Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NDARJE ETNIKE E HUMANE NË MES KOSOVËS DHE SERBISË!
Publikuar më 19 korrik, 2010 në orën 22:02 ( ) Fehmi Ramadani | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Autonomia shumë e përfolur për serbët në veri të Kosovës do të jetë kancer i ardhshëm për shtetin e Kosovës, ndërsa ndarja etnike e humane do jetë në funksion të krijimit të stabilitetit afatgjatë të shtetit të Kosovës, por edhe të krejt rajonit të Ballkanit

Shtypja e lirive dhe të drejtave njerëzore e kombëtare, por edhe ndarjet etnike ishin shkaktari kryesor i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Serbia si republikë më hegjemone në ish-Jogosllavi, për këtë qëllim kishte filluar tri luftat e saj ndaj popujve tjerë, të njëjtit shtet. Ajo, në Kroaci synoi të merrte një pjesë të teritorit të saj, por përfundoi me marrëveshjen e Erdutit, një inkorporim i serbëve në shtetin kroat. Strategjia serbe kishte vazhduar zbatimin e planit për gjenocid dhe spastrim etnik në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke shkaktuar rreth 200.000 viktima ndaj muslimanëve, krime të papara që nga lufta e dytë botërore dhe kishte arritur që në Konferencën e Daytonit në SHBA të marrë 51 pë qind të teritorit të saj.

Pastaj, synimi i Serbisë ishte vazhdimi i gjenocidit dhe spastrimi etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo, Uashingtoni dhe perëndimi kishin reaguar shpjetë duke ndalë një politikë të çmendur serbe, kështu ajo ishte detyruar të nënshkruaj marrëveshjen e Kumanovës më 10 qershor 1999. Pas protektoratit ndërkombëtar 1999-2008 dhe të shpalljes së koordinuar të pavarësisë së mbykqyrur të Kosovës, për dy vjet të këtij shteti, Beogradi nuk ndali synimet e tij për destabilizim e Kosovës, sidomos të pjesës veriore të saj, e cila popullohet me shumicë serbe. Beogradi nuk dëshiron asnjë marrëveshje tjetër, vetëm territore. Beogradi, për këtë arsye, kohën e fundit ka filluar një ofensivë të re politike, që pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila mbahet më 22 korrik të fillojnë bisedimet politike mbi këto iniciativa.

Tashmë është e sigurtë, se pas mendimit të GJND-së për vlershmërinë e pavarësisë së Kosovës do të ketë bisedime të reja në mes Prishtinës dhe Beogradit, sepse jo vetëm që këtë e dëshiron Beogradi, por kështu mendojnë dhe dëshirojnë edhe protektorët ndërkombëtarë. Skenari është që të flitet për të ashtuquajtura “bisedime teknike”, ndërsa në realitet ato do të jenë më shumë se teknike, pra, duke përfshirë edhe idenë e shkëmbimin teritorial, apo ndryshimin e kufinjëve të Kosovës dhe Serbisë. Kjo iniciativë serbe është e re, për çudi edhe të ndërkombëtarëve, sepse Beogradi deri më tani Kosovën e trajtonte si pjesë të pandashme dhe përbërse të saj, ndërsa tani kërkon ndarjen, apo shkëmbim teritoresh!

Ndryshe, pas periudhës 1999 të gjitha nismat diplomatike të Beogradit ishin në favor të saj dhe kjo nismë do të implikojë situata të reja politike. Beogradi është shumë i vetëdijshëm se Prishtina nuk ka plan dhe strategji politike të veten dhe në maksimum po i shfrytëzon dobësitë e saj. Beogradi ka një plan dhe strategji të përgatitur mirë, bile të publikuar edhe nëpër mediume të ndryshme, ndërsa Prishtina nuk po mund të lirohet nga subordinimi i protektorëve ndërkombëtare.

Tashmë, Beogradi haptas ka shfaqur synimet e tij, si para mediave dhe zyrtarëve ndërkombëtar se do të pranojë një marrëveshje për ndryshim kufijshë me Kosovën. Kjo tregon se Beogradi ka ndryshuar qasjen për Kosovën dhe më nuk iu interesojnë serbët, por vetëm një pjesë e teritorit të saj. Motivi i Beogrdit është i qartë që me një të gjuajtur të arrihen disa qëllime, si ndarja etnike në mes shqiptarëve dhe serbëve, me ç’rast njëherë e përgjithmonë do të lirohet nga kjo barrë e rëndë historike, inkuadrimi në BE dhe të gjitha strukturat evro-atlantike, krijimi i një precedenti ndërkombëtar, që më pastaj të përdorë si argument para faktorit ndërkombëtar për ndarjen e Republika Serpska nga Bosnja dhe Hercegovina, etj. Me një fjalë, atë çfarë Sllobodan Millosheviqi nuk e kishte arritur me luftë, këtë strategji donë ta realizojnë “demokratët” serb në formë paqësore.

Në anën tjetër politika e Kosovës është një rrëmujë e madhe dhe nuk kanë ndonjë plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Gjendja e vështirësuar ekonomike, papunësia e madhe, skandalet dhe korrupsioni kanë krijuar pakënaqësi të madhe në popullatë dhe në rast të ndonjë krize të re politike, kjo situatë mund të eskalojë dhe të dal jashtë kontrollit, kurse për pasojë do të kishte një kaos total shoqëror. Atëherë, krejt mundi dhe investimi ndërkombëtar në Kosovë do të viente në pikëpyetje dhe do të shkonte huç, dhe kjo do të ishte një katastrofë e vërtet.

Tani, kur kemi një situatë të tillë dhe përpjekjet e Beogradit dhe zyrtarëve perëndimorë shkojnë në favor të kësaj ideje, përfaqësuesit e Luginës të Preshevës duhet të aktivizojnë projektin për ribashkimin e Luginës me Kosovën, sepse kjo ishte pjesë përbërse e saj deri në vitin 1945. Atëbotë, komunistët jugosllav kishin ndarë këto komuna nga administrimi i Kosovës dhe ia kishin bashkangjitur Serbisë në këmbim me Leposaviqin dhe Zubinpotokun. Dihet se kjo ndarje ishte bërë për qëllime politike dhe rëndësisë së madhe të korridorit 10, që lidh Evropën me Azinë. Nëse ndodhë që vëretet të ketë një këmbim të tillë, atëherë Kosova nuk do të humb agjë nëse kufiri i saj shkon deri në Davidovc të Bujanocit. Shumë më i rëndësishëm për Kosovën është korridori 10 dhe lidhja e saj me Azinë, se sa një pjesë veriore që e lidh me Serbinë. Por, një gjë duhet pasur kujdesë që vija adminsitrative e arshme nuk guxon të pranohet në lumin Ibër, por duhet të përshkohet vija e vjetër administrative nga Zveçani e tutje.
Ky ridefinim i ri i kufinjëve në mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm një përmirësim i gabimit të kaluar dhe asgjë më shumë. Politikisht mund të llogaritet si zgjidhje kompromisi që do të thotë se ështe në të mirë të dy vendeve, sepse do të mbyllte një kapitull të errët të historisë së këtyre dy popujve.

Lugina e Preshevës në favor të ribashkimit më Kosovën ka shumë argumente, vlen të përmendet, sidomos Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, i cili kërkonte ribashkim me Kosovën. Pastaj, konflikti i armatosur i viteve 2000-2001 në mes shtetit të dhunshëm serb dhe shqiptarëve të këtij rajoni ishte për të drejat e tyre individuale dhe kolektive dhe për bashkim me Kosovën. Gjatë kësaj lufte, për këtë qëllim kishin rënë 27 dëshmorë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe me dhjetëra të tjerë gjatë së kaluarës historike. Mirëpo, pas një ndërmjetësimi ndërkombëtar kishte një marrëveshje paqësore, por e cila nuk u respektua nga Beogradi. Kështu, sot e kësaj të drejtat e tyre janë cunguar dhe ato shkilen në formë drastike duke u mbajtur nëpër burgje me dhjetëra shqiptarë të pafajshëm. Me qindra shqiptarë të këtij rajoni kanë braktisur vatrat e tyre për shkak të represionit serb, ndërsa pas luftave të fundit nëpër dosjet e sigurimit serb figurojnë me dhjetëra emra të shqiptarëve për t’i arrestuar dhe burgosur. Pra, liritë e tyre janë të diskriminuara, kurse nëse krahasohen me të drejtat dhe liritë e serbëve të Kosovës, ato janë të pakrahasueshme.

Prandaj, në prag të këtyre bisedimeve përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, apo Kosovës Lindore duhet të shfaqin projektin e tyre për ribashkim me Kosovën përballë Prishtinës dhe Beogradit, por në rast të anashkalimit të mos ndalen përpjekjet e tyre, si në Tiranë, Uashington, Bruksel, Paris, Londër, Berlin e gjetiu, sepse kjo është e drejtë e tyre legjitime e paguar shumë shtrenjtë.

Por, jo vetëm kaq, në Luginë të Preshevës duhet të organizohen edhe reagime të krejt të qeta popullore dhe përsëri të shfaqet vullneti i popullatës shumicë të këtij rajoni në kërkim të drejtave të tyre, respektim të drejtave të tyre dhe ribashkimin me Kosovën, sepse tashmë është momenti më i volitshëm. Kështu, kontributi më i madh do të vijë nga reagimi dhe protestat e popullsisë së Luginës, por edhe të përfaqësuesve të tyre politik, veprimtarëve të ndryshëm, etj.

Lugina e Preshevës ndaj Prishtinës dhe Beogradit duhet shtruar haptas projektin e tyre dhe në një formë të imponojë këtë projekt, sepse ky projekt mund të llogaritet edhe si ndarje humane në mes këtyre popujve, mu ashtu siç e ka theksuar akademik Rexhep Qosja, por dhe të tjerët, që në fund të ketë një zgjidhje përfundimatre të problemit të tyre, por edhe të kontesit shqiptaro-serb. Autonomia e përfolur për serbët në veri të Kosovës do të jetë kancer i ardhshëm për shtetin e Kosovës, ndërsa ndarja humane etnike do jetë në funksion të krijimit të stabilitetit afatgjatë të shtetit të Kosovës, por edhe të krejt rajonit të Ballkanit.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Fehmi Ramadani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 956 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi