|
Prishtinë, 9 shtator - Kryetari i Kuvendit të Kosovës , dr. Jakup Krasniqi, përmes një deklarate për shtyp shfaqi sot kënaqësinë për tërheqjen e Rezolutës së Serbisë për Kosovën, të paraqitur në OKB për miratim, për t’ u zëvendësuar me një përmbajtje të re, të formuluar në bashkëpunim me BE-në, që mbështetet edhe nga SHBA-të. Rezoluta e re, theksohet në deklaratën e kryeparlamentarit, afirmon opinionin e GJND-së dhe thërret BE-në që ta udhëheqë dialogun në mes dy vendeve të pavarura për stabilitet në rajon.
Në këtë mënyrë Serbia gradualisht po bëhet faktor i shtensionimit të situatës në rajon.”Ne asnjëherë nuk kemi thënë se nuk do të bisedojmë për çështje me interes”, tha në vazhdim kryekuvendari Krasniqi. Ndërkaq, duke folur për angazhimet që e presin shtetin e Kosovës në të ardhmen, theksoi se duhet të vazhdohet puna në forcimin e shtetit të Kosovës, me një vëmendje të shtuar ndaj pozitës së komuniteteve, përkatësisht në inkuadrimin e tyre sa më të denjë në të gjitha poret e jetës institucionale dhe shoqërore të Kosovës.
Në pyetjen se kujt i përket merita për arritjen e marrëveshjes për rezolutën e re, kryekuvendari Krasniqi theksoi se kjo është meritë e institucioneve të Kosovës, që dinë të çmojnë qytetarët e vet dhe të krijojnë marrëdhënie miqësore me faktorët ndërkombëtarë. Kjo është njëherësh edhe meritë e miqve ndërkombëtarë dhe e politikës së Serbisë, e cila po heq dorë nga politika agresive, duke u orientuar drejt integrimit evropian. Në këtë vështrim me rezolutën e re të gjithë kanë fituar: BE-ja, Serbia dhe Kosova. “Këtu nuk ka humbës, të gjithë janë fitues”, tha kryekuvendari Krasniqi.
|