Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
KOSOVA E DEMOKRACISË BUTAFORIKE NDËRKOMBËTARE!
Publikuar më 19 maj, 2013 në orën 17:21 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Ende, sot e kësaj ditë, nuk e kam tërësisht të qartë misionin e vërtetë të ish Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë UNIMIK. Gjatë gjithë kësaj periode disavjeçare të edukimit tonë të detyrueshëm “demokratik” nga ana e tyre, këta “bamirës” të huaj, përveç veprimeve të dukshme zyrtare të natyrës politike - administrative, në prapaskenë ushtronin edhe veprime tjera të padukshme. Këtë dyshim të bazuar si të vërtetë, mund ta dëshmoj fakti se pse ne në atë kohë në Kosovë, kemi pasur (dhe ende kemi) aktivitetin e papenguar të shumë shërbimeve sekrete të shteteve të ndryshme të botës. Dhe, jo vetëm të huaj, por edhe disa “fantom” shërbime të ngjashme partiake vendore, të cilat, pa kurrfarë mbështetje ligjore dhe kritere morale të veprimit, lirshëm operonin në këto hapësira.

Natyrisht, edhe pse thuaja sekrete, këto të fundit diheshin nga ndërkombëtarët, por qëllimisht lejohej veprimtaria e tyre. Sigurisht jo rastësisht, sepse pikërisht në këtë aktivitet të dyshimtë të të tanëve, ata, për shumë politikanë tanë me autoritet në popull, përpilonin dosje të fshehta, me të cilat, më vonë, do t’i shantazhonin që të punojnë sipas kallëpeve të tyre.

Gjithsesi, interesi primar dhe strategjik i të huajve në vendin tonë, në rend të par ka qenë i fokusuar në drejtim të instalimit të një sistemi të ri qeverisjes sipas modelit të tyre. Për tu realizuar ky objektiv në terren, ata vepronin në dy drejtime: paraprakisht në ndryshimin psiko-social të mendësisë ekzistuese të masave tona të gjera popullore, dhe, nga ana tjetër, përmes ndikimit të fuqishëm tek politika/bërja e dëgjueshme servile vendore, në drejtim të krijimit të një baze të re të infrastrukturës ligjore, mbi themelet e së cilës do të konstituohet kjo demokraci e tyre përparimtare. Kështu që, kur më vonë vendorët ta merrnin në dorë timon e pushtet/bërjes së plotë, si kontroll i vazhdueshëm ndaj tyre, do të insistohet vetëm në parimin universale demokratik të “shtet ligjor” (respektim të ligjit). Pra, jo më mbikëqyrje të drejtpërdrejtë si deri më tash, por do të aplikohet njëfarë “sundimi përmes ligjit”, gjegjësisht respektim rigoroz të “copy - paste” ligjeve të ofruara më parë nga vetë ta për aprovim. Këtij qëllimit të parë, me dije, apo tërësisht pa dije, devotshëm i kanë shërbyer disa mediet tona të shkruara dhe elektronike, një numër i caktuar i (pseudo) intelektual publicist, si, dhe, disa grupacione të organizuar individësh, formalisht të strukturuara si OJQ (organizata joqeveritare), të cilët, duke thithur fonde të majme të dedikuara enkas për këto aktivitete, më shumë vepronin për interesa materiale të disa themeluesve të tyre, se sa për të përgjithshmen e proklamuar shoqërore. Ndërsa, për realizimin e qëllimit të tyre të dytë të imponimit të “ligjeve demokratike”, tashmë veç kishin të formuar një elitë të dëgjueshme politike vendore e cila, nëpër institucionet tona kinse të pavarura ligjvënëse, pa kurrfarë vërejtjeje i zbatonin imponimet e tyre normative

Zhdukja e së vjetrës dhe krijimi i mënyre së re të sjelljes dhe të menduarit ndryshe në një shoqëri të caktuar, nga bartësit e saj gjithsesi kërkon durim, shumë mund, sakrifica, e, mbi të gjitha - para, andaj, varësisht nga përkushtimi i bërë në këtë drejtim, rezultati përfundimtar patjetër duhet të jetë pozitiv. Pas gjithë kësaj ndërmarrje voluminoze, për arkitektët e padukshëm të këtij projekti, sigurisht se nuk do të mjaftoj vetëm suksesi i arritur në sferat e sipërcekura. por, ata, do të tentojnë që në këtë projekt ambicioz, ta instalojnë edhe mekanizma aktiv mbrojtës. Pra, paralelisht proceseve të reja ekonomike dhe shoqërore – politike, gjithsesi duhet krijuar një klasë të caktuar elitare të njerëzve të pasur në atë shoqëri, të cilët, më vonë, përmes angazhimit të tyre politik/bërës në pushtet, me konsekuencë dhe përkushtim maksimal do t’i ruajnë këto vlere. D.m.th. duke ruajtur shtetin e porsakrijuar shoqëror - politik demokratik, ata, njëkohësisht do ta ruan edhe pasurinë e tyre të madhe (pronën private) të garantuar si vlerë e pacenueshme në atë sistem.

Kjo kategori e pasur gardiane e demokracisë së mirëfilltë, në shtetet e prejardhjes perëndimore, kurrë nuk ka përjetuar tjetërsim të kapitalit të tyre privat, siç ka ndodhur, ta zëmë, në shumë shtetet e botës më parë me rregullim shoqëror - politik socialist (kryesisht të Lindjes). Për ta themeluar një elitë të tillë të pasur shoqërore - politike si klasë edhe tek këto shtete të reja post komuniste, krijuesit nën hije të rendi të ri botëror, bartësve idealist të këtyre ndryshimeve, qëllimisht iu toleronin (besa - besa edhe vetë inicionin), korrupsionin dhe përvetësimin e paligjshëm të pronave të mëparshme shtetërore dhe shoqërore.

A nuk kemi pasur, ngjashëm, një proces të tillë edhe tek ne në Kosovë?
A nuk tregon kjo qartë se pse e kemi Kosovën sot ende një shtet të brishtë me korrupsionin më të lartë në rajon?! Një shtet me procesin më të dyshimtë të privatizimit të pronës shoqërore dhe shtetërore!? Një shtet, me elitën e vetë politike në pushtet e cila është pasuruar aq shpejtë dhe e cila, pa pasur fije morali për interesin e përgjithshëm shtetëror dhe kombëtar, aq dëgjueshëm i zbaton të gjitha urdhëratë e ndërkombëtarëve...pse, pse, pse...?

Në fund, le të jetë ky një mundësi orientuese e gjetjes së përgjigjes eventuale për të gjithë ata që sot e kësaj dite ende nuk e kanë të qartë se, në krahasim me atë të viteve para1999, pse sot morali i ynë i përgjithshëm shoqëror është katandisur në këtë gjendje ku çdo gjë udhëhiqet nga gënjeshtrat dhe mashtrimet. Kudo dhe në çdo hap gënjehet dhe vetëm gënjehet. Gënjejnë më të mëdhenjtë dhe më të nderuarit, gënjejnë kryetarët dhe ministrat e tyre, forumet më të larta politike dhe klerikët...Gënjehet në deklarata dhe proklamata, në televizion, radio dhe gazeta... Si duket, gënjeshtra na është bërë si art i të jetuarit dhe si një ves që e ka përfshirë çdo pore të jetës sonë, që nga familja, politika, e deri tek tregtia, që nga sporti, e deri tek kultura, që nga ideologjia, e gjer tek zbavitja.

Krejt në fund, edhe përpos të gjitha të theksuarave si më lartë, të dua edhe kështu si je, Kosova ime e dashur, sepse fuqishëm besoj në atë ligj universal të natyrës se çdo nisëm sado e mirë apo e keqe më parë, gjithsesi e ka dikur edhe fundin e vet....

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 45 vizitorë
Lexuar: 438 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi