Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Përkeqësimi
Publikuar më 06 qershor, 2013 në orën 00:17 ( ) Albin Kurti | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Secilën marrëveshje të Kryeministrit të Kosovës me Serbinë, madje edhe ato për zbatim të marrëveshjeve paraprake, i shpallin historike, duke gjetur në to diçka që është për herë të parë - një kapitull të atillë që po mbyllet e një të këtillë që po hapet. Mirëpo, edhe me secilën marrëveshje thonë se përfundimisht u vulos integriteti territorial, rendi kushtetues, kufijtë ndërkombëtarë etj., duke na e sajuar përfytyrimin e një letre të mavijosur nga vulat e pafundme vënë njëra sipër tjetrës, secila përfundimtare (deri te vula e radhës).

Të vetëdijshëm për pasojat të cilat qysh tash nuk fshihen dot, flasin për kompromise në marrëveshje dhe për marrëveshjen si kompromis, mirëpo këto na qenkan marrëveshjet më të mira që kanë mundur të nxirren në këtë kontekst politik. Ka mundësi që këto njëmend ishin marrëveshjet më të mira të mundshme, mirëpo jo për Kosovën por për vetë Kryeministrin e saj. Tashmë është e qartë se nga dialogu politik në Bruksel Kosova vetëm sa humbi shtetësi ndërsa Thaçi fitoi pushtet të metejmë mbi Kosovën gjithnjë e më të dobët. Sigurisht që përfituesja më e madhe doli Serbia, e cila jo vetëm që po avancon në integrimet evropiane që tash do të reflektohen edhe në fonde miliardëshe për të, por edhe veriu i Kosovës po i afrohet asaj, ndërkaq komunat e Ahtisaarit në jug të Ibrit po i afrohen veriut.

Natyrisht, këto marrëveshje nuk po i normalizojnë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por megjithatë po i bëjnë një mori normalizimesh të tjera, të cilat mund të duken normalizime dytësore vetëm për ata që nuk e kuptojnë ose e keqkuptojnë gjithë procesin. Kështu, kemi normalizim të marrëdhënieve Thaçi-Daçiq, normalizim të marëdhënieve Serbi-BE dhe normalizim të marrëdhënieve midis Qeverisë së Kosovës dhe strukturave ilegale shtetërore të Serbisë në Kosovë. Për pasojë, nuk kemi as normalizim të shtetit të Kosovës dhe as të marrëdhënieve të tij me BE-në. Përkundrazi.

Është interesante qysh marrëveshja me Serbinë jo vetëm që ia errëson perspektivën shtetndërtimit dhe zhvillimit në Kosovë, por ajo edhe e deformon të kaluarën - prej trajtimit gjithnjë e më të butë të strukturave armiqësore e kriminale të Serbisë drejt amnistisë për to, e deri te konstatimet se tash u është dhënë 'shans ideal qytetarëve në veri që të bëhen pjesë e pandarë e shoqërisë sonë demokratike', thua se më herët nuk kishte shans të tillë dhe fajin për këtë e ka (edhe) Kosova. E të mos flasim për degradimin aktual ku secili edicion lajmesh në mediet e Kosovës nis me Serbinë dhe me emrat e Daçiqit, Nikoliqit e Vuçiqit sikur të ishim ende në vitet e '90-ta, duke spostuar kështu tërësisht agjendën shtetndërtuese të Kosovës dhe temat socio-ekonomike.

Ndërkohë, teksa orvaten të arsyetohen për gjithë këtë proces që po e ngulfat Kosoën, qeveritarët në krye me Thaçin rregullisht e flasin të kundërtën e asaj që bëjnë: po konfirmohet sovraniteti, nuk u cenua kushtetuta, po vendoset kontrolli mbi tërë territorin, po integrohet veriu e gjepura të tjera të ngjashme me këto. Kësisoj, synojnë që gjithçka të duket lojë politike, me ç'rast ndeshen qëndrime të kundërta ku, me gjasë, asnjëra s'është e vërtetë, andaj njerëzit normalë do të duhej të pozicionohen diku kah mesi. Ngjashëm po ngjan edhe me qëndrimet e politikanëve e diplomatëve ndërkombëtarë të cilët, gjersa ndërmjetësojnë midis Kosovës e Serbisë, duke u hequr neutralë, përfundojnë te mesi aritmetikor i egërsisë nacional-shoviniste të Beogradit dhe qullësisë së neveritshme të Prishtinës zyrtare.

Përderisa Serbia kultivon të njëjtin qëndrim e qëllim kundër pavarësisë së Kosovës dhe shqiptarëve, fakti se ajo tash për tash ka hequr dorë nga mjetet e luftës ushtarake kundër nesh mbivlerësohet së tepërmi nga jopak faktorë ndërkombëtarë. Ndërmjetësuesit nuk preferojnë t'i shohin ngjajshmëritë e krerëve shtetërorë në Beograd me Milosheviqin e Sheshelin, por dallimet e vogla me ta, ani se mjetet tjera sot mund të jenë veçse të përkohshme dhe të kushtëzuara nga rrethanat tjera. E gjithë kjo e kombinuar me mënyrën e Thaçit që e keqpërdor pavarësinë e shtetit për pushtet e nuk e avancon atë drejt sovranitetit për shtetin, gjithsesi paralajmëron ditë gjthnjë e më të rënda për Kosovën.

4 qershor 2013

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Albin Kurti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 46 vizitorë
Lexuar: 612 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vetÃ...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllazÃ...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2025 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi