| INTERVISTË ME PËRFAQËSUESIN E LËVIZJES VETËVENDOSJE - XHEMIL ZEQIRIN, QENDRA NË DANIMARKË |
| Publikuar më 25 gusht, 2009 në orën 22:20 ( ) |
Intervista | |
|
|
|
Për biografinë dhe veprimtarinë e Xhemil Zeqirit, brenda dhe jashtë atdheut, në një kohë për më tepër se tridhjetë vjet, lexuesit kanë lexuar nëpër vite, prandaj nuk e konsideroj të domosdoshme të të kërkojë njoftim të mëtejshëm. Në këtë intervistë dua të përqendrohem për aq sa më lejon vendi, këtu; për rrethanat aktuale që po kalon populli ynë liridashës.
Pyetje: I nderuar, si e vlerësoni situatën politike sot, fillimisht do të thosha të shqiptarëve në Maqedoni, për faktin se këto ditë ishit në vizitë andej nga Tetova, për “pushime”?
Përgjigje: Situata politike e shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta në Maqedoni; është shumë e rëndë dhe tejet e ndërlikuar. Në këtë republikë, siç duket qartë, faktorët ndërkombëtarë dhe pushtetarët maqedonë e shqiptarë po bëjnë eksperimente në kurriz të popullit të pambrojtur shqiptar.
Gjatë qëndrimit tim në atdhe, e pashë nga afër një gjendje tejet kaotike (anarki), që e rrezikon të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve.
- Shqiptarët, kudo në Ballkan nuk po arrijnë të krijojnë një unitet, pavarësisht pluralizmit politik që ekziston. Në vend se do të duhej t´i bashkonte kombëtarisht shqiptarët; po ndodhë e kundërta.
Tani, gjendja në Maqedoni është e ndërlikuar, për faktin që tri partitë kryesore shqiptare, të përfaqësuara në parlamentin maqedonas, nuk po arrijnë dot të gjejnë një gjuhë të përbashkët, në veçanti për çështjet më madhore; nacionale dhe sociale, por përkundrazi, secila e lufton njëra-tjetrën dhe përpiqen kush më shumë, do të bëhet më servil ndaj politikës dinake maqedonase.
Pyetje: Pse ngjanë kjo, a mund të kërkohen fajtorët për këtë politikë prapakthehu edhe jashtë trojeve etnike shqiptare?
Përgjigje: Populli ynë e thotë një fjalë të urtë: “faji është jetim”!
Për fatkeqësinë tonë, që nga shpallja e pluralizmit politik në ato vise; në skenën politike erdhën njerëz të etur për pushtet, e jo për shtet shqiptar. Erdhën njerëz të regjur për pehlivanizëm dhe për gatishmëri të bashkëpunojnë me qarqe të huaja, që hiqen si mike, por në të vërtetë, nën rrogoz e bënë dhe po e bëjnë punën e qarqeve armike. Fjala vjen, kur nga qarqe të huaja “aleate” kërkohet ndonjë bashkëpunëtor “këshilltar” apo ndërmjetësues; popull - me faktorët e huaj, aty nuk ka mundësi kurrsesi që të ofrohet ndonjë njeri humanist, intelektual i mirëfilltë, atdhetar i dëshmuar, por ofrohen “njerëz” servilë, që as i kanë mbrojtur kurrë të drejtat tona kombëtare, as nuk e bëjnë sot këtë punë të devotshme. Por, çka e bën edhe më të rrezikshme çështjen, është fakti, që, edhe nga qarqet e diplomacisë ndërkombëtare, që për më tepër se një decenie, në trojet shqiptare po vijnë “bedelët” e Maxhar Pashët, e tipave të “Marrëveshjeve” të arkitektëve Ahtisari dhe Çernomerdin & Co, kudo në trojet shqiptare.
Politika toptaniste e udhëheqjes së Tiranës, Prishtinës, Shkupit, i ka lënë shqiptarët vetëm në mëshirë të fatit!
Si mund të arsyetohet fakti fjala vjen, që në debatin për emrin e Maqedonisë, për historinë dhe për kulturën tonë nuk dëgjohet zëri i udhëheqjes “shqiptare”, por për ë gjitha këto çështje aq vendimtare për popullin tonë, vendosin apriori vetëm politikanët maqedonas dhe “aleatët” tanë.
Të mbytur në një letargji të pafalshme, gjithashtu, po veprojnë dhe akademitë shkencore në Tiranë dhe në Prishtinë.
A ka më mjerim politik se fakti, që kryeministri Sali Berisha në kor me Ali Ahmetin vajtojnë ditë e natë pse Maqedonia nuk u pranua në aleancën euro-atlantike! Pikërisht për këtë, këto ditë Ali Ahmeti deklaroi se qeveria e Shqipërisë është lobuesi kryesor që Maqedonia të pranohet në strukturat ndërkombëtare…
Pyetje: Dihet fakti se ne jemi vende fqinje, mos i shkon përshtati kjo mirësjellje e politikanëve në Tiranë dhe në Prishtinë popullit shqiptar në Maqedoni e Kosovë?
Përgjigje: - Aspak! Kjo, më kujtoi rastin, kur Sali Berisha qe i pari, i cili në vitin 1993 e njohu Maqedoninë shtet, pa asnjë kusht, as garanci për të drejtat e shqiptarëve, kur dihet fakti që shqiptarët janë popull shumicë në Maqedoni, me afër 40%, (zyrtarisht, 25% ), pastaj, qe pikërisht Sali Berisha - njëshi i politikës toptaniste në Ballkan, i cili, kur e theu embargon tregtare me naftë: Serbi-Mali i Zi; në atë kohë nuk pranonte se po e bënte këtë, ndërsa, kur kjo vepër e kriminalitetit ekonomik doli sheshit botërisht, ai tani deklaron pa pikë turpi se “këtë e kam bërë për të mirën Kosovës”.
Dihet nga të gjithë se Sali Berisha ka deklaruar disa herë, madje dhe në shtypin e huaj se, “jam kundër ribashkimit kombëtar” dhe këtë përpiqej ta argumentonte me “faktin” se forcat që janë për bashkim kombëtar, nuk arrijnë as 2%, kurse tani bën demagogji politike, duke thënë se: “angazhohem për bashkim kombëtar, por pa e cenuar sovranitetin e dy shteteve shqiptare në Ballkan”!…
Shtrohet pyetja; si po u cenuaka sovraniteti i Kosovës, kur kjo i ribashkohet Shqipërisë?!
Apo, si i rrezikohet sovraniteti Shqipërisë, kur asaj i ribashkohet pjesa e vet - Kosova Shqiptare?!
- Ndërsa Salua, harron se Kosova tani është pa sovranitet, sepse Serbia çdo ditë po e shkelë rëndë sovranitetin e saj.
Pyetje: Kur i thua këto, a mund të na faktosh konkretisht përse kujton kështu?
Përgjigje: - Natyrisht, se po! Shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut pandalshëm e financojnë Maqedoninë. Pra shqiptarët, ani pse nuk kanë vende të hapura pune, nuk kanë bujqësi as industri të zhvilluar, të rëndë as të lehtë. Sepse, nuk mund të konsiderohet industri e zhvilluar; p.sh. një dyqan zejtari: (tekstil, këpucëtar, argjendtar etj.) si nisma të privatizimit të vogël - të cilat prej tyre vetëm shteti ka përfitime të mëdha. Prandaj, konsideroj që nga aspekti ekonomik jemi shumë të diskriminuar. Megjithatë, kjo popullatë e financon shtetin maqedon. Pastaj, ne tani i numërojmë mbi 150.000 shqiptarë që jetojnë në mërgim! Ata, tërë kohën i derdhin mjetet e tyre financiare në bankat e këtij shteti.
... Dhe, shih si shpërblim nga ky shtet kundërdemokratik diskriminohemi në të gjitha sferat e jetës, atje, ndaj shqiptarëve lejohet anarkia - kudo dhe kurdoherë.
Ithtarët e flaktë, “fundamentalistët partiakë”, këtë anarki e shfrytëzojnë për interesat e tyre dhe e konsiderojnë si vlerë demokratike.
Pyetje: Pse mendon që Kosova nuk ka sovranitet?
Përgjigje: Përderisa, Kosovën e administrojnë OKB-ja dhe BE sipas Rezolutës famëkeqe, 1244, Kosova me këtë lloj “pavarësie të kushtëzuar” ka mbetur si i thonë fjalës: “as mish as peshk” …Pra, ka mbetur pa ushtri, pa gjyqe të mirëfillta të drejtuara nga shqiptarët, pa diplomaci të mirëfilltë të drejtuar nga shqiptarët, pa ulëse në OKB, Si duket edhe këtu, qarqet ndërkombëtare po duan të bëjnë eksperimente me shqiptarët, duke mos u dhënë të drejtë për të vendosur në dikasteret ku veprojnë, që pushtetarët: pozitë-opozitë nuk kanë asnjë qëndrim të tyre që mund të realizohet. Atyre u lejohen vetëm ato qëndrime që i marrin të huajt, por jo vetëm kaq, atyre u lejohen si shpërblim për ruajtjen e “status-quos”, paqes në rajon; siç janë korrupsioni, kriminaliteti etj, etj…
Faktikisht, në Kosovë nuk ka opozitë të mirëfilltë, që proteston për të drejtat e popullit.
- Me këtë rast përkujtoj, që opozitë e vetme dhe serioze që proteston për këto të drejta është Lëvizja Vetëvendosje. Nuk ka dëshmi më të fortë se kjo Lëvizje, kur vet miku i “partive demokratike” ish-amabasadori i OSBE, William Walker, deklaroi: ”E vetmja opozitë në Kosovë është Lëvizja Vetëvendosje”.
Pyetje: Këto ditë u festua tetë vjetori i “Marrëveshjes së e Ohrit”, ndërsa kryetari i partisë PDSH-së, Menduh Thaçi, doli me propozimin që të bëhet një “Marrëveshje e Re” me Maqedoninë, sepse “Marrëveshja e Ohrit” dështoi. Si mendon për këtë çështje? A u realizua kjo “Marrëveshje” dhe a ka të drejtë, M. Thaçi?!
Përgjigje: Po, M. Thaçi, ka të drejtë kur konstaton që kjo “Marrëveshje” ka dështuar. Por harron M. Thaçi se partia e tij ishte një përkrahëse e madhe e kësaj maskarade, për të cilën shumëherë kam deklaruar brenda këtyre viteve se - kjo është vetëm një hedhje hi syve për popullin shqiptar dhe asgjë të mirë s´do të kemi prej saj. Kur them kështu, kujtoj që, më shumë janë vrarë ish-ushtarë të UÇK-re pas luftës, se gjatë luftimeve.
- Nga kjo e them me bindje të plotë se M. Thaçi dhe PDSH-ja nuk janë të sinqertë në politikën kombëtare, pikërisht qe PDSH-ja, ajo që ishte në koalicion në qeverinë maqedonase, kur shqiptarët bombardoheshin dhe vriteshin nga qeveria PDSH-VMRO.
Menduh Thaçi, kur flet për “Marrëveshje të Re”, manipulon me elektoratin shqiptar. Me këtë rast e përforcoj mendimin tim se ky dhe ish-udhëheqësi i PDSH-së, Arbër Xhaferi, e kanë një mani politike të përsëritshme, që kur janë në pushtet i harrojnë premtimet ndaj elektoratit, bëhen sylesh, përballë padrejtësive; ndërsa, kur bien në opozitë fillojnë farsat “patriotike” dhe kinse shpikin ide të reja në dobi të popullit shqiptar.
Nga kjo konstatoj përsëri se “Marrëveshja e Ohrit” ka vdekur njëherë e përgjithmonë, duke u bazuar në dhunën e pandalshme që po ushtrohet ndaj katundeve shqiptare mbi popullin e pambrojtur. Kujtoj këtu Sopotin, Brodecin dhe në fund çka është më tragjike, kur në sytë e policëve maqedonë dhe opinionit botëror, “komitët” maqedonasë, të përbërë nga një grup i madh huliganësh prej mbi 300 vetash, i sulmuan qytetarët shqiptarë rrugëve të Shkupit dhe në shtëpitë e tyre.
Pyetje: Kur jemi këtu tek kjo “ide novatore” e M. Thaçit, me sa më kujtohet për herë të parë këtë nismë e ka kërkuar politologu, Bardhyl Mahmuti?
Përgjigje: Po, ashtu është! Mirëpo, siç e ceka më lart “pehlivanët politikë” këtë mjeshtri e kanë; - t´ia vjedhin idetë dikujt tjetër. Mirëpo, kujtoj që edhe vet Bardhyli do të ishte i kënaqur sikur PDSH-ja do të arrinte të bënte ndryshime pozitive në favorin e kërkesave të ligjshme që shqiptarët të jenë të barabartë me maqedonët. M. Thaçi dhe partia e tij nuk mund të bëjnë ndryshime pozitive politike në favor të kombit shqiptar, sepse qerren e kanë lidhur gabimisht; me ata që “hesapet “ i bëjnë pa hanxhiun; kur vetëm para pak ditësh, ky servil politik, përkrah Ramush Haradinajt e përshëndetën “fitoren” e vjedhje-zgjedhjeve nga Sali Berisha.
Pyetje: Po si mendoni kështu, kur ai me ose pa probleme, me ndihmën Ilir Metës e fitoi të drejtën për ta keq-qeverisur Shqipërinë edhe katër vjet të zeza?
Përgjigje: Po, ke plotësisht drejt! Sepse, Saloja që prej viteve 90-ta, kur erdhi në pushtet mbolli dhe druaj se ende do të mbjellë vetëm tragjedi për kombin shqiptar. Kujtojmë njohjen e Maqedonisë okupatore pa kushte; kujtojmë furnizimin me naftë për Serbinë; kujtojmë piramidat “ e famshme” që e sollën në prag shkatërrimin Shqipërisë; kujtojmë Otranton dhe fatkeqësinë e madhe të tmerri që e neveriti opinionin botëror se i ajo e Gërdecit; ndërsa për “shpikjen” e “kombit kosovar” mund të konstatoj lirisht që edhe ky politikan i prapë ka gisht!
Unë habitem pakufishëm, si ka mundësi që Gjenerali i famshëm në luftën çlirimtare, Ramush Haradinaj, duke ia njohur të gjitha këto krime e turpe, që këtu as s´po kemi mundësi t´ia numërojmë të gjitha; të bëjë gabim të tillë fatal; që ta´ia uroj “fitoren” e pushtetit, atij që nuk e meriton.
Nuk pajtohem me mendimin që: Sali Berisha nuk e njeh politikën, si sot më kujtohet, kur me rastin e nënshkrimit të Rambujesë, i bëri ftesë publike delegacionit shqiptar në atë Konferencë që të mos e nënshkruajnë; sepse kjo është tradhti kombëtare. Ndërsa, tani pa pikë turpi e mohon një ftesë-deklaratë të tillë aq famoze! Madje, u kthye në një vasal i krejt botës në dëm të çështjes shqiptare. Sali Berisha, me të dy këmbët po e shkelë Kushtetutën e Shqipërisë.
Propozoj që ne shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut të ngritemi dhe të protestojmë kundër kësaj qeverie që po i bën shkelje flagrante Kushtetutës në fuqi. Ky “politikan i prapë” nuk e respektoi Kushtetutën Socialiste e dalë nga pushkët partizane, kurse tani e shkelë edhe këtë Kushtetutë e dalë nga votat popullore demokratike.
Pyetje: I nderuar, siç u kuptua ca vonë; se u thelluam në çështje të mëdha të pazgjidhura kombëtare, prandaj, sa nuk harrova të të pyes si kalove gjatë muajit korrik në atdhe?
Përgjigje: Eh, si të të them; në vendlindje kalova mirë, u çmalla me të afërmit; miq, shokë e të tjerë…, mirëpo, duke u kthyer nga Tetova në Prishtinë, (sepse, e kisha biletën e aeroplanit nga Prishtina në Kopenhagë). - Kur arrita në pikën kufitare të Jazhincës, e cila tani u bë pika më rrezikshme për kalimin e atdhetarëve shqiptarë; ua përkujtoj lexuesve se kjo pikë kufitare u krijua që me njohjen e Maqedonisë së pavarur. Pra, aty më ndaluan, siç më kanë ndaluar disa herë, pasi emri im është i regjistruar në kompjuterët e kufitarëve si preson i papërshtatshëm.
- Aty, më arrestuan, me ç´rast m´i morën telefonin, pasaportën, dokumentacionin dhe prisnin urdhër nga Ministria e Brendshme e Shkupit, si të vepronin, me rastin tim. Më njoftuan policët kufitarë se ti duhet të presësh derisa të vinë inspektorët e sigurimit maqedonas, nga Shkupi. Pas një pritjeje katër-pesë orësh, erdhën dy punëtorë të sigurimit. Ata më morën në pyetje disa orë, natyrisht, se interesoheshin për veprimtarinë time dhe të disa shokëve të mi.
- U thosha se disa prej tyre i njoh, mirëpo, pluralizmi politik disi ka krijuar përçarje midis ideve partiake, shokët e mi natyrisht se kanë ide të ndryshme, aderojnë në parti të ndryshme, prandaj jo rrallëherë ka raste kur shokët edhe po grinden midis tyre për këto; unë jam nga ata që nuk dua të konfrontohem me njerëzit e në veçanti me shokët, për të tilla mospajtime. Pastaj, kur e kuptova qëllimin e tyre se ata interesoheshin të pyesin për njerëzit; ua thashë prerë: unë, nuk mbajë mend njerëzit çka flasin, dhe nuk dua të bëhem papagall i tyre; por unë përgjigjem vetëm pyetjeve për veprimtarinë time politike dhe humanitare.
- Nuk dua ta fshehu para lexuesve. Ata nuk më keqtrajtuan fizikisht, për faktin që pranova edhe të bisedoj pa praninë e avokatit tim. Mirëpo, reagova atëherë kur ata m´i morën numrat nga celulari im, pastaj, më pyesnin për njerëzit që numrat e tyre ishin aty. Më skandaloze dhe anticivilizuese qe fakti, që ata m´i morën edhe numrat e qeveritarëve, gazetarëve e të miqve danezë.
Unë iu deklarova; jam i pastër si loti! Them kështu, sepse jam luftëtar i paepur ndaj padrejtësive kudo që ndodhin nëpër botë; ndaj falsifikimeve, veprave kriminale ekonomike dhe të gabimeve nga keqbërësit si shpërndarja me drogë, prostitucioni e të tjera dukuri negative që janë të ndaluara me ligje ndërkombëtare. Pas tetë orësh më liruan për të udhëtuar në Prishtinë.
T´u them të drejtën, tërë kohën aty brenda isha i qetë, ndërsa, kur dola dhe po udhëtoja në pikën kufitare me Kosovën u ndjeva shumë keq i shqetësuar, sepse m´u kujtua se kështu si mua, po i ndalojnë veprimtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, si Albin Kurtin me shokë. Gjithashtu, kujtoj këtu faktin sa shumë u revoltova, kur pashë që, në kufirin e Maqedonisë e njohur ndërkombëtarisht plotësisht shtet i pavarur, ishin ca baraka të vogla, ndërsa në pikën kufitare të Kosovës, ende jo sovrane, ishin bërë barrikada të pakapërcyeshme, marramendëse… Ndërsa, politikanët kokëshkretë të “kombit kosovarë” dhe ata “shqiptarë”, bëjnë zhurmë nëpër oda gjatë festave, dasmave e “mevludeve” kinse, jemi për bashkim kombëtar
I nderuar, të falënderoj për intervistën, ishte kënaqësi, që ishim bashkë!
Faleminderit, gjithashtu!
Intervistoi: Fadil Shyt
Kopenhagë, 22 Gusht 2009
_____________________
marrë nga diplomacia.dk |
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 35 vizitorë |
| Lexuar:
1,405 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash... |
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34 Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur... |
| KRAHËT E SHQIPES |
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25 Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“
⁃ Kush është zonja. Ma... |
më shumë nga - Intervista » |
|
|
|
|
|