Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Eurointegrimet – mision i pamundur
Publikuar më 18 maj, 2012 në orën 13:09 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Pse Maqedonia e sotshme nuk do të inkuadrohet në NATO e në BE? Kush nuk e do dhe kush e pengon këtë inkuadrim? A është vetëm emri i Maqedonisë pengesë për eurointegrimet? Cila është perspektiva e Maqedonisë? A i kanoset Maqedonisë ndonjë konflikt maqedonaso-maqedonas?

Të paktë janë ata të cilëve sot u kujtohet momenti i ndërrimit të flamurit dhe të emrit të shtetit prej Republika e Maqedonisë në IRJM (FYROM, BRJM)! Çdo gjë rodhi vetëtimthi, sepse, pushteti i atëhershëm maqedonas gëzonte një respekt popullor dhe ndërkombëtar si elitë kombëtare dhe me përvojë të madhe në jetën politike. Shqiptarët kishin të tjera “halle historike” (gjithsesi, fund e krye halle personale), nuk u interesonte fort funksionimi i shtetit dhe i kombit!
Pra, te populli maqedonas tashmë ekziston tradita e ndërrimit të emrit të shtetit dhe të simboleve kombëtare. Për më tepër, tashmë është bërë traditë edhe ndërrimi i identitetit kombëtar. Tashmë kemi një masë të konsiderueshme që ka hequr dorë nga identiteti sllavomaqedeonas duke kaluar në “maqedonasë antik”, dhe me këtë duke i hapur shteg edhe një tradite të re: ndërrimin e historisë kombëtare! Një popull me shumë tradita (a)politike dhe pa politikë kombëtare! Kështu do të definoheshin sot maqedonasit e FYROM-it!
A është politikë kombëtare ekspozimi i muskujve foshnjërakë para Greqisë e cila, ndonëse është në prag të kolapsit ekonomik, politikisht do të jetë gjithnjë e fortë në vendimmarrje si në NATO ashtu edhe në BE! Edhe në samitin e radhës të NATO-s që do të mbahet më 20 maj të këtij viti, Maqedonia do të mbetet jashtë kësaj strukture më të fuqishme për mbrojtje e siguri në botë. Arsyeja mbetet po ajo: nuk plotësohet kërkesa shumë e arsyeshme e Greqisë për ta ndërruar emrin e shtetit. E kotë është të qenurit i përkorë në raport me NATO-n, të kota janë deklaratat e institucioneve ndërkombëtare se Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për euroitegrime, të kota janë letrat e hapura, lutjet, ofrimet për bashkëpunime të ngushta e profesionale, e kotë është edhe gatishmëria kombëtare për t’u shndërruar në poligon ushtarak i NATO-s! Një shtet i kësaj organizate ka një kërkesë tepër shumë racionale për sa i përket ndërrimit të emrit të shtetit dhe kjo kërkesë duhet të plotësohet se s’bën. Këtë e di edhe pushteti aktual maqedonas, i cili që nga viti 2006 me një vullnet të pashoq dhe me një përkushtim të vendosur nisi të thellojë hendekun politik në mes të Greqisë dhe Maqedonisë. Pushteti aktual këtë problem si dhe “rrezikun e brendshëm nga shqiptarët e zbritur prej maleve” e përdori si alibi për ta nisur strategjinë millosheviqiane në drejtim të ngjalljes dhe kultivimit të ndjenjës nacionaliste me të gjithë elementet e racizmit. Kur nacionalizmi arrin shkallën më të lartë të verbërimit atëherë bëhen të padukshme manipulimet, vjedhjet, drejtimet kah ambisi fatal, degradimi, nëpërkëmbja, jeta prej robi...
Nacionalistit të verbuar nuk i intereson pozita shoqërore, jeta sociale, rroga mesatare! Nacionalisti i verbuar jeton, punon për udhëheqësit e popullit, ështe tepër i lumtur kur shikon se si udhëheqësit e popullit bëhen ekonomikisht të pasur, financiarisht të fuqishëm! Nuk është kohë e largët kur Millosheviqi e solli popullin e vet në rrogë prej 7 markash gjermane! E populli serb ishte i lumtur me “Kosovën djep i Serbisë”! Nëntëdhjetë e nëntë për qind e serbëve ishin me udheheqësin e tyre, Sllobodan Millosheviqin. Në fund, kur u vetëdijësuan, e burgosën!
Maqedonasit (këta “antikët”), sot për sot e falin udhëheqësin e tyre, Nikolla Gruevskin, sepse për asnjë çast nuk denjon të gjunjëzohet para Greqisë. Nuk ka çmim që do ta detyrojë të heq dorë prej emrit. Nuk do të heq sepse, në fakt, nuk është fare i interesuar që Maqedonina të inkuadrohet as në NATO e as në BE. Para popullit të vet, këtë pozicion kundërintegrues e kamuflon duke ua dhënë digasteret kyçe shqiptarëve (“armiqve të përbetuar të popullit maqedonas”) - ministrinë e mbrojtjes dhe ministrinë për eurointegrime!
Ta supozojmë Maqedoninë si një miniere diamanti në mes të një fushe e që për momentin është bërë pronë e zullumqarëve, eksploatuesve hajdutë, të cilët, pasurinë që e nxjerrin e bartin jasht shtetit. Këta hajdutë, për sa do të pajtoheshin që zgafella e tyre të rrethohej me ndonjë mur gjigant mbi të cilën do të ruanin mijëra rojtarë të armatosur dhe nuk do të lejonin që thesari nga nëntoka të vidhej e të nxirrej jashtë. Në një rast të tillë “eksploatuesit” më parë do të vinin tonelata eksplozivi për ta shkatërruar përgjithmonë atë minierë se sa ta lënë nën një rrethim të sigurimit absolut.
Pushteti aktual nuk e do eurointegrimin e Maqedonisë. Për këtë pozicion fatal tashmë ka siguruar edhe përkrahjen e “maqedonasëve antik” nacionalistë të cilët në çdo moment janë të gatshëm të ngrejnë “dhoma gazi” për shqiptarët, një “Srebrenicë 2” për shqiptarët, të ndërtojnë një “Maqedoni të pastër me maqedonasë antik”! Askush, asnjë intelektual maqedonas, asnjë person me ndikim nuk guxon të reagojë kundër këtyre idiotësirave. Jo se mund të vritet, të zhduket apo ta hajë gogoli, por, nëse reagon do t’i kishte humbur të gjitha “beneficionet” e pushtetit që i gëzon për momentin. Nuk do të arrinte të botojë libra, nuk do të arrinte të sigurojë “pension artistik”, të fitojë projekte të ndryshme, të udhëtojë nëpër botë, të bëjë ndonjë shfaqje apo ndonjë film, ndonjë koncert a ekspozitë. Mediat në Maqedoni janë më të robëruarat në Europë e më gjerë. Pushteti aktual të gjithë i ka në shërbim të vetin. Ata që marrin guxim dhe reagojnë, menjëherë shantazhohen dhe, për me keq, shpallen “armiq të popullit”!
Armiq të popullit maqedonas të Gruevskit nuk janë grekët, as bullgarët e as serbët, por është populli sllavomaqedonas i Crvenkovskit. Gruevski arriti që maqedonasit t’i shndërrojë në popull me dy identitet. “Maqedonasit antik” të Gruevskit gjithnjë e më zëshëm po kërkojnë nga bota që mos t’ju bëjë presion për ndërrimin e emrit të shtetit, por, menjëherë të nisin të heqin dorë nga njohuritë e tyre mbi antikitetin e lashtë grek, sepse e gjitha qenka false dhe e vjedhur nga “maqedonasit antik” të Gruevskit. Natyrisht, bota nuk do ta korrigjoj historinë antike për shkak të tekave të një shukë injorantësh, por do të nisë të bëhet aleat me ata maqedonasë (të Crvenkovskit) të cilët për momentin po ndjehen të fyer e të ofenduar nga cirkusiada e Gruevskit dhe tajfës së tij prej arkeologësh, historianësh e akademikësh oborrtarë. Këtë përkrahje po e ndjejnë maqedonasit e Crvenkovskit ndaj gjithnjë e më fort po deklarohen se një ditë kanë për t’i fshirë të gjithë emrat greke nga aeroporti, autostrada, do t’i rrënojnë skulpturat dhe përmendoret e heronjve grekë nga sheshet e qyteteve të ndryshme në Maqedoni. Nëse kalimi i sllavomaqedonasëve në “maqedonasë antik” do të jetë përmes një presioni të vogël, atëherë kthimi në identitet do të bëhet absolutisht përmes një presioni tepër të fuqishëm. Ky riciklim identitetesh mund të prodhojë edhe ndonjë konflikt të tmerrshëm. Atëherë rruga që shpie në NATO e në BE do të jetë një rrugë me miliona pengesa, thjesht, një rrugë e pa udhëtueshme. Eurointegrimet kthehen në mision të pamundur. Natyrisht, vetëm për maqedonasit! Ndërsa shqiptarët mbase do të gjejnë ndonjë rrugë alternative.

Avni Halimi

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 38 vizitorë
Lexuar: 1,365 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi