Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ramadan PLLANA - DËSHMI TË KOHËS
Publikuar më 22 mars, 2010 në orën 23:32 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
KUJTIME NGA BURGU

“Les long souvenirs font les grands peuples. La mémoire du passé ne devient importune que lorsque la conscience du présent est honteuse.”
(Charles de MONTALEMBERT)

(“Kujtimet e forta i bëjnë popujt e mëdhenj. Kujtesa e kohës së shkuar nuk bëhet e mërzitshme derisa ndërgjegjja e së tashmes mbetet e turpshme.”)
(Sharl dë MONTALEMBER)

Ramadan Pllana
Të nderuar lexues!

Kjo intervistë është vazhdim i intervistave të mëparshme e kujtimeve të mia, me dy intervistuesit në fjalë.

-Do vazhdojmë intervistën?!...

-Po, po, e vazhdojmë aty -siç do të thoshte Noli ynë i madh: “Ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani, mjerë mileti”!

-Pikësëpari dua të të falënderojë ty Fadil dhe shoqen Kristina, që jeni shtytësit kryesorë të kujtimeve të mia; -pastaj dua që t´i falënderojë ueb-faqet shqiptare (agjencitë informative) brenda dhe jashtë atdheut: “Albaniapress –in” me moderatorë e palodhur; Faik Smajlin, Beqir Elshanin dhe bashkëpunëtorët e tyre,

“Nënë Shqipëri”, me moderatorë; Abaz Pllanën dhe Xhevat Bislimin, dhe bashkëpunëtorët e tij,

“Pashtrikun” me Sherafedin Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij,

“Radiodiasporën” me moderatorë; Ibrahim Hoxhën, Astrit Gashin dhe bashkëpunëtorët e tyre,

“Thrret-kushtrimi.tk” me moderatorin, Dashnim Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij si dhe gjitha agjencitë tjera informative që gjetën dhe po gjejnë hapësirë dhe më stimulojnë moralisht për publikimet e kujtimeve të mia.

Në këtë kontekst dua ta që t’i falënderojë edhe këta miq që më nxisin e më japin kurajë për t’i shpalosur kujtimet e veprimtarisë sime: Adem Demaçin, frymëzuesin dhe simbolin e Rezistencës sonë kombëtare, Kadri Rexhën, vëlla ideali, bashkëveprimtar e besnik i të madhit Jusuf Gërvalla, Idriz Dakën, veteranin e çështjes kombëtare, Xhemil Zeqirin, gjithashtu veprimtar i denjë i çështjes kombëtare, çiftin Ferki e Myrvete Morinën, bashkëveprimtarët e mi, Sylejman Qyqallën, bashkëveprimtar imi, Ilmi Muzaqin, mik e bashkëveprimtar imi, Gani Krasniqin, bashkëveprimtar e bashkëvuajtës në burgun famëkeq të Nishit, Mustafë Krasniqin, bashkëveprimtar, Rexhep Ahmetin, bashkëveprimtar, Emrush Xhemajlin, bashkëveprimtar e bashkëvuajtës në burgun e Mitrovicës së Sremit, Xhevdet Sylën, shok ideali e bashkëvuajtës në burgun famëkeq të Nishit, Hysen Gegën, bashkëveprimtar e bashkëvuajtës në dy burgje; atë të Nishit famëkeq dhe në Dubravë, Shefki Muçajn, vëlla ideali e bashkëvuajtës në burgun e Dubravës, Isuf Ismajlin, shok ideali, Bujar Hajrizin, shok ideali, Ismet Bekën, shok ideali, Shaqir Zenelin, bashkëveprimtar, Muhamet Rogovën, bashkëveprimtar e bashkëvuajtës në burgun famëkeq të Nishit.

-Dua t´i përkujtojë lexuesit në veçanti për respektin që kam ndaj Bruno Campus, mik imi dhe yni, francez, i cili i lexon rregullisht shkrimet e mia, e shumë e shumë të tjerë sivëllezër ideali nga Nëna Shqipëri, nga mërgata, Evropa e deri në Amerikën Veriore, SHBA e Kanadë, të cilëve u jam mirënjohës për respekt e bashkëpunim.
Kërkoj falje që nuk mund t’i përmend të gjithë me emër.

Jemi kureshtarë që ta sqaroni më tej me citatin e lartpërmendur.....

