Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
PËRDORIMI I FJALËS SË NATYRSHME NË GJUHËN SHQIPE (IV)
Publikuar më 17 korrik, 2012 në orën 22:55 ( ) Beqir Elshani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Përzierje fjalësh dhe tinguj të ndryshëm

Kur dikush e flet bukur gjuhën letrare shqipe, të pranishmit e përgëzojnë, që shqipen e flet sikur të ishte banor i Tiranës. Ka shumë shqiptar të tjerë që me ndihmën e librave të botuara në qendrat shqiptare, edhe pse jashtë atdheut, shkruajnë dhe flasin bukur gjuhën shqipe. Prandaj të flasësh bukur shqipen dhe të nderohesh me meritën e të folmes së kryeqytetit tonë me universitetin e parë shqiptar, gjithashtu me kryeqytetin prej nga si lumë rrjedhin librat e diturisë shkencore, është nder i madh kombëtar.

Megjithatë, koha po tregon se edhe tiranasit po i shkelin rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Shpeshherë ata në vend të shkronjës “s” përdorin shkronjën “z”. Në ballinën e shtypit të Bashkisë së Tiranës “Ditari Javor” më 23 mars 2009 shkruante “Jetëzimi i ri i Parkut të Madh”. Është për t’u habitur që shtypi i Tiranës me tradita të gjuhës së pastër shqipe, shkruan “Jetëzimi” në vend të fjalës drejtshkrimore “Jetësimi”, që sipas FGjSSh folja kalimtare shkruhet jetë/soj, që do të thotë zbatoj, vë në jetë. Prandaj emri që vjen prej foljes jetësoj/jetësohet duhet të shkruhet jetësim,-i,-e. Falë shkrimit në “Ditarin javor”, lexuesi mund të kuptojë se flitet për rregullimin e Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë. Përkundrazi, fjala “jetëzimi” ka një kuptim të keq, që sipas mbiemrit jetëzi-zezë do të thotë që s’ka parë ditë të bardha në jetë.

Kështu ndodh edhe me emrin e automjetit të udhëtarëve autobus-i, të cilin kryeqytetasit i shqiptojnë dhe i shkruajnë gabimisht “autobuz”, mëngjez, pazdite, pazdreke, guzhinë në vend se të shkruhet autobus, mëngjes, pasdite, pasdreke e kuzhinë. Siç dihet, fjalët autobus dhe kuzhinë janë me prejardhje nga frëngjishtja autobus dhe cuisine, prandaj qytetarët detyrohen t’i shqiptojnë dhe t’i shkruajnë drejt. Kur qytetarët drejtuesit të autobusit i thonë “shofer busi” (pa parashtesën “auto”, prandaj sipas së folmes së Tiranës, “shofer busi” mund të dalë “shofer buzi”. Gabimisht shqiptohen edhe fjalët ekzistencë/a dhe ekzistoj që vjen nga fjala neolatine “existence”, prandaj nuk shkruhet egzitenca dhe egzistoj, kurse shqip thuhet qenia në jetë dhe jam e jetoj. Pastaj fjala me burim latin “exaggerare”, nuk shkruhet egzagjeroj, por ekzagjeroj dhe ekzagjerim, megjithëse shqip thuhet teproj, zmadhoj dhe teprim e zmadhim.

Ka raste kur lexuesi mund të kuptoj fjalinë e kritikut letrar, por nuk mund ta shpjegojë me fjalën e duhur shqipe në vend të fjalës së huaj “strikte”. Kjo fjalë e përhapur në shtypin tonë të përditshëm, gjithashtu përdoret edhe në të folmen e përditshme, sidomos nga gazetarët, të cilët shprehen me krekosje: “në mënyrë strikte”. Mbase kjo fjalë mund të kuptohet sipas ngjarjes që flitet, përndryshe fjalia mbetet e paqartë. Po t’i themi bashkëbiseduesit se çka do të thotë fjala “strikte”, atëherë do të tregojë se fjala është për mënyrën e rreptë, ashpër ose korrekte, prandaj në vend të fjalës “strikte”, që vjen nga fjala latine “strictus”, duhet shkruar korrekt, që sipas kuptimit të fjalisë duhet gjetur fjalën e qëlluar sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, dhe këto janë: korrekt, saktë, rreptë, caktuar, prerë, përpiktë.
Pastaj BE-ja mund të jetë më e ashpër se ICO-ja ndaj Kosovës, por jo më ”rigoroze”, prandaj nëse ambasadori francez në Kosovë, Jean Francois Fitou, e ka thënë në gjuhën e tij frënge ”rigoureux”, i takon gazetarit të shtypit “Koha Ditore” ta thotë në gjuhën shqipe, kur dihet që FGjSSh nuk e përfshin fjalën e huaj “rigoroz” Këtu shihet se gazetarët që merren me shkrimin e lajmeve, bien viktimë e gjuhës së huaj romane, duke mos ditur të përdorin fjalën shqipe, përdorin fjalën e huaj.

Me një lajm të shtypit ditor shkruante: ”Një grua në Korçë është detyruar të kërkojë ndihmën e policisë lokale pasi dhunohej sistematikisht prej të shoqit, [b]kurse orët e fundit kishte precipituar në plagosje[/b]”. Duket qartë se në këtë fjali ka hyrë një fjalë krejtësisht e panjohur për lexuesin shqiptar, precipituar (lat. praecipitatio) që do të thotë shpejtuar, nxituar. Kjo fjalë e huaj është me shumë kuptime, për të cilën mendoj se gazetari e ka dëgjuar prej gjykatësit, pa ditur të përdorë fjalën e përshtatshme shqipe, prandaj lexuesi, qoftë edhe me ndihmën e fjalorit të gjuhës së huaj, e ka vështirë për të përcaktuar se çka ka dashur gazetari për të treguar. Padyshim që edhe kjo fjalë nuk gjendet në FGjSSh, meqë gjuha shqipe e ka fjalën e kuptueshme, prandaj fjalia mund të shkruhej: “…kurse orët e fundit kishte përshpejtuar në plagosje”. Rreth përdorimit të panevojshëm të fjalës së huaj në vend të fjalës së kuptueshme shqipe, redaksive të shtypit shqiptar u tërhiqet vërejtja, se një fjalë që as vetë nuk e kuptojnë, të mos i mundojnë kot lexuesit shqiptarë me fjalë të panjohura, sepse ashtu siç ka rregulla në komunikacionin rrugor, ka rregulla drejtshkrimore në gjuhën shqipe.

Një furnizim tjetër i panevojshëm me fjalë të huaja janë kryesisht fjalët neolatine “adoleshent” dhe “minoren”, që në FGjSSh nuk përfshihen. Adoleshent, shqip mund të thuhet djalëria dhe vashëria, kurse për dy gjinitë mund të thuhet rinosh-i,-ët për djem, dhe rinosh-e,-et për vajza: fjalë që do ta kuptonin edhe filloristët. Vetë fjala ka të bëjë me zhvillimin psikofizik të rinisë prej fillimit deri në pjekuri, që do të thotë deri në kohën e maturës (13-18 vjet). Gjithashtu gabim përdoret edhe fjala tjetër “minoren”, që po ashtu vjen prej latinishtes “minorennitet”, në vend të fjalës shqipe “(i,e) mitur”, do të thotë fëmijë i vogël. Me të drejtë mund të thuhet, se këto dy gabime nuk mund të quhen pakujdesi, por kapardisje e gazetarit, që mbahet sikur është njohës i latinishtes, i frëngjishte apo i anglishtes. Gjendja e njëjtë është edhe me fjalën “printer” që vjen prej anglishtes “printa” (shtyp), prej nga është krijuar emri i makinës së shkrimit “printer”, shqip thuhet “shkrimore”. Për çudi fjala “shkrimore” nuk paraqitet në google, por vetëm fjala e huaj “printer”, kurse në FGjSSh gjendet si mbiemër, jo si emër mjeti për shtypjen e letrës.

Me një intervistë të shtypit elektronik gazetari në bisedë me një vajzë 17 vjeçare, në fund të bisedës i parashtron një pyetje joparimore dhe joedukative: “Çka mendon pas vdekjes?”, kështu tingëlloi pyetja e gazetarit profesional. Prandaj vjen pyetja, si është e mundur që vajzës së re t’i parashtrohet një pyetje pesimiste, ajo është jo vetëm rinoshe, por edhe fëmijë. Ka edhe vajza më të vogla që garojnë për trup të bukur, megjithatë nuk e meritojnë pyetjen jashtë etikës njerëzore. Duhet pasur parasysh se djemtë dhe vajzat prej moshës 13-19 vjeç i përkasin moshës rinoshe, kështu që fëmijët dhe të rinjtë nuk duhet ngarkuar me emocione të pasvdekjes, as nuk duhet pyetur për raste të papritura tragjike. Gazetarët duhet të mendojmë për pasojat se pikërisht pyetjet e pamatura të pasvdekjes i keqtrajtojnë disa të rinj që përfundojnë me vetëvrasje.

Në fjalinë e lajmit mjekësor “Hormonet rrisin riskun për kancerin e gjirit” duhet të shikohet sa fjalë janë në gjuhën huaj dhe sa fjalë janë në gjuhën shqipe. Këtu shihet se fjalia përbëhet prej pesë fjalëve, në të cilën vetëm dy fjalë “rrisin” dhe “e gjirit” janë në gjuhën shqipe, kurse tri fjalë “hormonet”, “riskun”, “kancerin” janë neolatine. Rezultati del se fjalia mjekësore ka tri fjalë të huaja dhe dy fjalë të gjuhës shqipe. Pikërisht unë si mësues i gjuhës shqipe këtë fjali do ta shkruaja kështu: “Hormonet rritin rrezikun për kancerin e gjirit”, dhe tani fjalia del 3x2 në dobi të gjuhës shqipe, kundrejt së parës që është 3x2 në dëm të gjuhës shqipe. Një tjetër fjali është kur kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, shpeshherë përdor fjalën e huaj në vend të fjalës shqipe, i cili me rastin e dyfishimit të ujërave në digat e hidrocentraleve nga reshjet e shumta thotë: “Të bëhet evakuimi në Dajc, Bushat e Anë e Malit”, në vend të shqiptimit të drejtë “Të bëhet largimi në Dajc, Bushat e Ana e Malit”.

Në vazhdim, nëse lexuesit dëshirojnë të dinë se kush e shkruan ndajfoljen me gabim drejtshkrimor “vjetë”, le të hapin faqen ndërkombëtare “google dhe të shënojnë “vjetë”, me anën e së cilës pa mundim do të shohin se kush po e shkruan ndajfoljen gabimisht. Jo vetëm kaq, sepse fjala “vjetë” është gabim i dyfishtë, edhe si emër shumës edhe si ndajfolje që shkruhet pa zanoren “ë” “vjet”. Pastaj mund të shikoni se kush po e shkruan titullin e filmit të kinostudios shqiptare “Xheneral Gramafoni” dhe Xheneral Ramush Haradinaj, kurse duhet shkruar: “Gjeneral Gramafoni” dhe Gjeneral Ramush Haradinaj, meqë fjala “gjeneral” burimin e ka prej fjalës frënge “génëral”, që shpesh përdoret si pjesë e parë e fjalëve të përbëra. Ngjashëm mund të veprojnë edhe me përemrat e pakufishëm me bashkëtingëlloren (q): “qdo”, qdokush”, “qka”, me anën e googles lexuesit mund të zbulojnë se kush po i shkruan fjalët gabimisht në vend të bashkëtingëllores (ç) “çdo” “çdokush”, “çka”. Një gjë dihet, se të gjithë qytetarët, që së pakut kanë mbaruar shkollën fillore, mund të shkruajnë fjalët shqipe si duhet, pa përmendur shkollarët e mesëm dhe akademikët, duke përfshirë edhe prodhuesit e disqeve me këngë argëtuese shqipe. Dikush mund të bëjë fajtor mungesën e shkronjës “ç” dhe “ë” në tastierë, megjithatë pengesa në shqiptimin e drejtë të bashkëtingëlloreve vërehet edhe te qytetarët. Disa arsimtarë, me përvojë pedagogjike të gjuhës shqipe në Therandë, tregojnë se te banorët e Tiranës dallohet drejtshqiptimi i fjalëve me katër bashkëtingëllore: “ç” me “q” dhe “gj” me “xh”, të cilat në Prishtinë fare pak dallohen. Prandaj Tirana meriton të quhet kryeqendër e Gjuhës Letrare Shqipe e mbarë Shqiperisë Etnike.

Nëse dikush nuk ka kohë që në tastierë të shtyp dy pulla për të përfituar zanoren shqipe “ë”, atëherë fjala e fundit “fajtore” del e gjinisë femërore: “Dy veta jane gjetur per te treten here fajtore”. Kur është fjala për drogën me prejardhje bimore, shpeshherë shtypi shkruan ”drogë puro”, e para fjalë frënge, e dyta italiane, prandaj duhet shkruar drogë e pastër ose e kulluar, ashtu siç thuhet ar i pastër. Një furnizim tjetër është përdorimi i panevojshëm i kompozitës së huaj “overdoza” në vend të kompozitës shqipe “mbidozë”, që do të thotë dozë tepër e madhe. Të kemi parasysh se po të përdoret fjala “mbidozë” mund ta kuptojnë edhe të shurdhët shqiptarë duke lexuar buzët e mjekut, ashtu siç i lexojnë të shurdhët anglezë fjalën e tyre “overdose”. Me të drejtë mund të thuhet, se ata që shkruajnë pastër shqip, e nderojnë gjuhën shqipe, kombin dhe atdheun, ata që bëjnë të kundërtën, e dëmtojnë gjuhën shqipe, njëkohësisht tregojnë nivelin e ulët kulturor.

Në vazhdim, nuk thuhet folja “të qenurit student”, por të qenët student; pastaj as morri fund, as muar, muarr fund, ndërmuar dhe dualën në oborr, por në të kryerën e thjeshtë duhet të shkruhet - mori fund, u mor vendimi, ndërmori masa, dolën në oborr. Shpeshherë pjesorja “pasur” në të kryerën shkruhet gabimisht “kam patur”, në vend se të shkruhet “kam pasur”. Duhet pasur kujdes në zgjedhimin e foljeve, i cili është një ligj që duhet përmbajtur me disiplinë, ashtu siç i përmbahet shoferi rregullave të komunikacionit. Prandaj nëse kalimtari trupon rrugën pa shenja kalimi, mund ta rrezikojë jetën, dhe mund të gjobitet nga policia rrugore. Të shpeshta janë edhe gabimet në paraqitjen e përemrit pronor, shkruesit nuk dinë të dallojnë përemrin pronor në mes “sime” dhe “time”, prandaj nuk shkruhet ”Dhuratën ia kam blerë bijës time”, por bijës sime, sepse lakimi i përemrit im në rasën dhanore bëhet bijës sime, kurse në rasën kallëzore bijën time, që në këtë rast fjalia shkruhet “Dhuratën ia kam sjellë bijës sime”. Psh. pyetjes Kujt ia bleve dhuratën? i përgjigjet fjalia – bijës sime. Kurse pyetjes Kë e dërgove në studime? i përgjigjet fjalia bijën time. Në “Gramatikën e gjuhës për të gjithë” të Bahri Becit, në faqen 117 (Mënyra dëftore), është bërë një gabim teknik, në vend të tabelës “E pakryer” është vendosur tabela e kohës së tashme, meqë zgjedhimi i foljes në kohën tashme bën “laj, kurs në kohën e pakryer “laja”.

Ndonjëherë lajmi nuk mund të përkthehet fjalë për fjalë, prandaj duhet përshtatur sipas traditës shqiptare, pa iu larguar origjinalit. Psh. idioma suedishte është “Borta bra, men hemma bäst” (Jashtë mirë, por në shtëpi më mirë), këtu kërkohet përshtatje e përkthimit dhe pa humbur kohë të shkruhet idioma shqipe, që sipas traditës shqiptare thuhet ”Nuk ka më mirë se në shtëpinë tënde”. Pastaj shembulli “Klänningen som fick fotograferna att tappa andan,” (Fustani që fotografët i bëri të humbin frymën), duket qartë që përkthimi nuk i përshtatet të folmes sonë popullore, prandaj duhet të shkruhet sipas së folmes tradicionale shqipe: “Fustani, për të cilin fotografët mbetën gojëhapur, (ose mbetën pa frymë)”. Do të thotë fustani ishte aq i bukur, sa që i mahniti fotografët, duke i lënë gojëhapur. Pastaj idioma tjetër suedisht: “När ska du bli vuxen?” po të përkthehet fjalë për fjalë, kuptimi del qesharak (=Kur do të rritesh), ndërsa kuptimi i fjalisë qortuese në gjuhën shqipe përkthehet: “Kur do të mbushesh mend?”.

FUND

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 77 vizitorë
Lexuar: 7,789 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi