AZEM BEJTË GALICA (PJESA - III ) |
Publikuar më 05 korrik, 2009 në orën 15:38 ( ) |
Prof. Bedri Tahiri | Histori | |
|
|
Në 85-vjetorin e betejës së fundit të Azem Bejtë Galicës
EPOPEJA E ARBËRISË SË VOGËL
Populli shqiptar të gjitha luftërat i ka bërë të drejta dhe çlirimtare. Ai kurrë nuk e zgjodhi luftën vetë, por ia imponuan të tjerët (okupuesit). Kurrë nuk pushtoi troje të huaja, por i mbrojti trojet e veta, nuk i nënshtroi popujt e tjerë, por kurrë nuk u pajtua të jetojë i nënshtruar. Këtë e dëshmon më së miri mësuesja e jetës - historia e cila i ka hyrë në hak dhe i ka borxh shumë këtij populli heroik. Luftërat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare e kanë vazhdimësinë e vet që nga koha e Skënderbeut e deri më sot. Ato gjithmonë patën karakter gjithëpopullor e mbarëkombëtar deri më 1912, ku u formua Shteti Shqiptar. Ishte kjo një fitore gjysmake. Mëvetësia e Kosovës u sakatos, jo në luftë, sepse kur erdhi ushtria serbe e gjeti të çliruar nga turqit, por në Londër, në tavolinën e gjelbër. Mirëpo edhe pas kësj ajo kurrë nuk do të pajtohet me sunduesit dhe krismat e armëve nuk do të pushojnë për asnjë çast.
Pranvera e vitit 1924 popullin shqiptar, në të dy anët e kufirit, do ta gjejë në këmbë. Çetat çlirimtare në Kosovë ishin shtuar dhe mobilizuar. Forcat demokratike në Shqipëri kishin marrë hov dhe veçsa s’kishin shpërthyer. Mjaftonte një shkëndijë e vogël për të ndezur flakën e revolucionit demokratik. Dhe momenti erdhi.
Më 20 prill 1924 spiuni i Zogut, Isuf Reçi, e plagosi për vdekje derisa po shetiste në rrugët e Tiranës me Hoxhë Kadriun, mëseuesin e Libohovës Avni Rustemin, i cili më 13 qershor 1920 e pati shtrirë për tokë në Paris tradhtarin Esat Pashë Toptanin. Pas disa ditësh vdes Avni Rustemi. Varrimi i tëj u bë në Vlorën heroike, më 1 maj 1924, pranë plakut të urtë, Ismail Qemalit. Atë ditë e tërë Shqipëria ishte në këmbë. Mbi 10.000 njerëz morën pjesë në varrim. Folën 17 oratorë e u vunë 200 kurora. Ky qe edhe fillimi i Revolucionit Demokratik të Qershorit, i cili më 10 qershor përmbysi pushtetin tiranik të Zogut. Vullkani i madh shqiptar, që shpërtheu në qershor më 1924, tmerroi agallarë e çifligarë, zogollianë e mercenarë. Revolucioni borgjez-demokratik që i priu Noli ngadhënjeu.
Në të morën pjesë edhe luftëtarët e çetave nga Kosova. Mbi 20 grupe trimash nga Drenica të udhëhequr nga Mehmet Delia (Mehmeti i vogël) i Radishevës morën pjesë drejtpërdrejt në çlirimin e Tiranës.
Fitorja e forcave demokratike dhe ardhja e Fan S. Nolit në pushtet ishte një sukses i madh për shqiptarët në përgjithësi. Edhe çetat kaçake në Kosovë u gëzuan shumë. Ato tash e tutje do të vepronin më lehtë, sepse do ta kishin përkrahjen e shtetit amë. Këtë fitore të Revolucionit Demokratik në Shqipëri, Mbretëria SKS e vlerësoi si dështim të politikës së saj të jashtme ndaj këtij vendi fqinj, andaj tash u përqëndrua rreth rrëximit të saj.
Ahmet Zogu me klikën e tij kaloi në Jugosllavinë monarkiste. Në Beograd e pritën mirë. Vetë kryeministri N. Pashiqi, e priti në kabinetin e tij. Ata u morën vesh për shumë gjëra. Zogu i premtoi atij se, po të ndihmohej për t’u kthyer edhe një herë në pushtet, jo vetëm që s’do t’u lërë vend kaçakëve nga Kosova në Shqipëri, por edhe do t’ia lëshonte disa vende Serbisë si Shën Naumin, Vërmoshin, etj.
Nuk kaloi kohë e gjatë dhe forca të mëdha mbi 10.000 veta (vullnetarë, zogistë, mercenarë, bjellogradistë, të burgosur) e sulmuan Shqipërinë. Sulmi u bë në tri drejtime: nga Dibra sulmoi grupi i udhëhequr nga vetë Ahmet Zogu,nga Prizreni grupi i udhëhequr nga Cena bej Kryeziu dhe nga Mali i Zi grupi i Malo bej Bushatit. Dhe më 24 dhjetor 1924, ende pa u mbushur gjysmë viti, bie Qeveria e Nolit.
Krahas faktorit të jashtëm, në rënien e kësj qeverie, ndikuan edhe gabimet e brendshme. Fan S. Noli dhe qeveria e tij e brishtë i bën ca gabime: premtuan reforma të shumta e nuk arriti t’i realizojë të gjitha dhe ndaj opozitës nuk e përdori dhunën revolucionare. Frytet e Revolucionit të Qershorit Noli me shokë duhej t’i mbronte me forcë e armë të rekrutuar nga populli, sepse vetëm ky mund të siguronte fitoret e korrura.
Këto lëshime dhe gabime i pa edhe vetë Noli, i cili më vonë, në një vend shkruante: “Kemi vrarë veten me dorën tonë”. Ai edhe në poezitë e mëvonshme i pasqyron të metat që ndikuan në dështimin e revolucionit. Kështu të poezia “Krishti me kamçikun” shkruan:
Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar
Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar.
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin
Se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin.
Mirëpo para se të ndërmerrja diçka kundër Revolucionit dhe Qeverisë Demokratike të Tiranës duhej zhdukur “Arbëria e Vogël” e Azem Bejtë Galicës, e cila qëndronte si pararojë besnike mu në ballë të Drenicës trime. Kjo kala vigane i qëndronte karshi qeverisë së Beograadit. Krali serb ishte i sigurt se po arriti ta shthurë këtë fole shqiponjash shumë lehtë do të depërtonte edhe në Shqipëri. Ai i bëri të gjitha përgatitjet e duhura për ta rrethuar me ushtri, se xhandarmëria nuk po bënte punë. Si çdoherë edhe kësaj radhe këtë detyrë të rëndësishme e mori përsipër Nikolë Pashiqi, i cili:
Tel Zhupanit n’Shkup i ka çue
Çou Zhupan ti me u shtrengue
me asqerë n’Drenicë me shkue
Azem Bejtën dom me e rrethue
me e rrethue, paj, me asqeri
se nuk po nxinet me xhanari...
Këshu, më 14 korrik 1924, forca të mëdha ushtarake nga garnizoni i Shkupit (mbi 1200 veta) të përcjellë edhe nga artileria e rëndë e përbërë nga shumë mitraloza e 7 topa, i hipin trenit dhe nisen për në Kosovë. Pos ushtarëve të rregullt atyre u bashkangjitën edhe disa vullnetarë, çetnikë, njerëz të liruar nga burgu, të mobilizuar me dhunë dhe disa xhandarë vendës që t’ua tregonin terrenin. Në të vërtetë, nja dy javë më parë, tre oficerë serbë dhe disa ushtarë kishin qenë në Qyqavicë, mbi Dubovc, dhe i kishin pyetur njerëzit për katundet e kësaj ane. Kur ia kishin përmendur dhe treguar Galicën, Lubovecin dhe Mikushnicën, oficeri dhelprak në hartën e vet topografike i kishte futur në rreth me ngjyrë të kuqe.
Kur zbresin në Mitrovicë, populli i shqetësuar pyet se ç‘është gjithë kjo ushtri dhe për ku është nisur. Ata thonë se ishin nisur për ta forcuar kufirin me Shqipërinë. Aty qëndrojnë deri kah mbrëmja. Rreth orës 20 nisen rrugës së Pejës. Kur arrijnë në vendin e quajtur Vojtesh, e lëshojnë rrugën dhe nisen drejt “Arbërisë së Vogël”. Dikur afër mesnatës grumbullohen në vendin Leskova, afër Lubovecit. Aty koloneli Stojanoviq, në prani të zhupanit të madh të Shkupit e lexon urdhëresën se shkojnë për ta rrethuar Azem Bejtë Galicën. Pasi i morën udhëzimet dhe detyrat e caktuara: oficerë, nënoficërë, ushtarë e të mobilizuar të tjerë u nisën për në vendet e caktuara. U morën vesh për një rrethim të trefishtë dhe një sulm të rreptë e të përnjëhershëm nga të gjitha anët e më të gjitha armët.
Ende pa aguar mëngjesi i 15 korrikut, të tri fshatrat e “Arbërisë së Vogël”, Galica, Luboveci dhe Mikushnica, u gjetën të rrethuar shumëfish. Dëshmitarët e saj ditë: Rushit Syla, Zenel Haxha, Vesel Ujkani, Ali e Tafil Islami, Rifat Avdiu, Azize Ferizi etj. këtë betejë të përgjakshme, midis forcave, askund të barabarta, e përshkruajnë kështu:
Ishte festa e Bajramit të vogël. Ditën e dytë të festës u mblodhën të gjitha çetat e Drenicës në Galicë. U grubulluan në lëndinën te varret, burra e gra, pleq e fëmijë. Kishin ardhur për ta përgëzuar për festë kryekomandantin e tyre. Gjashtë tupana binin pa pushim. Kërcenin e hidhnin valle trimat. Gjuanin gurapesh dhe përlaheshin të rinjtë. Pleqtë kuvendonin nën hijen e lisave qindvjeçarë dhe pinin duhan. Dikur pasdite tre të rinj shkuan dhe i vendosën tri tjegulla të gëlqerosur në Kërshin e Zallinave, për t’i gjuajtur shenjë. Filluan të qesin me radhë. Plumbat fishkëllonin dhe qëllonin. Një shenjë për çudi si për inati, qëndronte e paprekur. Nuk rrëxohej dot. Kjo është shenjë e keqe - thanë pleqtë. Shota veç po e shikonte. Dikur nuk iu durua dhe iu drejtua të gjithëve.
“Mjaft, more vllazen, mos i harxhoni kot fishekët, se na duhen. Anmikun e kemi te pragu i votrës. Unë ua heq afe atë të mallkuem shenje, se sot as Azemit nuk po i shkon mbarë. Edhe kur âsht zgjue nga gjumi iu la lidh shoka nyje, çka kurrë nuk i ka ndodhun”. Ajo e mori pushkën, u ul në gjunjë dhe me fishekun e dytë e copëtoi tjegullën.
Dikur kah mbrëmja, grupe-grupe, njerëzit u shpërndanë nëpër shtëpitë e veta. Meqenëse ishte festë edhe luftëtarët e çetës së Azemit shkuan nëpër shtëpitë e veta.
Në kullën e Azemit atë natë u ndalën vetëm tre luftëtarë:
Hazir Rama i Vitakut, Bajram Delia i Tërnavcit dhe Kamber Llausha i Llaushës. Në shtëpitë e tjera atë natë (në Galicë) kanë qenë: Hys Popova dhe Zenel Ujkani në shtëpinë e dajës së vet, Emin Rexhës, Halil Xhemaili dhe Shaban Sherri (Llausha) në shtëpinë e Hasan Lahut.
Në Lubovec, pos luftëtarëve të këtij fshati, atë natë kanë qenë edhe Xhemë Tërnavci dhe Isë Koshutani. Ndërsa në Mikushnicë ishte Shaban Manxholli me fshatarët e vet.
Pra, siç po shihet, atë natë të kobshme, nga çeta kreshnike e Azem Bejtë Galicës, në “Arbëri të Vogël” nuk kishte më tepër se 13 luftëtarë.
Të nesërmen, ditën e tretë të Bajramit të vogël, ditën e martë, më 15 korrik 1924, kur u zgjuan ishin të rrethuar nga të katër anët.
Një rreth ishte vetëm rreth kullës së Azemit, një tjetër rreth Galicës dhe i treti e kishte mbështjellë si bolla krejt “Arbërinë e Vogël”. Pos mitralozave të mëdhenj, në kodrat përreth, ishin vendosur edhe 7 topat: i pari në Lubovec, në kodrën mbi shtëpinë e Halit Bajramit, i dyti në Kërshin e Zallinave (këtu ishte edhe komanda dhe zhupani), i treti në Sukën e madhe të Galicës, i katërti në Kudrinë afër Dubovcit, i pesti te Mrizet e Mikushnicës, i gjashti te Kika e Prekazit, mbi shtëpinë e Hajzer Nezirit nga Mikushnica dhe i shtati te Kodra e Prekazit (ku gjendet sot shkolla).
Ashtu siç ishin marrë vesh në Leskovë, sulmi duhej të ishte i furishëm dhe i përnjëhershëm. Së pari sulmuan me topa dhe mitraloza nga të gjitha drejtimet. Artilerinë e udhëhiqte kapiteni I klasit I Nikodija Marjanoviqi, i cili me vete e mori edhe ushtarin shqiptar ( të tjerët ushtarë shqiptarë i lanë në kazermë) Rexhep Lushtakun, që ishte topxhiu më I mirë në garnizon. Krisma e topit të parë do ta shënonte edhe fillimin e betejës. Kjo detyrë i ra hise Rexhepit. Ai tri herë shtiu, por asnjëherë nuk qëlllloi në cak. Predha e parë fluturoi mbi kullë, e dyta në të majtë dhe e treat në të djadhtë të saj. “Eh Xheko, Xheko (ashtu e thërrisnin Rexhepin), kemi pasur besim në ty deri tani, por ti kësaj radhe na tradhtove”,- i thanë oficerët serbë, duke e larguar nga vija e frontit…91.94
Sakaq lufta u nis ashpër. Qëllohej çdo kullë dhe çdo shtëpi, por zjarri kryesor ishte drejtuar kundër kullës-fortesë, e cila iu përballonte predhave që e qëllonin pa pushim. Kur nuk mbeti kullë a shtëpi pa i dalë flaka nga artileria u dha komanda për këmbësorinë. Ushtarët, që kishin dëgjuar dhe lexuar për trimërinë dhe luftërat e Azemit, i kishte rrokur paniku. Ata përkundër komandës për sulm, nuk guxonin t’i afrohen kullës.
Gruaja e dytë e Azemit, Zoja i kishte hetuar e para armiqtë, ende pa sulmuar me topa. Ishte ngjitur në kullë dhe e kishte lajmëruar të shoqin. Ai, si zakonisht gjakftohtë e pa u ngutur fare , vishet mirë dhe u bënë zë shokëve, që ende po flinin:
- Çonu shokë, se kokmi rrethue,
jemi rrethue more vllazni
s’paskem pas besë me këtë krali
-Sa për vetë, s’pi kam dert
hiq s’po m’dhimet jeta me dek
hiq s’po m’dhimet, more vllazni
po po m’dhimen robë e fëmijë
nuk âsht shaka, more, me asqeri
kanë të nxanë nuk e lëshon pa e gri.
Pas këtyre fjalëve Azem Bejtë Galica del nga kulla dhe në derë të oborrit e vret një oficer (kapiten), i cili për t’u dhënë zemër ushtarëve ishte afruar deri aty (shpata i kishte ngelur në avli,- tregonte Rifat Avdiu i Mikushnicës, i cili pas dy ditës kishte shkuar si fëmijë dhe kishte gjetur në gardh). Ushtarët pas vrasjes së oficerit dhe britmës që e lëshoi Azemi (thuhet është dëgjuar në fshatin Prelloc, 1.5 orë larg Galicës) ushtarët zmbrapsen dhe marrin vrapin nëpër arën me misër. Në anën tjetër të kullës del Bajram Delia, i cili e zë një pusi dhe lufton derisa vritet. Lufta heroike e këtij trimi (ishte djalë hasreti) për një moment ua ndali turrin hordhive serbe, që vinin grupe-grupe.
Për ta çarë rrethimin e parë dhe për të dalë nga kulla, Azemin e ndihmuan, pos luftës së Bajram Tërnavcit dhe shokëve të tjerë që e gjetën brenda edhe heroizmi i Shotës dhe sulmi i shpejtë i trimave
nga Luboveci. Ata, posa fillon sulmi ngriten në këmbë dhe të prirë nga luftëtari plak, Halit Bajrami, me vrap arrijnë te kulla, duke i sulmuar prapa shpine ushtarët që e kishin rrethuar kullën. Kështu, sulmi i Azemit me shokë nga brenda dhe sulmi i burrave të Lubovecit nga jashtë, bënë që rrethi i parë të shpartallohet pa humbje të mëdha. Në atë moment Azemi pa thënë:
Trimit hakun mos me ia ngranë
Luboveci gjithmonë janë kanë
Sa herë ngushtë që jam qëllue
Djemtë e Gashit më kanë ndihmue.
Lufta u ndez edhe në shtëpitë e tjera, në Galicë. Kush kishte pushkë luftonte aty ku ishte. Askush nuk ia kishte frikën vdekjes. Edhe në dy fshatrat e tjera, në Lubovec e Mikushnicë, luftohej për jetë a vdekje. Çdo gjë mori flakë. Digjej gruri nëpër ara e nëpër lama, digjeshin shtëpitë, digjeshin stallat bashkë me bagëtinë brenda. Gratë, fëmijët dhe pleqtë iknin kush kah mundej pa ditur as ku po shkojnë. Ishte mbyllur qielli nga tymi dhe flaka.
Pos Bajram Tërnavcit, i cili u vra afër kullës, në sulmin e parë vritet edhe veterani i luftërave, Hys Popova, i cili 10 ditë më parë kishte ikur nga burgu i Mitrovicës dhe kishte ardhur në “Zonën e lirë të Drenicës”.
Azem Bejtë Galica nga rrethimi i parë doli me një plagë në kraharorin e majtë. Ai, para se të vazhdojë rrugën e porosit Shotën që t’i marrë dy gratë e tjera dhe t’i bashkojë të gjithë fëmijët e gratë e Galicës e të nisen për në Qyqavicë. Vetë, pasi e lidhi pak plagën, niset drejt malit Gamna. Në Livadhet e Frashërit, ushtarët nga frika e kishin ulur kokën përdhe. Ka raste që i kanë shkelur dhe nuk kanë bërë zë. Kur kalon në anën e Mikushnicës, në vendin e quajtur Qafa, një mitraloz i madh ua prente rrugën si me shpatë dhe nuk i lejonte të ecnin përpara. Azemi pushon pak dhe e merr në shenjë gjuajtësin, të cilin e qëllon në lule të ballit. Kur afrohen e gjejnë një nëntoger që ende përpëlitej. Një shok i Azemit i hip me shqelma dhe ia nxjerr shpirtin. Te Azemi i Ademit në Mikushnicë ndalet pak dhe e pi një gjysmë kënate ujë.
Rrethi më i vështirë ishte vënë në livadhet e Mikushnicës. Ishte ky rrethi i fundit, rrethi i tretë. Aty takohen shumica e luftëtarëve nga të tri fshatrat e rrethuara. Nëpër livadhe dhe në një arë me misër kishin zënë pritat armiqtë. E vështirë ishte të kalohej andej. Si zakonisht, Azem Bejtë Galica, u nis i pari për ta çarë rrethimin. Pushka nuk bënte punë se ishte afërsi e madhe dhe duhej kaluar midis tyre. E nxori revolen 15-tëshe, me mulli dhe u sul si vetëtima duke qëlluar në të dy anët. Kur kalon në kodrën e Karadanit, pak para se të hynte në malin e madh, plagoset për vdekje. Një plumb i armikut prapa shpine e qëllon në pakon e fishekëve të vet, të cilët eksplodojnë dhe ia dëmtojnë boshtin e kurrizit, duke e bërë të palëvizshëm.
Fill pas tij sulen edhe shokët. Aty luftojnë disa orë rresht. Pati të vrarë nga të dy palët. Aty u vranë shumica e shokëve të Azemit. Livadhet u mbushën me kufoma.
Azemin e plagosur rëndë e marrin në krah (me shoka e bëjnë një si vig) Halil Avdiu dhe Smail Shabani nga Galica. Ata i ndihmon edhe Kamber Llausha dhe nisen drejt Qyqavicës.
Tërheqjen e tyre në thellësinë e maleve e mundësoi lufta heroike e Qerim Shashit (Qollakut) nga Luboveci. Ai ishte plagosur rëndë. Predha ia kishte këputur dy këmbët. E kishte zënë një pusi të mirë dhe e mbante frontin i vetmuar. Shokët i kishin lënë fishekë. Armiqtë mendonin se është Azemi. E sulmonin me të gjitha forcat, por kot, nuk dorëzohej as nuk vritej. Nga një herë pushonte derisa i afroheshin pranë dhe pastaj i sulmonte, duke i vrarë nga dy e tre me një plumb. Tri herë e kanë dërguar një grua (Zepën nga Mikushnica) që të dorëzohej, por nuk pranonte. Dikur filluan t’i harxhohen fishekët dhe me bomba e shkatërrojnë si Oso Kukën në Vraninë. Kur janë afruar përreth tij kanë gjetur një breshkë të dërrmuar, dy gjarpërinj të copëtuar dhe ferrat e shkrumbuara nga zjarri i plumbave dhe bombave.
Shotë Galica, edhe pse atë natë kishte qenë e sëmurë, u tregua heroinë e vërtetë. Pasi i ndihmoi burrit për ta çarë rrethimin, sipas porosisë së tij, mbi rrobat e veta i veshi do rroba të grave dhe me pushkë nën sqetull u nis drejt qendrës së fshatit. Pas saj shkonin edhe Zoja me Hatën. Shumica e grave, pleqve dhe fëmijëve ishin tubuar dhe po u printe plaku me mjekër, Shaban Tahiri. Posa i takojnë ushtarët e vrasin plakun dhe ata i mbyllin në një stallë të keqe. Dy ushtarë i caktojnë roje. Dikur njëri prej ushtarëve i lodhur nga vapa ua qet një bombë brenda. Një grua e shpejtë e kap bombën ende pa eksploduar dhe e gjuan përjashta, me çrast i mbyt të dy ushtarët. E çelin derën dhe dalin në rrugë. Në qendër të fshatit, te Ftojt e Tahirit, arrin edhe Shota. Ajo i grumbulloi të gjithë dhe u dha zemër. Drejt tyre po vinte një grumbull ushtarësh. Ahmet Hajra ia merr pushkën Shotës dhe nga frika që po i pushkatojnë ia fsheh në hithra. Shota doli në ballë të turmës dhe u nis për në malin e Qyqavicë.
Te varret e Lahajve i gjejnë edhe familjet e asaj lagjeje. Në ballë të tyre printe halla Gjylë me djalin e vdekur (Murselin) që ende po e mbante në krah. Pranë tyre edhe një i vdekur, i rënë përmbys. Ishte një mik nga Aqareva, që kishte sjellë para për Vasën e Ferizit, të cilën e kishte fejuar për djalë. Shota afrohet e kthen mbarë dhe ia nxjerr kutinë e duhanit nga xhepi. Pasi e mbështjellë një cigare ia dha Gjylës, e cila që nga ai moment e deri në vdekje më 1956 e ka pirë rregullisht duhanin. Kur u bënë të gjithë bashkë nisen për vendin e caktuar (Qyqavicë).
Rrugës i takojnë dy xhandarë shqiptarë: Bajram Selacin dhe Kasum Gërdocin (prej xhandarëve tjerë shqiptarë me emër dihen edhe Hajrë Qabra, Rizah Gllanasella, Mehmet Vushtrria dhe Isë Vinarci) të cilët pas një kërcënimi që ua bën Shota: “Nëse vetëm një fëmijë e gjen diçka ju do tëpërgjigjeni para Azemit”. Ata i përcjellin pa ferrë në këmbë deri në Kozhicë, te Mon Kuzhica.
Vetëm familjet e lagjes Fetahaj morën drejtim tjetër. Ata shkuan andej nga Kërshi i Zallinave. Rrugës e takojnë një oficer të plagosur, i cili nisi t’i vrasë, por fati i tyre aty afër qëllon një xhandar shqiptar, Mehmet Vushtrria. Ai i merr dhe i dorëzon të zhupani dhe koloneli Stojanoviq. Ata kur i shohin që të gjithë se ishin pleq, gra dhe fëmijë i lejojnë të kalojnë jashtë vijës së zjarrit.
Edhe dy fshatrat e tjera kishin marrë flakë. Burrat kishin shkuar në front drejt Qyqavicës, ndërsa familjet kishin mbetur si pa kokë. Një grup e kishin qitur përpara dhe e çuan te zhupani. Në mesin e tyre ishte edhe Halim Jetullahu, ushtar i kralit, që gjendej ne pushim. Ai i veshur me uniformë i lajmërohet zhupanit dhe i tregon ku është duke shërbyer. Ai atëherë i liron të gjithë. Kurse grupin tjetër që e çuan te kulla e Azemit i pushkatuan të gjithë. Edhe Mikushnica përjetoi të njëjtin fat, djegie, vrasje, pushkatime.
Armiqtë kur e morën vesh se Azem Bejtë Galica doli edhe nga rrethimi i fundit dhe shpëtoi i gjallë u tërbuan fare. Ata filluan zullumin dhe masakrimin mbi popullsinë e pambrojtur në të tri fshatrat e rrethuara. Vrisnin këdo që e takonin: pleq, gra, fëmijë. Në Mikushnicë u bë një vrasje lëmeritëse. Një grua shtatzënë, Hasimja, u ther me thikë dhe nga barku ia nxjerrin fëmijën duke u përpëlitur (ishte në muajin e fundit). Shtëpitë që kishin mbetur pa u djegur nga topat digjeshin duke ua futur zjarrin me dorë. E digjnin edhe grurin nëpër ara. Kufomat që ishin afër i bartnin te kulla e Azemit, që gjoja aty janë vrarë duke rezistuar. Bagëtinë që kishte shpëtuar e grumbullonin për ta marrë me vete. Pasi shkretuan dhe dogjën çdo gjë mbi tokë, disa pleq dhe të rinj të Galicës, që ende po i mbanin peng, i pushkatuan në qendër të fshatit, te Ftojtë e Tahirit. Pas pushkatimit, kolonisti i kësaj ane Maksim Ujakoviqi, i rrotullonte kufomat dhe ai që kishte mbetur gjallë e vriste me revole. Aty e vrau të riun 18-vjeçar, Sinan Ujkanin, i cili nën kufoma kishte mbetur gjallë. Ndërsa i riu tjetër Hamzë Zena është plagosur lehtë por s’ka lëvizur fare dhe ka shpëtuar.
Krahinari i Shkupit (Zhupani i Madh) dhe koloneli që e udhëheqte ekspeditën të mllefosur dhanë komandën për tërheqje:
Te zhupani po bërtet burija
- Ngreh asqerin, hiqnu tina
hiqnu tina për me e lanë
te shtatë kralat mu çue n’kamë
ska asqer Azemin që e nxanë
Nime koka qysh kanë pas thanë
Veç se Muja nat vakt n’koft kanë.
Duke u tërhequr ata morën me vete çdo gjë të vlefshme, plaçka të ndryshme dhe bagëtinë e mbetur gjallë. Në mbrëmje sollën qerre për t’i bartur kufomat dhe të plagosurit e vet. Numri i tyre nuk dihet saktë, por dëshmitarët pohojnë se ka pasur shumë. Për të mos rënë në sy ata i ndanin, një grup shkonte për Mitrovicë, ndërsa grupi tjetër për Vushtrri. Dihet se të nesërmen në Mitrovicë janë varrosur me regjistër 85 veta (Shaban Rexha i Koshtovës, kryetar i atëhershëm në Zhabar, e kishte dëgjuar këtë shifër nga naçallniku i Zveçanit). Shaban Hamiti nga Oshlani thoshte se me dorën time i kam numëruar 97 kufoma, kur i patën radhitur para se t’i nisnin për Mitrovicë (atëherë ishte 12-vjeçar). Ky numër duhet të jetë edhe më i madh, kur dihet se shumë të vrarë kanë mbetur maleve e përrenjve (janë gjetur më vonë) e shumë të tjerë i kanë dërguar në Vushtrri. Kur i varrosën në Mitrovicë, me nderime të larta, u betuan se do të hakmerren kudo në Kosovë, në popullsinë e pafajshme e të pambrojtur.
Viktimat e “Arbërisë së Vogël” mbetën mbi dhe. Nuk lejonin të varroseshin, kinse pa ardhur ndonjë komision i jashtëm. Në verë, në atë vapë të madhe, ato filluan të prisheshin. Fryheshin dhe pëlcitnin siç ndodhi me kufomën e Nezir Zeqirit. Pas disa ditësh burrat e fshatrave përreth, shumica nga Prekazi, erdhën dhe i varrosën. Disa i varrosën aty ku gjendeshin, në ara, male e livadhe, kurse ata që i patën grumbulluar te kulla i varrosën në varre të përbashkëta, nga tre-katër e pesë në një vend.
Të plagosurit fshehurazi janë mjekuar nëpër shokë e nëpër miq. Tri fshatrat e “Arbërisë së Vogël” u shkretëruan. Mbi to për disa ditë rresht ka qëndruar një mjegull e dendur nga tymi dhe shkrumbi që lirohej nga gjërat e djegura. Për disa vjet rresht toka mbeti djerrinë, në të cilën kullotnin bagëti e fshatrave tjera. Njerëzit e paktë që i kishin shpëtuar kësaj ploje u strehuan në fshatrat e tjera, ku qëndruan një kohë bukur të gjatë.
Beteja e “Arbërisë së Vogël”, që më vonë u quajt Lufta e Galicës, apo Epopeja e Arbërisë së Vogël, pati jehonë të madhe. Lajmi për të u përhap kudo. Ajo u vlerësua dhe u komentua në mënyra të ndryshme. Pos gazetave dhe komenteve të ndryshme në mjetet e informimit për këtë ngjarje u diskutua edhe në Kuvendin Popullor të Jugosllavisë monarkiste. Në mbledhjen e parë, që u mbajt në muajin korrik 1924, fill pas betejës, për rrjedhën e asaj lufte Parlamentin e informoi ministri i Punëve të Brendshme i qeverisë borgjeze serbe, dr. Milan Sershkiqi. Ai, duke e përpiqur të arsyetonte atë veprim masakrues, pos tjerash tha:
“Azem Bejta me kullën e tij dhe me fshatrat përreth ka qenë shteti në shtet. Ajo ka qenë një krahinë e pamposhtur në shtetin tonë... kjo ka qenë turp dhe një provë e dobësisë dhe paaftësisë së shtetit tonë që të durojë një shtet në shtetin tonë. Azem Bejta ka mbajtur lidhje me Komitetin e Kosovës në Shqipëri. Kulla e tij ka qenë strumbullar i propagandës kaçake, e cila ka kushtuar një mori jetërash të qytetarëve, xhandarëve e ushtarëve tanë... Kurrë, zotëri, që nga çlirimi e deri para pak ditësh nuk ka shkelur këmba e organeve tona në atë terren”.
Pastaj në mënyrë tendencioze e shpjegon rrjedhën e ngjarjeve të ditës kritike. Sipas tij, në fillim, i kanë ftuar që të dorëzohen ose të paktën të nxirren jashtë gratë, pleqtë dhe fëmijët. “Kur ata nuk pranuan, kemi hyrë nëpër fshatra. Derisa në dy fshatrat e tjera (Lubovec e Mikushnicë) kemi hyrë pa pengesa, në fshatin e tretë (Galicë) na kanë sulmuar që në fillim duke na i vrarë 14 ushtarë serbë, sllovenë e kroatë... dhe midis tyre edhe një gjerman. Atëherë jemi detyruar të hapim zjarr nga të gjitha armët. Me “keqardhje” konstatoj se aty u vranë shumë njerëz nga zjarri i armëve artilerike, midis të cilëve edhe dy gra. Midis të vrarëve gjenden edhe 80 kaçakë, 10 prej tyre të shantazhuar”.
Këto të dhëna nuk përkonin askund me të vërtetën, por atij i duheshin për ta arsyetuar veprimin barbar, që e kishin ushtruar mbi banorët e pafajshëm të këtyre fshatrave duke e përdorur edhe ushtrinë. Edhe ndonjë kokë e arsyeshme serbe u distancua nga këto veprime shtazarake. Kështu një deputet serb u çua dhe u shpreh kështu: “Kjo nuk duhej të ndodhte dhe nuk do të lejoja që organet e mia të vrasin gra e fëmijë e të djegin fshatra të qeta!”.
Ndërkaq, shkrimtari i madh korat Miroslav Kërlezha, që ato ditë ishte në Beograd, duke folur për muajin korrik shkruante: “Kjo është dështim, sepse: edhe burgosja e Kosta Novakoviqit edhe masakrimi i qindra kaçakëve të Azem Bejtës ndodhën në muajin korrik (1924)”.
Kjo ngjarje pati jeohnë edhe në shtypin serb. Gazeta “Vreme”, më 16 korrik 1924, pos tjerash shkruante: “... Lufta pati dimensione të mëdha, në të cilën u përleshën qindra kaçakë me njësi të shumta ushtarësh e xhandarësh... Në thirrjen e zhupanit të madh tri çeta nga garnizoni i këtushëm me 4 topa mbrëmë kanë hyrë në Galicë... Me shpejtësi është reaguar me zjarr pushkësh e mitralozësh. Edhe katër topat të cilët koloneli Stojanoviq i pati me vete vepronin pa pushim”.
Gazeta tjetër “Pravda”, më 17 korrik të atij viti, shkruante: “Lufta me kaçakë, që u zhvillua dje pasdite në rrethin e Drenicës, me ashpërsinë dhe numrin e viktimave ua kalon të gjitha luftërave të deritashme me kaçakë. Lufta qe e gjatë dhe shumë e ashpër. Numri i viktimave arrin në 200... Fshatrat, në të cilat u zhvillua lufta janë shndërruar në grumbuj gurësh të shembur, nëpër të cilët spikasin trarë të copëtuar dhe kufoma të përgjakura e të maskaruara. Nuk dihet a është vrarë Azem Bejtë Galica, apo ka shpëtuar...”.
Pra, siç po shihet, vlerësimet dhe komentimet ishin të ndryshme. Manipulimet e shumta bëheshin me numrin e viktimave. Edhe organet kompetente të Mitrovicës dërguan në Beograd raporte me shifra alarmuese. Në to thuhej se atë ditë në Galicë dhe në dy fshatrat e tjera, u vranë 190 kaçakë. Ndaj këtyre dezinformatave regoi Ferat Draga, i cili përmes klubit të tij protestoi deri te organet më të larta shtetërore. Ai shkruan se atë ditë u vranë 19 kaçakë, ndërsa të tjerët janë popullsi e pambrojtur. Për viktimat e “Arbërisë së Vogël” dhe këtë masakër të paskrupullt të soldateskës serbe shkroi edhe gazeta “HAK”, më 23 korrik 1924, të cilën e citon edhe Limon Rushiti në librin “Lëvizja kaçake në Kosovë 1918 - 1928”. Kjo i përgjigjet më për së afërmi së vërtetës kur shkruan se në të tri fshatrat e rrethuara u dogjën 120 shtëpi dhe u vranë 75 veta.
Të interesuar, të mësojmë numrin e saktë të viktimave dhe të shtëpive të djegura si dhe numrin e të plagosurve rëndë, dolëm në terren dhe biseduam me dëshmitarët e gjallë të asaj dite dhe me anëtarët e familjeve të viktimave, të cilët në bazë të kujtimeve të trashëguara nga prindërit i mbanin mend emrat e tyre. Dhe, pas një pune bukur të gjatë, me ndihmën e shumë njerëzve, arritëm në këto rezultate: më 15 korrik 1924 në tri fshatrat e rrethuara u dogjën 100 shtëpi, u plagosën rëndë 26, ndërsa u vranë ose masakruan 82 veta. Nëse llogaritet edhe Azem Bejtë Galica, i cili vdiq më vonë (në natën midis 24 e 25 korrikut të vitit 1924) nga plagët që i mori në këtë betejë, na del numri 83, që e kalon shifrën e dhënë nga gazeta “HAK”.
Nga të gjithë të vrarët nuk kemi arritur t’i ndriçojmë vetëm dy emra: një fëmijë të Galicës që u dogj me gjithë djep dhe një mysafir nga Aqareva.
Këtu poshtë po i japim emrat e mbiemrat e atyre që u vranë, masakruan, dogjën ose u pushkatuan si dhe atyre që u plagosën.
Për çdo fshat po i shënojmë veç e veç:
Galicë, të vrarët:
1. Bahtir Beka,
2. Hasan Lahu,
3. Ismail Lahu,
4. Mursel Ferizi (fëmijë) 12-vjeçar,
5. Sylë Sahiti,
6. Selman Ademi,
7. Sadri Ahmeti,
8. Sinan Ahmeti,
9. Ferat Hyseni,
10. Sherif Rrahmani,
11. Mehmet Rrahmani,
12. Hamide Rrahmani,
13. Osman Mehmeti,
14. Hajdin Mehmeti,
15. Jashar Behrami,
16. Rrustem Behrami,
17. Veli Halili,
18. Avdi Halili,
19. Shaban Tahiri,
20. Qerim Shabani,
21. Kamer Xhema,
22. Sylë Idrizi,
23. Hazir Fetahu,
24. Sinan Ujkani,
25. Nezir Beqiri,
26. Zahide Zeqiri,
27. Beqir Beqiri,
28. Hys Popova - Popovë,
29. Bajram Delia - Tërnavc,
30. Sinan Açareva- mysafir,
31. Isa Shabani - nga Rashani.
32. Abaz Bajrami - rom,
33. Shak Bajrami - rom,
34. Ibrahim Bajrami - rom dhe
35. Man Bajrami – rom.
Të plagosurit:
1. Rexhep Dauti,
2. Xhemail Lahu,
3. Ahmet Hajra,
4. Abdulla Zena,
5. Hamzë Zena,
6. Hashim Bahtiri,
7. Halit Syla,
8. Rushit Syla,
9. Rizah Velia (7 plumba),
10. Murat Velia,
11. Zymber Salihu,
12. Rrustem Hamza - Hodiqi nga Klina,
13. Brahim Ferizi dhe
14. Hajrush Ahmeti.
MIKUSHNICË: të vrarët:
1. Ismail Manxholli,
2. Ahmet Manxholli,
3. Mehmet Manxholli,
4. Jashar Behrami,
5. Ali Behrami,
6. Hlil Behrami,
7. Sadik Behrami,
8. Bahtie Avdiu,
9. Hafie Avdiu (5 vjeçare),
10. Rexhep Hyseni,
11. Cenë Muharremi
12. Sadik Salihu,
13. Ujkan Mehmeti,
14. Mehmet Alia,
15. Munish Ademi,
16. Bajram Sahiti (nip nga Baica),
17. Ajete Sadriu,
18. Hasime Musliu,
19. Bajram Barja,
20. Hajzer Barja,
21. Sadik Ramadani,
22. Sadri Zeneli,
23. Salih Fazliu,
Të plagosurit:
1. Bajram Avdiu,
2. Milazim Sejdiu,
3. Shaqir Osmani,
4. Ukë Ramadani,
5. Hanife Avdiu,
6. Shesivar Ademi,
7. Ahmet Salihu dhe
8. Isref Avdiu.
LUBOVEC, të vrarët:
1. Halim Bajrami,
2. Murat Bajrami,
3. Asllan Bajrami,
4. Bajrush Bajrami,
5. Salih Xhemaili,
6. Sadik Rama,
7. Qerim Shashi,
8. Zyhër Miftari,
9. Behram Delia,
10. Cekë Sejdia,
11. Xheladin Veliu,
12. Tafil Jetullahu,
13. Zenun Sherifi,
14. Maksut Islami
15.Tahir Islami,
16. Islam Neziri,
17. Demë Beqiri,
18. Zeqë Beqiri,
19. Idriz Isufi,
20. Shaban Ademi,
21. Kurt Osmani,
22. Mustafë Abazi,
23. Selman Beqiri dhe
24. Bajram Koshtova (nip nga Koshtova).
Të plagosurit:
1. Bahtir Osmani
2. Istref Kadriu,
3. Emin Hasani dhe
4. Avdullah Kadriu.
 Pllakë përkujtimore në Galicë (2004)
vijon...
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 28 vizitorë |
Lexuar:
4,235 herë
|
|
|
|
|
|
|