| FAMILJA JASHARI ËSHTË KRENARIA, NDERI I KOMBIT TONË! |
| Publikuar më 07 mars, 2010 në orën 18:18 ( ) |
Histori | |
|
|
|
Ata që dridhen e shëmbën muret e pakalueshme të robërisë, ata që i dhanë dërmën skllavërisë, ata që ngritën në nivel, në vend nderi emrin e shqiptarisë, që nuk hezituan të shuhen deri në fund, por që nuk u shuan, mbijetuan: Jasharajt e Drenicës së Tahir Mehës, Ahmet Delisë, Azem Galicës, Shaban Polluzhës, janë mësuesit më të mirë të historisë, dashurisë, mbrojtjes, sakrificës të lirisë së atdheut tonë. Jasharajt e Prekazit, janë familja patriotike që na mësuan rrugën, se si punohet, si jetohet, si mbrohet, si vdiset për të mos vdekur kurrë për Atdhenë, janë familje legjendë, janë krenaria, nderi e shembulli flijues për popullin shqiptar.
Mos dëgjoj të thotë asnjeri, se u vranë, se shkuan, se nuk e dinin, se nuk e kishin planifikuar, jo, jo...! Nuk kanë të drejtë të thonë çfarë t’u bie në mend, mos të harrojnë, se ata ishin, e janë shembulli i rezistencës, i vetflijimit, mos të harrojnë, se si të tillë që ishin edhe fëmija i palindur në atë familje ishte i vetëdijshëm për rrugën e etërve e nënave të tyre!
Dëgjoj tek-tuk zëra të ngjirur që tentojnë ta quajnë të pa pritur, të pa pregatitur fizikisht e mentalisht ngjarjen, luftën ballë për ballë që zhvilluan Jasharajt me armikun që bëri botën mbarë të trandej, të zgjohej nga gjumi i padrejtësisë shekullore, ngjarjen, luftën që i dha vulën e lirisë vendit tonë, ata zëra më mirë është të përpiqen të edukojnë pasardhësit e vet siç bënë Jasharajt, në frymen liridashëse-patriotike!
Nga krismat e martinës, në marsin e bardhë, të acartë, në atë fundimër që u skuq, nga gjaku rrëke që ujiti tokën shqiptare, u zgjua bota mbarë, u rikujtuan, se ekzistuaka një popull i quajtur shqiptar që jeton në Evropë, në shekullin e ri ende në robëri, prandaj, gabohen ata që përpiqen të ndryshojnë realitetin. Atëherë, kur shumica e njerëzve ishin pajtuar me skllavërinë, Jasharajt bënin plane për lirinë, atëherë kur rrallëkush guxonte të mbante në shtëpi libër shqip, flamur shqiptar, qoftë edhe armë të ftohtë, ata guxonin, kishin dijen e dijëtarit të ngritur, guximin e kreshnikut!
Kujto Shaban Jasharin mësues, edukator brezash, kujto Hamzanë e mençur, të urtë, të arsyeshëm e orator, kujto fjalëpakun trim e strateg Ademin që vendosmëria i lexohej në sy, kujto guximin e filizave që gufonin e rriteshin në atë frymë, kujto nënën trime që ra dëshmore me armë në dorë, në themelet e kullës së vet, krah me babanë e djemve e vajzave të vetë, me djemtë, nipërit e mbesat e vetë. Ajo i lindi, ajo i përkundi në djep, u këndoi ninullat e këngët e trimërisë, e si të ishin ndryshe ata, pos kështu si ishin?!
Prandaj, mos guxon kush ta vë në dyshim luftën, sakrificën e bërë me vetëdije, nuk ishte rastësi - ishte vendosmëri, secili në atë familje, nga më i madhi - Shabani e deri të fëmija në barkun e nënave ishin ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte këmbëngulja e tyre e mirëmenduar për të arritur lirinë e atdheut, qoftë edhe me pikën e fundit të gjakut të tyre, vetëm e vetëm për t'i kthyer një populli mbarë dinjitetin e nëpërkëmbur, besimin në të ardhmen e ndritur.
Lavdi, Lavdi, Lavdi!
HAVE ELEZAJ - Plochingen,
05. 03. 2010
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 41 vizitorë |
| Lexuar:
2,535 herë
|
|
|
|
|
|
|