| AMANETI I RIBASHKIMIT (V) |
| Publikuar më 06 dhjetor, 2012 në orën 00:10 ( ) |
Besnik Hysa | Opinion | |
|
|
|
PJESA E PESTË
Besnik Hysa
1878
Nëntor 2012
Bujanoc
Shqipëri
Ky libër i kushtohet të gjithë atyre që po angazhohen (të gjallëve) dhe janë angazhuar (dëshmorëve, të keqtrajtuarve, të vdekurve) sinqerisht për Ribashkimin Kombëtar të popullit shqiptar me para, pushkë e penë.
KAPITULLI I DHJETË
Si ta ndihmojmë Ribashkimin?
Lëvizja kombëtare e ka burimin që nga Lidhja e Prizrenit më 1878 dhe nuk ka për të reshtur derisa të realizohet Ribashkimi kombëtar. Këtë lëvizje nuk mund ta ndalin as interesat partiake e as ato të pushtetmbajtës, as integrimet demagogjike dhe as retorikat përçarëse. Kjo lëvizje ka nisur rrugën e saj dhe do t'i shkojë deri në fund, sepse Ribashkimi kombëtar është zgjidhja e vetme e çështjes shqiptare që vendos paqen në rajon, dhe krijon parakushte për përparim të gjithëmbarshëm të popullit shqiptar në Ballkan. Sot ka ardhur koha e Ribashkimit kombëtar. Nderi i takon brezit të sotëm për të jetësuar këtë ideal për të cilin është luftuar gjatë 134 vitesh.
Si shqiptar/e nëse të ka shkuar mendja se si mundesh edhe ti të ndihmosh atë, ja mënyrat e që besojmë se do të gjesh veten diku.
Mendësia
Para se të veproj njeriu thamë, se së pari duhet të dijë të mendoj drejt. Ribashkimi duhet të kaploj mendjen tonë apo mendësinë. Që të mos na largohet nga mendja për shkak të obligimeve tjera jetësore, ne duhet të freskojmë mendjen tonë me temën e Ribashkimit. Në mënyrë praktike kjo arrihet kështu: fjalën Ribashkim lexoje 100 herë në ditë, në mëngjes kur zgjohesh nga gjumi dhe në mbrëmje para se me fjet. Shtype dhe ngjite në kompjuter, portofol, brenda në veturë, ashtu që sa herë që punon me kompjuter, merr para nga portofoli apo vozit veturën ta kujton detyrën që ke ndaj Ribashkimit.
Financo
Ndonjë tubim, aktivitet, ngjarje, vepër letrare, kulturore, sportive gjithçka që i shërben afrimit të shqiptareve në procesin e Ribashkimit kombëtar. Jep sipas mundësive lloje të ndryshme të ndihmave. A ke financuar ndonjë libër, material, lëvizje që ka për temë apo qëllim Ribashkimin?
Bashkohu
Në çdo tubim, mbledhje, manifestim, aktivitet ku si synim parësor ka Ribashkimin. Bashkohu për Shqipërinë. Kur bashkohet një numër i madh i shqiptarëve kjo ndikon në tërë pjesët e popullit tonë siç janë: politikanët, mediat dhe masat popullore. Kjo forcon bashkimin dhe rrit krenarin tonë kombëtare.
Blej
Blej prodhime vendore ku prodhuesit janë shqiptarë. Blej vetëm në shitore të shqiptarëve. Kur blini për vete, të afërmit e tuaj, kur dikujt i dhuroni diçka le të jenë prodhime shqiptare. Me këtë ju shpëtoni ekonomin dhe familjet shqiptare të cilat mund të ndikohen nga afarizmi i dobët. Blej vepra nga artistët shqiptar dhe artizanatet shqiptare.
Blerje-shitja është çështje e ndjeshme. Shitësit duhen të jenë më të arsyeshëm me çmimet e tyre e jo të ofrojnë çmime të larta me qëllim të shfrytëzimit të ndjenjave atdhetare të blerësit, por edhe ata të tregojnë ndjenja atdhetare gjatë ofrimit të çmimit për çfarëdo lloj të prodhimit. Blerje-shitja është raport i ndërsjellët në mes dy palëve, e jo në llogari vetëm të njërës palë.
Udhëto
Udhëto nëpër viset shqiptare në tërë gjeografinë e saj, kudo që ka shqiptarë. Shfrytëzo sipas nevojës dhe mundësisë kompanitë udhëtuese shqiptare. Autobus, anije, aeroplan në pronësi të shqiptarëve. Interesohu për ato kompani (pronarët) dhe vendos të udhëtosh me ato që e ndihmojnë Ribashkimin.
Lexo
Publicistikën shqiptare sidomos temat që trajtojnë çështjen kombëtare:gazetat, revistat, libra dhe webfaqet me përmbajtje kombëtare. Grumbullo fakte duke lexuar libra, vepra apo në Internet.
Shkruaj
Për të drejtën e shqiptarëve për Ribashkim. Falëndero individët, organizatat dhe shtetet mike që kanë qëndrim të drejt dhe e ndihmojnë çështjen shqiptare. Dërgoni letra falënderuese, memorandume, posaçërisht kongresit dhe senatit amerikan, e në veçanti presidentit të saj, si dhe sekretarit gjeneral të Kombeve të Bashkuara. Letrat titulloni kështu: ‘’Ju faleminderit për përkrahjen e popullit shqiptar’’. Sa më shumë letra që dërgojmë më mirë.
Eduko
Çdo të huaj që je në kontakt të përditshëm, me historinë e popullit shqiptar dhe të drejtën legjitime për Ribashkim, kudo që gjendesh në Evropë, Amerikë, Azi apo Australi. A je i vetëdijshëm se ti je ambasador i popullit tënd?
Lobo
Në blerjen e çdo deputeti, përfaqësuesi, zyrtari të shtetit, mediat, kultura, sporti, arsimi ku jeton, për çështjen shqiptare. Përvetëso personalitetet më të famshme botërore nga fusha e artit, kulturës, biznesit, sportit e çfarë jo tjetër.
Demonstro
Protesto për çështjen shqiptare dhe Ribashkim, para konsullatave, ambasadave, Parlamentit Evropian, Kombeve të Bashkuara, G8, kampionateve evropiane apo botërore të natyrave të ndryshme sportive apo ndonjë samiti ndërkombëtar.
Fol
Kur dëgjoni diçka që nënçmon, fyen, ofendon, paragjykon shqiptarët, mos i bëjë vetit pyetje ‘’Çfarë do të bëjnë të tjerët kundër kësaj’’. As një organizatë e vetme apo institucion i shtetit shqiptar nuk mund ta luftoj propagandën në çdo front, prandaj mos supozo por vepro. Shkruaj për gazetën tënde lokale ose fol me njerëz për temën gjegjëse. Bëhu ambasador i vendit tënd duke dëshmuar me fakte. Ndoshta edhe fqiu më i afërm i yti ka nevojë për informata të besueshme. Kurrë nuk e di se si kontributi juaj ndikon në pikëpamjen e të tjerëve. Mundësit janë të pakufishme. Gjëja më e keqe është që dikush të heshtë në raste të tilla. Prandaj bëj diçka!
Lutu
Te Zoti për paqen në tokat shqiptare. Lutu për parinë shqiptare që mendjet e tyre të punojnë për interesin kombëtar e jo partiak. Falëndero Zotin për ekzistimin e popullit shqiptar. Sado që e ndihmon çështjen tonë në sferën politike, ekonomike mos harro anën shpirtërore. Po të mos ishte vullneti i Tij si do t’i bënim ballë rrebesheve të historisë. Kryetari i Çekisë, Haveli, thoshte :’’Shteti është krijim i njeriut, ndërsa njeriu është krijesë e Zotit’’.
Telefono
Shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë londineze, inkurajo dhe falëndero ata për qëndrimin, angazhimin dhe guximin në tokat e të parëve të tyre. Bëja me dije se ata nuk janë vetëm. Por, telefononi edhe shqiptarët në Shqipërinë londineze dhe bëja me dije se JEMI NJË dhe kemi nevojë për ndihmën e tyre.
Reago
Kudo që gjendeni ndaj mediave të njëanshme nëse shtrembërojnë faktet mbi shqiptarët dhe çështjen shqiptare. Sa më i madh numri i reaguesve fuqia e tyre është më e madhe.
Solidarizohu
Me familjet e dëshmorëve, luftëtarëve dhe invalidëve të luftës të cilët luftuan për çlirim dhe Ribashkim kombëtar. Para se të shkoni në shtrat paramendoni vetën se si do të ishte që të jeni motra, fëmija apo prindi i dikujt i cili deri dje ishte në mesin e të gjallëve e sot është vetëm në eshtra. Solidarizohu me të burgosurit dhe veprimtarët e çështjes kombëtare. Solidarizohu me familjet e viktimave të zhdukur. Është obligim që të ndajmë dhimbjen me këto kategori.
Turizmi
Vizito vendet turistike në tërë trojet shqiptare. Inkurajo të huajt që të vizitojnë vendet e bukura shqiptare. Foli atyre se ia vlen të vizitohen vendbanimet shqiptare. Tregoi atyre për gjërat që ata mund të joshen gjatë vizitës së atyre vendeve. Tregoni për kompleksin Adem Jashari në Prekaz dhe njoftoni të huajt se çfarë ka bërë një familje e tërë për kombin e tyre. Kjo tregon se ju e doni vendin e juaj. Me turizmin kombëtar dhe të huaj forcohet ekonomia shqiptare e me të edhe Ribashkimi kombëtar përshpejtohet.
Kur jemi te turizmi brenda shqiptar, deri më sot lëvizja ka qenë vetëm në drejtim të bregdetit shqiptar, por tash e tutje turistët nga Shqipëria londineze duhet të vizitoj pjesët tjera të truallit të saj, e jo vetëm vendet e huaja. Shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze edhe pse jetojnë nëpër administrata të ndryshme ata kanë arritur që pas tri luftërave të fundit, të kenë një frymarrje më të lehtë dhe kanë krijuar investime moderne në fushën e hotelerisë me çfarë edhe kanë plotësuar kushtet për të pritur mysafirë të ndryshëm e në veçanti vëllezërit e tyre nga gjysmë shteti shqiptar. Tash e tutje ky turizëm duhet të jetë i dyanshëm dhe atë për dy arsye: forcimit shpirtëror dhe ekonomik brendashqiptar.
Flamuri
Ynë kombëtar të valoj në çdo manifestim. Vendose në shtëpi, godinë apo tavolinë ku punon. Vendose në veturë. Trego se je krenar me Shqipërinë. Vendos apo vesh ndonjë fanellë me Flamurin Kombëtar. Nëse nuk ke pranë teje ndonjë flamur thuaj fëmijëve të tu që të vizatojnë ndonjë dhe shfaqe ku ta merr mendja ty. Ki mendjen që gjatë shpalosjes së flamurit të mos rrezikosh veten nga armiqtë. Natyrisht, largo dhe hidhi në mbeturina flamujt partiak.
Mjedisin
Mos e ndotë. Nëse ke mundësi mos udhëto me veturë, por ec në këmbë apo biçikletë. Gomat e veturës të jenë të fryra sipas standardeve. Mos parko pa vend. Mos blini lëndë djegëse në pompat e benzinës që importojnë nga shtetet armike. Kurseni energjinë elektrike të panevojshme, mos derdh ujë vend e pa vend. Mos hedh bërllok ku tu mundesh përpos në vendet e parapara për të. Mos preni pyjet vend e pa vend. Mos dëmtoni tokat që mundë të përdoren për bujqësi.
Studio
Fqinjët tanë. Ata thonë për ne diçka krejt ndryshe kur janë në kontakt me bashkësinë ndërkombëtare, e krejt diçka tjetër kur flasin në mes veti. Të përcjellim mediat e tyre, publicistikën. Sa më shumë që i njohim më lehtë mbrohemi, por edhe më lehtë i sulmojmë.
Afrohuni
Në mes vete. Kur ne afrohemi dhe punojmë së bashku, dalim më të bashkuar përball armiqve, kurse me ne do të jetë Zoti. Shqiptarët janë në këtë gjendje sepse nuk janë të afruar por të përçarë. Mos të kritikojmë njëri tjetrin apo qeveritarët tanë vend e pa vend, por vetëm në raste nëse kritika është me vend. Për t’u bërë ballë armiqve tanë duhet të afrohemi në mes veti, të lëmë anash dallimet tona dhe të punojmë së bashku.
Historinë
Tonë të mësojmë mirë dhe nga ajo të nxjerrim mësime. Të mësojmë rrënjët apo burimet e së keqes tonë. Kjo ka rëndësi pasi që armiqtë tanë po na paralajmërojnë se nuk ka ndryshuar qasje e tyre ndaj nesh. Parandalimi i së keqes është hap i domosdoshëm.
Bisedo
Me politikanë, sportistë, shokë, miq, familjarë, të afërmit tu për çështjen e Ribashkimit. Nxit bisedën kudo që ndodhesh, dëgjo dhe fol mbi rëndësinë e Ribashkimit. Ata do ta kuptojnë më seriozisht çështjen e Ribashkimit.
Njofto
Fqinjët tanë se ne do të Ribashkohemi dhe nuk brengosemi për çmimin. Me tërë atë urrejtje në media, libra, enciklopedi ndaj shqiptarëve nga ana e fqinjëve tanë ata po e përgatisin një gjeneratë të tërë për luftë, jo për paqe.
Bëhu
Shqiptarë më tolerant dhe respekto vëllezërit tu. Nëse je fjalosur me ndonjë shqiptar kërko falje ose falja. Para se të shkosh në shtrat mendo se si mundesh të përmirësosh sjelljet që nuk janë në përputhje me normat dhe traditat shqiptare. Këtu bënë pjesë flakja e gjakmarrjes nga tradita jonë. Duke përmirësuar vlerat tona morale dhe etike ne fuqizojmë popullin dhe shtetin tonë.
Webfaqe
Krijo webfaqe personale ose publike në gjuhën shqipe dhe gjuhën e vendit ku jeton. Trego historinë dhe kulturën e popullit shqiptarë dhe lufto propagandën kundër shqiptare. Trego arsyet përse shqiptarët duhen të Ribashkohen. Krijo një webfaqe në gjuhën angleze por edhe gjuhë tjera ku do të kërkojmë përkrahje nga tërë njerëzit e botës për Ribashkimin kombëtar, pastaj kur të kemi një milion përkrahës nga mbarë bota këto fakte, do t’ia dërgojmë çdo ambasade, qeverie, mediave si dhe personaliteteve më me ndikim botëror nga bota e artit, kulturës, ekonomisë, sportit dhe politikës për solidarizim me çështjen tonë.
Panair
Organizo panair me mall dhe prodhime shqiptare kudo që gjendesh. Përveç se mbron ekonominë shqiptare ju forconi edhe marrëdhëniet me popujt ku jetoni, me këtë ju hapet mundësia për depërtime në politikën e vendit e që mund të shfrytëzoni për interesat shqiptare.
Dërgo
Në atdhe sipas mundësisë ndihma për arsim, shëndetësi, sport, ekonomi, teknologji dhe ndihma nevojtarëve të ndryshëm. Dërgo pako ushtrisë shqiptare duke falënderuar ushtarët dhe oficerit për kontributin që po japin në mbrojtje të atdheut tonë.
Eja
Në Shqipëri nga mërgata. Nëse je i arsimuar apo ke fituar njohuri për ndonjë zeje, eja këtu dhe zhvilloje. Ardhja e juaj do t’i jepte Shqipërisë një zhvillim të hovshëm ekonomik. Shqipëria e Ribashkuar paraqet vendin ku shqiptari/ja duhet të arrij potencialin e tij/ saj më të lart. Fillo të përgatitesh për ardhje.
Mëso
Gjuhën shqipe dhe traditën shqiptare fëmijëve në mërgatë. Kjo forcon lidhjet dhe krenarin me atdheun e tyre. Mëso çdo ditë diçka të re dhe vëne në shërbim të atdheut. Edhe fëmijët mëso me gjëra të dobishme e një ndër to është dashuria ndaj atdheut.
Dëgjo
Versionin zyrtar të palës shqiptare për ndonjë ndodhi e mos bjer pre e propagandës kundërshqiptare nga kushdo qoftë. Bota është një arenë e dezinformatave për qëllime të ndryshme.
Shpërndajë
Literaturë, broshura, fletëpalosje, për Shqipërinë, për vendin dhe të arriturat e saj kudo që ndodhesh sidomos jashtë atdheut. Jep informata për Ribashkimin kombëtar dhe përse ai është i domosdoshëm, sidomos në shtetet fqinje dhe gjuhët e tyre.
Organizo
Një kulturë, një sport, një arsim, një ekonomi mbarëkombëtare. Largohu nga lokalizmi, rajonalizimi.
Voto
Vetëm partitë që në programet e tyre kanë Ribashkimin kombëtar dhe angazhohen për të. Këtu mos lësho pe, mos bë kompromis.
Mendo
Për çdo ditë 15 minuta për çështjen e Ribashkimit. Analizo veten se në cilën mënyrë do të kishe mundur me ndihmuar atë. Kujto dhe nëse mundesh këndo së paku një herë në ditë himnin tonë kombëtar.
Lidhu
Me shqiptar të panjohur kudo që takoni. Ofroi një pije apo drek dhe rreheni temën e Ribashkimit. Ne kemi nevojë që të lidhemi me njëri tjetrin në kohë paqe pasi që kjo na bënë më të fortë në kohë të vështira.
Komunikacioni
Të ruajmë jetën e shqiptarëve në rrugët tona. Kjo është një çështje që varet nga ne dhe duhet të marrim hapat e nevojshëm që të parandalojmë vrasjen e shqiptarëve nga pakujdesia dhe papërgjegjësia jonë.
Media
Paraqitu, fol dhe shkruaj në mediat e ndryshme për çështjen e Ribashkimit kudo që ndodhesh dhe në gjuhë të huaja. Të depërtojmë në CNN, BBC e Al-Jazeera.
Bojkoto
Dhe shkruaj kundër çdo qeverie madje edhe qeverisë sonë nëse ka qëndrim të luhatshëm ndaj Ribashkimit. Bërtit dhe njofto botën se përse ligjet ndërkombëtare nuk janë universale por selektive. Bojkoto tubimet lokaliste, partiake dhe individët që me asgjë nuk e kanë dëshmuar Ribashkimin.
Kërko
Pa hile nga qeveria, institucionet, organizatat atdhetare që të ndërrojnë zyrtarët që merren me çështjen e Ribashkimit e nuk kanë treguar rezultatet e pritshme. Jepi këtyre organizmave emrat e personave që mund të kryejnë detyrat më me përgjegjësi. Kërko që ushtria e shtetit shqiptar të shndërrohet në ushtri kombëtare e të gjithë shqiptarëve në Ballkan.
Fushata
Për Ribashkim të organizohen kudo ku ka shqiptarë dhe në mërgatë. Të sjellën personat e merituar me bagazh patriotik para publikut. Të ngjiten afishe dhe reklama të ndryshme në vende të dukshme ku do të vetëdijesoni popullin për domosdoshmërinë e Ribashkimit.
Personalitetet vendore më me ndikim nga bota e artit, kulturës, sportit, publicistikës dhe fushave tjera t’i bashkëngjiten këtyre fushatave.
Grupi
Mblidhi të gjithë shokët/shoqet në një vend dhe bisedoni si vëllezër/motra se si mund ta ndihmoni Ribashkimin kombëtar. Prodhoni sa më shumë ide. Zgjidhni ato më të mirat dhe vazhdoni më tutje deri në realizimin e tyre të plotë.
Dita
E Ribashkimit të mbahet në një datë të përbashkët në mbarë trojet shqiptare dhe mërgatë para qendrave të vendosjes, para godinës së Parlamenti Evropian, para selisë së NATO-s në Bruksel dhe Kombeve të Bashkuara në New York.
Këto pra ishin disa nga mënyrat që çdo shqiptar/e do të mundej të ndihmonte Ribashkimin. Shërbimi ynë ndaj Ribashkimit do të thotë të japim më të çmueshmen që kemi në pronësi: para, mendime, kohë, flijim. Të dhënit është e shumanshme, përveç të lartpërmendurat të dhënit përfshin edhe p.sh. të dhënit e talentit; mirënjohjes; falënderimit; guximit; mbështetjes; ideve(mendimeve); frymëzimeve; mençurisë; kohës; informatave; dashurisë; brengosjes; gëzimit; bekimit; lutjes; kuptimit; dëgjuarit etj.
Si pengohet Ribashkimin?
Shumë lehtë. Hesht para padrejtësive; mos lejo që tema e Ribashkimit të flitet publikisht sidomos në media; beso verbërisht në integrimet evropiane, në multietnicitet; mos reago ndaj fyerjeve të fqinjëve; përgojo, etiketo veprimtarët e denjët; voto për partitë politike aktuale; krijo dyshime ndaj Ribashkimit; me një fjalë vazhdo kështu si je me gjumë dhe mos kërko ndryshime.
KAPITULLI I NJËMBËDHJETË
Shqipëria e Nesërme (Ribashkuar)
Si të drejtojmë të lakuarën, të përmirësojmë çrregullimet dhe të kompensojmë atë që kemi humbur? Si ta bëjmë të sotmen më të mirë se të djeshmen dhe të nesmërën më të mirë se të sotmen?
Platforma për çështjen shqiptare në Ballkan asnjëherë nuk është trajtuar seriozisht nga institucionet shqiptare e të mos flasim për partitë e shumta politike. Kurse, zërat e arsyeshëm të individëve gjithnjë janë injoruar nga politika zyrtare dhe jo zyrtare me përbuzje qesharake.
Ribashkimi i pjesëve të shkëputura të trojeve shqiptare është një ëndërr që ka kapluar imagjinatën e çdo shqiptari gjakpastër, që nga Lidhja e Prizrenit 1878, çast ky që simbolizon shpërbërjen dhe tkurrjen tonë si popull. Mirëpo ky Ribashkim ka mbetur ëndërr e parealizuar gjerë më sot për shumë arsye të brendshme dhe të jashtme. Megjithatë, me siguri mund të pohojmë se ëndrra për Ribashkim nuk është ndërprerë në imagjinatën e popullit shqiptarë madje edhe në kohën e ditëve më të rrepta të cilat kanë rrezikuar shqiptarët.
Ne të gjithë e dimë se çdo lëvizje politike e popullit shqiptar prej 1878 e deri më 2001, kur përfunduan edhe tri luftërat e fundit u bënë për këtë ideal. Kjo ëndërr vetëm sa vjen e fuqizohet për shkak të situatës së brishtë politike që kanë shqiptarët sot në Ballkan, e sidomos me vetëdijesimin dhe rizgjimin e popullit shqiptar, i cili dalëngadalë por sigurt po futet në etapën e gjallërisë, pas të kuptuarit më të qartë të sistemit demokratik e në veçanti partive politike.
Shqiptarët po e kuptojnë se Ribashkimi është kriter qytetërues i përparimit të popullit, sepse e forcon fisnikërinë, dinjitetin dhe sovranitetin e tyre. Përveç kësaj Ribashkimi në këtë kohë është bërë nevojë ekonomike, politike dhe kulturore e popullit shqiptar.
Ribashkimi është një ëndërr jo vetëm e bukur por edhe e domosdoshme. Të gjithë veprat e larta dhe fisnike, të cilat në të kaluarën kanë dal në dritë, burimin e kanë pasur nga ëndrrat të cilat në fillim e kanë kapluar imagjinatën e një numri të vogël njerëzish.
Ky numër i vogël njerëzish gjërat i ka kuptuar në mënyrë intuitive e jo vetëm në bazë të logjikës. Atë që shumica e njerëzve e konsiderojnë të pamundur, ky numër i vogël njerëzish e konsideron të realizueshme. Atë që shumica e konsideron të mundshëm, ky numër i vogël këtë e konsideron të besueshme deri te realizimi i të cilit kanë mbetur vetëm edhe disa hapa.
Ne i takojmë kësaj pakice e cila konsideron se populli shqiptar ka hyrë në fazën e para- Ribashkimit, përkundër vështërsive dhe pengesave të qarta të cilat qëndrojnë në rrugën e tij. Suksesi për një ndërmarrje të tillë kërkon: udhëheqje, urtësi, dituri, qëllim të mirë dhe sigurim të rrethanave të volitshme, të brendshme dhe të jashtme, që realisht mund të merr ca vite.
Siç thamë, veprat e famshme dhe të mëdha në jetë zakonisht fillojnë me një ëndërr, e cila e kaplon imagjinatën dhe zemrën e një numri të vogël njerëzish, të cilët e marrin mbi vete obligimin për të realizuar atë ëndërr. Në fillim ëndrra e tillë është si një topth bore, i cili rrokulliset nga maja e bregut, rritet dhe vjen gradualisht duke u zmadhuar. Kur themi: ’’Ribashkimi është ëndërr’’, kjo nuk do të thotë se ajo është iluzion dhe imagjinatë e zakonshme, por ide praktike e cila është e mundur të jetësohet duke pasur parasysh potencialet e popullit shqiptar dhe drejtimet ekzistuese në të cilat lëviz historia njerëzore.
Populli shqiptar ka dhënë shumë për këtë ëndërr ashtu që udhëheqësia e tij kur thirret në Ribashkim nuk do t’ia filloj nga zeroja apo prej asgjëje. Ne na kanë mbet vetëm edhe ca hapa të vogla rreth tij. Ato hapa nënkuptojnë lirim tonë nga robëria shpirtërore si parakusht i lirisë politike. Përmbajtja e robërisë shpirtërore përfshin: filozofia e huaj, ndihma e huaj, mbështetja e huaj apo me një fjalë kompleksi i vlerës së ulët, e cila nënkupton rrënimin e botëkuptimeve, kulturës, traditave dhe bindjeve vetanake. Fuqia jonë qëndron në punë, dituri,vendosmëri, përkushtim, përgjegjësi dhe llogaridhënie.
Ribashkimi jonë ka marr përkrahje ndërkombëtare, përveç nga sondazhet edhe nga dy personalitete dhe shtete më të fuqishme në arenën ndërkombëtare. I pari ishte ish-presidenti i SHBA-ve, George Walker Bush, kur në Tiranë më 2007 deklaroi pavarësinë Kosovës dhe kërkoi nga Tirana:’’ Të marrë përgjegjësitë e saj para kombit shqiptar’’, e që do të thoshte se duhet të filloj procesin e Ribashkimit, dhe i dyti erdhi nga kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i cili tha: ‘’Populli shqiptar kudo në Ballkan ka të drejt për vetëvendosje. Nëse të drejtat e shqiptarëve nuk merren parasysh, ushtria turke do të ndihmoj shqiptarët për çlirimin e trojeve shqiptare’’.
E nesër? Natyrisht se Shqipëria jonë e Ribashkuar do të krijoj parakushtet për një mirëqenie në radhë të parë të popullit shqiptar e pastaj edhe të tjerëve. Mos u habitni kur të dëgjoni: ekonomia shqiptare po shënon ngritje marramendëse, filan zbulimi shkencor u bë në Shqipëri, filan shkencëtari shqiptar u propozua për çmimin Nobel, filan sportisti shqiptar zuri vendin e parë në kampionatin botëror, apo diplomacia shqiptare arriti të pajtoj dy vendet e armiqësuara. Të gjitha janë të arritshme, por së pari ne na duhet që të plotësojmë një parakusht, një standard, që e ka emrin Ribashkim.
Parapërfundim
Se si do të arrijnë shqiptarët këtë Ribashkim, si do ta rregullojnë sistemin pas Ribashkimit, le të mbetet punë e atyre që do të marrin përgjegjësin që së bashku me popullin të vendosin. Por nesër kur të arrihet ky Ribashkim gjëja e parë që duhet të bëjnë shqiptarët është krijimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Vetëm kur të kenë këtë dokument dhe elementet përcjellëse të saj atëherë mund të fillojnë me krijimin e strategjive tjera siç janë zhvillimi ekonomik, kulturor e tjetër i vendit.
Pra, siguria e vendit paraqet parakusht për mirëqenie ekonomike të popullit shqiptar. Edhe pse tregu shqiptar do të rritet dhe do të josh shumë investitor të huaj, për shkak të pasurive tokësore, nëntokësore e ujore që ka, parakusht për investime paraqet siguria e vendit duke nënkuptuar edhe stabilitetin e institucioneve të shtetit të Ribashkuar.
Ky shtet për shkak të pozitës gjeopolitike dhe pasurive të shumta tokësore, ujore e nëntokësore është vetvetiu i qëndrueshëm.
Gjëja e dytë që duhet të kujdeset shteti i Ribashkuar është krijimi i strategjisë për kthimin e mërgatës sidomos atyre që shprehin dëshirë që përvojën dhe kapitalin e tyre ta bartin në atdhe. Mërgimtarët duhen të kenë të gjitha lehtësirat dhe nuk guxojnë të kenë asnjë pengesë administrative për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare. Vetëm kur të plotësojmë nevojat e atyre mërgimtarëve, mund të lejojmë investimin e kapitalit nga të huajt në vendin tonë.
Gjëja e tretë në Shqipërinë e Ribashkuar mbetet syçeltësia e popullit ndaj punës së zyrtarëve dhe institucioneve të shtetit . Populli duhet të përcjell zhvillimin dhe përparimin përmes punës, këshillave e nëse ka nevojë edhe protestave, por që bëhen për të mirën e tij dhe shtetit e jo për tekat personale të individëve, partive dhe grupeve të interesit.
Për të planifikuar të ardhmen, duhet të dini të sotmen, si ishte e kaluara dhe çfarë i pret shqiptarët në të ardhmen! Asnjë komb nuk mund të heq dorë nga interesat dhe synimet e tij, sepse kjo do të thotë që të heqësh dorë nga vet jeta. Për më tepër, kombet nuk lejohen që të bëjnë vetëvrasje, dhe as vrasja e tyre fshehurazi nuk është e mundur: xhelati apo ekzekutuesi i krimit, gjithmonë njihet mirë në histori.
Kombet janë qeliza të pazëvendësueshme për bashkësinë njerëzore apo për ekzistencën e vetë botës. Një fakt i tillë nuk mund të vihet në pikëpyetje. Kjo është arsyeja përse lufta për mbijetesë kombëtare, për vetëvendosje, përparim dhe liri kombëtare-nuk është dhe nuk mund të quhet krim, ekstremizëm e terrorizëm. Çdo komb, pavarësisht sa i madh ose sa i vogël është, ka të drejtën natyrore dhe historike të ketë vendin dhe sovranitetin e tij në bashkësinë njerëzore, po ashtu siç ka edhe njeriu vendin e tij në shoqëri.
Po e ritheksojmë edhe një herë, për të pasur shqiptarët një shtet të fuqishëm dhe qëndrueshëm, në të ardhmen duhet të punojnë në dy fronte siç e cekëm më lart: sigurinë kombëtare dhe zhvillimin ekonomik. Ata që i japin përparësi njërës ndaj tjetrës nuk kuptojnë asgjë për rolin e shtetit dhe rrethanat në të cilët janë shqiptarët.
Siguria kombëtare përfshin:a) Këshillin e Sigurisë Kombëtare, b) Ushtrinë, c) Policinë d) Parlamentin që mbron kushtetutën me komitet e saja të fuqishme, dhe d) Shërbimin Inteligjent. Zhvillimi ekonomik përfshin: a) infrastrukturën tokësore (rrugore, hekurudhore) ujore dhe ajrore b) zvogëlimin e procedurave burokratike për biznes dhe c) krijimin e një banke të fuqishme kombëtare me valutë të saj.
Fund
Është një çështje e rëndësishme rreth materialit që ju keni lexuar (mësuar) në këtë libër. Ky material funksionon sepse popujt paraprak kanë ndjekur këtë rrugë në formimin e shteteve të tyre. Do të funksionoj edhe për ne por vetëm nëse e fusim në përdorim. Sa më shumë që e përdorim më shumë do të përmirësohemi. Atë që keni lexuar testoni. Çfarë ju pengon në zbatimin e këtyre informatave në praktik? Ti. Askush tjetër-vetëm Ti.
Çfarë është shkruar këtu nuk ka kurrfarë kuptimi nëse nuk e merrni dhe shfrytëzoni në jetën e përditshme. Nëse nuk bëni gjë me këto informata, ju vetëm keni humbur kohën e juaj duke lexuar. Zbato këto që ke lexuar dhe vrojto ndryshimet.
Të kujtohet kur në fillim të librit Ju thamë se gjithçka varet nga ti. Ti je dikushi! Ti ke vlerë! Nëse nuk je bindur ende ne mund të dëshmojmë këtë. Vetëm ca sekonda të duhen dhe ti je njëri nga ata që ke filluar me hapa praktik në jetësimin e Ribashkimit. Si? Dërgo me email këtë libër te shokët, shoqet apo te të gjithë ata që i njeh. Sapo të dërgosh këtë libër përmes e-mailit, Ti ke filluar me lëviz drejt qëllimit-Ribashkimit!Urime!
Këtë libër duam që ta përmbyllim me fjalët e themeluesve të shtetit Izraelit që i përmendëm në fillim të librit, por të përshtatura me nevojat tona shqiptare. ‘’ Nëse JU doni Ribashkim Kombëtar Shqiptar ai nuk do të jetë më ëndërr’’. ‘’ Sikur të gjithë miqtë tanë që nga Perëndimi dhe Lindja të na japin ne Ribashkimin, ato do të jenë vetëm fjalë. Por, sikur shqiptarët të ngriheshin dhe ndërtonin Ribashkimin, ai do të ishte çështje e përfunduar’’.
Krejt në fund mos harroni një gjë, përmbushja e AMANETIT të Ribashkimit varet nga NE: e ardhmja e shndritshme në një shtet të vetëm ku do të radhitemi përkrah popujve përparimtarë ose vazhdimi i robërisë në 6 shtete ku do të radhitemi përkrah popujve të robëruar dhe të prapambetur!
VENDOS/NI!
FUND
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 51 vizitorë |
| Lexuar:
1,026 herë
|
|
|
|
|
|
|