Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
AMERIKË, TË PAÇIM PËRJETË!
Publikuar më 23 korrik, 2010 në orën 23:26 ( ) Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
BAROMETRI DIPLOMATIK

*** Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të Holandës, më 22 korrik të vitit 2010, e konfirmoi ligjshmërinë juridiko-ndërkombëtare të Deklaratës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Për këtë, meritat kryesore i përkasin Amerikës dhe aleatëve të saj evroperëndimorë, që krahas UÇK-së, luftuan dhe u angazhuan drejtpërdrejt për shpëtimin dhe për pavarësimin e Kosovës nga Serbia hegjemoniste dhe militariste.

Ndaj, moralisht dhe njerëzisht jemi të obliguar, që Amerikën ta falenderojmë dhe urojmë me betimin e perzemerte jetëgjatë, - Amerikë të paqim përjetë! Drejtësia vjen në shprehje, por vetëm atëherë, kur i forti e çon përpara atë, sikurse Amerika dhe partnerët e saj të BE-së dhe të NATO-s, që si në kohë lufte, ashtu edhe kohë paqeje, e mbështetën pa asnjë rezervë të drejtën dhe drejtësinë e Kosovës, që të jetë shtet sovran dhe i pavarur nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale(1912-1999).

Ndryshe, pa UÇK-në, pa ndihmën e Amerikës dhe të NATO-s, drejtësia për Kosovën, do të ishte vetëm një nocion abstrakt dhe, një ëndërr e parealizueshme për shqiptarët, sikundër këtu e 100 vjet të shkuara (1912-1999).

As Amerika, e as Evropa Perëndimore nuk lejojnë, që Kosova të jetë koloni e Serbisë në zemër të Evropës demokratike dhe paqësore, sepse kolonializmi serb mbi Kosovën ishte vepër penale ndërkombëtare!

Prandaj, Serbia, duhet të pajtohet me vendimin këshilldhënës të GJND-së për Kosovën, sepse nuk ka më kurrfarë force ekonomike, politike, e as ushtarake, që edhe në këtë shekull, ta mbajë Kosovën si koloni të vetën. Tanimë, që nga përfundimi i luftës së ftohtë (1990) kanë ndryshuar raportet e sferës së interesit të fuqive të mëdha evropiane perëndimore dhe të SHBA-ve, jo vetëm në Ballkan, por në tërë hapësirat e Evropës Juglindore.

Zatën, ky edhe është kompromisi i vetëm politik paqësor për Kosovën dhe për Serbinë. Tjetër kompromis nuk mund të ketë ndërmjet shtetit kolonizues të dikurshëm serb dhe shtetit të ri të pavarur të Kosovës.

Nëse barësit dhe drejtuesit e politikës zyrtare të Beogradit duan të shpëtojnë pa pasoja dhe, pa sanksione nga bashkësia ndërkomëtare, si dhe nga vetë populli i tyre, seriozisht, duhet ta respektojnë dhe ta marrin në konsideratë vendimin e GJND-së për Kosovën, sepse ky është shpëtimi i vetëm i tyre ngase e kanë mashtruar dhe e kanë gënjyer si opinion e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar se, kinëse “shpallja e pavarësisë unilaterale e Kosovës, ishte shkelje flagrante e normave dhe e parimeve të së drejtës ndërkombëtare”(!)

Mirëpo, këtë akuzë të pabazë në kuptimin juridiko-ndërkombëtar të qarqeve politike dhe juridike të Beogradit zyrtar, e hudhi poshtë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, më 22 korrik 2010. Këtë e bëri të ditur për opinionin publik ndërkombëtar Kryetari i GJND-së Hisashi Ovada, se: “ Deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka cenuar të drejtën ndërkombëtare, për shkak se kjo e drejtë nuk përmban ndalimin e deklaratave të tilla.”(http://www.b92.net/info//).

Ndërrimi i tezave, shpërfytyrimi dhe improvizimi i kritereve të së drejtës ndërkombëtare, është i papranueshëm për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë së OKB-së.

Në asnjë mënyrë qoftë morale, qoftë juridike shkencore, nuk mund të vihet simetria e terrorit dhe e gjenocidit serb në Kosovë (jo vetëm në Kosovë, por edhe në Kroaci dhe në Bosnjë) me luftën e drejtë vetëmbrojtëse çlirimtare kombëtare të UÇK-së.

Republika e Kosovës nuk është krijuar me terror, me vrasje të civilëve serbë, me gjenocid, me masaskra dhe me varreza masive, ashtu siç është krijuar “Republika srspska” në Bosnjë, por me rrugë paqësore, demokratike dhe ligjore. Prandaj, forma e krijimit të Republikës së Kosovës, është plotësisht e pranueshme dhe legale sipas të gjitha normave dhe kritereve të së drejtës ndërkombëtare, të dispozitave e neneve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Dokumentit Përfundimtar të Helsinkit të KSBE-OSBE-së (1975) etj.

Ndërkaq, krijimi i “Republika srpska” është në kolozion me të gjitha instrumentet ligjore të së drejtës ndërkombëtare, të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Dokumentit Përfundimtar të Helsinkit (1975), sepse është krijuar me forcë dhe me gjenocid. Këtë formë të njohjes së shtetit të entitetit serb në Bosnjë, nuk e njeh e drejta dhe ligjet ndërkombëtare. Përkundrazi, “republika srpska” është një produkt me përmbajtje politike, pa mbështetje historike dhe juridike ndërkombëtare.

Ky status arbitrar dhe ilegal i “Republika srpska”, është dashur të jetë objekt shqyrtimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e jo Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në mënyrë paqësore, legale dhe demokratike (17 shkurt 2008).

Serbia nuk është e detyruar ta njohë Republikën e Kosovës!

Për ne, nuk është fare me rëndësi se, a e njeh dhe, kur do ta njohë Serbia Republikën e Kosovës. Kryesorja është që Shtetet e Bashkuara së bashku me 22 shtete të Bashkimit Evropian (me përjashtim të Greqisë, Sllovakisë, Rumanisë, Qipros dhe Spanjës, të cilat janë rreshtuar në anën e Serbisë) dhe me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës (22 korrik 2010) e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Vendimi i GJND-së mbi konfirmimin e pavarësisë së Kosovës, është në favor të mbrojtjes së normave dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, jo të doktrinës dhe të praktikës së derisotme të politikës dhe të së drejtës vendore të Serbisë në sundimin dhe pushtimin kolonial dhe gjenocidal të Kosovës shqiptare.

Serbia nuk duhet ta fajsojë GJND-në, por vetëvetën për shkak të sundimit të saj kolonial dhe gjenocidal mbi Kosovën e Shqipërisë Etnike (1912-1999).

Shkëputja (secesioni) i Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare!

Derisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e ka konfirmuar pavarësinë e Kosovës, nënkuptohet se, sipas së drejtës ndërkombëtare është e lejueshme dhe e pranueshme shkëputja (secesioni) e Kosovës nga varësia e sovranitetit kolonial të Serbisë. Kështu që në këtë rast konkret, kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hisashi Ovada fare nuk ka pasur nevojë, që krahas nocionit pavarësi, ta theksonte, edhe të drejtën e shkëputjes (secesionin), sepse juridikisht është shumë e qartë, derisa GJND-ja ka njohur pavarësinë e Kosovës, e drejta e shkëputjes së saj nga Serbia fare nuk është e diskutueshme për të drejtën ndërkombëtare, sepse mbi këtë bazë ligjore, është ndërtuar edhe koncepti i pavarësisë. Ndryshe, sikur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ta kishte hudhur poshtë pavarësinë e Kosovës, atëherë, do të vihej në pikëpyetje e drejta e shkëputjes (secesioni) së Kosovës prej Serbisë.

Pas kapitullimit në Hagë, çfarë tash kërkon Serbia?!

Si rregull e përgjithshme, “ai që humb ka të drejtë ankese”. Mirëpo, me shkëputjen e përgjithmonshme të Kosovës, të cilën e verifikoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë së OKB-së në Hagë, më 22 korrik 2010, Serbia as serbët nuk kanë humbur asgjë, përpos interesit dhe sovranitetit të tyre kolonial në Kosovë.

Mirëpo, për këtë Serbia dhe serbët nuk kanë të drejtë të hidhërohen, as të shokohen, ngase Kosova historikisht dhe ligjërisht u përket Shqipërisë dhe shqiptarëve. Këtë fakt historik dhe, këtë provë materiale për gjyqin, për drejtësinë dhe për të drejtën ndërkombëtare, Boris Tadiq (president i Serbisë) dhe ministri i Jashtëm i tij, Vuk Jeremiq së bashku me qeverinë, me parlamentin, me Kishën dhe me Akademinë e tyre serbe, duhet t’i mbajnë parasysh, duke mos i harruar dhe anashkaluar kurrë, sepse titullar legjitim i Kosovës është populli shqiptar dhe Shqipëria Etnike, jo Serbia, as serbët. Këtë të vërtetë historike dhe juridike kombëtare dhe ndërkombëtare, së fundi (pas 100 vitesh padrejtësie), e vërtetoi edhe vendimi historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, me ç’rast kryetari i saj, Hisashi Ovada deklaroi se “ Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008 është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Veç kësaj, ky vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nxori në shesh të vërtetën e pamohueshme se të drjetën ndërkombëtare në Kosovë e respektuan dhe e mbrojtën SHBA-të, BE-ja, NATO-ja, jo kursesi Serbia, ashtu siç deklaronte paraprakisht, edhe kryetari i Serbisë, Boris Tadiq se kinëse “në Kosovë mbrohej e drejta ndërkombëtare nga ana e Serbisë.”!?

Çfarë hipokrizie dhe cinizmi moral, politik, diplomatik dhe juridik i Boris Tadiqit, kur, tanimë, tërë bota është në dijeni se, Serbia ishte vetë ajo, që me terrorin dhe me gjenocidin e saj në Kosovë, në mënyrë barbarike i shkeli të gjitha normat dhe ligjet ndërkombëtare, gjë që kjo, edhe është një nga arsyet kryesore pse Kosova sot është e pavarur dhe sovrane.

Tadiqi dhe Jeremiqi mund të vazhdojnë “luftën diplomatike” të Serbisë, edhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, mirëpo, edhe atje, do të pësojnë debakël sikurse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse shumica dërrmuese e shteteve anëtare të OKB-së, do ta mbështesin dhe do ta votojnë Vendimin e drejtë dhe të ligjshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konfirmuar pavarësinë e ligjshme të Kosovës.

Për më tepër, tanimë, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të përligjjes juiridike ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ka një peshë të madhe, dhe se, pa dyshim, do të ndikojë pozitivisht edhe te një numër i madh i shteteve të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat deri tani (si pasojë e lobimit negativ të diplomacisë zyrtare të Beogradit) kanë qenë të rezervuara lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, tani, pas shpalljes së vendimit të GJND-së në të mirë të mbështetjes së pavarësisë së Kosovës, çdo gjë është bërë e qartë ngase janë mënjanuar dyshimet dhe dilemat se, pavarësia e Kosovës është në frymën e së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, jo në frymën e së “drejtës ndërkombëtare” të Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999), e cila, në rastin e Kosovës ka thyerë të gjitha ligjet, rregullat dhe normat e së drejtës dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Prandaj, duke mbajtur parasysh shkeljen e obligimeve ndërkombëtare të Serbisë, edhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, do të nxjerrë Rezolutën në bazë të Vendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të njohtuar më 22 korrik 2010.

Shikuar, në aspektin faktik dhe juridik ndërkombëtar, Haga, përgjithmonë, ia vuri “gurin në qafë” hegjemonizmit dhe kolonializmit shekullor serb në Kosovë (1912-1999)!

Kjo, do të thotë se, as në mënyrë paqësore, as me dialog demokratik, as me luftë, Serbia kurrë më nuk ka asnjë gjasë reale, që ta rikthejë Kosovën shqiptare nën sundimin dhe nën sovranitetin e saj të përgjkashëm kolonial (1912-1999), sepse çdo luftë Serbia e ka të humbur ngaqë shqiptarët e kanë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare (Amerika, BE-ja dhe NATO-ja), si dhe mbrojtjen e ligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Pra, duke qenë se Serbia e ka humbur koloninë e saj njëqindvjeçare, shtrohet pyetja e logjikshme, çfarë kërkon ajo më tepër, - kërkon beteja dhe luftra të reja “diplomatike” për t’i gënjyerë dhe mashtruar edhe më tej qytetarët e saj, ashtu sikurse deri tani-“Kosova është Serbi”!?

-Përkundrazi, kjo është tragjedia e tyre, të cilën, edhe pas një shekulli, serbomëdhenjtë nuk janë në gjendje ta kuptojnë realisht, ashtu, sikurse i ka porositur Dimitrije Tucoviq: “ Derisa serbët nuk kuptojnë se janë në truallin e huaj, kurrë nuk do të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore me shqiptarët.”!

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 43 vizitorë
Lexuar: 1,038 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi