Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Përfundoi shënimi i 100-vjetorit të Kongresit të Dibrës
Publikuar më 04 gusht, 2009 në orën 12:30 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Shkruan: Rexhep TORTE - Mydibra

Manifestim i shkëlqyer me vlera historike
Më 23 dhe 24 korrik 2009 në Dibër të Madhe u shënua solemnisht 100-Vjetori i Kongresit të Dibrës” (1909-2009). I tërë qyteti ishte në festë për të përjetuar këtë datë të madhe dibrane e mbarëkombëtare dhe për të pritur me bujarinë dibrane qindra mysafirë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diaspora, si edhe bijtë, bijat, nipërit dhe mbesat e delegatëve që morën pjesë në këtë Kongres para 100 viteve. Ky manifestim filloi me shpalosjen e Pllakës ABC, simbol i përpjekjeve të popullit shqiptar për ta ruajtur dhe përdorur gjuhën shqipe. Argëtim Fida, kryetar i komunës së Dibrës së Madhe me këtë rast, theksoi se, ”Me nismën e çiftit Jorgoni dhe me mbështetje të Komunës së Dibrës, sot inaugurojmë bustin e ABC-së ose të alfabetit shqip, me dëshirë që kësi bustesh të inaugurohen në të gjitha qytetet me shumicë shqiptare”. Fida, sëbashku me zv/kryeministrin Abdilaqim Ademi, ish-deputetin e Shqipërisë, z. Azgan Haklajn dhe deputetin e Parlamentit të Kosovës Berat Luzha shpalosën përmendoren e alfabetit.
Pas kësaj të gjithë nikoqirët dhe mysafirët bënë homazh dhe vendosën lule të freskëta në Pllakën përkujtimore kushtuar Kongresit të Dibrës të ngritur para Qendrës për kulturë në vitin 2004, me rastin e shënimit të 95 vjetorit të këtij Kongresi.


Dr. Argetim Fida, së bashku me zv/kryeministrin Abdilaqim Ademi, ish deputetin e Shqipërisë, z. Azgan Haklajn dhe deputetin e Parlamentit të Kosovës, z. Berat Luzha shpalosën Përmendoren e Alfabetit.

Në këtë kuadër u hap edhe ekspozita me piktura e piktorit dibran Sabit Bocku. Para fillimit të akademisë solemne Inxh. Faruk Kaba, nëpërmjet video-bimit shpjegoi trasenë e Rrugës së Arbërit, ndërtimi i së cilës do të jetë edhe një arterie që do të lidh trojet shqiptare dhe fqinjët dhe do t’i jep hov zhvillimit të gjithmbarshëm. Në sallën e madhe të mbushur përplot me mysafirë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia dhe diaspora, akademinë solemne e hapën kryetarët e dy Dibrave. Argëtim Fida, kryetari I Dibrës së Madhe me këtë rast deklaroi se: ”Jemi mbledhur këtu pas 100 viteve të manifestojmë dhe kujtojmë guximin dhe atdhedashurinë e atyre burrave të kombit nga pesë vilajetet të mbledhur në Dibër për të ndërtuar ardhmërinë e kombit tonë dhe për të hedhur poshtë të gjitha tentativat e atyre që deshën ta rrënojnë atë që ishte arritur dhe të ndërpresin vazhdën e angazhimit patriotik për të ndërtuar konturet e para të shtetit të ri shqiptar që do të shpallej në 1912 në Vlorë. Kur të gjithë dëshironin të gllabëronin tokat shqiptare Kongresi i Dibrës tregoi se as xhonturqit dhe as të tjerët nuk mundën ta mposhtin idenë e ndërtuar për shtetin , kombin, gjuhën dhe alfabetin që tani kanë mbetur realitet. Sot këtu jemi bashkë nga të gjitha trojet etnike dhe kështu bashkë duhet të hapërojmë me unitet shpirtëror, gjuhësor e kulturor, por edhe për një zhvillim ekonomik të përbashkët në një Evropë të bashkuar, ku kufijtë administrativë do të jenë vetëm vija në hartat gjeografike. Hapja e përbashkët me z. Ilir Krosi, simbolizon bashkimin tonë të përjetshëm sot e tutje, idenë e trasuar para 100 viteve të vazhdojmë të bëjmë realitet atë pjesë të pabërë deritani ”Ilir Krosi, kryetar i bashkisë së Dibrës së Vogël-Peshkopi, me këtë rast, u shpreh se: ”Kjo është një datë e shënuar për Dibrën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. Akoma na presin punë të tjera për të bërë. Përulemi me respekt para atyre burrave që e ngritën Dibrën në këto nivele që është sot, që çështjen kombëtare e ngritën në nivele shumë të larta dhe nuk lejuan që të nëpërkëmbej nga fuqitë e kohës. Në si kryetarë komunash, bashkishë, ministra e deputetë të zgjedhur nga populli, kemi për obligim ta vazhdojmë këtë rrugë që kërkon Dibra, çështja shqiptare, për ta bashkuar Dibrën dhe tërë trojet shqiptare”. Abdilaqim Ademi, zv/kryeministër i Maqedonisë, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se: ”Ditë e shënuar në kalendarin e së kaluarës sonë është edhe Kongresi i Dibrës nga i cili na ndan plotë një shekull i mbushur me përplot beteja, me shumë orvatjeje që të ruajmë atë më të vlefshmen që kemi – gjuhën dhe kulturën tonë. Ky Kongres u mbajt në Dibër, në qytetin që mund të quhet edhe kërthiza e arsimimit dhe ruajtjes së vlerave shqiptare në këtë pjesë të shqiptarisë dhe më gjerë. Në këtë qytet i cili si gjatë Perandorisë Osmane, ashtu edhe pas rënies së saj dhe shumë sunduesve tjerë, ishte dhe do mbetet vatër ku gjuha dhe vlerat kombëtare do kultivohen e do mbrohen sa vetë qenia e dibranëve, njësoj sa edhe vatrat e tyre familjare. Atdhetarët që morën pjesë në Kongresin e Dibrës bënë të mundshmen për atë kohë dhe mund të themi me mburrje se ky popull ka qenë i pushtuar, por kurrë nuk ka lejuar që dikush t’ia robërojë atdheun më të shenjtë që ka pasur – gjuhën dhe kulturën e vet. Dhe ndoshta mbrojta e këtyre vlerave ka mundësuar që populli ynë t’i mbijetojë shtrëngatat e panumërta që kanë përfshirë këto hapësira. Kongresi i Dibrës solli edhe vendime të cilat ishin në interes të popullit shqiptarë, që patën ndikim në mbrojtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe. Patriotët që morën pjesë në Kongresin e Dibrës bënë çmos të afirmojnë kërkesat e tyre për modernizimin e arsimimit dhe hapjen e shkollave në viset e banuara me shqiptarët. Në këtë Kongres, për të mbrojtur indin e tyre kombëtarë, patriotët shqiptarë sollën vendime të rëndësishme ndër të cilët edhe atë për ndarjen e shkollave shqipe të shqiptarëve ortodoks nga kisha greke dhe emërimi i priftërinjve shqiptarë në mjediset ortodokse shqiptare, me çka ua bënë me dije të gjithëve se shqiptarët e kishin të qartë si të sforcojnë boshtin etnik kurrizorë i cili do qëndronte vetëm mbi ndjenjat patriotike kombëtare dhe në ruajtjen e vlerave të përbashkëta . Ajo që Dibrën e sotme e bënë të ngjashme me atë të vitit të Kongresit është se ajo mbeti vatra e arsimimit shqiptarë, se ky qytet i dha mësuesit e parë të cilët qysh në vitet pasluftës së Dytë Botërore u shpërndan nëpër trevat e Maqedonisë ku jetonin shqiptarët që të arsimonin gjeneratat e reja të popullit të vet. Ajo që dibranët e sotëm i bënë të ngjashëm me ata të vitit kur u mbajt Kongresi i Dibrës është bindja e tyre se gjuha dhe kultura shqiptare duhet ruajtur me po të njëjtin përkushtim si edhe themelet e vatrave familjare. Kongresi i Dibrës është i pari ku mund të thuhet se u arrit zyrtarizimi i gjuhës shqipe në perandorin Osmane. Dibra është një nga vatrat e shqiptarëve të arsimuar, një nga trojet ku shumë më herët se në viset tjera shqiptare në Maqedoni arsimimit i është kushtuar rëndësi e veçantë. Kur rikujtojmë Kongresin e Dibrës ne duhet njëkohësisht të ndërmendin edhe gjithë atë që dha Dibra për shqiptarinë, sa i përket zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, ne duhet të punojmë edhe më tej që të realizojmë synimin tonë të dëshiruar. Njësoj siç duhet të bëjmë çmos që Dibra e Kongresit dhe Dibra ku shqiptarët kanë fituar shumë beteja kolektive, të ringjallet, të ndërpritet migracioni dhe ky qytet të mbetet mburrja e shqiptarëve, të jetë atë që ka qenë gjithmonë: prijësi në betejat kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Duhet të pranojmë hapur se Dibrës ia kemi borxh ta bëjmë qytet ku dibranët do lindin e do plaken duke mos mbajtur kokën nga Amerika dhe shtet perëndimore. Ne pra ia kemi borxh Dibrës ta bëjmë qytet ku e kaluara e lavdishme do jetë themel mbi të cilën do qëndrojë e ardhmja e ndritshme e dibranëve të rinj. Sepse nëse lejojmë që Dibra edhe më tej të zbrazet e të mbetet qytet ku të rinjtë nuk shohin ardhmërinë e vet, neve do na mallkojnë atdhetarët e dikurshëm që bënë shumë që sot edhe ne këtu të flasim shqip e të shkollohemi në gjuhën amtare”. Doc. Dr. Agron Reka, ushtrues I detyrës së rektorit të USHT, së, tha se: ”Ajo që është simbolike për këtë datë është se në këtë kuvend ishte kërkesa e atdhetarëve që të themelohen shkolla shqipe në tërë Shqipërinë. Në vitin 1994 Vendimet e kuvendeve të Dibrës, Tetovës dhe Gostivarit themeluan Universitetin e Tetovës, pastaj në vitin 2004 u bë zyrtarizimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës. Këto dy data do të mbesin të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni. Sakrificë ishte edhe themelimi i USHT-së, që pati shumë armiq të jashtëm, por për fat të keq edhe të brendshëm. Sot gjërat po ndryshojnë. Jam në shërbim të studentëve dhe të diturisë. Jam këtu për drejtësi që të ndërpritet thithja e pamëshirshme e gjakut të këtij institucioni. Jam këtu për një universitet që në mënyrë të barabartë të kyçet në hapësirën evropiane të arsimit të lartë. Është koha e ndryshimeve, e punës, e drejtësisë dhe e respektit”. Prof. Dr. Arjan Kadiu, në emër të Shoqatës “Bashkësia Dibrane”-Tiranë, ”U shpreh se: ”Ky është një 100-vjetor që nuk përsëritet. Është një ngjarje që historia nuk e ka thënë siç duhet fjalën e vet, sepse shumë dukuri dhe aspekte mund të zbulohen dhe të rilexohen, duke u dhënë vendin e merituar. Dihet se kundërshtarët e vendimeve që u morën aty u detyruan ta lëshojnë sallën, sepse bashkimi i të gjithë dibranëve ishte unik dhe kjo bëri që edhe kongresi të merrte vendime unike. Pesë ishin ato nenet paraprake bashkimore, por ishin edhe 12 nene tjera që iu shtuan atyre pesë neneve. Kjo bëri që të fitonte e të mbizotëronte ideja e çështjes kombëtare, e gjuhës dhe shkollës shqipe. Në gjysmën e parë të shekullit të 19 nuk kishte ngjarje që kishte rëndësi jetike për vendin tonë që të mos merreshe mendimi i dibranëve, sepse Dibra ishte dhe mbeti djep i shqiptarizmës, besnikërisë, i besës, i trimërisë, me një vizion shumë të qartë për të ardhmen e vendit. Një historian shkruan se ishte e para herë që në Dibër vinin njerëz nga pesë vilajetet e vendit dhe të gjitha ato qëllime u bënë të hapura. Dibra shpalosi idetë e saj për gjuhën dhe për shkollën shqipe. Në monografinë time Dibra e Madhe ka një kapitull me titull “Jeta vazhdon dhe Dibra nuk humbet”. Dibra do të mbetet me një histori të lavdishme, është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe me vizionet e reja që i dhanë sonte parafolësit, të cilët marrin vendime të rëndësishme. Dibra do të lulëzojë dhe do ti thith mendjet e të gjithë intelektualëve dhe forcave që e duan dhe e mbrojnë”. Prof. Dr. Nuri Abdiu, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Dibranë në Tiranë, theksoi se: ”Dibranët gjatë përpjekjeve të pareshtura, luftërave heroike për të mbijetuar , për ruajtjen e identitetit etnik, kombëtar krijuan kulturën dhe traditën e vet. Burrat e ditur të Dibrës duke mësuar nga përvoja e mendimi shkencor i vendit të tyre dhe i vendeve tjera, kanë dhënë kontributin e tyre edhe në zhvillimin e kulturës dhe dijes kombëtare e më gjerë. Dibra e Nëntë Maleve, Shtatë Teqeve dhe Katër Oxhaqeve përbën mrekulli të natyrës dhe kështjellë të historisë, që u shpalos si një nga trevat e nxehta të atdhedashurisë, kulturës kombëtare , zhvillimeve progresive në shekuj, në ditët tona e në vijim. Dibranët i kanë pasur dhe i kanë në traditën e tyre tubimet, kuvendet, besëlidhjet e kongreset. Kjo është ditë e shënuar me rëndësi historike jo vetëm për Dibrën për mbarë kombin shqiptar. Dibrës edhe në ditët e sotme i këndohen këngë që mbajnë erë baroti, që ruajnë gjurmë gjaku, që dibranët asnjëherë nuk e kursyen për në luftërat e tyre për liri e pavarësi. Në emër të Shoqatës LID përulem me respekt të veçantë në kujtim të emrave të të gjithë delegatëve të këtij Kongresi që e treguan veten shqiptarë të vërtetë përballë reaksionit xhonturk dhe përkrahësve të tyre”. Prof. Dr. Mentor Disha, duke përshëndetur në emër të intelektualëve dibranë të Universitetit të Prishtinës, u shpreh se: ” Titullarë të nderuar, zonja e zotërinj, mysafirë të nderuar, bashkëqytetarë të mi të dashur, ju përshëndes të gjithëve, veçmas ju bashkëqytetarë të dashur, falënderojmë Këshillin organizativ për ftesën, duke Ju dëshiruar punë të mbarë dhe suksese”. Ibrahim Kolari, kryetar i Shoqatës Atdhetare Dibrane në ShBA, si përfaqësues i diasporës dibrane, u deklaroi se: ” Kjo është ditë historike, gëzuar 100 vjetorin e Kongresit të Dibrës. Ju sjell përshëndetjet më të sinqerta e vëllazërore në emër të Shoqatës Atdhetare Dibrane nga ShBA për këtë 100 vjetor në emër të atyre që janë të pranishëm këtu, por edhe të atyre që nuk patën rastin të jenë sonte me ne. U dëshirojmë mbarëvajtje e sukses për këtë manifestim që për kombin tonë ka vlera tejet të çmuara në historinë tonë kombëtare. Shoqata jonë , diaspora në tërësi , prore me mëndje e zemër dëshmon e tregon se angazhimi ynë për mbarëvajtjen kombëtare nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë edhe në të ardhmen. Roli ynë jashtë trojeve etnike ka qenë në shërbim të afirmimit të vlerave kombëtare, por njëherit edhe duke bërë zbutjen e papunësisë që e ka kapluar këtë nënqiell që të krijojmë kushte më të mira për jetë më të begatshme, pa shpërngulje, gjithmonë në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe atë qendror. ShBA-të u dëshmuan si miq të besueshëm për ne shqiptarët dhe besoj e shpresoj se koha punon për ne dhe ne punojmë për te. Le të mbetet ky 100 vjetor krenari e jona, duke bërë bashkimin tonë shpirtëror e më pastaj t’i përmirësojmë të gjitha zhgënjimet tona nëpër shtigjet e historisë. Zoti e bekoftë kombin shqiptar, Zoti e bekoftë Dibrën tonë, Zoti I bekoftë ShBA-të”. Prof. Dr. Mahmud Hysa, në referatin kushtuar 100-vjetorit të Kongresit të Dibrës, theksoi se: ”Viti 2009 është një vit trefish jubilar. Për 23 korrikun për çka jemi mbledhur sot këtu, për 2 shtatorin Kongresin e Elbasanit dhe për 1 dhjetorin, Shkollën e parë Normale të hapur në Elbasan. Me kënaqësi historian a ka caktuar të jemi të parët. Në Kongresin e Dibrës më 23 korrik 1909 u mblodhën mbi 320 burra dhe Dibra plot gjashtë ditë , i mbajti, i mbrojti dhe i përcolli me tradita bujare, fisnike e mikpritëse. Në këtë Kongres xhonturqit i bënë hesapet pa hanxhinë pse menduan se Dibrën e kanë si në kafaz. U doli krejtësisht e kundërta pse kuvendarët patriotë aprovuan edhe 12 pika tjera jashtë dëshirës së xhonturqve. Ky ishte shkaku që Stambolli urdhëroi ndërprerjen e Kongresit , por doli në skenë paria e Dibrës dhe e fshatrave që u çuan në këmbë, rrethuan shtëpinë e Kongresit, i siguruan delegatët dhe mundësuan që Kongresi t’i përfundojë punimet ashtu si ishte interesi i shqiptarëve patriotë. Në ditën e sotme para 100 viteve gjeti terren të përshtatshëm diplomacia e Haxhi Vehbi Dibrës, që Kongresi t’i zhvillojë punimet siç ishte më së miri për çështjen shqiptare. . U pranuan dhe fuqizuan kërkesat imediate të shqiptarëve për shtetin e parë të ardhshëm shqiptar. Dhe s’ka pse të mos krenohet sot Dibra me vendimet që u sollën në këtë Kongres, me triumfin e forcave patriotike dhe debaklin e atyre proqeveritare xhonturke. Aty morën pjesë patriotët më të dalluar të kohës nga të gjitha trojet e klubet shqiptare dhe jashta trojeve shqiptare si nga Stambolli, Kajro, Aleksandria, Selaniku, Follorina, Kosturi, Sofja, Velesi. Gjatë punimeve të Kongresit u përdor gjuha shqipe, u morën vendime për hapjen e shkollave shqipe, vendime ekonomike, juridike, fiskale, që shërbimi ushtarak të kryhet në trojet shqiptare, të hapen hekurudha , nëpunësit shtetërorë ta njohin gjuhën shqipe, kërkesa që de fakto ishin premise të shtetësisë. Nuk mund ta kuptojmë qëndrimin përçmues që ka historiografia shqiptare për Kongresin e Dibrës, që ose nuk e llogarisin fare si Kongres kombëtar, ose e vlerësojnë në mënyrë tejet subjektiviste, që i shtrembërojnë rezultatet e këtij Kongresi. Është koha e fundit që në revidohen qëndrimet aprioristike të gjertanishme të historianëve dhe të historiografisë shqiptare dhe të vendoset Kongresi i Dibrës në binarët që i meriton objektivisht dhe realisht, si Kongres ku u shpreh niveli i lartë i ndërgjegjes kombëtare, Kongres i vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e kombit shqiptar, ku u kërkua dhe sollën vendime për shtetin e parë shqiptar që u arrit në vitin 1912”. Pas kësaj u lexua telegram urimi dërguar nga Teqeja e Madhe Autoqefale Ballkanike me seli në Gjakovë e Prizren nga postmbajtësi Sheh Musa Shehu, ku ndër të tjera thuhej se: ”Kongresi i Dibrës ishte një ngjarje me peshë në drejtimin e mëtejmë të lëvizjeve dhe përpjekjeve tona për çlirim, unitet, dinjitet dhe pavarësi kombëtare. Në mesazhin për politikën aktuale shqiptare në Tiranë, Shkup, Tetovë, Prishtinë, Ulqin, dhe bashkëkombësit tanë në Prevezë e Janinë, shton se, në disa pjesë të hartës së atdheut, liderët tanë politike duhet vënë gishtin në kokë, për gjuhën që përdorin ndaj njëri tjetrit, për punën që për ditë e bëjnë. Duhet rënë në ujdi se përçarja, urrejtja mes tyre dhe lufta pa kompromis e tyre që po bëjnë, çojnë ujin vetëm në mulli të huaj. Duhet të kemi unitet, sepse kemi shumë armiq rreth vetes”, u tha në fund të telegramit. Në programin artistik të kësaj akademie solemne, Kastriot Tusha këndoi Himnin e djalërisë, shkruar nga Haki Sharofi dhe këngë tjera, ndërsa fragmente nga Lahuta e Malësisë recituan Burhan Skikuli, Vlona Vojka dhe Esat Ushtelenca.
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 12 vizitorë
Lexuar: 5,871 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi