Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Porta e kiçit
Publikuar më 27 janar, 2012 në orën 01:25 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Portat triumfale historia i njeh si krijimet më distniktive arkitekturore që nga periudha antike e perandorisë romake. Portat i lakmuan edhe xhelatët e njerëzimit. Sot mund të hasen nëpër shumë shtete afrikane e aziatike me sistem diktatorial e autoritar. Po pse edhe në Maqedoni?!

“Porta Triumfale” e promovuar kohë më parë nga Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe e pagëzuar si “Porta Maqedonia”, është godina e fundit e paraparë në projektin “Shkupi 2014”. “Porta” u ngrit në mes të skajit perëndimor të Qendrës Tregtare dhe skajit të ndërtesës së gjatë ku ndodhen zyrat e Avokatit të Popullit. Hapësira në fjalë paraqet grykën e ish-sheshit të Shkupit, i cili tashmë është zënë e ngulfatur nga dhjetra përmendore e skulptura, duke marrë pamjen e një zoo kopshti të bronztë e të mermertë.

“Portat” histori e diktatorëve

“Porta Maqedonia” u ngrit si skulpturë! U “zbukurua” me dhjetra detaje nga historia e cila fare nuk i përket maqedonasëve të Gruevskit. Aty është Aleksandri i Madh dhe Filipi me fallangën, Justiniani i Parë, Mbreti Samoli, Mbreti Marko, relieve me motive nga kryengritja e Ilindenit etj. Pra, një kiç objekt që mundëson perspektivën drejt hapësirës plot hile! “Porta Turpëmadhe e oborrit hileqar”! Kështu u takon shqiptarëve ta quajnë “deriçkën” me gjithë ish-sheshin e Shkupit.
Në periudhën antike të Perandorisë Romake portat triumfale ngriteshin në respekt të kthimit triumfal nga luftërat e ndryshme. Përmes atyre portave parakalonin ushtarët romakë dhe robërit e luftës. Qindra vite më vonë, pushtues të ndryshëm evropianë, duke pushtuar e okupuar vende të ndryshme, ndjenin se po përshkohen nga “fama dhe lavdia romake” ndaj dhe nisën të ndërtojnë porta në shenjë të triumfalitetit të tyre. Në ditët e sotshme si portat më të njohura është ajo e Napoleonit në Paris si dhe Porta e Brandenburgut në Berlin. Në Berlin kishte planifikuar një portë triumfale edhe Adolf Hitleri. Projekti i tij parashihte një portë me lartësi prej 170 metra, apo 49 herë më të madhe se ajo e Parisit. Kjo praktikë e ngritjes së këtyre objekteve vazhdoi sidomos në viset diktatoriale nëpër shtetet e ndryshme afrikane e aziatike. Nëpër këto vise skajshmërisht është deformuar kuptimi i këtyre objekteve duke simbolizuar “fitoret e njëpasnjëshme” edhe pse shoqëritë e tyre janë të mbërthyera në varfëri të madhe, u nëpërkëmben të drejtat dhe liritë njerëzore, sundohen nga diktaturat klasike. Nga portat triumfale të sotshme si më e njohura është ajo e diktatorit koreanoverior Kin il Sing e ngritur më vitin 1982 e cila simbolizon qëndresën luftarake kundër Japonisë.

Dështimet triumfale si fitore

Gjatë promovimit të “Porta Maqedonia” u tha se kjo godinë simbolizon fitoret e reja të Maqedonisë që nga pavarësimi i saj më 1991. Cilat janë këto fitore?! Ajo përgjatë ushtrimit të pushtetit diktatorial mbi shqiptarët e këtushëm? Fitorja përgjatë diskiminimit të gjithanshëm të shqiptarëve të këtushëm; fitorja mbi tendencën e shqiptarëve për t’u ndjerë qytetarë të barabartë me të gjithë të tjerët në vend; fitorja në vjedhjen e historisë kombëtare shqiptare e antike greke; fitorja mbi tendencën e shqiptarëve për ta zyrtarizuar gjuhën shqipe, për t’i përdorur simbolet kombëtare, për ta gëzuar pjesën përkatëse të buxhetit shtëtëror, të punësimeve reale, të ngritjes së standardeve jetësore, të urbanizimit të lagjeve të tyre që gjithnjë e më shumë ngjajnë në getot klasike! Fitorja e luftës kundër shqiptarëve më vitin 2001; fitorja në konfliktin ndëretnik që do të rezultojë me ngritjen e kishës politike në majen e Kalasë së Shkupit! Për t’i flakur këto dyshime reale nga koka e shqiptarëve, pushteti aktual maqedonas po pretendon se kanë ngritur një godinë që do të bëhet institucion kulturor e turistik. Hile e madhe! Kurrfarë pamjesh nuk ofron teraca e kësaj Porte, e cila për dhjetra metra është më e shkurtër se objektet që e rrethojnë, e para dhe, e dyta, ky objekt është ngritur si përmendore dhe jo si godinë institucioni. Dihet se cila është procedura e ngritjes së një institucioni kulturor. Paramendoni sikur një ditë dikujt t’i teket dhe të kërkojë që fontana e “Aleksandrit të Madh” të shndërrohet në objekt përfitues, në pishinë ku hyrja për t’u larë do të bëhet me lekë. Kështu e mendojnë edhe “Portën Maqedonia! Fatkeqësisht, u hasi gozhda në sharrë ndërsa funskionarët shqiptarë kukulla në qeverinë e Gruevskit është mirë që të ngulin këmbë dhe të përfitojnë për interesin kombëtar diçka nga kjo hile maqedonase që kësaj radhe vjen nga Ministria e Kulturës.

Karikaturizimi i triumfit

Në dy shtyllat e “Porta Maqedonia” do të ketë galeri, hapësirë për promovime letrare, kulturore dhe do të ketë teracën prej nga turistët do ta shikojnë “xha Pilon”! Pra, këto aktivitete do të bëhen me pagesë, me lekë. Lekun duhet ta marrë pronari i objektit! Përmendoret nuk kanë pronar. Këtu nis hilja e radhës. Zëri kadastral “përmendore” duhet të ndryshojë në “institucion kulturor”. Institucioni kulturor duhet të ketë listë poseduese, t’i përkasi një pronari me adresë të saktë, të ketë një drejtor dhe disa të punësuar. Rregulli e do që të bëhet edhe pranim-dorëzimi i objektit. Por, kush do ta bëjë dorëzimin? Një skulptore? Është e pamundshme, sepse, objektin e nënshkruan vetëm arkitekti. “Porta Maqedonia” për autor ka një skulptore dhe jo një arkitekt! Dhe, e tërë kjo lojë shpjegohet: ne, jo që patëm nevojë për institucion të ri kulturor por, meqë e luftojmë korrupsionin dhe kriminalitetin, na duhet të fiskalizojmë të hyrat që do të vijnë nga aktivitetet e shumta që do të zhvillohen në këtë “godinë grandioze”! Për momentin, le të shërbejë si portë përmes së cilës triumfalisht do të parakalojnë hendbollistët maqedonasë të cilët, të frustruar me shofenizmin dhe racizmin antishqiptar, ranë në delir duke kënduar bashkë me përkrahësit e tyre këngë raciste kundër shqiptarëve gjatë ndeshjeve në kampionatin evropian që po mbahet nëpër Serbi.
Karikaturizimi i triumfit është karakteristikë e shoqërive të përulur para “perandorit të pathyeshëm” fuqia e të cilit mund të krahasohet me shqelmimet e fundit të demit me plagë fatale.

Avni Halimi

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 45 vizitorë
Lexuar: 761 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi