Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ramadan PLLANA - DËSHMI TË KOHËS (III)
Publikuar më 31 maj, 2010 në orën 15:28 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
KUJTIME NGA BURGU

(PJESA E TRETË)

“Prore mbaj kujtim synimet që po rrekemi
Nëpër hullitë e kohës që të zhduket pabesia”

(Fazli Greiçevci)

Ramadan Pllana
Si u prite nga drejtoria e Burgut të Zajeçarit?

Drejtori, një fytyrëvrazhdë, që të kujton tipat negativ të filmave uestern, asi lloji turiderrash që janë më të egër se vetë egërsirat... Heshtje... - Hë, fol i dënuar, çka ke bërë, përse të kanë gjykuar?! –I dini ju, i keni dokumentet që ju dëftojnë!...-A jeni ju në vete, ta shkatërroni RSFJ-në, shtetin me ndikim më të madh në botë, themeluesen e vendeve të paangazhuara!... I shikoi gjërat që i kisha me vete në një pako dhe e urdhëroi gardianin që mos t’ më lente me vete asnjë libër shqip, as laps e fletore, kisha me vete 4-5 libra, 2 lapsa kimik dhe 2 fletore, më lejoheshin vetme mjetet higjenike, pasta dhe brushën e dhëmbëve dhe doli me një gardian që e shoqëronte. Gardiani që mbeti në zyre, i cili nuk kishte folur asnjë fjalë para drejtorit më urdhëroi që të ulesha, me një dashamirësi, derisa ta bënte listën e gjërave të mia. – Dëgjo byrazer, unë nuk kam aspak mendime armiqësore ndaj shqiptarëve, nga shtypi i Beogradit kuptohet se ju jeni armiqtë më të rrezikshëm të RSFJ-së, por nga sjelljet e shokëve tuaj që janë në ketë burg kam fituar përshtypjen se ju jeni shembull civilizimi dhe personalisht ju ep të drejtë për kërkesat tuaja për barazi ekonomike e sociale...”Shkja të mirë dhe m...të mirë nuk ka!” , seç mu kujtua një mendim popullor. Pas një bisede të shkurtër më dërgoi në një dhomë të madhe dhe posa e hapi derën e qelisë u foli “cimerave” –Iso, ua solla një shok tuajin, dhe iku...

Si të pritën “cimerat” e qelisë së burgut dhe kush ishin ata?

Në qeli ishin Isa Demaj, Avdi Kelmendi dhe një vllah. Pasi u përqafuam dhe u informuam për njëri tjetrin, u ulëm në krevate dhe biseduam deri pas mesnate. Në këtë burg Isa, Avdiu dhe Shefqet Jashari ishin transferuar nga Kosova më 1 prill të vitit 1981. Meqenëse gjatë veprimtarisë sime ilegale nuk kam pasur lidhje të drejtpërdrejtë me Isë Demajn dhe meqë për bashkëveprimtarët e mi, Shefqet Jasharin dhe Avdi Kelmendin, kam folur më shumë, e ndiej një obligim moral dhe një detyrë atdhetare që të përshkruaj shkurtimisht biografinë e këtij atdhetari të paepur.

ISA DEMAJ- u lind në fshatin Shkrel të Rugovës më 1946 nga një familje me tradita të njohura atdhetare. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes,katërklasëshe, kurse të plotë , tetëvjeçaren, e kreu në Haxhaj. Gjimnazin e kreu në Pejë. Pastaj ka punuar dy vite në shkollën e vendlindjes së tij, në Shkrel dhe në Haxhaj. Ishte njëri nga pishtarët më të dalluar të arsimit dhe çështjes kombëtare në rrethin e vet dhe në mbarë Kosovën. Ka qenë shok fëmijërie e shkolle me Azem dhe Ymer Shkrelin. Ka studiuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, pastaj ka vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës, gjatë viteve 1968-1972. Gjatë studimeve ka punuar në arsim në Krushë të Madhe, në Guri i Kocit, ish-Gjurakovc, në Kastriot, (ish-Obiliq), në Klinë e në Prishtinë. Ka punuar si profesor në Shkollën e Mesme në Lipjan, kurse në Prishtinë në Shkollën e mesme Teknike dhe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë. Ishte një mësues e edukator shumë i dashur. Me kolegët ishte shumë i afërt dhe kudo që punonte ndikonte te kolegët e te nxënësit në ngulitjen dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare...

Me veprimtarinë e vet patriotike ishte dëshmuar qysh si nxënës i Gjimnazit në Pejë , kur , bashkë me Isa Bicajn, shkruajnë parullat “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë Enver Hoxha!” ...Në shkollë të mesme dhe gjatë studimeve kishte krijuar shoqëri të mirë dhe ishte gjithmonë shembull i miqësisë dhe bujarisë shqiptare. Qysh nga kjo moshë djaloshare Isa kishte një pamje të pjekurisë dhe nga ky tipar dallues fitonte simpatinë dhe miqësinë e shumë bashkëbiseduesve. Kështu në një takim rasti, gjatë udhëtimit me tren, Fushë Kosovë-Pejë, në maj të vitit 1964, me atdhetarin dhe bashkëveprimtarin e madh të LRBSH-së, njërin nga shokët më të ngushtë të Adem Demaçit, Azem Beqiri, do të fitojë besimin e këtij bashkëbiseduesi të këndshëm sa që do t’i propozoj që t’i bashkohej organizatës së tij. Nga ky çast Isa do t’i takojë, me pendë e me pushkë, Lëvizjes gjithëkombëtare. Nuk mundi të takohej më me Azem Beqirin për të marrë ndonjë detyrë konkrete sepse organizata e tij u arrestua në qershor të atij viti. Vetëm një dekadë më vonë, me daljen nga burgu do të takohet me grupin e LRBSH-së, dhe në gusht të vitit 1975 do të takohet, në Shkrel, me idolin e tij, me Simbolin e Rezistencës sonë kombëtare, me bacë Adem Demaçin, ky takim do ia shtojë edhe më shumë dëshirën dhe vrullin për të ecur drejt rrugës revolucionare për çlirim e bashkim kombëtar.

Nga shokët e shoqet më të afërm të tij , të shkollës e studimeve, ishin Zymer Neziri, Meriman Braha, Fazli Gjevukaj, Haxhi Maloku, Rexhep Doçi, Mujë Rugova, Rafet Rama, Fadil Sulejmani, Xhevrije Gjevukaj, Hysnije Osmanaj, Shqipe Vokshi, Zenun Gjocaj, Haxhi Bajraktari etj. Në Prizren, si student, krahas mësimeve, e bënë më të fuqishme veprimtarinë e vet patriotike. Kështu, më 27 nëntor të vitit 1967, bashkë me shokët Zymer Nezirin, Meriman Brahën, Rafet Ramën, Fazli Gjevukajn dhe me disa të tjerë e festojnë Ditën e Flamurit në dhomën e shtëpisë ku banonin. Këngët dhe vallet e kësaj nate festive ishin dëgjuar edhe jashtë dhomës së tyre, jehona e këtij gazmendi do të dëgjohet edhe nga spiunët kujdestarë të UDB-së dhe së shpejti do të arrestohen e burgosen. Në hetuesi kishin mbajtur qëndrime burrërore. Isa, ishte dënuar me 2 muaj burg për veprimtari armiqësore ndaj RSFJ-së. Burgu e kishte kalitur dhe burrëruar edhe më shumë këtë atdhetar sypatrembur. Veprimtarët e çështjes sonë kombëtare, edhe pse të vetëdijshëm se përcilleshin nga udbashët, ishin në vlugun e përgatitjeve të demonstratave të vitit 1968. Rinia studentore, e përkrahur nga populli, po përgatitnin një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Demonstratat e para do të fillojnë, më 6 tetor, te sheshi i Lidhjes së Prizrenit. Isa, bashkë me shokë, do t’ ishte në krye të tyre. Më 19 tetor do të organizoheshin demonstratat, në Pejë, ku edhe këtu do t’ ishte njëri nga organizatorët dhe prijësit kryesorë. Isa nuk do të ndalet kurrë në përgatitjet e mëtutjeshme për përgatitjet e demonstratave të fuqishme studentore e popullore, ai do të jetë në ballë të tyre edhe në ngjarjet më të lavdishme, në përleshje të përgjakshme, në Prishtinë, më 27 nëntor 1968. Parullat kryesore ishin “Kosova Republikë!”, “Rroftë flamuri kuq e zi!”, “Vetëvendosje-Vetëvendosje!”, “Rroftë populli shqiptar!”, “Duam Universitet!”, “Poshtë tradhtarët!”, Poshtë Fadil Hoxha!”, “Rroftë rinia!”, “Rroftë vëllazëria shqiptare!”etj. Gjithnjë në ballë të demonstratave, ai në Prishtinë do të plagosët në pjesën e majtë të ballit dhe do të strehohet e shërohet, fshehtas, në shtëpinë e atdhetarit dibran, Qeram Telqiut, koleg pune, në Kastriot, ish-Obiliq, i cili i kishte ndihmuar te një mjek, për të marrë një vërtetim për të dëshmuar mungesat në punë, në shkollën Fillore të Obiliqit, tani Kastriot. Isa gjatë punës dhe veprimtarisë së tij ilegale do të njihej me majën e shqiptarizmit të kohës së vet. Përveç emrave të lartpërmendur njihej edhe me dy ideologët dhe frymëzuesit e demonstratave të 1968, me Ismail Dumoshin dhe Metush Krasniqin, pastaj me atdhetarët e shquar, Sadri Fetiu, Zenel Kastrati, Ismail Gashi, Sherif Konjufca, Enver Mehmeti, Qemajl Aliu, Agim Vinca, Blerim Peja etj...Veprimtaria e tij dhe ndikimi që bënte tek kolegët dhe tek nxënësit e vet u kishte rënë në sy udbashëve, kudo që punonte, dhe për këtë shkak e kishin përcjellur dhe e kishin larguar disa herë nga shkollat ku punonte. Në fund të vitit 1972 Komiteti Qendror i LKK-së ; në krye me Mamut Bakallin, vuri në zbatim Letrën e “famshme” të satrapit Tito. Synim kryesor ishte largimi nga puna i të gjithë atyre që nuk pajtoheshin me politikën e LKJ-së, sidomos diferencimi dhe largimi i arsimtarëve e profesorëve të merituar që mësonin e edukonin rininë shqiptare në frymën e shëndoshë kombëtare. Kështu, edhe në Qendrën Shkollore Teknike “21 Nëntori” në Prishtinë filloi zbatimi i kësaj letre, edhe nga titistët shqipfolës, dhe në shënjestër ishin atdhetari i paepur Metush Krasniqi, referenti për nxënës, dhe Mehmet Rukiqi, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Radha i kishte ardhur edhe profesor Isa Demajt, mirëpo, me shumicë votash nga kolektivi i shkollës rezultoi se shumica nuk ishin për përjashtimin e Isës nga puna. Intervenon Komiteti Komunal i Prishtinës dhe shkolla vihet nën drejtorinë e dhunshme. Isa, përjashtohet me këto masa. Reagojnë arsimtarët dhe nxënësit, sidomos klasa 41, ku ishte kujdestar, me prijësin e nxënësit Ismet Ratkoceri. Shqipfolësit, me zemra sllavo-komuniste, e larguan Isën nga procesi edukativo-arsimor dhe bashkë me te edhe shumë sivëllezër të tij arsimtarë në mbarë Kosovën. Pas largimit nga puna ky shkon në shërbimin ushtarak. Në vitet 1973-74 e kryen shërbimin ushtarak në Vranjë, ku ishte shumë i matur dhe parimor, edhe aty Isai do të ndikoj shumë te të rinj me shembullin e sjelljeve të tij shoqërore e kolegjiale. Pjekuria, vetëdija dhe krenaria kombëtare e Isës lente përshtypje të madhe te të rinjtë shqiptarë, edhe ushtarët e nacionaliteteve tjera ia kishin zili dhe e respektonin, përveç shovinistëve sero-sllavë të cilët e urrenin si të tërbuar. Miqësinë dhe lidhjet do t’i mbajë me disa nga shokët më të pjekur edhe pas shërbimit ushtarak.

Pas shërbimit ushtarak punësohet në Gjimnazin e Lipjanit më 1975. Pastaj, nga viti shkollor 1978/79 , me ndihmën e shokëve, punësohet në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prishtinë, ku punon deri më 27 dhjetor 1979 kur e arrestojnë. Qëndrimi katërvjeçar në kazamatet serbo-jugosllave nuk do ta luhatin, për asnjë çast, shpirtin liridashës të Isa Demajt, përkundër doli edhe më i fortë. Vdes tragjikisht, gati 2 vjet pas daljes nga burgu, më 27 gusht të vitit 1985, në një fatkeqësi komunikacioni afër fshatit Pavlan, ku kishte edhe një shtëpi, ku e ka edhe varrin, i cili për çdo përvjetor mbulohet me kura e me lule të freskëta nga familjarët, nga shokët, nga ish nxënësit e tij, nga miqtë e nga bashkëveprimtarët e vet.

A njiheshit me Isa Demajn dhe çfarë lidhjesh kishe me te, në kuadër të organizatës suaj, në LNÇVSHJ-së ?

Me Isën nuk njiheshim drejtpërdrejt, për arsye të konspiracionit të fortë që kishim edhe pse dinim për njeri tjetrin nga shoku ynë i përbashkët, Avdi Kelmendi. Ai, ka qenë i informuar edhe për LNÇVSHJ-në, por nuk ka dashur të bashkëpunojë me ketë organizatë për arsye se nuk ka pasur besim në aftësitë e Sabri Novosellës, si njëri nga udhëheqësit e saj, edhe pse i ka çmuar veprimtaritë e tij patriotike, dhe nga ana tjetër, sepse e ka konsideruar veten si aktivist të LRBSH-së së Adem Demaçit. Këtë, ide ia ka thënë Avdiut, para se të burgoseshim, dhe të njëjtën gjë ma ka thënë edhe mua në qelinë e burgut të Zajeçarit. Pra, me kompetencë të plotë, i njoftoj lexuesit, sidomos ish veprimtarët e ilegales sonë kombëtare se, Isa Demaj nuk ka qenë anëtar i LNÇVSHJ-së. Më pyeste shpesh, duke qeshur, për « Komitetin » e Sabri Novosellës duke shtuar se, për flamujt e qepur, më 1964, i lumtë Sabriut, por « Komitetin » nuk ka ditur ta « qëndisë »…

Si kaluat me shokët Isa Demajn dhe me Avdi Kelmendin dhe si trajtoheshit nga gardianët e burgut?

Në ndonjë “fatkeqësi”, për shkak të veprimtarisë së rrezikshme për çështje kombëtare, siç ishte burgosja jonë më 1979, ka nganjëherë edhe një fat. Prandaj, fati e deshi që të ishim së bashku me Isa Demajn dhe Avdi Kelmendin për 8 muaj në të njëjtën qeli, në burgun e Zajeçarit. Që të tretë, kemi kaluar në mënyrë vëllazërore. Isa, njihte mirë historinë kombëtare e ndërkombëtare, letërsinë, pedagogjinë, filozofinë dhe psikologjinë, me një fjalë ishte një erudit. Pothuajse, i dinte për mendsh vargjet më të njohura të të gjithë shkrimtarëve të letërsisë shqiptare nga vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Mjeda, Noli, Gurakuqi, Migjeni etj., duke i përfshirë edhe këngët kreshnike « Gjergj Elez Alia », « Muji e Halili » etj. Në histori shkëlqente duke folur për Skënderbeun, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin, Mic Sokolin, Haxhi Zekën, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Isë Boletinin, Idriz Seferin etj. Pastaj e çmonte shumë Nolin, Bajram Currin, Avni Rrustemin, Riza Cerovën, si dhe Qeverinë e Fan Nolit në përgjithësi. Kishte një respekt të veçantë për Enver Hoxhën dhe për heronjtë e Luftës Nacional çlirimtare të Shqipërisë. Fliste me zemërim për tradhtinë që na e bëri Titoja me Rankoviqin duke na e mohuar zbatimin e Vetëvendosjes, sipas Mbledhjes së Bunjajt, dhe i demaskonte me argumente historike, titistët shqipfolës.

I çmonte shumë veprimtarët e çështjes kombëtare dhe fliste me respekt të madh për të gjithë. Fliste me respekt, për Xheladin Hanën, Ali Aliun- Preshevën, Shaban Shalën, Adem Demaçin etj. Kishte një admirim të veçantë për qëndrimin heroik të dëshmorit, atdhetarit e poetit, Fazli Greiqevci. Shpesh na e recitonte poezinë e tij « Kam dalë… », të cilën po e paraqes këtu për lexuesit e nderuar.

KAM DALË...

Kam dalë me 'i tubë shpresa n' grusht
kangë me i thurë mirësisë,
[Me melodinë e ngrohtë jam mik i ngusht]
rreze dashnije me i falë njerëzisë.

Kam dalë...dhe prore kam me dalë
bregoret me sy çiltërie me i soditë-
kurrë kangën time s'kam me ndalë,
rrugët e mbara tue i shndritë!

(Fazli Greiçevci)

Isa, kishte një karakter të fortë burrërie, nuk jepej kurrë para situatave e çasteve të mërzitshme, -ai, edhe kur mërzitej nganjëherë, gjë që ishte e natyrshme, i kërkonte Avdiut që të këndonte ndonjë këngë, kurse kur ishte në disponim më kërkonte që t’ia mësoja gjuhën frënge, të cilën e lexonte dhe e shqiptonte rrjedhshëm. Me gardianë të burgut mbante një qëndrim të matur. Në fillim e kishin provokuar disa gardianë serbë, sidomos njëfarë Zorani, dhe ky ua kishte bërë me dije se po e provokonin dhe për këtë mos të harrojnë se një ditë, - do t’i vajtonte nëna serbe përjetë!…Gardiani, Vlada, po ai gardiani që qëlloi kur më pranuan në zyrën e drejtorit, ishte një vllah dhe kishte shumë respekt ndaj tij dhe na i mundësonte disa shërbime, si në pastrim jashtë orarit të rregullt, kohë më të gjatë në shëtitje, në rroje, te berberi i burgut, na lejonte që të rruheshim vetë, ndërsa Isës ia kishte mundësuar edhe blerjen e dy gazetave, me sa më kujtohet ishin « Express » dhe »Veçernje Novosti » për të qenë i informuar për ngjarjet në Kosovë, RSFJ e në botë…Me të burgosur tjerë sillej me korrektësi dhe fitonte shpejt simpatinë e tyre. Provokatorët i zbulonte shpejt sepse kishte një përvojë të madhe duke punuar me nxënës . Pak ditë pas shkuarjes sime, në atë qeli na e pruan një serb i cili e kishte ditur shqipen nga pak, me qëllim provokimi dhe spiunimi. Pas pak ditësh, pas disa provokimeve, Isa i tha rreptë «Dije se po ta japim vërejtjen e fundit, pas sotit, edhe më të voglin provokim që do na bësh, unë ty ta këpus qafën si derrit dhe nënën…gjithë çetnikëve të Serbisë ! »…Provokatori duke u frikësuar se po e sulmonim, sepse edhe unë e Avdiu iu bashkuam Isës dhe ishim të gatshëm të përballeshim me te, nëse do tentonte të ndeshej fizikisht …më në fund serbi e pranoi, nga frika, se kishte pranuar angazhimin nga drejtori që t’ na përcillte dhe t’ na provokonte në çdo bisedë e lëvizje që bënim. Pastaj, e larguan nga qelia jonë, me kërkesën e tij. Isës i binin shumë gjëra ushqimore nga familje sepse nuk i pëlqente ushqimi i burgut. Për mëngjes na binin çaj me pak djathë ose marmelatë, kurse për sillë dhe për darkë na sillnin të njëjtën gjellë. Familja e tij kishin pasur përvojë me të burgosur, qysh pas Luftës së Dytë Botërore, axha i tij Rexhepi, i njohur si Rexhep Taku - Tahiri, babai i Riza Demajt, një nga organizatorët e protestave dhe demonstratave të studentëve të 81-ishit, kishte qenë në burg për rezistencë kombëtare, dhe kurrë nuk i kishte hëngër gjellërat e burgut të Nishit, ku e kishte vuajtur dënimin. Kështu, edhe Isës i sillnin shumë gjëra ushqimore, si dikur axhës së vet, si mish të terur, arra të qëruara, rrush të terur, djathë delesh, pemë e perime deri në 40 kg., të gjitha këto ia mundësonte gardiani vllah, Vllado, i cili ishte bërë edhe epror, sepse studionte drejtësinë. Mirëpo, pas disa muajve, drejtori e kufizoi peshën e ushqimeve nga vizitat tona në 10 kg, me rregullore të burgut, me pretekstin se gjërat ushqimore mund të na helmonin…Që të dytë, Isa dhe unë, kishim nevojë për shërim, sepse vuanim nga pasojat e kushteve të këqija. Isës, nuk i jepnin barna fare me pretekstin se « stimulonte », kurse mua më dhanë disa barna të cilat ma keqësuan shëndetin edhe më shumë. Shi, nga barnat që m’i jepte mjeku i burgut filloi t’ më paralizohej dora e majtë dhe kisha një marramendje. Isa më tha që t’i ndërpresim barnat, i hodhëm në WC, më nuk shkova te mjeku. Qëlloi që në dhomë kishim një vllah shumë të ndershëm i cili na respektonte sinqerisht. Ai, ishte nga një fshat dhe kishte tokë, bagëti e shpezë. Isa, një ditë, e pyeti nëse kishte mundësi të na sillte vezë të paziera. Ai, nga respekti që kishte për ne, në vizitën e parë i kërkoi gruas së vet që të sillte nga 30 vezë për çdo vizitë, pa i treguar arsyen. Unë, i pija për çdo mëngjes, nga një vezë, për më shumë se një muaj, dhe fitova pak gjak, nga mungesa e të cilit isha shëndetlig…

Lajmi për vrasjen e Mehmet Shehut, më 18 dhjetor 1981, na tronditi shumë dhe mudnoheshim ta gjenim nyjën e ndërlikuar, se e vrau Enver Hoxha Mehmet Shehun, apo, vërtetë, Mehmet Shehu, bëri vetëvrasje ?! Nga shtypi i Beogradit lexonim lloj-lloj versionesh, jo Mehmeti shtiu në Enverin, nuk dihet se a është gjallë Enver Hoxha, pastaj përkrahësit e Enverit e vranë Mehmet Shehun etj. Lajmeve të “Tanjugut” dhe nuk i besonim kurrë, sepse prapa tyre ishte lufta speciale që lansonte UDB-a për t’i përçarë shqiptarët, si ata në shtetin amë, ashtu edhe neve, për gjysmën e kombit që ishte riokupuar nga Jugosllavia titiste. Ne, që të tretë, i besuam lajmit që thuhej se, Mehmet Shehu kishte bërë vetëvrasje duke ditur se ai ishte njeri i ashpër dhe me ambicie të sëmurë…Pikërisht kur na u këndellën zemrat se Shqipëria ishte stabile dhe e fortë në çdo pikëpamje, si në atë politike e ekonomike dhe se prestigji i saj rritej ditë e për ditë në botën përparimtare, na erdhi një mynxyrë tjetër edhe më e madhe, të cilën nuk mund ta përballonim kurrsesi ; agjentët e UDB-ës famëkeqe i vranë në Shtutgart, më 17 janar 1982, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, pishtarët e Bashkimit të Lëvizjes gjithëkombëtare. Vrasja e tyre ishte një grusht i madh për mbarëvajtjen e organizimin tonë për çlirim e bashkim kombëtar. Si sot më kujtohet kur Isa i mori gazetat dhe sapo i shfletoi pak, mori një pamje të trishtueshme, i gjuajti kah unë duke thënë : « Qenkan vrarë Jusuf Gërvalla, vëllai i tij, Bardhoshi dhe Kadri Zeka, djemtë më të mirë të Kosovës ! Shikoje e lexoje Dan ! »… Gazetat shkruanin për njoftimin e lemerishëm, ishin vrarë tre shokët tanë më të merituar. I lexuam dhe i rilexuam disa herë, Isa dhe unë, sikur nuk donim të besonim për këtë krim që kishin kurdisur hienat jugosllave. Avdiu, e kishte besuar lajmin, hiç pa e lexuar, dhe qante me dënesë. « U vranë gjatë përleshjeve me grupet rivale », shkruanin, ndër variantet tjera, gazetat beogradase. Kjo lodër e UDB-ës përhapej me të madhe për të mjegulluar dhe fshehur krimin që kishin bërë, po ashtu kishte si qëllim që të godiste dhe të demoralizonte veprimtarët e çështjes kombëtare dhe popullin e Kosovës dhe gjithashtu një përpjekje për të maskuar dorën e vet të zezë dhe të lakenjve të saj shqiptarë. Gati një javë kemi ndenjur të heshtur që të tre. Pothuajse, edhe pa gjumë. Mua, nuk më rrihej një vend, sillesha nëpër qeli si i çmendur. Edhe ky kob?! Isa ishte më i fortë se ne. « Kështu, e ka rruga jonë, të mbahemi, Dan mbaje veten ! Ata, nuk do të vdesin kurrë, sepse me qindra do të lindin dhe do ta vazhdojnë rrugën e tyre ! Lavdi jetës dhe veprës së tyre! -Lavdi e përjetshme ! -Ia kthyem, unë dhe Avdiu…

Në fund të vitit 1981 dhe në fillim të vitit 1982, mua dhe Avdiun, filloi të na merrte në hetuesi një agjent i UDB-ës nga Beogradi. Na merrte në pyetje duke i shikuar e lexuar të gjitha dokumentet e hetuesisë e gjyqësisë që ishin zhvilluar në Prishtinë. Haptas na thoshte se, inspektorët shqiptarë, me përjashtim të një pakice, -nuk e kanë kryer punën ndershëm dhe se tani, pas demonstratave të 81-it, duhet të rifillojnë hetimet për të gjitha grupet që ishin dënuar para këtyre ngjarjeve. Na provokonte me kërcënime psikike, nuk kishte maltretime fizike, se emrat tanë janë përmendur në shumë raste, gjatë hetuesisë, dhe ne mund të rigjykoheshim. Ne, i thoshim që t’ na linin të qetë, sepse nuk kishin të drejta ligjore për t’ na marrë përsëri në pyetje dhe se ishim të gatshëm që të përballeshim edhe para gjykatësve në Prishtinë nëse dikush na akuzon për ndonjë vepër konkrete. Ai, na kërcënonte gjithashtu se, meqë ishim armiq të RSFJ-së mund të na merrni në hetuesi kur të donin, nuk kishin pengesa ligjore, dhe se na trajtonin si rob lufte. Provokimet më të mëdha na i bënte duke na pyetur për vrasjen e Mehmet Shehut si dhe për vrasjet e shokëve tanë, Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, në Shtutgard. Me urrejtje patologjike na fliste për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën, -duke thënë se, ai ishte fajtori kryesor për çdo ngjarje armiqësore ndaj Jugosllavisë. Pastaj, shtronte pyetje drejtpërdrejt, se çka mendonim për vrasjen e Mehmet Shehut dhe shokëve tanë.

–Për Mehmet Shehun, i thashë shkurt e me ironi, se kot e keni që trilloni lloj-lloj shpifjesh, ne shqiptarët e kemi një fjalë popullore që thotë se « e di luga se çka ka vegshi » dhe se shqiptarët e duan Enver Hoxhën si udhëheqësin më të aftë e më të mençur në gjithë historinë e vet. Më fliste për udhëheqësit « më të mirë » që kishte shteti shqiptar, pas LDB, si miq të Jugosllavisë, -e këta ishin Koçi Xoxe e Panajot Plaku… -Kurse, për vrasjen e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, ne nuk kemi mundësi të dimë se kush i ka vrarë, atë mund ta dini ju më mirë, sepse po na përcillni e nuk na lini të lirë askund…I dridheshin duart dhe humbte durimin kur flisja mirë për Enver Hoxhën. « Më mirë që të kanë futur në burg para demonstratave të 81-ishit, sepse do të vriteshe ose do të merrje dënimin maksimal po të ishe në këto ngjarje», -më thoshte…

-Tamam në një kohë kur nuk kishim ndonjë provokim a marrje në pyetje, kur fillova të mësoja edhe rumanishten me mikun tonë të qelisë, një mëngjes, në një ditë të bukur prilli të vitit 1982, (nuk më kujtohet data), në qelinë tonë hynë dy gardianë, ishte Vllada me vëllain e vet; me një zë të butë e një keqardhje njerëzore na u drejtua mua dhe Avdiut që të bëhemi gati, sepse po na transferonin në KPD (SHNP) të Nishit. U stepëm që të tre nga kjo e papritur. Isës, i ndryshoi ngjyra e fytyrës, Avdiut, i shkonin lotët dhe e përqafoi Isën, kurse as unë nuk e përmbaja vetën dhe filluan të më dalin lotët nga kjo ndarje më një vëlla ideali që nuk e kishte shoqin. U përqafuam me Isën, sikur po ndaheshim përgjithmonë!...” Ma bëni hallall Dan e Avdi, nuk i dihet jetës, se njerëz jemi, se edhe vëllezërit , njëri me tjetrin, zemërohen nganjëherë, -nga unë një mijë herë hallall!”...

-Pas një kontrollimi formal, se mos kishim diç që nuk na lejohej me veti, na urdhëruan që të dilnim nga zyra e Drejtorisë. Kërkova dhe insistova që t’ mi dorëzonin librat, lapsat dhe fletoret që m’i kishin marrë, kur kisha ardhur nga burgu i Mitrovicës së Sremit, por më kot. Në oborrin e Burgut na priste një furgon i zi, që kishte ardhur enkas për ne, nga Nishi.. Pasi i morëm pak gjëra personale që i kishim, hipëm në anën e prapme të furgonit të errët. Ishin 2 gardianë burgu, njëri shofer, dhe pasi na i lidhën duart, hipën në kabinë dhe e ndezën makinën drejt Nishit, drejt burgut më famëkeq për të burgosurit shqiptarë. Rrugës ndërronim nganjëherë ndonjë fjalë, por, më shumë rrinim të heshtur... - Patriot e burrë si Isa zor se i gjendet shoqi!, e theu heshtjen Avdiu. –Dan, më thuaj mendimin tënd për Isën, se ti vlerëson drejt?! Ai, më pyeti kështu, sikur ta kishte ndier se edhe unë po mendoja të njëjtën gjë, për shokun tonë të dashur e të respektueshëm.

– O Avdi vëllai, edhe unë, ashtu si ti, kam një respekt të lartë për Isën, nga konsiderata që e kam marrë për të, nga burrëria, karakteri dhe sjelljet e tij që më kanë lënë përshtypje, po e jap këtë vlerësim : Isa Demaj, një djalë Shqipërie; kreshnik Rugove, trim si Abdyl Frashëri, i ditur si Samiu, dhe i dashur si Naimi...

(VIJON...)

Zvicër, 30 Maj 2010


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 77 vizitorë
Lexuar: 2,578 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi