Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
STAFETA E FUNDIT - Tregim
Publikuar më 06 shkurt, 2010 në orën 17:57 ( ) Sami Islami | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Viti 1987 ishte viti kur për herë të fundit anë e kënd Kosovës u bart, e ashtuquajtura, „Stafeta e rinisë“. Kështu quhej atëherë kjo stafetë që lidhej me ditëlindjen e presidentit dinak të Jugosllavisë së atëhershme, të antishqiptarit Tito. Është e çuditshme të theksohet se kjo stafetë , edhe pas 7 vjetësh, qëkur kishte vdekur presidenti, vazhdonte të festohej në Jugosllavi, pra edhe në Kosovë.

Si zakonisht, edhe sivjet, pra, të rinj e të reja në tërë Kosovën e prisnin dhe e përcillnin me këngë e valle stafetën. Kjo qe stafeta e fundit , e cila do të mbahet mend edhe për faktin se në këtë vit, në Prishtinë, një grup studentësh për pak sa nuk arritën ta rrëmbenin këtë stafetë, me qëllim që ta hedhnin në kanalizim! Por shpëtoi! Dhe si duket ky qe ndoshta edhe „mësimi“ që kurrë më nuk u prit as nuk u përcoll stafeta!
Megjithatë, edhe këtë vit, partiakët, të përkushtuarit e regjimit, bënin ç’mos, që kjo pritje e përcjellje e stafetës të shkonte si më së miri. Bile po të ishte puna që ata të pyeteshin për stafetën, Zoti e di se edhe sa vite do të zgjaste kjo.
Në televizionin e atëhershëm, disa partiakë, komunistë të devotshëm, frymën e „vëllazërim-bashkimit“ donin ta zgjatnin edhe me tej! Edhe pse dukej qartë se Serbia po bënte plane ndër më ogurzezat për shqiptarët, kjo nuk u bënte përshtypje partiakëve! Duke qenë se punonin në mediumin ku kjo punë do të dukej më së shumti, përpiqeshin të jepnin maksimumin, për ta ruajtur sistemin që po vdiste.

Miri punonte atëherë në këtë medium, pra në televizion. Një ditë Miri kishte punë në montazhë (Montazhë quhej vendi ku bëhej montimi i filmave). Aty do të montonte një emision, dhe derisa po priste të vinte montazheri, ndërkohë, kishin ardhur disa kolegë të tij të një programi tjetër, bashkë me redaktorin e tyre. Siç më tregonte Miri, redaktori e kishte emrin Mender, por shkurt e quanin Eri. Ai ishte një njeri trashalluk, me bark sa gati nuk ia prekte gjunjët. Zakonisht veshte këmishë, të cilën e hedhte mbi pantollona.Nuk mbate rrip të brezit, se edhe sikur të donte, nuk di se ku do të gjente rrip të tillë për të blerë? Po as nuk do t’i hynte në punë, se zor se do ta përthekonte barkun e tij sa një kosh! Pantollonat i mbante me rripa mbi supe! Mbante syze të rrumbullakta, sa të lente përshtypjen e një udbashi të regjur. Ata e kishin sjellë edhe montazherin e tyre me vete. U ulën rreth tavolinës së montimit dhe ishin gati për ta shikuar emisionin, që paraprakisht e kishte përgatitur Lili. Fundja kjo kontrollë kishte të bënte drejtpërdrejt me syçeltësinë e Lilit, se a mos kishte depërtuar në emisionin etij diçka e dyshimtë. Prandaj Lili edhe dukej pak si i merakosur. Përsoni tjetër që ishte me ta ishte i veshur bukur dhe mbante qëndrim serioz.

Në makinën bukur të vjetëruar, montazheri e vendosi rrotën e madhe filmike. E startoi filmin dhe në ekran filloi të prezentohej rrugëtimi i stafetës nga një vend në tjetrin. Atmosfera e hareshme e të rinjve filloi të hynte në dhomën gjysëm të errët. Këtë atmosferë e plotësonte natyra e bukur pranverore e Kosovës,me gjelbërimin e pafund, lulet e freskëta të kësaj stine. Në disa sheshe kishin ngritur edhe tribuna, ku dukeshin partiakët duke mbajtur fjalime! Tribunat ishin poashtu të rregulluara bukur me flamuj shtetëror dhe kombëtarë. Dukeshin djem e vajza shqiptare, të veshura me kostume kombëtare...
Të gjithë që ishin aty po e ndiqnin stafetën (filmin) me interes. Duke mos pasur se çfarë të bënte, të njëjtën gjë po e bënte edhe Miri. Edhe ai po e shikonte, por pa ndonjë interersim të veçantë. Ai po e shikonte filmin vetëm sa për ta kaluar kohën! Në këtë mes dallohej sidomos Eri, i cili i kishte bërë sytë katër, si thonë. Ai nga koncentrimi, i kishte zgugurdhuar sytë sa kishe bindjen se edhe pak e do të futej brenda në ekran! Nuk di se sa minuta kaluan duke e ndjekur filmin. Në dhomën e freskët dhe mjaft të errët, ku dëgjohej vetëm zhurma e lehtë makinës, qetësinë e theu e zëri i Erit, i cili në mënyrë autoritative i tha montazherit:
- Stop! Ndale filmin këtu! Afroje pakëz! Përqëndrohu në këtë skenë! Pak më majtas! Pak më djathtas! Stop! Dhe në ekran tani dukej vetëm një fotografi filmike e ngrirë! Në këtë moment Eri, u mbështet në karrige, se deri atëherë kishte pasur qëndrimin të kërrusur, duke e zgjatur kokën në drejtim të ekranit. Mori pozicionin vertikal, u shlirua pakëz dhe duke mos i hequr sytë edhe më nga ekrani, sikur të kishte zbuluar ku ta dish se çfarë, iu drejtua atij mikut që kishte ardhur me të, me fjalët:
- A po e sheh?
- Po, tha miku i tij mjaft serioz (ashtu siç ishte vazhdimisht).
- Ti , a po e sheh?- i tha edhe autorit.
- Po, tha edhe Lili, autori i emisionit , me një lloj pendimi, sikur të kishte bërë ku ta dijsh se çfarë faji.
Kur e dëgjova këtë dialog, vazhdonte rrëfimin Miri , e sidomos fjalët e Erit “a po e sheh” më bënë kurreshtar të afrohem më afër dhe të shoh se çfarë do të jetë kjo, vallë, që të tretë po e “shohin”! Tani e përqëndrova edhe unë shikimin në këtë fotografi por nuk shihja asgjë, bile edhe po të kisha qëndruar edhe me orë të tëra nuk besoj se do të kisha “gjetur” diçka që do të më zgjonte kurreshtjen. Nuk durova më gjatë dhe e pyeta Erin:
-A po më tregoni, çfarë po shihni, se unë vërtetë s’po shoh asgjë!?
-Edhe pse nuk e sheh , nuk po ta zëmë për të madhe, se ti nuk je për këtë punë! – më tha Eri si me ironi! Të them të drejtën më erdhi inat , tregonte Miri, që “bosi”më tha se “ti nuk je për këtë punë”, dhe insistova edhe më me ngulm ta mësoja këtë „zbulim“ të tyre!
-Mirë.- tha Eri. A po e sheh këtë vajzën këtu me qifteli në dorë?
-Po, e shoh, i thashë , por çfarë të keqe paska këtu!?
-A po e sheh se në qifteli po shkruan “Shqipëria”?!
-Edhe …?!
- Si edhe….?! A e di ti që, po të dali nesër kështu në TV çfarë skandali do të bëhej?! Unë do të fluturoja nga vendi im i punës! Se puna ime është kjo, të mos lëshojmë asnjë gjë që i del ndesh politikës programore! Ne e ndjekim rrugën e partisë…
(Aha!Tani m’u kujtua! Harrova të them se Eri ishte vërtetë edhe sekretar partie).
- A di çfarë shoku Eri, se atëherë me “shok” i drejtoheshim njëri-tjetrit, si në të gjitha sistemet komuniste, që të mos kemi probleme sot e tutje , e mira do të kishte qenë që emrin “Shqipëri” ta heqim fare! Ta shlyjmë fare ! E, si thua ti?- i tha Miri si me ironi. Po Eri, duke mos dashur ta çonte bisedën më gjatë tha:
-E dimë ne atë punë, ti shikoji punët tua!- tha dhe vazhduan shikimin….
I lashë duke “punuar”, vazhdoi tregimin Miri, se në atë kohë më erdhi edhe montazheri im dhe po shikonim të gjenim një vend tjetër për të punuar emisionin tonë. Por, në të njejtën kohë, po meditoja: si qe e mundur Eri ta “vërente” një gjë të tillë, që për mendimin tim as udbashi tjetër më i rryer qoftë, nuk besoj se do ta kishte “vërejtur” një gjë aq të parëndësishme!? Dhe edhe sot nuk e kam të qartë, a e kishin parë edhe Lili me mikun e Erit , apo ata thanë “po” vetëm sa për t’u treguar se edhe ata ishin “symprehtë” para Erit! Çfarë syri të sëmurë kishte ky Eri? Se vërtetë vetëm një sy i prishur, si i tij, do të mund të “shihte” atë fjalë të shkruar në qifteli në atë grumbull të madh të rinjsh me instrumente të ndryshme në duar! A ka censurë më paradoksale, se censura kur vjen nga shqiptari për shqiptarin! Regjimi serb ushtronte represion të pa parë mbi shqiptarët, kurse shqiptarët si Eri , për të treguar servilitetin e tyre ndaj Serbisë e goditnin akoma më shumë shqiptarin dhe veten!
Duke u kthyer edhe një here tek filmi për stafetën, vlen të theksohet se të nesërmen, Miri e kishte marrë vesh se Eri, për çudi, atë pamjen ku dukej vajza shqiptare me qifteli e kishte mbuluar me një fotografi tjetër, vërtetë për të mos u parë fjala “Shqipëri”!
Dhe ironia e kohës nuk përfundon këtu. Ky Eri edhe sot në demokraci “udhëheq” një television privat në Kosovë!

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Sami Islami
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 16 vizitorë
Lexuar: 2,801 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi