Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
UKSHIN HOTI DHE ÇËSHTJA KOMBËTARE SHQIPTARE
Publikuar më 19 maj, 2013 në orën 17:26 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Për fatin e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare; luftëtarit të lirisë; politikologut dhe ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare; profesorit të universitetit të Prishtinës; studiuesit dhe ligjëruesit të universiteteve më prestigjioze të Harvadit, Kemribixhit,Çikagos e Bostonit, Ukshin Hoti, ende nuk dihet. Sa i përket fatit të jetës së tij, në këto vitet e pasluftës janë dhënë versione të ndryshme e kontradiktore dhe shpeshherë abuzive. Jeta dhe vepra e Ukshin Hotit për një kohë bukur të gjatë kanë qenë tema tabu. Temë tabu ka qenë vetë çështja kombëtare shqiptare në përgjithësi dhe çështja e Kosovës në veçanti. Andaj,çështja kombëtare shqiptare dhe çështja Ukshin Hoti kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë dy tema të lidhura ndërmjet veti. Mirëpo, sot, edhe pse Kosova frymon e lirë, ky vend është tanimë shtet, kontributi i profesor Ukshinit dihet botërisht në ndërtimin e bazave të këtij shteti, zbardhja e fatit i tij vazhdon të mos ketë tretman të duhur.

Anashkalimi i kësaj çështjeje është shndërruar si të thuash në një lloj stereotipi nga elitat tona politike, intelektuale e institucionale. Institucionet tona, mekanizmat e shtetit do të duhej dhe duhet të kenë ndër prioritet e veta këtë çështje. Kalimi në heshtje i fatit politik,kalimi në heshtje i fatit të veprave dhe angazhimeve në të kaluarën, dhe më në fund kalimi disi në heshtje i fatit të jetës së Ukshin Hotit nuk na bëjnë nder si shoqëri.
Më shtatë shtator të vitit 1996,në një fjalë rasti në promovimin e librit “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”që organizohej atëbotë nga Bashkësia e shoqatave dhe klubeve kulturore në disa qytete të Gjermanisë dhe Zvicrrës pata ngritë shqetësimin tim rreth kalimit në heshtje të botimit të këtij libri. Në atë kohë siç dihet, sundimi i egër i aparteidit serb në njërën anë dhe monopolizimi i mjeteve të informimit dhe i gjithçkaje tjetër nga “institucionet paralele”të dominuar nga LDK-ja bënin që shumë gjëra të rëndësisë së veçantë për vendin të mbuloheshin me heshtje.

Burgosjet dhe dënimet e vazhdueshme nga regjimi jugosllav ,dhe metodat e izolimit ostracist të ndihmuara edhe nga qarqet politike e intelektuale kosovare të kohës, kanë përshkuar në vijë kontinuele jetën e profesor Hotit. Me gjithë përpjekjet e një kategorie individësh qëllimmirë në ngritjen e zërit për zbardhjen e fatit dhe përpjekjet për promovimin e veprave të tija, qasja ka qenë e lokalizuar, jo gjithëpërfshirëse, jo gjithëkombëtare. Fatkeqësisht sot, të pakta janë libraritë ku mund të gjenden veprat e Ukshin Hotit. Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare mendoj ka nevojë të lexohet e studiohet nga lexuesi shqiptar.
Në Kosovë tani studiohet politika si shkencë. Është mirë që po përgatiten brezat e rinj në këtë fushë. Universiteti i Prizrenit është emërtuar “Universiteti Ukshin Hoti”, kjo e nderon vendin tonë. Ashtu si sot,sikundër dhe nesër,në të gjitha proceset që po kalon dhe do të kalojë Kosova, emri i Ukshin Hotit nuk mund të tejkalohet,anashkalohet e të harrohet. Emri i tij është sinonim sakrificës, luftëtarit të Lirisë dhe luftëtarit të ndërtimi të shtetësisë.
Ukshin Hoti ishte pikërisht ai, i cili për herë të parë ngriti në shkencë çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi dhe çështjen e Kosovës në veçanti. Ai vazhdimisht u angazhua për një qasje shkencore të politikës në Kosovë,përpiqej me profesionalizëm, guxim e vullnet të mirë; edhe pse ai, shpeshherë keqkuptohej dhe keqinterpretohej. Profesor Hoti asnjëherë nuk u pajtua me diletantizmin, mediokritetin, imitimet boshe ,pehlivanllëqet politike ... kërkonte flakjen e tyre, e të tillët vazhdimisht orvateshin ta luftonin në mënyrën më të ultë. Në të shumtën e herëve edhe anatemohej nga segmente të caktuara të burokracisë politike dhe intelektuale që për filozofi politike kishin zgjedhur të importonin duke e deformuar filozofinë politike të rezistencës jo-violente të Mahtama Gandit.
Nuk është e panjohur se burgosjet dhe dënimet e një-pas njëshme, duartrokiteshin në heshtje ose gjysmë-heshtje nga tarafe të caktuara politike kosovare. Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, në një pyetje nga një gazetar i një gazete që i kishte shtruar: se çfarë mendonte për mos-ngritjen e duhur të zërit nga lidershipi politik kosovarë përkitazi me lirimin e Ukshin Hotit nga burgu, ai ishte përgjigjur nëpërmjet një proverbi kinez se,”Kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret”.Me këtë shembull desha të vë në theks se angazhimi për profesor Hotin gjithnjë ka qenë i zbehtë, jo aktiv, e shpeshherë jo sinqertë.
Sot me të madhe nga disa injorantë politik, infantil, eklektik dhe kleptoman trumbetohet për një arkitekt të pavarësisë së Kosovës, për një njeri që dikur i kishte thurur lavde Josip Broz Titos, një njeriu me kapacitete të mangëta politike, një njeriu që nuk është shquar për ndonjë projekt çlirimtar; projekt politik a shtet-formues. Kur dihet se për të qenë arkitekt i diçkaje duhet të kontribuosh nëpërmjet planeve dhe projekteve. Ukshin Hoti për dallim nga të tillët që angazhoheshin për selitjen e vëllazërim-bashkimit, ruajtjen e asaj krijese artificiale të quajtur Jugosllavi, duke njohur formulën e kombinimit të ideales me realen, qysh në fillim të viteve të 80-ta u përcaktua për rrugën konkrete shtet-formuese.
Duke ndjekur shembullin e Hasan Prishtinës kur në parlamentin osman deklaroi” më mirë një pushkë në mal sesa njëmijë llafe me pushtuesit”, Ukshin Hoti i doli në mbrojtje studentëve dhe popullit shqiptarë në kërkesën për Republikën e Kosovës, ishte i mendimit se pa organizim të luftës së armatosur nuk mund të arrihet liria.
Si njohës i mirë i historisë në përgjithësi dhe njohës i shkëlqyer i historisë politike në veçanti, si specialist i politikëbërjes, si ekspert i marrëdhënie ndërkombëtare, si njohës i rrethanave dhe raportit të forcave, si njohës i interesave politike dhe ekonomike të superfuqive, si njohës i mirë i funksionimit të ingranazhit të qendrave politike të vendosjes - profesor Hoti e dinte mirë se pa vënien në lëvizje të faktorit vendës nuk do të ketë lëvizje pozitive të faktorit ndërkombëtarë në dobi të çështjes së Kosovës. Kapacitetet intelektuale, aftësia për të komunikuar me popullin e tij, vullneti për të kontribuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare, gatishmëria për tu sakrifikuar si bir i popullit, bëri që ai të ai eci në rrugët e filozofit antik Sokratit. Vendosmëria për të mbrojtur të vërtetën dhe vetëm të vërtetën ai ndoqi shembullin e martirit të shkencës botërore Xhordano Brunos.
Andaj ky Hasan Prishtinë i ditëve tona, ky Sokrat modern, ky Xhordano Brunë shqiptarë, meriton më shumë.
Emri i tij duhet të skalitet në memorien tonë kolektive. Ukshin Hoti do të jetë udhërrëfyesi i brezave të ardhshëm se si duhet vënë në veprim kapacitetet politike e intelektuale duke ndjekur rrugën e sakrificës në mbrojtje të kombit dhe atdheut.

BASHKIM HOXHAJ

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 45 vizitorë
Lexuar: 843 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi