rinia studentore e shkollore u zemëruan fort. Kjo rini liridashëse shtrëngoi radhët edhe më shumë, u bë më e zgjuar, lëvizi, filloi të vetëdijesohej e të organizohej nëpër celula e grupe.
-Natyrisht, lidhjet mes atdhetarëve, brezash të ndryshëm, kanë qenë të pashkëputshme. Me kë shoqëroheshit ju në këtë kohë?
F. Berisha:
”Këta të cilët nuk janë të zhytur thellë në sistem, pra që nuk janë të lidhur fortë me hyqëm, por janë as andej as këndej, t`i tërheqim pakë, t'ua nimojmë të rreshtohen me ne”- thoshte Xhela. Përpos shokëve të grupit, shoqërohesha me Shaip Beqirin, Mehmet Breznicen,Ahmet e Mehmet Gërgurin, Xhemail Hoxhën, Nebih Selmanin, Skender Hysenin, Agim Shehollin, Avdullah e Agim Blakçorin, Sadri Islamin-Dyzin, Hysen Poteren, Shahin Sfishten, Rushit Malokun, Muhamet Kutleshin e ndonjë tjetër, që për momentin nuk më kujtohen.
Në këtë kohë përmes shokut tim Ramadan Dibrani dhe profesorit të nderuar Hazir Raçi u njoha me të dënuarit politikë-udhëheqësit e demonstratave të 1968-tës; Xheladin Rekaliun, Hakif Shehollin, Fahri Raqin, Sabit Sylen, Hamit Abdullahun, Skënder Kastratin e Osman Dumoshin, shokë të cilët pas daljes nga burgjet, mbanin në vazhdimësi qëndrim të dinjitetshëm dhe pozitiv ndaj përsosjes, duke ruajtur në vazhdimësi virtytet e njeriut me karakter. Pra, edhe përkundër asaj që veprimtaria ilegale ka specifikat e veta dhe ka një gjuhë speciale, grupi ynë u shoqëruam fort me ta. Shumë ngushtë i lidhur isha edhe me veteranët e lëvizjes, Ahmet Haxhiun, të cilin e kisha edhe kushëri nga nëna, dhe Azem Beqirin.
Në këtë kohë përmes Ramadan Dibranit u njoha edhe me aktorin Avdush Hasani. Avdushi ishte një djalë i sinqertë dhe shok i mirë. Ai i donte fortë shokët-bashkmendimtarët, në veçanti kishte respekt për Xhelën. Në një rast në njërën nga kafenetë e Kërpimehut, Dushi dhe Dani kishin ngritur dolli për festën e Flamurit. Mirëpo aty në mur, e varur ishte fotografia e Titos dhe....
E kishin marrë nga muri, vendosur në dysheme kokëposhtë dhe herë pas here e kishin “qerasur” me ndonjë kikirik ose gotë të zbrazur. Policia e Kërpimehut pasi ua kishte tërhequr vërejtjen ca herë dhe ata s’ kishin dëgjuar që të disciplinoheshin, i kishte arrestuar. Mirëpo, Avdushi si aktor, ishte i dashur edhe për një numër policësh shqiptarë, kështu që pas ca orësh i kishin liruar.
Pra rrinim me ta, sepse ata për ne ishin idol, i çmonim e respektonim fort, por edhe pse në atë kohë jo shumë veta guxonin të rrinin e shoqëroheshin me ta, sepse ata ishin “me shenjë”.
- Në vitet `78/79 puna juaj atdhetare u shtua shumë. Çka vepronit në këtë kohë?
F. Berisha:
Nuk do t’i përfillim muret dhe gardhiqet. Vetë do i këpusim prangat dhe do e heqim konopin nga fyti. Duhet të ecim shpejt e guximshëm për të arritur kohën në të cilën jemi shumë të vonuar, thoshte studenti i shkëlqyeshëm i mjekësisë, Kastriot Haxhirexha nga Dibra, i cili kishte ngritje të lartë politike e kulturore, por kishte edhe dhunti të mëdha organizative e vepruese.
Kastrioti udhëhiqte grupin ilegal të Dibrës, të cilit i përkisnin edhe Bashkim Mashkulli, student i letërsisë, Petrit Bomova, student i letërsisë Qazim Qorrmemeti, student i ekonomisë dhe Muharrem Dovolani, student i gjeografisë, e ndoshta edhe ndonjë tjetër për tër cilën-in unë nuk kam njohuri.
Fushëveprimi i tyre ishin viset shqiptare në Maqedoni dhe Prishtina, në veçanti konviktet e studentëve.
Ky grup ka qenë shumë konspirativ dhe shumë- shumë i furnizuar me libra e materiale të tjera propagandistike.
Pasi u njohëm mirë, në banesën e tyre në Kodër të Diellit, grupet: të Podujevës dhe të Dibrës, pothuajse i fuzionuam dhe vepruam si një grup.
Falë Kastriotit, i cili kishte krijuar lidhje edhe me kreun e shtetit shqiptar, edhe me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, shokun Sokrat Plaka, edhe me veprimtarin Jusuf Gërvalla, por edhe me shumë profesorë të Shqipërisë, të cilët ligjëronin në Universitetin e Prishtinës, e poashtu edhe me artist të Ansamblit Kombëtar dhe të cilët nuk ktheheshin në Shqipëri pa e takuar dhe pa i dhënë ndonjë libër-zakonisht të shokut Enver Hoxha.
Kjo pra bëri që grupi ynë tani të bëhej më i mirëfilltë dhe më i angazhuar në rrënimin e Jugosllavisë.
-Sa ka qenë femra e angazhuar dhe a ka pasur femra në grupin tuaj?
F. Berisha:
Fillimisht anëtare e grupit tonë në Podujevë ishte Fikrie Hasani, tani punëtore në Institutin Albanologjik. Në vitin 1979, gjatë punës e njohëm studenten e vyer të artit figurativ, Fatmire Rashiti-(mbesë e Hamit Abdullahut), e cila asokohe përpos ca librave, grupit i solli edhe dy kaseta të incizuara me fjalime të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, por edhe disa nga poezitë e Adem Istrefit. Më 1979 Fatmirja bëhet anëtare e grupit.
Po këtë vit, në grup pranohet edhe Fëllënza Lala. Derisa në shoqëri të shokëve nga Dibra kanë qenë disa studente të vyera dibrane. Vajza këto të cilat me zell shpërndanin materialet e grupit.
- Shihet se rritej dukshëm numri i bashkëveprimtarëve tuaj. Me siguri mbamendja juaj nuk i ka harruar?
F. Berisha:
Meqë shpenzimet e jetës shtoheshin, u punësova në NP.”Gërmia”, hapa një shitore, e cila na shërbente për mrekulli si mjet ndihmës financiar, vendtakim-depo, ku bashkëveprimtarët shpërndërronin libra e materiale tjera që i kishim asokohe. Shitore të cilën UDB-a më vonë do ta quajë Biblioteka e Irredentistëve.
Aty vinte shpesh Fadil Lepaja, mprehtësia e mendimit të të cilit më pëlqente. Bisedonim gjër e gjatë për të gjitha ato që na preokuponin, e që ishte fati i popullit tonë në varrin e Serbisë. Fadili merrte ndonjë libër, gazetë apo kasetë dhe pasi t`i kishte lexuar i kthente. Kështu vazhdoi derisa e morën në shërbimin ushtarak. Pra, ishte ushtar kur shpërthyen demonstratat e vitit ‘81 me tërë madhështinë e tyre. I iku për një kohë arrestimit. Fadili me t`u kthyer nga ushtria e Jugosllavisë, me një zell të madh do të vazhdojë veprimtarinë atdhetare së bashku me Gjylë Krasniqin e Pajazit Jasharin, derisa UDB-a do t`i arrestojë dhe do i dënojë me vite të shumta burgu.
Ndërkohë e kam njohur dhe jam shoqëruar edhe me arsimtarin Hasan Shala-vëllanë e heroit Kombëtar Shaban Shala, me të cilin kemi shkëmbyer literaturë ilegale. Hasani grupit tonë i ofroi planin famëkeq të Dr.VasaCubrilloviqit: “Iselevanje Arnauta u Masi sa Kosova”(Dëbimi i shqiptarëve në masë nga Kosova), material të cilin vëllai im Bahredini me shokët e tij Ruhan Kadriun, Hakif Zejnullahun dhe Nusret Berishen e patën shumëzuar në 170 ekzemplarë dhe shpërndarë nëpër konvikte të studentëve në Prishtinë, por edhe në Podujevë, kryesisht ndër njerëz të besueshëm. Në këtë periudhë kam njohur edhe veprimtarin Nazmi Gashin nga Dobërdoli, student i gjeografisë. Shpesh herë me shokë kemi qenë në odën e tyre, ku kemi shkëmbyer literaturë e diskutuar tema nga më të ndryshmet, gjithnjë të frymës kombëtare. Aty, pa pritesë dhe me kënaqësi të veçantë na priste i vëllai i Nazmiut, Latifi, të cilin do ta angazhonim për shpërndarje të literaturës, si libra, fletushka, kaseta, etj. ndër rininë e gjimnazit, ku ai ndiqte mësimet asokohe. Rasti mbret i botës thot Latifi; në Marsin e vitit `81 isha në shërbimin ushtarak, mirëpo pikrisht kur shpërthyen demonstratat pata fatin të kem ca ditë pushim, dhe pikërisht ky rast do të më jap mundësinë dhe kënaqësin të merrja pjesë në demonstrata të asj pranvere.
Nga veprimtari dhe njeriu më konspirativ që kam njohur ndonjëherë, arsimtari Shaban Sfishta, kam marrë diku rreth 60 ekzemplarë të revistës “Bashkimi”, të cilën asokohe e nxirrte në Gjermani Ibrahim Kelmendi.
Po ashtu, në këtë periudhë kohore jam shoqëruar edhe me Hetem Ajetin nga Sveçla, me të cilin kemi shkëmbyer literaturë ilegale. Hetemi grupit i ka afruar “Statutin e Frontit të Kuq Popullor”, organ po ashtu i Ibrahim Kelmendit, si dhe librin Shota dhe Azem Galica.
- Këtë revistë e nxjerr Jusuf Gërvalla, më tha ish-profesori im Nazif Lepaja, posa ia lëshoi një sy fletushkës të cilën ia dhash. Ku po e di, e pyeta.
- Jam pak para teje, u përgjigj ai shkurt.
Asgjë s`po mund të fshehi nga ti, as atëherë kur isha maturant, as sot, as....Ai më pa me dashuri dhe duke vënë gishtin tregues mbi gojën dhe cepin e hundës, nxori një shshshëëëët, më shtini krahun dhe shkuam në restorant Gërmia të merrnim nga një kafe.
Material propagandistik, libra e revista, siç ishin: Lajmëtari i Lirisë, Liria, Bashkimi, u kemi dhënë shumë e shumë bashkëmendimtarëve; të gjithë shokëve-udhëheqës të demonstratave të `68-tës: Xheladin Rekaliut Hakif Shehollit, Fahri Raçit, Hamit Abdullahut, Sabit Sylës, Sylejman Babatinces, pastaj prof. Muhamet Bllacës, Ahmet e Mehmet Gërgurit, prof. Ahmet Hotit, prof. Ejup Shalës, Agim Shehollit, Jahir Gashit, Nazmi Gashit, Ali e Hisen Poterës, Muhamet Kutleshit e shumë e shumë të tjerëve, që është e pamundur të përmenden të gjithë në këtë intervistë
Bashkëpunim të veçantë kam pasur edhe me Avdyl, Hamdi e Abdullah Mustafën nga Gllamniku, po kështu edhe me Avdi, Sabit e Shefki Latifin-Monollët.
Nuk do të ishte korrekte të mos përmend edhe të rinjtë, nxënës të Shkollës Teknike: Hakif Zejnullahun (Hero i Kombit) Remzi Mustafën (Xigun)Xhafer Berishen nga Drenofci dhe Bajram Lahun (vrarë nga UDBA), po ashtu nxënësit e gjimnazit Sami e Smail Berishen nga Dyzi, Ali e Remzie Shehollin, të cilët kanë shpërndarë mes vete materialet tona. Këta të rinj në demonstrat e 1 e 2 Prillit `81 dhanë një kontribut të çmuar. Në këto angazhime duhet përmendur edhe shokët Mehdi Berisha, Halil Canolli, Milazim Alshiqi, Avdi Tërholli, Zeqir Berisha e Musa Prebreza, të cilët i udhëhiqte Arsim Sejdiu e të cilët ishin ngushtë të lidhur me ne. Ky grup shokësh shumë ekzemplarë të gazetës Lajmëtari i Lirisë i shpërndan në Prishtinë, aty ku edhe jetonin. Të gjithë ishin aktiv në demonstrata të vazhdueshme.
- Më kujtohet fort mirë se diku në fund të vitit ’79 më keni pas dhënë, në shitoren tuaj, një ekzemplar të revistës “Lajmëtari i Lirisë”. Prej nga ato materiale?
F. Berisha:
Kastrioti, nuk e di si, por ai që lidhur me Jusuf Gërvallën, kështu që revistën “Lajmëtari i Lirisë” në Podujevë e solli në qindra ekzemplarë. Këto, përpos 50 ekzemplarëve, të cilat në Tërnofc të Madh, me sugjerim të Nazmi Gashit, ia pata dërguar shokut të tij Ramadan Osmani, student i letërsisë, të tjerat u shpërndanë në Podujevë, Prishtinë, Gjilan e Vushtrri.
- Mund të na i përmendni disa nga titujt e librave të cilët janë shpërndërruar nëpër lexues të interesuar?
F. Berisha:
Po, disa më kujtohen: ”Gjarpijtë e gjakut” të Adem Demaçit, ”Shota dhe Azem Galica”Të Ajet Hagjiut, ”Hasan Prishtina dhe Lëvizja Patriotike e Kosovës”, Lahuta e Malësisë” Të Fishtes, Poezitë e Adem Istrefit , ”Hrushovjanët”Enver Hoxha, ”Imperializmi dhe revolucioni” Enver Hoxha, ”PPSH Dokumente Kryesore”, ”Kosova djep i shqiptarizmit” nga Hamit Kokollari, “Dimri i Madh” i Kadaresë, Mic Sokolin e Sylejman Krasniqit, Poezitë e Agim Gjakovës, ”Mërgata e Qyqeve” të Nasho Jorgaqit etj.,etj.
- Këta libra dhe këto revista, me porosi të theksuar liridashëse, ç`mendoni, çfarë ndikimi kanë pasur në popullin shqiptar të ish-Jugosllavisë?
F. Berisha:
“Politika nuk mund të jetë kulturë, por kultura e përcakton atë”
Në Jugosllavi ishte e kundërta.
Qëllimi i politikës jugosllave, me të gjitha mjetet dhe në të gjitha fushat, e posaçërisht në kulturë, ishte që sa më fort të na lidhte për sllavët e jugut. Është e njohur thënia ”Një popull po deshe ta robërosh mirë dhe ta mbash gjithmonë të shtrirë për toke, rrënoja kulturën”.
Muzika të cilën e transmetonte Radio e TV-Prishtina aso kohe ishte Xhixhele-Xhixhele,( u muar vesh përpos rapsodve të cilët këndonin odave), prandaj materialet të cilat i shpërndanim ne ilegalisht, kishin për qëllim që artin burimor sa më shumë ta fusnin në familjet shqiptare. Ishim thellë të bindur se librat dhe revistat e kasetat me përmbajtje të thellë historike e kombëtare, kishin një forcë të madhe vepruese. Po ashtu edhe muzika e kultivuar e Shqipërisë, përveç tekstit me përmbajtje kombëtare, ajo të jipte emocion, ajo të frymëzonte për traditën kombëtare, ajo të nxiste për veprim. Pra të gjitha këto ndikuan fuqishëm në masën e popullit, në veçanti ndikuan në vetëdijesimin e rinisë, në mënyrë që ata të shkëputeshin nga orientimi jugosllav dhe të ktheheshin e të faleshin drejt Mekës shqiptare Tiranës, siç thoshte mulla Ramë Govori. Se sa ndikim pati kjo literaturë ilegale, më së miri u dëshmua në ngjarjet madhore të Pranverës `81. Pra, ishin pikërisht grupet e shumta ilegale në të gjitha trojet tona ato, të cilat me veprimtarinë e vazhdueshme bënë që pakënaqësinë e studentëve më 11 Mars, e cila kishte filluar në Mensën e Studentëve, kryesisht për shkaqe të kushteve të këqija dhe kundër burokracisë, që i shkaktonin ato kushte, ta shfrytëzojnë me mençuri dhe atë pezëm të mbledhur kaherë ta shndërrojnë në demonstratë politike, rezultatet e së cilës i shohim sot.
- A ju kujtohet, z.Fehmi, çfarë rrethanash politike dhe ekonomike mbretëronin në Kosovë në fillim të viteve të 80-ta?
F. Berisha:
Në maj të vitit 1980 vdes revizionisti e diktatori i kamufluar Tito. Serbia fare nuk ishte e kënaqur me pozitën kushtetuese të Kosovës. Ajo veç kishte filluar haptazi të shfaqte apetitet e saja hegjemoniste. Po kështu irredentizmi kroat e slloven përgatitnin strategjinë për t`u shkëputur nga Jugosllavia. Shtrohet pyetja, përderisa popujt e Jugosllavisë: kroatët, sllovenët, të cilët ishin shumë më të privilegjuar se ne, bëheshin gati për t`i rritur ato privilegje, përse populli shqiptar i ish- Jugosllavisë të mos organizohej për të përmirësuar pozitën e vet shumë të rëndë?
Në fushën ekonomike Kosova ishte tepër keq. Tepër- tepër e pabarabartë me republikat tjera dhe Vojvodinën. Të ardhurat mujore në Kosovë ishin nga 10-15%,më të vogla. Kur kësaj i shtohet papunësia e cila kishte arritur kulmin, punonte vetëm çdo i 22-ti banor. Qytetet ishin pa infrastrukturë. Ajo pak industri s`mund të absorbonte gjithë atë fuqi punëtore. Fshati kosovar ishte lënë totalisht në mëshirën e vet. Rrugët të cilat e lidhnin me qyteza ishin të gjitha të paasfaltuara. Atje mungonte ambulanca, shkolla….,me një fjalë mungonte gjithçka. Kështu që fshatari për t’i shkolluar fëmijët, për t’iu afruar mjekut e shkollës, ai linte fshatin dhe shpërngulej në qytet. Edhe qytezat tona ishin pa infrastrukturë të mirëfilltë, nuk mund t’i absorbonin të gjithë sa vinin, kështu që ishte një kaos i vërtetë. Në shumë lagje të Prishtinës, po të hyje, aty shihje tmerr, varfëri e sëmundje.
Kosova kurrë nuk pati një planimetri ndërtimi. Kjo dhe shkaqet që i potencova më lart bënë që rrafshin-tokën e bukës, ne vetë e mbushëm me shtëpi banimi e objekte ndihmëse. Kjo në një të ardhme jo të largët Kosovës do i kushtojë shumë. Federata jugosllave, siç e thashë edhe më herët, Kosovën përpos politikisht e ripte veçanërisht ekonomikisht. Se sa e pasur ishte dhe është Kosova me minerale dihej edhe atëherë, siç dihet edhe sot, mirëpo ato merreshin vazhdimisht e pa ndërprerë nga jugosllavët e në veçanti nga shkiet. Në vendet udhëheqëse të punës, në ndarje banesash, etj., me një fjalë në të gjitha fushat shkiet ishin të privilegjuar kur kihet parasysh përqindja në numër banorësh. Ne mund të bisedonim hapur nëpër ndeja për krejt dynjanë, nëse nga kjo dynja përjashtonim Shqipërinë. Kjo dhimbte, kjo dhimbte fort. Fol e këndo për kë të duash, ama për vete s’ guxon!
E PRA DO TË GUXOJMË
Fundi i pjesës së parë
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 56 vizitorë |
| Lexuar:
3,333 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash... |
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34 Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur... |
| KRAHËT E SHQIPES |
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25 Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“
⁃ Kush është zonja. Ma... |
më shumë nga - Intervista » |
|
|
|
|
|