| NË KOSOVË PO SHKON TYM E PLUHUR! |
| Publikuar më 24 prill, 2010 në orën 16:27 ( ) |
Faik Smajli | Opinion | |
|
|
|
Barometri im
Qytetarët e Kosovës me sjelljet e tyre po dëshmojnë se jane popull i civilizuar qe do t'ia kishin lakmi shumë popuj tjerë të botës. A s'janë më të urtit, më të dëgjueshmit, më të durueshmit dhe kur është fjala për optimizëm, jemi kampion në rajon e më gjërë!?
Nuk jam sociolog e as psikolog dhe nuk e kam për qëllim të provoj t'i studioj këto fenomene, por edhe sociologu e psikologu, në rast se do të ishin marrë me këto fenomene jo bash të zakonshme për popullin tonë, do ta kishin të pamundur të jepnin shpjegime të sakta.
Po të jetonim në ndonjë shtet skandinavik, me ekonomi të fortë e me demokraci shumë të lartë nuk do të isht ndonjë qudi, por për kushtet dhe rrethanat e Kosoves, kjo është për t'u habitur deri në shqetësim.
 Ky pasivitet, ky demoralizim, ky jointeresim për gjërat dhe fenomenet që po ndodhin rreth nesh, janë gati të pashpjegueshme. Si duket jemi të stërvitur mirë për këto pritje të pafund me shpresë se nesër do të jetë më mirë, qysh me Bashkësinë Ndërkombëtare që 10-vjet. Pritem shumë gjatë me shpalljen e kësaj që po e quajmë pavarësi, duke na thënë rrini urtë e mos bëni probleme, se bashkësia ndërkombëtare na vëzhgon e mund të shtyhet pavarësia, e mund të ndodhë kjo e mund të ndodhë ajo etj. etj.
Ne jemi popull që përshtatemi lehtë dhe mësohemi shpejt me ndryshimet. Prandaj edhe ngjarjet e ndryshme që po ndodhin në Kosovë, qoftë për mirë, qoftë për të keq, po i marrim si normale, gati të pa rëndësishme, nuk mohojmë e as nuk pohojmë asgjë, sikur nuk na intereson asgjë, sikur të kemi frikë nga dikush.
Sado që po mundohem të gjej arsyetim për këtë, nuk po mund të nxjerrë kurfarë përfundimi.
Ndoshta është arsyeja se në Kosovë nuk po ndodhë asgjë konkrete, asgjë e prekshme që do të mund të zgjonte iteresim të madh. Mundet, sepse me të vërtetë nuk po ndodhë asgjë konkrete, sëpaku jo për të mirë. Vështirë të ndodhë diçka e mirë e madhe në Kosovë, sepse politika aktuale e Bashkësisë Ndërkombëtare e që është edhe promotori i politikës që zhvillohet në Kosovë, nuk është këtu për ndryshime radikale, por në radhë të parë ta ruaj qetësinë e status quon. E sa për politikën tonë vendore, nuk ka njeriu me çka të krenohet e të jetë i kënaqur.
E njëjta qeveri që nga paslufta, edhe pse është ndërruar disa herë shumë njerëz të njejtë kanë mbetur në këto qeveri. Pothuajse asnjë ndryshim nuk është bërë në mentalitetin e qeverive, në konceptet dhe strategjinë e qeverisjes së vendit:
- Që nga paslufta, qeveria gënje popullin, populli gënje vetëveten - kurgju kërkujt!
- Vjedh qeveria, vjedh kush të mundet - kurgju kërkujt!
- Vjedh ndërkombëtarët, vjedh vendorët - kurgju kërkujt!
- Të vrasin ndërkombëtarët, të vrasin vendorët - kurgju kërkujt!
- Ndërkombëtarët urdhërojnë, vendorët zbatojnë - kurgju kërkujt!
Dhe kur zgjasin të njëjtat gjëra për shumë vjet, kalojnë në monotoni, bëhen të merzitshme, nuk interesohet kush për to (fjala është për popullin). Ngjarje të ndryshme ka çdo ditë, por ato sikur nuk janë serioze, nuk zgjojnë edhe aq interesim dhe të nesërmen kalojnë në bagazhin e monotonisë e harresës. Shumë më interesim zgjojnë telenovelat degjeneruese që shfaqen në televizione se sa çdo eveniment që ndodhë në Kosove.
Veç për demokraci nuk mund të qahemi. Gabon ai që thotë se s'ka demokraci në Kosovë. Qysh s'ka! Ka bile edhe fort, edhe për ekxport. Bile këso lloj demokracie pothuajse nuk e ka askush në botë!?
Ja pse: Vjedh kush të mundet e çka të mundet dhe nuk i thotë kush pse po vjedh.
Merru me gjëra të pista, me kontrabandë, plaçkitje e me të gjitha të zezat e tjera dhe nuk të nget kush. Kjo është demokraci, kjo është sallamadi. Gjykatat e policinë i kemi veç sa për sy e faqe, me thënë të tjerët që i kemi, edhe për raste të vogla aty-këtu.
Në vendet me demokraci solide, politikanët, por edhe shoqëria, demokracinë e kuptojnë si përgjegjësi, obligim, dhe të gjithë kontrollohen dhe japin llogari para ligjit. Ndërsa demokracia tek ne kuptohet si privilegj - sallamadi. Politikanët dhe të pasurit matrapazë në Kosovë jetojnë në parajsë - me Zeusin, ndërsa të varfërit e shkretë e që përbëjnë shumicën apsolute të popullsisë, jetojnë si skllevër e gladiatorë. Dhe quditërisht ka durim, ka qetësi, nuk ka protestë të mirëfilltë, nuk ka revoltë, çdo gjë shkon në rregull siç është më së miri. Kështu po vazhdon që 10-vjet, qohet nganjëherë pak tym e pluhur, por kalojnë shpejt dhe përsëri gjërat bien në rrjedhat e tyre të zakonshme. Gjithçka që ndodhë në Kosovë duket normale, bëhet normale edhe atëherë kur nuk duhet të jetë normale, sepse ne vet i bëjmë të tilla me mos reagimin tonë qytetar dhe heshtazi i aprovojmë dhe pajtohemi me to.
Shumë tym e pluhur qoi Nazim Bllaca me CD-në e tij të famshme dhe qëndroi bukur gjatë në toplistën muzikore të Kosovës, dhe rekordin e kësaj CD-je vështirë se do ta thejë e gjithë estrada muzikore e Kosovës. Me tekst, muzikë dhe distribuim të tandemit Adem Salihaj - Gani Geci, që nuk i nget askush.
Bile "kam qarë me lotë" kur e mora lajmin e largimit të Adem Salihajt nga kryesia e LDD- së e siç po duket edhe nga anëtarësimi në LDD. Tash nuk i ka mbet tjetër veçse të shkojë në AAK, ose në ndonjë parti minoritare serbe (këto të fundit edhe kanë nevojë ta shtojnë anëtarësinë dhe jam i bindur se do ta presin krahëhapur).
Edhe kjo histori e CD-së u harrua, ndodhi çka ndodhi - kurgju kërkujt!
Zgjedhjet e "lira" kaluan për mrekulli. Koalicioni LKJ, më falni, LDK-PDK u ruajt edhe pas tentimit për divorc, sepse ndërkombëtarët ia ngrehen veshin "Hajredin Pashës" pse e kishte bërë llogarinë pa hanxhiun. Pastaj, Gjilanin u munduan tri herë ta marrin titistat e Kosovës me ndihmen edhe të ndërkombëtarëve, për shkak të decentralizimit, por unë ju siguroj se as PDK nuk do të mbetet mbrapa LDK-së në zbatimin e urdhërave. Bile sot është shumë vështirë ta gjeshë dallimin në mes LDK-së dhe PDK-së, sepse janë bërë një, vetëm një shkronjë i dallon, asgjë tjetër.
Edhe ky eveniment sportiv mori fund me pak tym e pluhur dhe shumë shpejt kaloi në harresë. Asgjë nuk ndryshoi, demagogët dhe hajnat e njejtë përsëri u lanë aty ku ishin - me Zeusin, dhe Kurgju kërkujt!
Riformatizimi i qeverisë ishte një tjetër eveniment sportiv. U ndërruan disa figura, ose më mirë të themi i ndërruan vetëm vendet, sepse përsëri aty janë, pshtillen me njëri tjetrin. Askush nuk u qortua, nuk u akuzua për moszotësi, shpërdorim detyre a ruajna zot për korrupcion. Disa nërkombëtarë e drjtonin gishtin indirekt nga Fatmir Limaj, por ky u tregua i zhdërvjelltë, shkoi në një vizitë në Amerikë, pastaj menjëherë e kontraktoi Firmen amerikano-turke "Bechtel & Enka" për Autostradën Vermicë - Merdare që pritet të ndertohet dhe kjo si duket i mjaftoi që ai të mbetet i paprekshëm.
Edhe ky eveniment u kalua qetë, pa zhurmë, pa ankesa, të gjithë u ndanë të kënaqur. Me pak tym e pluhur kaloi edhe kjo gjë e - kurgju kerkujt!
Disa veprimtarë të PDK-së në Prizren me në krye ish-luftëtarin Zafir Berisha u rebeluan dhe u larguan përfundimisht nga partia si shkak i pakënaqësisë me veprimet e strukturave udhëheqëse të kësaj partie në Prizren e më lart, u shuan disa degë lokale të PDK-së. Por Kupes nuk iu dridh as qerpiku për këtë punë. Punë e madhe pse u larguan nga partia, Kupa i ka ba dhitë. " Kceva lumin, t'dhefsha kalin"! Ishalla e kanë me sinqeritet këtë largim dhe sado pak e kanë ndërgjegjësuar ndonjërin, ndërsa ata që s'e kanë dert t'i ndrrojnë padronët, dera e AAK-së është e hapur për të gjithë - me Ramushin!
Sikur edhe të tjerat, edhe kjo gjë u kalua pothuajse pa u hetuar - kurgju kërkujt!
Heqja e Emblemës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) nga Kuvendi komunal i Prizrenit ndodhi sa qil e mbyll sytë. Olimpi i Zeusit e miratoi pa hamendje ndërsa gladiatorët pothuajse heshtën. Reaguan disa intelektualë e disa qytetarë të ndërgjegjshëm, por ata nuk kanë mundësi të ndryshojnë asgje, pos të qojnë tym e pluhur. Punë e madhe që u hoq Emblema e Lidhjes së Prizrenit (1878) nga Kuvendi komunal i Prizrenit. Shpejtë do të mësohemi edhe pa Emblemë sikurse që kemi filluar të mësohemi edhe pa Flamurin Kuq e zi, pa Himnin kombëtar e pa shumë e shumë gjëra tjera. Edhe kjo gjë shumë shpejtë do të kalojë në harresë dhe - kurgju kërkujt!
Tash jemi të zënë dhe do të jemi edhe për një kohë shumë të gjatë, (sepse deri më tani s'kemi pasur kohë) me Strategjinë për Veriun e Kosovës. Kjo strategji, e përkthyer në shqip do të thotë - 6-pikëshi i Ban Ki Munit, që Thaçi e pat shpallur të vdekur që në fillim. Thaçi e kish pasë mirë, por ne nuk e kuptonim. Ai thoshte se harrojeni 6-pikëshin se ne do t'ia ndërrojmë emrin në - Strategji dhe do t'ia kalojmë edhe Munit me koncesionet që do t'ua bëjmë Strukturave paralele dhe Serbisë. Eh... ne i marrim vesh vonë gjërat, vetëm pasi të ndodhin ato, por tash që jemi të mësuar pajtohemi lehtë dhe- kurgju kerkujt!
Nuk e di a ta përmend Gjyqin e Euleshit ndaj Albin Kurtit!?
Me të vëtetë u ba bajat kjo punë! Serizisht e kam! Euleshi edhe e din që e ka gabim edhe insiston në gabimin e tij! Euleshi, kur është puna te Albini nuk e din matematikën, ndërsa kur është fjala për kontrabandë të tyrë (rumunët që u zunë me kontrabandë ne kufi) e din për mrekulli. Mos të harroj të them se me folë kah del shpirti edhe Euleshi u kontrabandua nga Brukseli në Kosovë. Por mos harroni se jo gjithmonë 2+2 bëjnë 4, nganjëherë bëjnë 3, 5, 8,10, sipas nevojës... Kadia matë me kutin e vet. Euleshit 2+2 po i del çdo numër tjetër pos 4, ndërsa Albinit po i del drejtë - 8 me 2.
Me dhimbset Albini që ka lind nja 5 - 60 - vjet para kohe, sepse ky mileti ynë akoma nuk është në gjendje ta kuptojë e ta vlerësojë.
Asgjë në mos disha, një gjë e di që, Albin Kurti është Arrë e fortë. Është Arrë e fortë, sepse ka dëshmuar që është i vendosur, është i përgatitur intelektualisht dhe është në të drejtën e zotit dhe të njeriut. Për mua, Albin Kurti është Ukshin Hoti i ditëve tona, bile disa fate edhe i kanë të ngjajshme: Ukshin Hotin e burgosi Serbia dhe LKJ, më falni LDK, ndërsa Albinin e Burgosi Serbia (herën e parë) dhe Armiku - Euleshi me LDK pas luftës. Mund ta burgosin edhe nesër Euleshi me LDK-PDK. Nuk e di a e ceka se LDK dhe PDK janë bërë pothuajse identike. Ajo e para ka qenë katastrofë gjithmonë, por llava e saj e ka përfshi edhe PDK (Partia demagogjike e Kosovës).
Veç unë them gjithmonë se "Qysh është mileti, është edhe pushteti", më thuani që nuk është kështu?! Kështu bëhet kur t'ia lidhësh këmbët vetes, thonë: "Me të lidh dikush, vjen ndonjë tjetër e të zgjidhë, por kur ta lidhësh vetë veten, s'të zgjidhë kush dot"!
Tash disa fjalë për Iniciativen e deputetit Nait Hasani, për denimin e udbashëve dhe veprave të tyre që i kanë bërë bashkë me Serbinë, kundër shqiptarëve të Kosovës.
Z. Nait Hasani akoma gëzon respekt të madh tek unë, e besoj edhe tek shumica shqiptare, jo të "kosovarëve" dhe atyre që janë me Serbi. Veç po ma prishë "pak" që po rrin me titista, me demagogë, me hajna e matrapazë në Kuvendin e Kosovës dhe në një mënyrë ose tjetër, po bëhet bashkëzbatues i politikës antishqiptare të Ahtisarit. Edhe po te ketë votuar çdo herë kundër, prapëseprapë bëhet bashkëfajtor i zbatimit të kësaj politike, sepse partia e tij, Kuvendi i tij po i merr këto vendime. Fjala e urtë popullore thotë se "Pranë drurit të thatë digjet edhe i njomi". Kur rrin me të fëlliqurit edhe ti merrë erë. Shkurt e shqip, mendoj se Nait Hasani nuk e ka vendin aty, apo thënë ndryshe, e ka vendin diku tjetër, në një vend më të lavdishëm.
Paramendojeni p.sh. nëse është i ftuar, ose i detyruar që në emër të ndonjë delegacioni partiak, ose jashtëpartiak të shkojë tek varri i Adem Jasharit me flamurin multietnik të Kosovës (më shumë serb e aspak shqiptar) të përulet para tij, sikurse po bëjnë disa faqezi. Kjo gjë nuk kapërdihet, kjo gjë është e tmerrshme.
Kërkoj njëmijë herë të falur nëse jam gabim për këto që i thash më lartë.
Sa i përket ngritjes së Aktpadisë së tij kundër udbashëve të Kosovës, unë e përkrahë me gjithë forcë, por po më duket jo reale në këtë kohë, ose e pazbatueshme. Po me përngjanë në duelin e Davidit kundër Goliatit.
Pse them kështu? Them kështu, sepse udbashët janë kudo në pushtet dhe janë të fortë. Edhe ata që kanë vdekur, shumica prej tyre i kanë lënë fëmijet dhe të afërmit e tyre e që janë poashtu të lidhur me pushtetin e opinionin publik. Pastaj e kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve dhe të Serbisë. Me pas qenë ne kaq të ndërgjegjshëm dhe seriozë që të jemi në gjendje të nxjerrim rezoluta për dënimin e veprave të tyre antishqiptare, sëpari nuk i kishim përkëdhelur dhe nuk i kishim zgjedhur nëpër organe të ndryshme shtetërore, por ua kishim treguar vendin me kohë.
Çfarë more... ne s'na ha palla për këtë punë. Si gjithëherë - kurgju kërkujt!
A po e shihni që po tallen me këtë iniciativë, bile po e quajnë njeri të çmendur dhe shumë prej tyre edhe po mburren për veprat e tyre antishqiptare të cilat po i nxjerrin si vepra patriotike. Hipokrizia s'ka brirë as fytyrë! Ata po të kishin fytyrë, nuk do të vepronin siç kanë vepruar.
Ne së pari duhet ta zhdukim titizmin që po lulëzon akoma në Kosovë e tek pastaj ndoshta do të jemi në gjendje të nxjerrim ndonjë Rezolutë. Kupa ka thënë se Kuvendi nuk merret me këtë punë.
Qysh po e shohë unë, do të na duhet qe pas nja 20 - 30 vjetësh të nxjerrim ndonjë rezolutë edhe për kohën e tanishme. Kjo është bindja ime!
Dhe për fund një sihariq i nxehtë.
Kleriku Rexhep Boja është emëruar si i ngarkuar me punë (demek në ambasaden e Kosovës) në Arabinë Saudite. Bingooooo! E di se Vatikani i ka klerikët e tij ambasadorë në shtetet e ndryshme të botës, pasi që është shtet kishtar dhe kjo është e kuptueshme, por për Kosovën, kjo është e quditshme! Çka s'ka n'deti! Në mos gabofsha, në Kushtetutën tonë unikale shkruan se shteti është i ndarë nga feja, por siç po them gjithnjë, në Kosovë çdo gjë duket normale, mund të duket edhe kjo, ndërsa sa i përket kushtetutës sonë unikale, s'e q... kush n'rrush në Kosovë.
Jam kurreshtar ta di se si shpjegohet kjo punë, si i lidhet kryet kësaj pune.
Une po ju them të lutemi për tër mire, se është mirë kur lutet njeriu, por nëse nuk ia ndihmon edhe tjetërqysh, veç me lutje nuk ndryshon asgje. E neve na duhen ndryshimet si buka!
Zoti e bëftë mire!
Tash po e shoh sa shumë paskam shkruar, qenkam bërë monoton si politika ditore në Kosovë, kjo qenka sëmundje ngjitëse me sa duket. Po duhet edhe une me u ç'fry diqysh kur po me mbledhet vreri në bark.
Ma bani hallall se ju kam shurdhu.
Tjetër herë do të mundohem me shkrue ma shkurt!
Londër
23 Prill, 2010
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 52 vizitorë |
| Lexuar:
1,244 herë
|
|
|
|
|
|
|