Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Danaj: Shqipëria natyrale, domosdoshmëri
Publikuar më 28 dhjetor, 2011 në orën 05:12 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në një intervistë për gazetën Nacional Albania, kryetari i Listës për Shqipëri natyrale, Koço Danaj, shpalos platformën e tij, jep përshtypjet për shoqërinë shqiptare dhe kërkesat që kjo e fundit ka për elitën politike. Ai thotë se Shqipëria natyrale është domosdoshmëri, për progresin dhe mirëqenien e shqiptarëve dhe paqen rajonale.

Çfarë përbën në fakt Shqipëria Natyrale sipas platformës tuaj?

Sipas Platformës, Shqipeëia Natyrale nuk është gjë tjetër veçse Shqipëria e shpallur në 28 Nëntor 1912, ne Kuvendin e Vlorës. Pra kërkesa për Shqipëri natyrale, është në thelb kërkesa për zbatimin e një akti juridik, i cili u injorua nga Mbledhja e ambasadorëve në Londër ne vitet 1912-1913. Ky injorim u bë në mënyrë më shumë se kolonialiste, u bë në mënyrë barbare. Jo vetëm që kjo mbledhje që u mblodh në 16 dhjetor 1912, pra 18 ditë më pas shpalljes së pavarësisë, nuk e mori parasysh këtë akt juridik, por i trajtoi trojet shqiptare si plaçkë tregu. Vetë kryetari i mbledhjes ish ministri ijashtëm britanik Edëads Grey e pranon një gjë të tillë në librin e tij Memoires, Kujtime, të botuar në vitin 1927, një kopje të të cilës e zotëron edhe Lista për Shqipëri Natyrale. Ja se çfarë thotë Grey në Kujtimet e tij:.... Lufta në Ballkan nuk e rrezikoi paqen evropiane nga rihapja e çështjes së Kostandinopojës apo të ngushticave (Detroits), sepse as Austria dhe as Rusia, dy fuqitë më ngushtësisht të interesuara, nuk kishin ndër mend të ishin aktive për të influencuar kushtet që Greqia, Bullgaria dhe Serbia mund ti vendosnin Turqisë duke prekur Maqedoninë. Çështja e rrezikut dhe e përplasjes ishte Shqipëria, ku dominimi turk u thye pas luftës. Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja; Serbia donte, të kishte dalje në Adriatik, dhe kishte shumë mundësi që ajo dhe Mali i Zi të dëshironin të merrnin disa rajone të Shqipërisë duke i konsideruar pjesë të plackës së luftës. (Grey, Memoires, botime Payot, 1927 faqe 246).

Cilat janë pikat kryesore të implementimit të kësaj platforme?

Pikat kryesore janë të thjeshta, zbatimi i Aktit Juridik te Kuvendit të Vlorës, anulimi i mbledhjes së Londrës, duke e konsideruar atë ashtu siç e konsideroi ish ministri i jashtëm britanik Robin Kuk ne prill 1999,si një nga padrejtësitë më të mëdha që i janë bërë kombit shqiptar. Po ju jap një detaj, Mbledhja e Londrës nuk ka lënë asnjë vendim me shkrim, nuk mbajti asnjë proces verbal. Vetë Grey e pranon një gjë të tillë. Ja se çfarë thotë ai: …

Nuk pati as mbyllje solemne, ne nuk bëmë fotografi grupi, nuk na dhanë asnjë falënderim apo fjalim lamtumire; thjesht ndaluam së takuari. Ne nuk kishim përcaktuar asgjë, as detajet e kufijve shqiptarë, e megjithatë ne kishim bërë një punë të dobishme: Ne kishim qenë mjeti i mbajtjes së gjashtë fuqive të mëdha në kontakt direkt dhe miqësor….(Grey, Memoires, botime Payot, faqe 253)

Më konkretisht, fillimisht bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, lejimi i shqiptarëve në Maqedoni për referendum për bashkim me Shqipërinë, shpallja e Çamërisë si zonë e lirë midis Shqiperise dhe Greqisë etj.

Cili është komenti juaj për akuzat e z. Bashkurti që ju njëson ju dhe idetë tuaj me vizionin e Hitlerit?

Jetojmë në pluralizëm dhe të pranosh këtë pohim do të thotë të pranosh jo vetëm tezat e atyre që janë pro teje, por edhe tezat e atyre që janë kundër teje. Platforma e Shqipërisë Natyrale ka si thelb të saj dialogun me fqinjët, serbë, malazez, maqedonas e grekë, të cilët dihen që aktualisht janë kundër Shqipërisë natyrale. E duke qenë kështu, ne nuk shqetësohemi edhe për ata shqiptarë të cilët janë kundër Shqipërisë Natyrale. Është kombi shqiptar i cili do të vendosë nesër se cilat ide përqafon. Sa për krahasimin me Hitlerin, më duhet të them se kemi të bëjmë me një mosnjohje totale të historisë së kombit shqiptar. Platforma e Shqipërisë Natyrale nuk është asgjë tjetër veçse Shqipëria në kufijtë e saj Natyralë, e shpallur fillimisht në Kuvendin e Vlorës në 28 nentor 1912. Në qoftë se, Ismail Qemali, Isa Boletini, Vehbi Agolli, Mehmet Dërralla, Hasan Prishtina etj ngjajnë me Hitlerin, unë e kam për nder të madh të ngjaj me ata burra të mençur, vizionarë dhe patriotet më të mëdhenj të kombit shqiptar. Pra thjesht, kundërshtarët serbë, grek,maqedonas, malazezë apo shqiptarë më bëjnë nder mua dhe gjithë anëtarëve të Listës për Shqipëri Natyrale

A po mbrojnë interesat kombëtare Koço Danaj dhe përfaqësuesit e listës së Shqipërisë Natyrale?

Lista për Shqipëri natyrale që u shpall zyrtarisht në 30 tetor 2010, u krijua jo thjesht për të mbrojtur interesat kombëtare. Kjo është shumë pak, sot ka qindra mijëra shqiptarë që i mbrojnë interesat kombëtare. Sot nuk shtrohet çështja e mbrojtjes së interesave kombëtare, sot shtrohet domosdoshmëria e sendërtimit të Shqipërisë Natyrale, pra e bashkimit kombëtar sipas Aktit Juridik të kuvendit të Vlorës. Shqipëria deri më sot ka pasur vetëm një kryeministër të Shqipërisë natyrale e ky është Ismail Qemali, vetëm një Kryetar Kuvendi të Shqipërisë natyrale e ky është Vehbi Agolli nga Dibra e madhe, një Ministër të mbrojtjes të Shqipërisë natyrale e ky është Mehmet Pashë Derralla, një ministër Bujqësie të Shqipërisë Natyrale e ky është Hasan Prishtina. Rikrijimi i këtyre institucioneve, për Listën për Shqipëri Natyrale do të thotë sot, mbrojtje e interesave Kombëtare. Demi kapet nga brirët, jo nga bishti.

Dhe e fundit, kërkesa që brenda këtij viti do ti bëhet 6 ministrave të jashtëm të fuqive evropiane që organizuan Londrën-1913, plus edhe sekretares amerikane të shtetit që aso kohe nuk mori pjesë, për ta anuluar këtë konferencë të paligjshme, përbën një kontribut të çmuar për të mbrojtur interesat kombëtare. Interesat kombëtare sot nuk mbrohen vetëm me flamuj apo me folklorizëm, por me fakte dhe argumente të cilat të shndërrojnë në partner të fuqive të mëdha. Dhe ne synojmë të shtrojmë në Tavolinën e politikës botërore, fakte dhe argumente te reja, që ti bindim fuqitë e mëdha se Shqipëria natyrale është një domosdoshmëri për paqen dhe stabilitetin rajonal. Po ju jap një fakt të ri të panjohur më parë që do i bëhet prezent fuqive të mëdha.
Deri tani opinioni shqiptar ka ditur se copëtimi i trojeve shqiptare në Londër u bë gjoja për të shpëtuar paqen evropiane. Dhe është sjellë si fakt fjalimi i kryetarit të kësaj konference Greyt në Dhomën e Komuneve të Britanisë së Madhe. Bukur. Por,ne gjetëm origjinalin, që janë vetë Kujtimet e Greyt të botuara në vitin 1927. Në këto kujtime, Grey, përgënjeshtron atë që ka thënë në Dhomën e Komuneve me të cilën është ushqyer për afër 100 vjet opinioni publik dhe politik shqiptar. Ja se çfarë thotë Grey lidhur me gjoja rrezikimin e paqes evropiane: ....Pra, lufta në Ballkan nuk e rrezikoi paqen evropiane nga rihapja e çështjes së Kostandinopojës apo të ngushticave te Bosforit, sepse as Austria dhe as Rusia, dy fuqitë më ngushtësisht të interesuara, nuk kishin ndër mend të ishin aktive për të influencuar kushtet që Greqia, Bullgaria dhe Serbia mund ti vendosnin Turqisë duke prekur Maqedoninë. Çështja e rrezikut dhe e përplasjes ishte Shqipëria, ku dominimi turk u thye pas luftës. Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja; Serbia donte, të kishte dalje në Adriatik, dhe kishte shumë mundësi që ajo dhe Mali i Zi të dëshironin të merrnin disa rajone të Shqipërisë duke i konsideruar pjesë të plaçkës së luftës. .....(Grey, Memoires, 1927, faqe 246)

Ka edhe të tjera, fakte tronditëse, të cilat jo vetëm do ti vënë në vështirë si fuqitë e mëdha, por edhe do ti detyrojnë të anulojnë Londrën-1913, ashtu siç kanë anuluar Versajën-1919 dhe Jaltën-1945.

Po Aleanca "Kuq e Zi" si shikohet nga ju? Si aleat në mbrojtjen e vlerave tona apo...?

Para nesh ka pasur edhe të tjera organizma politikë apo shoqërore, ashtu sic ka edhe pas nesh, ashtu sic do të ketë të tjera. Rëndësi ka që të gjithë lumenjtë të derdhen në Detin e Shqipërisë natyrale. Deri tani kemi vetëm Vetëvendosjen që shndërroi dëshirën në votë duke dalë forca e tretë në Kosovë.

Si do të realizohet dhe përqafohet nga sa më shumë shqiptarë platforma juaj?

Por tashmë ajo është përqafuar si Platformë nga qindra mijëra shqiptarë në mbarë trojet shqiptare dhe në diasporë. Bile është pranuar si nocion politik edhe nga fqinjët tanë, serbë, grekë, maqedonas apo malazez. Po ju jap vetëm një shifër,qysh nga shpallja zyrtare e Listës së Shqipërisë natyrale e deri më sot, në median e shkruar dhe atë elektronike të fqinjëve tanë janë botuar mbi 800 analiza, deklarata, shkrime, njoftime. E përbashkëta e tyre është se të gjithë përdorin nocionin Shqipëri Natyrale. Mjafton të kërkoni në www.google.com emrin ‘Prirodna Albanija’ dhe do ta verifikoni vetë çfarë thashë më lart. Tashmë ka kohë që ka filluar faza e organizimit të saj në mbarë trojet shqiptare dhe në diasporë. Në muajin janar do botohet gazeta elektronike ëëë.shqiperianatyrale.net, ndërsa ne muajin Mars 2012 do te filloje botimi i gazetës së përditshme Shqipërianatyrale. Po në muajin janar, ministra e jashtëm të Italisë, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Austrisë dhe SHBA do të kenë në dorë kërkesën e Listës për Shqipëri Natyrale për anulimin e Konferencës së Londrës me fakte dhe argumente të panjohura deri më sot.

Lista për Shqipëri Natyrale është misionare, ajo nuk synon pushtetin politik, por shtetin-komb, prandaj ne kemi anëtarë të Listës, politikanë, deputetë të cilët sot bëjnë pjesë në parti të ndryshme politike, intelektualë të cilët simpatizojnë këtë apo atë parti politike. Prandaj quhemi Listë. Ne nuk na intereson kush është i pari. Për ne e para është domosdoshmëria e së ndërtimit të Shqipërisë Natyrale. Ne jemi të gjithë të nevojshëm, por nuk jemi të domosdoshëm, e domosdoshme është vetëm Shqipëria Natyrale, pa të cilën nuk do të ketë as progres, as mirëqenie për shqiptarët, por as paqe dhe stabilitet për fqinjët dhe Brukselin. Kyçi i paqes dhe stabilitetit rajonal është vetëm Shqipëria natyrale.

A janë të shtrira degët tuaja kudo në trevat shqiptare?

Pothuaj se në të gjitha. Aktualisht, po punohet për krijimin e degëve edhe në ato zona ku ekzistojnë bërthama të Listës së Shqipërisë natyrale. Por dua të vë në dukje edhe një veçori të Listës për Shqipëri Natyrale. Duke qenë Listë, në gjirin e saj bëjnë pjesë edhe shoqata apo parti politike. Dhe sa kohë që këto shoqata apo parti politike janë anëtare të Listës, për aq kohë ne nuk krijojmë degë atje ku kryejnë aktivitetin e tyre këto parti apo shoqata.

Komenti juaj për politikën aktuale shqiptare?

Politika aktuale shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj, në shumicën e saj është kozmopolite. Përjashtim bëjnë një pjesë politikanësh të cilët kanë filluar të artikulojnë nevojën e bashkimit të trojeve shqiptare. Kjo politikë ka disa arsye pse mban një qëndrim të tillë. Një pjesë prej tyre kanë frikë nga të huajt ose presin se çfarë do të thonë të huajt, një pjesë kanë frikën e pushtetit personal apo të partisë, sepse nuk do të jetë njësoj të konkurrosh vetëm në Drenicë apo Gjakovë dhe në Tepelenë apo Vlorë njëkohësisht, ose të konkurrosh në Shkodër apo edhe ne Tetovë njëkohësisht. Ndërsa një pjesë janë thjesht kozmopolitë. Për shembull, ju jeni në dijeni se shumë politikanë në Tiranë dhe Prishtinë po flasin dhe veprojnë për të rishkruar historinë, që sipas tyre e ka shkruar keq komunizmi. Por asnjë deri më tani nuk po thotë se duhet korrigjuar dhe rishkruar edhe historia që ka shkruar mbi shqiptarët shovinizmi fqinj dhe kolonializmi evropian i dikurshëm. Dua të them se ri shkruarja e historisë brenda shqiptare është e nevojshme, por ajo do te ishte pa asnjë lloj përfitimi për kombin shqiptar, në qoftë se nuk njihet dhe nuk korrigjohet edhe historia e shovinizmit fqinj serb, malazez, grek dhe përkrahësve të tyre në Evropë dhe botë mbi kombin dhe territoret shqiptare. Historia duhet të korrigjohet, pastaj të rishkruhet. Për shembull: A e dinë shqiptaret historinë e shovinizmit serbo, greko malazez mbi ata dhe territoret e tyre? Nuk e dine. Ata nuk e dinë se cili është vendimi që Ulqini ju aneksua Malit të Zi, ata nuk e dinë se ku është vendimi që 19 mije kilometra katrore ju dhanë Serbisë në 1913. Ata nuk e dinë që këtë sipërfaqe, Edwards Grey e konsideroi me përbuzje: disa fshatra shqiptare. Ata nuk e dinë qe Selaniku në 1913 kishte 75 mijë hebrenj, 25 mijë grekë dhe 12 mijë shqiptare, ata nuk e dinë se si i shfarosi shovinizmi grek, hebrenjtë dhe shqiptarët, ata nuk e dinë që Edwards Grey deklaron në kujtimet e tij se nuk morën asnjë vendim për trojet shqiptare, ata nuk e dinë që Pol Kambon deklaron në kujtimet e tij në 1913 se Kufijtë e Shqipërisë janë dhe do të mbeten problemi më i madh i pazgjidhur, ata nuk e dinë që Ahmet Zogu nuk u njoh si mbret në vitin 1940 kur shkoi në Londër, sepse zemërohej mbreti i Jugosllavisë Peter dhe ai i Greqisë Jorgo që ishin në Londër së bashku me qeveritë e tyre në mërgim dhe që ju ishte premtuar ndarja e Shqipërisë pas lufte, deri në Shkumbin - Greqia dhe pjesën tjetër - Jugosllavia. Ata nuk e dinë se Lufta e Dytë Botërore filloi në 7 prill 1939 kur u pushtua Shqipëria dhe jo në 1 shtator 1939 kur u pushtua Polonia. Ata nuk e dinë që në Jaltë nuk u diskutua fare për Shqipërinë, sepse ishte vendosur të fshihej nga harta e Evropës. Ata nuk i dinë dy referatet e Ç0ubrillovicit, të 1937 dhe 3 nëntor 1944 mbi shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës qoftë edhe me Ushtri. Ata nuk e dinë se vendimet e Konferencës së Potsdamit e detyrojnë Greqinë të lejojë shqiptarët të kthehen në trojet e tyre në Çamëri. Ata nuk e dinë se çfare copëtimi barbar i ka bërë Diktatura shoviniste e fqinjëve e mbështetur nga disa fuqi të mëdha evropiane, kombit dhe trojeve shqiptare etj etj. Por as politikanët e tyre shqiptare, as akademitë e tyre servile ndaj politikanëve, as profesorët e të drejtës ndërkombëtare po kaq servile ndaj tyre nuk do tua thonë. Pse? Sepse kane frikë nga të huajt që sot i kemi aleatë, apo se gjoja na prishet fqinjësia e mirë. Ndërsa të huajt demokratë të pas viteve 90-te, i pohojnë vetë këto barbari dhe padrejtësi, siç bëri i madhi Robin Kuk, që deklaroi para deputetëve britanikë se ne duhet të riparojmë të gjitha padrejtësitë ndaj kombit shqiptar. Dhe riparim do të thotë, korrigjim i historisë, do të thotë Shqipëri Natyrale. Vetëm pas kësaj historia mund të rishkruhet. Disa politikanë shqiptarë jetojnë me shpresë se shqiptarët po kosmopolitizohen, kur po ndodh e kundërta, shqiptarët po shqiptarizohen jo në mënyrë folklorike, por evropeiste. Thelbi i këtij evropeizmi, është Shqipëria Natyrale, këtë nuk e ndal dot askush.

Lajmonline

Dhjetor, 2011

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 100 vizitorë
Lexuar: 1,522 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi