| Gjyqi i Hagës nuk mund të rihapet! |
| Publikuar më 05 shkurt, 2010 në orën 18:57 ( ) |
Të ndryshme | |
|
|
|
Prej respektik për çfarë lidhet me kontributet shkencore e politike të Prof. Paskal Milos, e po aq, edhe i shtyrë nga një vëmendje e veçantë që ka të bëjë sa me natyrën time aq edhe me profesionin, lexova me shumë interes intervistën e tij më të fundit me objekt incidentin e Kanalit të Korfuzit, të botuar në “Gazetën Shqiptare” të datës 2 shkurt të këtij viti, e shërbyer për lexuesit me kërkesën për rihapjen e Gjyqit të Hagës.
Ngjarja e 64 viteve të shkuara, ndodhur fare pak kohë pasi kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore e në kohën kur konturohej ndarja e botës në dy kampe, ka qenë dhe ende vazhdon të jetë një çështje shume sensitive në marrdhëniet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar; të dy vendet kanë qenë aleatë gjatë Luftës në koalicionin antifashist, misionet britanike (kryesisht ushtarake) kanë asistuat Lëvizjen Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe kryesisht forcat partizane shqiptare janë mbështetur edhe me ndihma material prej qeverisë britanike. Pavarësisht rezervave të ndërsjellta mbase për arsyen se po dukej qartë që orientimi i qeverisë shqiptare ishte drejt Lindjes komuniste, gjithësesi deri në incidentin e Kanalit të Korfuzit mund të themi se kemi të bëjmë me dy vende aleate.
Historia e marrdhënieve shqiptaro-britanike e veçmas incidenti i Kanalit të Korfuzit edhe më parë ka qënë objekt i kërkimeve shkencore të Prof. Milos, i cili me gjithë kontributet e vyera, nuk rresht se hulumtuari në këtë fushë, dhe siç shprehet vetë edhe në intervistën së cilës po i referohem, vazhdon të mbetet edhe më tej temë e preferuar e projekteve të tij shkencore. I bindur se edhe vepra e pritshme do të jetë në lartësinë e emrit të tij si punëtor i shkencës, dëshiroj të nënvizoj se përmes këtyre rradhëve nuk kam synim të bëj ndonjë vlerësim a të jap ndonjë opinion për veprën shkencore të Prof. Paskal Milos, sado që jam ndër ata lexues që e njoh, dhe madje përgjithësisht mirë. Pra, afërmendsh, nuk kam synim as të polemizoj, pasi në aspektin parimor ndaj me të të njejtin qëndrim përsa i përket vendimit të padrejtë të Gjykatës së Hagës në lidhje me Incidentin e Kanalit të Korfuzit.
Kërkimet arkivore që kam kryer mbi jetën dhe veprimtarinë e një personaliteti të shquar te gjeologjisë europiane, e padyshim ndër themeluesit e gjeologjisë shqiptare si Stanislav Zuber, më kanë shtyrë të qëmtoj edhe në klimën e pergjithshme të marrdhënive shqiptaro-britanike, të cilën për ta kuptuar më mirë më është dashur të konsultohem edhe me veprën e zotit Milo, e natyrisht, edhe të shumë autorëve të tjerë; specialistë të së drejtës ndërkombëtare, historianë, diplomatë, publicistë etj.
Ndaj, pa hyrë në “sinoret” e tyre e në respekt të kontributeve të çmuara që sjellin, po guxoj që nga pikëvështrimi im si publicist e njeri i politikës, të merrem edhe unë në këto rradhë me Kanalin e Korfuzit dhe konkretisht me tezën e rihapjes së Gjyqit të Hagës, me bindjen se debati e ballafaqimi i mendimeve, gjykimeve, opinioneve etj. mund të na ndihmojë për të mbërritur në një qasje realiste e të bazuar shkencërisht po e po, por të tillë edhe në rrafshin e të drejtës që bazohet në ligj.
Sepse nëse flasim për gjyq apo gjykatë në kuptimin juridik të termit, atëherë nuk na vlejnë konsideratat, opinionet, mendimet a dëshirat, pavarësisht synimit të mirë që ato mund të kenë. Dhe kjo vlen edhe në rastin kur artikulojmë apo shprehim mendimin se nën dritën e “fakteve të reja” të publikuara sëfundmi, duhet të rihapet apo të ribëhet Gjyqi i Hagës për incidentin e Kanalit të Korfuzit.
Në pamje të parë apo nisur nga një perceptim naiv teza e rihapjes së gjyqit të Hagës duket se romatike aq edhe patriotike. Mirëpo e drejta muk mund te bazohet vetëm mbi emocione apo edhe sugjestione, edhe kur jemi të bindur në padrejtësinë e një vendimi, edhe kur reagimet mund vijnë prej kënaqësisë apo entusiazmit të zbulimit apo njohjes së një fakti, dokumenti apo prove të re, nëse mund t’i quajmë të tilla dokumentat që citojnë apo që ofrojnë permes shtypi shqiptar disa studiues apo të pasionuar pas dokumentave arkivore. Shprehem në ketë mënyrë, sepse di që shumë prej dokumentave që po na serviren si zbulime të reja, rezulton të jenë njohur më hërët prej studiuesish a specialistësh të së drejtës ndërkombëtare, ani pse ata nuk kanë nxituar të thërrasin Eureka.
Nga e njejta pozitë, pra si qytetarë i këtij vendi që lexon apo sheh nje dokument a disa të tillë, edhe unë do të nxitoja të artikuloja menjëhere kërkesën për rihapjen e Gjyqit të Hagës e do t’i kërkoja qeverisë shqiptare të bënte gati kërkesën, të plotësonte dosjen, të gjente avokatët e gjithë çfarë kërkon një punë e tillë. Sepse realisht do të doja që mbi vendin tim të mos ketë asnjë ndjenjë fajësie, të mos ketë asnjë penalitet apo përgjegjësi, pavarësisht se me cilën kohë a me cilin rregjim lidhet ngjarja për të cilën po flasim. Mirëpo çështja nuk është kaq e thjeshtë. Dhe për shkak të seriozitetit e përgjegjësisë me të cilën duhen trajtuar ngjarje e momente të tilla, sidomos kur ata që investohen janë historianë të rrangut të parë a intelektualë që imponojnë një vëmendje të veçantë të publikut ndaj tyre, veçmas kur implikohen marrdhëniet ndërshtetërore, nuk mund të rrëmbehemi e të flasim thjeshtë e vetëm ashtu si do të donim ne të ndodhte.
Edhe për mua personalisht, e mira që në rastin në fjalë lidhet me të vërtetën e do që Gjyqi i Hagës të rihapet, që vendi im edhe de juro të rezultojë i pafajshëm. Aq më tepër po të kemi parasysh edhe disa fakte të tjera që na vijnë në ndihmë. Fjala vjen është i njohur fakti që Britania e Madhe që prej vitit 1981 ka hequr vetë dorë prej penaliteteve të Gjyqit të Hagës dhe diplomacia e saj me Shqipërinë u kthye në formulën “një sterlinë përgjegjësi”. Po kështu, kryeministrja britanike M. Thatcher i ka dërguar qeverisë së Shqipërisë në vitin 1982 një çek me të gjithë vlerën e arit monetar që mbahej peng për shkak të incidentit të Kanalit të Korfuzit. Mirëpo, pavarësisht fakteve e dokumentave të njohura e të panjohura, pavarësisht vullnetit të njërit apo tjetrit studiues e pavarësisht dëshirës së mirë që mund të shprehë secili prej nesh, Gjyqi i Hagës për incidentin e Kanalit të Korfuzit nuk mund të rihapet, pasi procedurat e investimit të këtij institucioni janë rreptësisht të përcaktuara e të kodifikuara në Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare. Dhe duke iu referuar ketij dokumenti bazë, do të kuptojmë se sa e pambështetur ne ligjin ndërkombëtar është kërkesa për rihapjen e Gjyqit të Hagës. Per të qenë më konkret po citoj pikën 5 të nenit 61 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare në të cilën thuhet shprehimisht: “Nuk mund të paraqitet asnjë kërkesë për rishikimin e vendimit, pasi kanë kaluar dhjetë vjet që nga data e dhënies së vendimit”. Unë nuk jam historian dhe as jam marrë me studime që lidhen me çështje të historisë së diplomacisë. Nuk jam as jurist dhe aq më pak specialist i të drejtës ndërkombëtare. Por puna si gazetar e drejtues gazete më ka shpënë edhe nëpër arkiva, më ka detyruar të merrem edhe me histori e njerëz që kanë qënë protagonist në ngjarje historike. Gati njëzet vjet në profesionin e publicistit dhe po aq karrierë në politikë më kanë mësuar ta nderoj dhe respektoj punën e tjetrit e pikërisht për shkak të kësaj kredoje, mendoj se ideja e rihapjes së Gjyqit të Hagës, përveç sensasionit si titull gazete, nuk ka sjell ndonjë shërbim tjetër.
Eshtë e vërtetë që prej efekteve të vendimit arbitrar te Gjyqit të Hagës është mbajtur peng për më shumë se 50-vjet 2.6 tonë ar, i cili bëhet edhe më i vlefshëm po të kemi parasysh faktin se ishte ar numizmatik, është e vërtetë që po prej të njejtit vendim të Gjyqit të Hagës kemi humbur edhe të gjithë interesat e sasisë së mbajtur peng, por e vërteta duhet të na ndihmojë ta kërkojmë dhe ta mbrojmë atë deri në cakun ku mbrojtja e të vërtetës nuk kthehet në të kundërtë e vet.
Luan Rama
Gazeta Shqiptare |
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 6 vizitorë |
| Lexuar:
1,132 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| Duam Përgjegjësi |
E mart, 23 mars 2021 - 21:08 Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le... |
| 40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ... |
E diel, 21 mars 2021 - 15:45 40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit
Poliklinika 3L, hist... |
| NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q... |
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04 JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA... |
| NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE... |
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01 Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda!
Profesorin e nderuar, pata fatin që t... |
më shumë nga - Të ndryshme » |
|
|
|
|
|