|
Mediat Kosovare shkruajnë sot se kryeministri i Kosovës Hashim Thaci nuk ka dhënë asnjë përgjigje të saktë lidhur me pyetjen se a do të përfaqësohet Kosova në takimet rajonale pa emërtimin republikë.
Në pyetjen se a do të përfaqësohet Kosova si republikë në nisma rajonale, ai ka thënë se “Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë e përgjegjshme në procesin e dialogut, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e saj në fuqi, dhe dokumentin e presidentit Ahtisaari”, raporton Koha.
Ndërsa i pyetur se a e konsideron përgjegjshmëri të hiqet dorë nga termi republikë, ka thënë se “kjo nënkupton respektimin e plotë të sovranitetit, integritetit territorial, të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”. E kur gazetarët kanë insistuar t’i merrnin përgjigje kryeministrit për formën se si do të bëhet ky prezantim i Kosovës, ai ua ka kthyer fare shkurt: “Si shtet i pavarur dhe sovran”.
Në kuadër të dialogut teknik, autoritetet kosovare dhe ato serbe po diskutojnë prej kohësh në Bruksel në temën rreth çështjes së prezantimit të Kosovës në nisma rajonale. Deri tash nuk kanë gjetur një model për të cilin do të pajtoheshin. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, që drejton ekipin kosovar në këtë dialog, ka konfirmuar për Koha Ditore se është pajtuar që Kosova të prezantohet pa emërtimin republikë.
Është bërë kjo temë dialogu, ndonëse autoritetet në Prishtinë fillimisht kishin thënë se nuk do të shtroheshin çështje politike.
(ma.ar/BalkanWeb)
|