Po, duke parë se qeveritarët dhe parlamentarët tanë, një numër i të cilëve ishin bashkëveprimtarë dhe bashkëvuajtës të mi nëpër kazamatet serbo-sllave, i kanë futur veshët në lesh -siç thotë një fjalë popullore, dhe i kanë mbyllur sytë para kësaj gjendje të mjerë politike e ekonomike, nuk duan të shohin këtë amulli të përgjithshme që e ka kapluar popullin e shumëvuajtur ...Pra, për mua dhe të gjithë shqiptarët që mendojnë rrjedhshëm e shqiptarisht kjo gjendje është si pasojë e politikës udhëheqëse, pra është gjendje më se e turpshme!...Këta udhëheqës sikur mundohen t´ na e “shpërlajnë trurin” edhe neve që na anashkaluan e na harruan, duke harruar gjakun e dëshmorëve, sikur harruan për çfarë ideali luftuan e ranë dëshmorë, Adem Jashari me familje, Fehmi e Xhevë Ladrovci, Tahir Sinani, Ismet Jashari e të gjithë dëshmorët, idealistëve para e pas UÇK-së. Shtrohet çështja e drojës se me ketë harresë të shpejtë mos po na përsëritet historia si shpagim ndaj kësaj neglizhence të paparë ndaj ngjarjeve kaq të mëdha, harresën e gjakut të njomë të bijve dhe bijave më të mira të popullit shqiptar, harresë, kur ende gjenden me mija trupa të pagjetur të shqiptarëve nëpër Serbi, harrohen edhe ata veprimtarë që nuk dihen se a janë gjallë a të vdekur, siç janë Ukshin Hoti, Xhavit Haziri, Hafir Shala, Idriz Rreci, e të tjerë. Një politikë e këtillë, kur harrohet e kaluara e lavdishme, kur nga lakmia e joshja për pushtet e pasuri nuk të çon përpara por vetëm në pasiguri për të ardhmen dhe në mjerimin shpirtëror e fizik të popullit tonë.
O kohëra, o zakone, do thoshin latinët!...
Nuk kisha për t’u zgjatur më shumë në pikëpamjet e mia në lidhje me ketë gjendje, por si përfundim do thosha se deri sa të rënit nuk nderohen, duke harruar amanetin e tyre, derisa të gjallëve më të dëshmuar nuk u jepet vendi i merituar në pushtet, në radhë të parë simbolit të rezistencës shqiptare, Adem Demaçit, veprimtarëve e luftëtarëve të dalluar e familjarëve të tyre, derisa të ndiqet Albin Kurti dhe shokët e tij, simboli i Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me veprimtarë të tjerë të idealit kombëtar që shumë popuj do ua kishin lakmi dhe do ta kishin për nder e krenari po t’i kishin në elitën e vet nuk do të kemi përparim dhe kurrfarë mirëqenie shoqërore as kombëtare.

Të fillojmë pak historikun e dënimeve dhe trajtimin e shqiptarëve në kazamatet serbo-jugosllave?

Kjo është një temë që do shumë kohë e hulumtime dhe po të gjejmë dokumentet e mundshme do na del një listë, me qindra libra, ajo kohë qëndrese me shqiptarë të burgosur, të vrarë e të zhdukur nëpër stacionet policore e në burgjet serbo-jugosllave, qysh nga pushtimi i Kosovës, në tetor të vitit 1912 e deri sot me shqiptarët që po mbahen nëpër burgjet serbe, sllavo-maqedonase e malazeze. Kështu, duke u bazuar në të dhënat historike në shkrimin e prof. Dr. Muhamet Pirakut “PLATFORMA SERBE PËR PLOJAT DHE MASAKRAT MBI SHQIPTARË NË FUNKSION TË TRAGJEDISË GJENOCIDIALE” , na argumenton se: Serbia është përgjegjëse për jetën e tre milionë shqiptarëve, nga pushtimi i Toplicës më 1977-78 deri më 1999.

(Të përfundojmë: -Nëse historia është mësuesja e jetës, siç besohet nga latiniteti, Çështja e statusit shtetëror të Kosovës, në pritje, nuk mund të zgjidhet duke i mbyllur sytë para 188 vjet krimi e etnocidi institucional serb, malazias, grek e bullgar mbi shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarësinë e Kosovës në veçanti. Serbia, veçanërisht, nga janari i vitit 1878 deri në qershor të vitit 1999, pra për 121 vjet rresht, përveç dëmit material të pallogaritshëm, është përgjegjëse për copëtimin e Shqipërisë dhe për jetën e rreth tre milionë shqiptarëve. Në këtë krim janë bashkëfajtore Fuqitë e Mëdha të Evropës dhe Rusia, sepse me zgjidhje të dhunshme në Ballkanin jugperëndimor, duke e ndarë një vend dhe një komb vetëm pse fati ia ngarkoi të mbijetojë si mysliman, krijoi kriza që gjeneruan në gjakderdhje, gjenocid, kulturocid dhe etnocid shekullor ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë historiko-etnike. )

Nga argumentet historike, nga përjetimi i gjithë këtyre masakra,burgosjeve, vrasjeve, shpërnguljeve me dhunë, nga 1877-1999, vetëm pse ishim shqiptarë, për çdo shqiptar me vetëdije kombëtare e njerëzore shtrohej pyetja jetësore, shprehja hamletiane, “TË JESH APO MOS TË JESH” (“TO BE OR NOT BE”).

Mjerë ai që nuk e kupton se, vetëm lufta për LIRI e drejton qëllimin e jetës se njeriut , do t´na mësonte ideologu i LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT, Abdyl Frashëri.

Po nga ky burim historik na del se nga të dhënat jugosllave policore, flasin edhe për mbi 280 mijë shqiptarë të burgosur nga viti 1945 deri në vitin 1966, por burgosje të shumta pati edhe në vitet 1967-1980. Ndërkaq, nga pranvera e vitit 1981 Kosova ishte në luftë të hapët me ish-Jugosllavinë. Burimet e proveniencës gjyqësore dhe policore flasin për rreth 900 mijë shqiptarë të burgosur politikë, e të trajtuar në polici, deri në fund të vitit 1991 (750 mijë në Kosovë dhe 150 mijë në vise të tjera: Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Bosnjë, Kroaci, Slloveni).

Po ashtu nga të burimit e SHOQATËS SË TË BURGOSURVE POLITIKË TË KOSOVËS, kemi këto të dhëna :

SHOQATA E TË BURGOSURVE POLITIKË E KOSOVËS

Te burgosurit politikë zënë një vend të veçantë në historinë e re të Kosovës...Numri i tyre ishte pazakonshëm i madh. Llogaritet se vetëm pas viti 1981 janë shqiptuar mbi 30 000 dënime politike penale ose kundërvajtëse. Të burgosurit politikë shqiptarë përbënin rreth 80 % te numrit të përgjithshëm të të burgosurve politikë në Ish Jugosllavi dhe procentualisht ishin më shumë edhe krahasuar me Republikën eeAfrikës së Jugut.

Sa kohë ke vuajtur dënimet, me cilët shokë dhe në cilat burgje?

Zyrtarisht, nëse mund t'u besohet të dhënave të Sigurimit Shtetërorë, sipas kuislingut Sinan Hasani, atëherë kur u arrestova edhe unë, gjatë vitit 1979; mbi 400 persona janë trajtuar për "veprimtari armiqësore" kundër shtetit. Me fakte janë „vërtetuar“ 300 persona, mirëpo, udhëheqësia politike e Krahinës dhe organet më të larta të vendit (RSFJ-së, shënimi im) për "qasje selektive", procedura penale, do të hapet dhe do të dënohen 65 veta.

Grupi ynë, nga « LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI » (LNÇKVSHJ), ishte arrestuar në nëntor të vitit 1979 dhe ishte gjykuar më 4 qershor 1980 nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me këta persona:

Shefqet Jashari - me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vjetësh,
Ramadan Pllana - me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjetësh,
Avdi Kelmendi - me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetësh,
Abdyl Lahu - me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh,
Skënder Jashari - me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh,
Isa Demaj - me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh,
Sylejman Qyqalla - me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh, dhe
Hysen Gërvallën - me dënim me burg prej 3 (tri vjetësh).

Pra, unë si i dënuar politik kam vuajtur dënimin në këto burgje:

Po, herën e parë , gjatë vuajtjeve të dënimit, nga 14 nëntori i vitit 1979 deri më 14 nëntort i vitit 1985, isha, përafërsisht, në këto burgje:
Nga 14 nëntori 1979 deri 26 mars 1981 në Burgun e Qarkut të Prishtinës,
Nga 26 mars deri më 1 prill në burgun e Qarkut të Pejës,
Nga 1 prilli 1981 deri në gusht 1981, (nuk më kujtohet data), në burgun famëkeq të Mitrovicës të Sremit,
Nga gushti 1981 deri në prill 1982, (nuk më kujtohet data), në Burgun e Zajeçarit në Serbinë lindore dhe
Nga prilli 1982 deri më 14 nëntor 1985 në burgun famëkeq të Nishit.
Kurse, herën e dytë, gjatë vuajtjeve të dënimit, nga 7 gushti 1993 deri më 7 gusht 1996, isha, përafërsisht, në këto burgje:
Në burgun e Qarkut të Prishtinës dhe atë të Mitrovicës, afër 6 muaj dhe
Në Burgun e Dubravës deri më 7 gusht të vitit 1996.

Si ishin kushtet dhe si trajtoheshit nga gardianët e burgjeve?

Në burgun famëkeq të Prishtinës, një kazamat me shtatë palë dryna.

Burgu i Qarkut të Prishtinës është një nga burgjet më famëkëqija në Kosovë. I ndërtuar në formë patkoi e që lidhet me objektin e Organeve të Sigurimit shtetëror, ish UDB-ës kriminale. Ka 28 qeli, me nga një dritare të vogël. Pra qelitë ishin të errëta, brenda në te gjendej një qyp plastike që përdorej për nevojën e vogël dhe të madhe e cila kundërmonte një erë të pistë, që mund të zinte pesë litra ujë. Mund të pastrohej një herë në 24 orë. Dritaret janë në drejtim të oborrit dhe rrezet e diellit nuk depërtojnë fare nëpër qelia. Në ballë të dritareve është karakolli, ku janë të vendosur rojet e burgut, në mes mureve të dritareve dhe karakollit gjendet oborri, shëtitorja, ku shëtitnim 10-15 minuta edhe pse sipas rregullores së burgut kishim të drejt 30 minuta, në qoshe të shëtitores gjendet një qeli e vogël e cila përdoret si banjë për t’u pastruar. I burgosuri që mund të ëndërronte për një arratisje ishte i sigurt se, edhe po të ishte një Al Kapone, nuk do i’ a arrinte realizimit të saj. Nga hyrja kryesore, hekurat e kryqëzuar, deri në qelitë e fundit ishin shtatë dyer dhe shtatë dryna çeliku.

Në qeli kishte edhe nga një dyshek për secilin të burgosur, por ata merreshin vetëm kur duhej të flinim dhe në mëngjes herët, kur zgjoheshim; i palosnim në një qoshe të korridorit. Pra, kjo ishte dhoma jonë e fjetjes, ishte nevojtorja jonë e përbashkët, ishte salla jonë e ngrënies, ishte biblioteka jonë, kur kishim ndonjë libër që na e sillnin familjarët, ishte qelia ku, edhe kafsha po të futej, ishte e pashmangshme që mos të sëmurej...

Ushqimi ishte shumë i dobët. Në mëngjes kishim çaj, “ujë me ngjyra” i thoshim, pak bukë bajate, ku gjenim edhe krimba në të, një copë djathi, “gur i butë” i thoshim, ose pak reçel. Për drekë ose për darkë kishim, pothuaj, çdo ditë gjellë me patate , “ujë me erë patatesh” i thoshim, sepse nuk gjenin asnjë copë patate në te, ndonjëherë kishim edhe fasule që vetëm erën e kishte se një kokërr nuk e gjenim në të, kishte edhe makarona nganjëherë.

Kishim vizita familjare njëherë në muaj. Vizitat zgjatnin 5-10 minuta edhe pse me rregulloren e burgut kishim të drejtë deri në gjysmë ore. Gjërat ushqimore që na i sillnin familjet ishte i vetmi ushqim që na gjallëronte...

Kujdesi mjekësor ishte shumë jonjerëzor. Lumë ai që kishte shëndet të mirë e nuk kishte nevojë për vizita mjekësore. Po të sëmurej ndonjëri, vaj halli për te, “në dorë të Zotit” se shërim jo se jo, mund të merrnim ndonjë aspirinë...

Të gjitha këto kushte përballoheshin me një qëndrim të moralshëm e plot dinjitet. Mund të them se qëndrimet tona, sjelljet njerëzore e krenare të gjithë atyre që kishin rënë me vetëdije të plotë për çështjen kombëtare, i kishin mahnitur gardianët e burgut dhe të burgosurit tjerë për delikte të ndryshme, disa nga të cilët do na bëheshin bashkëveprimtarë të rrugëtimit tonë kombëtar e çlirimtar.

Gardianët që shumica ishin shqiptarë nuk silleshin keq ndaj neve të burgosurve politikë, me përjashtim të ndonjë fytyrëvrazhdë si gardian Daka e gardianët serbë të cilët ishin pakicë. Vlen të përmendën gardianët si shembull që kujdeseshin për ne, na ndihmonin në aspekte të ndryshme. Më vjen keq që nuk ua mbajë emrin të gjithëve, po me këtë rast po i veçoj gardianët, Idrizin dhe Ilmiun, të cilët pas ngjarjeve historike të pranverës ’81 na u bënë sivëllezër duke u gjykuar edhe ata për veprimtari patriotike...

Gjatë qëndrimit tim në vuajtjet e dënimit në Prishtinë kam pas rastin që të ndaja qelinë me shumë të dënuar për vepra tjera, si për vrasje, tentim vrasje, plagosje, vjedhje, dhunime, aksidente, abuzime e gabime administrative, etj., etj. Do t’i veçoja disa që për mua kanë lënë kujtesë të pashlyer, qoftë negative, qoftë për mirëkuptim dhe mirësjellje ndaj meje.

Të parin person që ma kanë sjellë në qelinë time ka qenë një i ri për vrasje, për të cilin do të flas më gjerësisht se sa për të tjerët sepse ka një histori të veçantë familjare.

Pastaj, më kujtohet edhe personi i dytë, Hajriz Muçolli, kishte vrarë një djalë të ri për pesë ari livadh, një plak cinik i cili ishte shumë provokativ në biseda. Pak pas tij, afërsisht një javë, na e sollën një serb, roje pylli, i cili kishte plagosur një shqiptar të besimit katolik për marrjen e disa druve në pyll për nevojat familjare, i plagosuri quhej, Gashi dhe ishte nga Brusi i Janjevës, komuna e Lipjanit. Edhe pse serbi, quhej Kapetanoviq, dinte mirë shqip, plaku 75 vjeçar fliste vetëm serbisht me te. Pos kësaj, ata të dy më provokonin tërthorazi , duke thënë se, Gashi ishte një “Fanë”, serbi e quante “fanda”. Në vërejtjen time se po fyeni një shqiptar të besimit tjetër dhe me këtë po më provokoni edhe mua në ndjenjat kombëtare, plaku i çartë më përgjigjej se serbët i kishim më të afërm se katolikët shqiptarë, kurse serbi më thoshte se nuk ishte duke biseduar me mua dhe se nuk mund t’ua ndaloja bisedat e tyre. Në një çast, kur ata vazhdonin të më provokonin duke i thënë njeri tjetrit, -“Fanë “ishte Gashi, - po, bash “ Fanda”- i përgjigjej tjetri; nuk munda të duroja më dhe e shtyra plakun me sa fuqi kisha duke i thënë plak i poshtër e tradhtar, kurse Kapetanoviqit, një njeri afër 1m 90cm dhe i rëndë 120 kg. Ia vura thonjtë në fyt duke ia tërhequr vërejtjen e fundit për provokime të tilla.

–Mirë, mirë, tha me një shqipe të rrjedhshme dhe asnjë fjalë më....

Të nesërmen serbi kërkoi që t’ia ndërronin qelinë dhe e larguan. Pastaj, plaku më afrohej e më kërkonte falje për pafytyrësinë e tij duke më thënë:

- “Po njeri i pashkollë balit, ma bën hallall!” Pas disa dite ma ndërruan qelinë...

Kam qëndruar në të njëjtën qeli edhe me një doras tjetër nga një fshat i Prishtinës, Ali Mramori quhej, i cili ishte ngatërruar me një fqinj për një rrahje të fëmijëve, nxënës fillore, dhe për ketë i kishin acaruar marrëdhëniet aq shumë sa që, ky vetë i katërti vëlla, kishin luftuar me pushkë e revole, një të marte në ditë pazari, në Prishtinë duke u shti tmerrin qytetarëve. Përfundimi i përleshjes ishte tre të vdekur, dy vëllezër të Aliut si dhe rivali i tyre, dhe dy të plagosur, Aliu dhe një vëlla i tij që gjendeshin në burg. Gjithë këtë tragjedi e kishte provokuar vetë Aliu dhe nuk pendohej fare duke e fajësuar tjetrin dhe betohej se do të del i pafajshëm duke i angazhuar avokatët më të njohur të kohës, Filot Filën dhe Guberinën nga Beogradi...Më i rëndë ishte me fanatizmin e tij se burgu...

Regjistrimi i popullsisë dhe kombi i kuq!

Megjithëkëtë qëllonte që në të njëjtën qeli kishte të burgosur shumë të ndershëm e që kalonte koha me ta duke biseduar e duke qeshur si vëllezër.

Kishte rënë në burg një i ri 17 vjeçar nga Llapushniku i Drenasit. Kishte bërë një gabim të vogël, nuk mund të dënohej më shumë se tre muaj, Gashi quhej, emrin nuk ia them për arsye respekti, dhe, pas gjithë këshillave e sugjerimeve që ia bëja, qante dhe më përqafonte duke m’u betuar se kurrë nuk do të gaboj në jetë, kam për ta ndjekur rrugën tënde baca Ramadan -më thoshte. Këndonte bukur dhe këngë patriotike. Ishte një kënaqësi ta dëgjoje duke kënduar këngë për Hasan Prishtinën, Ismajl Qemajlin, Dedë Gjo Lulin, Azem Bejtën e Shotë Galicën, etj.; po aq ishte magjepse kënga për Mujin e Halilin, e gjatë një orë, sa të befasonte edhe me lëvizjet e të qeshurat e tij gjatë këndimit. Kishte rast kur ndonjë gardian e kërcënonte pse këndonte, por unë i dilja përpara duke i thënë:”“Shoku gardian, më sill mua sepse unë i kërkova për të kënduar”! – Mirë, përgjigjeshin ata, vetëm me zë më të vogël!

-Kishte edhe raste të tjera kur të burgosurit dinin të këndonin e të tregonin ngjarje historike, tregime e humor gjithsecili në anën e vet dhe në mënyrën e vet sa që kënaqeshim duke i dëgjuar. Edhe burgu i kishte rrjedhat e jetës së vet. Ishte muaji mars i vitit 1981. Një të diel, (nuk më kujtohet data), dy gardianë na urdhëruan në një zyrë të burgut për të votuar. Me mua ishin edhe tre të burgosur për delikte të ndryshme. Gardiani më tha se unë duhet të isha i pari në rresht dhe në intervistë e pastaj të tjerët, mirëpo kur hymë në zyrë gardiani që na solli u kthye dhe në vend të tij ishte në tjetër, brenda në zyrë, kështu që i burgosuri i fundit ishte në rend të parë për regjistrim. Në zyrë ishin 2 regjistrues, civilë që kishin ardhur me detyrë, me nga një regjistër. Na përshëndetën dhe filluan ta pyesin të parin, pa shpjeguar a sqaruar për mënyrën e të intervistuarit. – Çfarë kombi ke ?! - ishte pyetja e parë. – Kombin e kam të kuq, përgjigjet i burgosuri, pa ngurrim. Qelinë e kaploi një heshtje sa që edhe miza dëgjohej duke fluturuar…Regjistruesi që kishte shtuar pyetjen ishte hutuar dhe këqyrte, herë regjistrin herë gardianin sikur kërkonte ndihmë për të dalë nga ky « provokim » i papritur. Ngjyrat e kuqe ishin një mishërim i simbolit kombëtar! Flamuri, veshjet kombëtare kuqezi, emblemat e Skënderbeut, qëndismat e vashave, pikturat shqiptare e gjëra tjera me këtë ngjyrë, ishin një dashuri e zjarrtë shpirtërore e kombëtare, ashtu siç është rrezja e diellit për çdo gjallesë. Mirëpo, për pushtuesin kjo ngjyrë ishte alergjike dhe kishte bërë çmos me shantazhe e masa administrative për ta shlyer nga zemra e shqiptarëve; edhe për administratën shqipfolëse bartja dhe përdorimi i ngjyrës së kuqe ishte nacionaliste dhe provokative. Ja, tani, edhe ky shërbëtor administrativ ishte paralizuar nga përgjigjja e të intervistuarit të parë në burgun e Qarkut të Prishtinës…I burgosuri, ishte nga Janjeva, afër tridhjetëvjeçar, akuzohej për vjedhje, më mirë të themi për keqpërdorim të mallit të shitur në një ndërmarrje tregtare. Djaloshi sillej mirë dhe të lente përshtypjen se nuk kishte faj. Kishte një respekt të madh ndaj meje sa që shpesh porosiste familjen e vet që binin ushqim të mirë enkas për mua, duke më parë se isha shëndetlig. Duke menduar se do ia merrnin automobilin, një kombi të kuq, dridhej nga frika. – Mos ta ndien, i thashë ngadalë, se nuk është pyetja për automobilin tënd! Gardiani duke parë se e theva heshtjen dhe se do i nxirrja nga kjo zymtësi më thotë :

- Hë Ramadan, çka nuk është në rregull, nisja ti, se duhet të kryejmë punë?! – Unë nuk u përmbajta pa u qeshur, kjo e qeshur i kishte çliruar nga ankthi i pritjes të gjithë e sidomos regjistruesin. – Ka këtu një dykuptimësi dhe një keqkuptim pyetja e shtruar; u shpjegova të gjithëve, duket se ngjyra e kuqe është ende një alergji për dikë, kurse shoku vërtetë ka një kombi të kuq… Qeshëm të gjithë me zë, u zgërdhi edhe regjistruesi duke e marrë lapsin e duke shkruar në regjistër përgjigjen e parë - shqiptar.

- Në një qeli me djalin e birësuar të shkrimtarit Hivzi Sulejmani i cili më shpëtoi nga vdekja.

Pas ngritjes së aktakuzës ndaj grupit tonë, LNÇKVSHJ-së, nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës, afërsisht pas pesë muaj hetimesh intensive, organet e Burgut të Qarkut të Prishtinës filluan të na sillnin në qelitë tona edhe të burgosur të tjerë për delikte të ndryshme. Mbaj mend mirë personin e parë që e futën në vetminë time një djalosh tetëmbëdhjetëvjeçar të pashëm kah fundi i muajit prill 1980. Quhej, Aljo Gjekoviq, nxënës i Shkollës së Mesme Ekonomike në Prishtinë. Ishte nga lagjja Taslixhe e Prishtinës. Mirëpo, për çudi, ky kishte edhe një emër shqip që nuk kishte asgjë të përbashkët me emrin boshnjak Aljo, quhej Tomor, emër me të cilin e kishte pagëzuar Hivzi Sylejmani.

– Mirë se vjen, i them duke ia zgjatur dorën dhe duke iu prezantuar me emër e mbiemër. I tregova edhe për “fajin” që më mbanin të mbyllur në burg.

–Tomor më thërrasin shokët, kurse zyrtarisht e kam emrin Aljo, me të cilin jam i shkruar zyrtarisht. Jam për vrasje, kam therrë me thikë Kosovë Keçën, nuk desha ta mbysja por, ja dora nuk kishte terezi!... - më tha me një zë të dridhur...

Ishin grindur në një sallë kinemaje në qytet, kur ky e kishte prishur qetësinë gjatë shfaqjes së filmit dhe në përleshje e sipër Kosova e kishte grushtuar dhe në fund ia kishte dhënë një shpullë të madhe duke e mposhtur me turp Tomorin. Ky, në pamundësi që t’i hakmerrej “fer” sepse ishte i sigurt në epërsinë fizike të kundërshtarit, një mbrëmje e kishte sulmuar Kosovë Keçën me thikë duke e goditur dy-tri herë, mu në zemër, në korzon e Prishtinës, nga këto plagë i ndjeri vdesë në spitalin e Prishtinës. Sa herë i kisha parë, në gazetën “Rilindja”, fotografitë e Kosovë Keçës, në përkujtimet që ia bënin familjarët, miqtë dhe shokët. Kishte qenë një djalë simpatik, i ëmbël nga fytyra, student i Fakultetit Juridik. “ Më të vështirë janë të burgosurit se sa burgu!” -se ç’mu kujtua kjo fjali, fjali e cila do t’ më përcjellë në mendime e në jetë gjatë gjithë vuajtjes sime nëpër kazamatet serbo-jugosllave...Rrallë flisja me të.

–Baca Ramadan, të kuptoj se më urren dhe nuk më sheh me sy të mirë për veprën që kam bërë, por, më beso se, nuk kisha ndërmend ta mbysja...-Jam djali i Hivzi Sulejmanit, shkrimtarit, është axha im”...

- Edhe më rren, ky është edhe provokim që më bënë, Hivzi Sulejmani nuk ka pasë fëmijë dhe nuk të dëgjoj më - i thashë.

– Ke të drejtë të mos më besosh për asgjë, po unë të respektoj, do të dëgjoj për çdo gjë, mos më merr inat, edhe po t’ më rrahësh nuk ta kthej dorën, më tha me një zë të mekur e të lutur. Pas disa ditësh po e pyes për Hivzi Sulejmanin, familjen dhe origjinën, shkollimin, farefisin etj. Pasi që i fola për vëllavrasjet duke i shpjeguar edhe romanin “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit, mesazhin e tij të urtë “Jo, atyre që e ngrejnë gishtin e krimit, por, atyre që e shtrijnë dorën e pajtimit!” fillova që t’i tregoj edhe për veprat e Hivzi Sulejmanit, “Njerëzit” dhe “Fëmijët e lumit tim” që, ai nuk i kishte lexuar kurrë, duke ia sqaruar se vetëm me një luftë të përkushtuar kundër të vjetrës mund ta mundim të keqën, etj. Për lexuesin e painformuar në lidhje me shkrimtarin në fjalë po i jap pak të dhëna për biografinë e tij:

Hivzi Sulejmani, ka lindur më 1910 në Mojstir të Sanxhakut, një krahinë shqiptare që, mjerisht tani e asimiluar. Ka jetuar në Mitrovicë, në “Lagjen e Boshnjakëve”, deri pas “Luftës Nacional Çlirimtare “ ... Ka qenë në studime të larta në Beograd, ku militon në Partinë komuniste jugosllave. Ishte martuar me një beogradase me origjinë nga Shkodra. Gjatë luftës ishte burgosur në Ferizaj për shkak të aktiviteteve revolucionare. Pas luftës ka pasë poste në Kosovë, poste që e çojnë deri në tradhti kombëtare sepse kishte qenë gjykatës, bashkë me prokuror kuislingun Ali Shukriu, dhe kishte dënuar shqiptarë, sidomos veprimtarët e NDSH-së, për të cilat historia nuk do t’i ia falë kurrë. Si duket, dalë ngadalë, kishte filluar të tërhiqet nga vija tradhtare në te cilën e kishin futur sllavo-komunistët dhe pastaj kishte pasur guximin që t’i kundërvihet politikës së Beogradit ndaj shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve duke deklaruar publikisht se ishte kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Në letërsi kishte filluar të kërkonte që të shkruhej në mënyrë kritike ndaj realitetit të kohës. Veprat më të njohura të tij janë romanet autobiografike, “Njerëzit” dhe “Fëmijët e lumit tim”.Është pensionuar para kohe. Ka vdekur më 1975 në Prishtinë. Është varrosur në vendlindjen e vet, me amanetin e tij.

U zgjata pak duke përmendur biografinë e Hivzi Sulejmanit, por e pashë të arsyeshme sepse edhe protagonisti i kujtimeve të mia është me të vërtetë një i gjakut të familjes së shkrimtarit në fjalë. Nëna e Hivziut paska qenë e martuar edhe njëherë pasi që kishte mbetur e vejë, ajo ishte martuar me gjyshin e Tomorit dhe kishte edhe një djalë që quhej, Hajrullah. Ky me ndihmën e Hivziut, pas luftës, është shpërngulur në Prishtinë, në lagjen Taslixhe. Vëllai i Hivziut kishte pasë tre-katër fëmijë, nuk më kujtohet saktësisht, dhe djalin e vogël ia kishte falur Hivziut. Hivziu e kishte pagëzuar Tomor, por babai i fëmijës e kishte pagëzuar në ofiqari me emër boshnjak, pra, Aljo. Nga ky u informova edhe më me hollësi lidhur me përpjekjet e Hivzi Sulejmanit kundër asimilimit të shqiptarëve të Sanxhakut, në veçanti të atyre që ishin shpërngulur në Kosovë. Në këtë mision kombëtar për ringjalljen e shqiptarësisë u angazhova edhe unë, pikërisht ku e kishte lënë shkrimtari ynë, në fëmijën e vëllait të tij. Hajrullahu, ia kishte bërë me hile Hivziut duke i dërguar në shkollën serbe dy fëmijët e mëdhenj, dy të vegjlit, një vajzë që quhej Azra dhe Tomorin, me presionin e Hivziut i kishte dërguar në shkollë shqipe. Azra, ishte studente e Fakultetit Juridik dhe shpirtërisht e kishte marrë porosinë e xhaxhit të saj duke u shkruar edhe me mbiemër Xhekaj. Kishte marrë dhjetë, në lëndën “E drejta Romake” dhe ishte lavdëruar për suksesin e saj në studime edhe nga prof. i saj Bardhyl Çaushi. Tomori i kishte treguar për mua dhe ajo ishte shumë mirënjohëse për këshillat dhe mësimet që ia epja vëllait të saj. Në letrat që i shkruante gjithnjë, në fund të saj, e porosiste që t’ më dëgjonte për çdo gjë dhe sa herë të bisedosh me Ramadan Pllanën mendoje xhaxhin tonë, Hivziun. Më kishte qëlluar dy-tri herë që ta shihja familjen e tij në vizita kur i kishim për-njëherë. Të gjithë i flisnin boshnjakisht, përveç Azrës. Gjatë një vizite të përbashkët, para grilave të burgut, nuk u durua pa më përshëndetur me këto fjalë: “Shoku Ramadan, Ju falënderoj shumë që po ndikoni te vëllai im Tomori për të mirë, vetëm vazhdoni, nuk ua harroj kurrë! ...Tani, ky ishte bërë një shok i mirë dhe nuk dyshoja në fjalët dhe sinqeritetin e tij. Kërkonte ushqim nga shtëpia, më shumë për mua se për vete. Kur vdiq satrapi Tito në muajin maj 1980 gazeta “Rilindja” shkruante ditë për ditë. Më kujtohet mirë kur në një shkrim në faqen e parë, me një fotografi të madha, “Edhe pas Titos- Tito” shkruar nga Maksut Shehu, fillova t’i shajë e t´i mallkoj titistët shqiptarë; Tomori e grisi foton dhe e futi në qyp, e përmjerri foton dhe shtoi ; (me nder lexuesve): “ Edhe pas shurrës shurra!”...

Ishte vera e vitit 1980, nuk e mbajë mend datën, kur më ishte pranuar një kërkesë që kisha bërë për ta nxjerrë një dhëmballë në nofullën e poshtme të anës së majtë nga drejtori i burgut, Raif Gashi. Dy dhëmballë m’i kishte dëmtuar udbashi i Mitrovicës, Faruk Mehmeti, me rastin e arrestimit tim në Mitrovicë. Nuk kisha rrugëdalje tjetër, përveç se një intervenim kirurgjik. Më dërguan te një stomatolog serb, edhe infermierja ishte serbe, me të drejtë dyshova qysh në fillim se do t´më dëmtonin më shumë se do t´më shëronin. Pas ca minutave të një intervenimi shumë delikat, më në fund dhëmbi doli por mbetën rrënjët e tij. Mjeku më bëri edhe një intervenim tjetër dhe i nxori edhe rrënjët dhëmballës. Më kthyen në qelinë e burgut ashtu të lodhur e të zbehtë, u shtriva për të pushuar por, nuk munda të rrija shtrirë, sepse gjaku më rridhte rrëke. Tomori, trokiti në derë dhe erdhi një gardian, nuk më kujtohet mirë por më duket se ishte Daka, një fytyrë negative, ai pasi që i treguam se gjaku nuk po më ndalet e mbylli derën duke na thënë: “Ndalet, ndalet, dhe më mos trokitni më për këtë”...Gjaku rridhte pa ndërprerje, thellë në zemër ndieja një gurgullim që më lajmëronte se gjaku po derdhej dhe pritej vdekja e sigurt e qetë-qetë. I bëra shenjë me dorë Tomorit për të trokitur edhe një herë sepse nuk kisha forcë fizike, as zëri nuk më dilte nga goja. Ai, i mëshoi derës me sa fuqi që kishte dhe erdhën dy gardianë.

–Shokë komandirë, baca Ramadan po vdes, po i derdhet gjaku, ju e keni fajin që nuk po e çoni te mjeku, unë kam me marrë hakun për të nëse jam gjallë, o të pashpirt! Gjendja u alarmua dhe në qelinë tonë erdhën edhe dy gardianë tjerë, dy nga ta më morën për krahësh, e urdhëruan një tjetër që ta njoftoi eprorin dhe më dërguan te mjeku, te i njëjti stomatolog që më kishte hapur vrimën e vdekjes. Mjeku, më futi në vrimën e dhëmballës një fashë të gjatë, afër gjysmë metre, e cila ma ndaloi rrjedhën e gjakut pas pak kohe. Nga kjo gjakderdhje nuk kam qenë mirë për disa kohë, kam qenë i zbehtë dhe nuk e kam marrë veten nga shëndeti deri sa kam dalë nga burgu...

Pas disa jave na i ndërruan qelitë. Tomorin nuk e pashë më, kam dëgjuar se ishte dënuar me 12 vjet burg dhe se ishte sjellë mirë me shokët e burgut. Unë, isha me tre të tjerë që ishin për delikte të ndryshme, edhe këta fituan shpejt besimin tim dhe më respektonin.

vijon...

Zvicër, 22 mars 2010

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 118 vizitorë
Lexuar: 3,972 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi