|
Beqir ELSHANI
Në Televizionin Shqiptar të Tiranës shfaqej filmi artistik ”Flaka e luftës” të regjisorit Vlladimir Prifti, në rolin kryesor të Mark Sokolit atdhetar, luajtur nga artisti i popullit, Ndrek Luca, i cili mullirin e tij e kishte shndërruar në fortesë luftarake kundër hordhive turke. Filmi ka kuptimin metaforik, sepse në mulli bluhej drithi i bukës, por edhe baruti i luftës për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesi turk dhe fqinji verior serbo-malazez.
Ngjarja e filmit më përkujtoi edhe xhaxhallarët e mi: Vesel, Azem dhe Musli Elshanin me bashkëkohësit e shumtë nga Theranda dhe mbarë Kosova në prill të vitit 1945, të cilët kishin shpëtuar nga masakra e Tivarit, mirëpo me vete kishin marrë plagët si në trup, ashtu edhe në shpirt. Kishin ecur mbi kufomat e vëllezërve të tyre shqiptarë, por edhe kishin parë detin e kuq të Adriatikut që skuqej nga lumi i gjakut të shqiptarëve të masakruar nga ana e bishave serbomalazeze. Axha Musë, kështu e thirrja unë xhaxhain tim më të ri, Musliun, kurrë nuk thoshte deti Adriatik është i kaltër, por i kuq. Ai kishte të drejtë, sepse e kishte parë me sytë e vet dhe unë e kuptoja. Në vazhdim tregonte se Tragjedia e Tivarit ishte planifikuar qysh në Beograd, në krye me xhelatët Tito-Rankoviq. Konkretisht, u vranë partizanët e paarmatosur shqiptarë, të cilët ishin mobilizuar për të ndjekur fashizmin në veri-perëndim të Jugosllavisë. Elaborati për vrasjen dhe ndjekjen e shqiptarëve i projektuar qysh në Mbretërinë Serbe nga ministrat dhe bashkëpunëtorë të fashizmit gjerman, Vasa Çubriloviqi dhe Ivo Andriqi, po zbatohej edhe në Jugosllavinë Socialiste të pasluftës. Pleqtë tregonin se fashizmi serb me anën e masakrimit të popullit shqiptarë ia kalonte fashizmit gjerman dhe italian. Në Luftën e Dytë Botërore Kosova po çlirohej me forcat e veta nga pushtuesi gjerman, ndërkohë që forcat e shumta pushtuese serbe po mobilizoheshin për kolonizimin e Kosovës. Derisa të gjithë popujt e Evropës luftonin për çlirimin e vendit të tyre nga hordhitë fashiste, përkundrazi Ushtria Jugosllave po mobilizohej të pushtonte me krime çnjerëzore Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Prandaj menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, axha Musë armën me municione i kishte lidhur në thesin e najlonit, pastaj i kishte hedhur në bunarin e oborrit. Gjatë bastisjes nëpër shtëpia policia dhe ushtria serbe shpeshherë kontrollonte me elektrik në fund të bunarit, prandaj axha Musë kishte hedhur dy karroca zall që kishte marrë te lumi skaj bahçes. Kjo ishte një nga metodat më konspirative të fshehjes së armëve, që kishte përfshirë mbarë Kosovën. Më vonë shtëpinë me bunar e kam trashëguar unë, ndaj një ditë vere e pastrova bunarin dhe papritur nxora një pushkë dhe një gjerdan me fishekë të prodhimit italian e gjerman të mbyllur në thes najloni, të cilat me kalimin e kohës ishin ndryshkur. Plumbat e prodhimit italian kishin kokën e rrumbullakët, kurse ato gjermane ishin me maje konike. Gjithashtu në murin e oborrit kam hasur disa bomba dore dhe granata, të cilat babai im, Qazimi, i ka larguar dhe i ka çmontuar me kujdes.
Në qendër të Therandës po kremtohej përvjetori i së ashtuquajturës dita e çlirimit nga fashizmi gjerman, kurse në parkun e qytetit po këndonte një partizan me rroba të leckosura, ai kishte shpëtuar nga pushkatimi i Masakrës së Tivarit. Sa herë kalonim skaj parkut e dëgjonim këngën mortore kushtuar bashkëluftëtarëve të tij të vrarë pabesisht në masakrën e Tivarit. Në xhamadanin e tij të grisur ende dukeshin njollat e gjakut, kurse në nyje të duarve dalloheshin gjurmët e litarit, ato nuk po zhdukeshin. Partizani e dinte që ne me kërshëri të madhe ia shikonim njollat e thara të gjakut në rrobat e tij. Ai ishte një dokumentar i gjallë i masakrës së Tivarit: kishte dëgjuar rafalët e mitralozave serbomalazezë dhe britmat e shokëve shqiptarë. Derisa në shkollën fillore mësonim për kryeveprën e Naim Frashërit Bagëti e Bujqësi, në parkun e qytetit mësonim për kryeveprën e partizanit të plagosur, në shpirt, dhe ajo quhej Masakra e Tivarit. Kjo ndodhte, sepse iu kishin vrarë bashkëluftëtarët dhe si një foshnje, këmbë e duar, kishte dalë nga gjaku i kuq i Adriatikut. Atje kishte lënë kujtesën, dhe tani po vajtonte shokët e tij më të dashur. Më vonë nuk u ndie kënga mortore e partizanit me rroba të leckosura, udba e kishte vrarë natën, sepse po dëshmonte krimet serboçetnike. E kishin vrarë kryeveprën e partizanit, i cili sipas këngës popullore partizane, „Partizani n’luftë po shkon, ka marrë pushkën me nji dorë“… me pushkë në dorë ishte nisur për çlirimin e të gjitha zonave nga fashizmi gjerman. Serbët kishin vrarë partizanin e plagosur në shpirt, por nuk kishin mundur dot të vrasin kujtesën e djalërisë shqiptare që me xhelozi e ruante në zemër. Menjëherë pas vrasjes edhe të luftëtarit të fundit - të plagosur në shpirt, kënga e tij revolucionare kushtuar bashkëluftëtarëve të masakruar u bë edhe më e fuqishme dhe si rrufeja përhapej në të gjitha anët shqiptare.
Në kohën, kur tito-rankoviqistët po bënin diferencimin në mesin e popullit shqiptar, një punëtor i ndërtimores „Dukagjini“ të Gjakovës, ishte anëtar i LKJ-së, ndaj axhës Musë i tregon se si ata të komitetit e kishin këshilluar që të ruhet nga irredentistët shqiptarë, kinse janë të rrezikshëm. Gjakovari nuk e dinte se një ndër ata irredentistët ishte edhe kolegu i tij therandas që po shoqërohej. Prandaj axha Musë i kishte thënë që të ruhej edhe prej tij, sepse kishte qenë në burg për Kosovën Republikë. Bashkëpunëtori gjakovar ia kishte pritur: „Musë, nuk ka burrë më i mirë se ti!” Xhaxhai im i dinte përmendësh këngët e Mujit dhe Halilit, ndaj me pasion të madh i recitonte në praninë e të rinjve nëpër oda.
Lidhur me fshehjen e armëve axha Musë, përndryshe në popull njihej si gjeometër, maste arat e familjeve therandase që po rriteshin, tregonte se nuk kishin besim në Jugosllavinë Socialiste pas Luftës së Dytë Botërore. Pas Revolucionit të Kosovës të vitit 1981 burgoset si irredentist, ku së bashku me Mësuesin e Popullit, Hamëz Asllanin, vuan në burgun e Prizrenit. Ashtu si të gjithë partizanët e Brigadës në krye me Komandantin, Shaban Palluzha, e dinte se lufta me kolonizatorin e egër serb nuk ka përfunduar. Jehona e luftës patriotike për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesi i dytë serb (më i zi se i pari), kishte rrëmbyer zemrat e gjithë shqiptarëve. Kudo flitej për shkëndijën revolucionare të Batalionit në krye me komandantin legjendar, Shaban Palluzha. Populli shqiptar ishte zhgënjyer, sepse Gestapoja Serbe (OZNA) po i vriste në kurth udhëheqësit e lavdishëm të Kosovës, të cilët me armë në dorë kishin luftuar kundër pushtuesit gjerman dhe italian. Tani në pushtetin kundër shqiptar të Kosovës Kreshnike kishin ardhur kolaboracionistët shqiptarë tashmë të jugosllavizuar, të cilët asnjë plumb nuk e kishin shkrepur kundër agresorit serb, përkundrazi e kishin shkrepur kundër Nënës Kosovë që bijtë e saj po i rriste me shumë mundime. Prandaj xhaxhallarët e mi predhat dhe municionet e shumta i kishin fshehur nëpër zgavrat e murit të shtëpisë për mbrojtje nga sulmi i terrorizmit serb. Derisa partizanët shqiptarë po luftonin kundër fashizmit gjerman, ndërkohë ushtria jugosllave me anën e vrasjeve prapa shpine po hynte në Kosovën e pambrojtur.
Statistikat tregojnë se ushtria jugosllave gjatë Luftës së Dytë Botërore më shumë ka vrarë partizanë shqiptarë se ushtarë të fashizmit gjerman, metodë të cilën e ka zbatuar me qëllim të pushtimit të trojeve shqiptare. Prandaj qëllimi strategjik i masakrës së Tivarit ka qenë zhdukja e një armate të madhe shqiptare të Kosovës, e cila do të udhëhiqej nga komandanti Shaban Palluzha. Kjo bëhej në mënyrë që gjatë pushtimit të Kosovës serbomalazezët të mos hasin në rezistencën e ushtrisë kombëtare shqiptare për të mbrojtur atdheun e tyre - Kosovën. Jo vetëm kaq, sepse sipas statistikave çnjerëzore të projektantëve serbofashistë, me anën e masakrimit të 3800 ushtarëve shqiptarë, parashikohej zhdukja e qindra mijëra banorëve të Kosovës, të cilët pas gjysmë shekulli do të popullonin një qytet sa Prizreni i sotëm me 100 000 banorë.
Siç dihet, në shekullin XVIII-të dhe XIX-të, Prizreni ishte një ndër qytetet e njohura për prodhimin e armëve luftarake për nevojat e kryengritësve shqiptarë në luftë kundër hordhive turke dhe serbomalazeze. Prandaj në mbarë Kosovën kishte luftëtarë të zotë, që me mjeshtëri të rrallë ishin në gjendje të punonin armën për mbrojtjen e familjes dhe pragut të shtëpisë nga bishat serboçetnike. Rrethanat robëruese nën zgjedhën turke kishin detyruar, që zejtarët shqiptarë të prodhonin armë për mbrojtjen e atdheut. I tillë ishte edhe xhaxhai im, Veseli, i cili mund të punonte revole dhe fishekë me plumba. Për të punuar një revole të tillë kishte përdorur një gyp prej metali, një copë dru dhe disa gozhda. Një ditë unë me babain tim, Qazimin, shkuam në kasollen e tij, gjendej në hyrje të fshatit Reçan. Ndërkohë axha Vesel shkrepi armën e tij dhe qëlloi një poçe kacavarur në degën e një peme. Ai tregoi se revolen e brezit e kishte punuar vet. Unë nuk besoja, ndërkohë babai im ia priti: „Vesel, ti je i trentë!“ kurse axha Vesel ia ktheu me të qeshura. Ndonëse ishte plakë shtatëdhjetë e pesë vjeçar, ende ishte i fortë dhe merrej me punët e bujqësisë, sidomos me kositje. Pastaj tregoi se me këtë revole kishte vrarë një dhelpër që ia hante pulat dhe një vjedull që ia dëmtonte kallamboqin në arë, të cilën e kishte në fund të pyllit. Në qoshe të dhomës së tij qëndronte një vjedull e balsamuar (brenda lëkurës ishte e mbushur me kashtë), për herë të parë e pashë vjedullën, për të cilën kisha dëgjuar nga përrallat që më kishte treguar gjyshja.
Pas një muaji, SPB (Sekretariati i Punëve të Brendshme) të Therandës i kishte rënë në gjurmë, ndaj axhën Vesel e arrestuan. Shkak i zbulimit ishte bërë grindja me fqinjin e arës, ndaj me rastin e arrestimit policia kishte gjetur armën. Në hetuesi të SPB-së nuk e kishin pyetur se ku e kishte blerë axha Vesel armën, përkundrazi ishin habitur kur kishin parë armën e zjarrit të punuar me mjeshtëri si të ishte ndonjë fabrikant i përkryer dhe që mund të vriste bishën apo mizorin. Kuptohet që policia ia kishte marrë armën, mirëpo axha Vesel nuk brengosej, ai ishte në gjendje që me dhjetëra revole të punonte në shtëpinë e tij. Në fund thoshte se kjo zejtari e prodhimit të armës duhet të vazhdoj brez pas brezi, sepse ujku dhe armiku ynë shekullor nuk kanë besë.
|