| FJALORI I LËVIZJES SË JUSUF GËRVALLËS (XII) |
| Publikuar më 19 qershor, 2013 në orën 00:49 ( ) |
Histori | |
|
|
|
TETË PIKAT E JUSUF GËRVALLËS
Jusuf Gërvalla: "Prandaj, në mbrojtje të vullnetit sa e sa herë të ndrydhur e të nëpërkëmbur të popullit shqiptar në Jugosllavi, ne - një pjesë e pararojës patriotike e komuniste të shqiptarëve të robëruar, që jemi organizuar në gji të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi – dalim para popullit tonë, para opinionit jugosllav dhe atij botëror me këto kërkesa minimale të parevokueshme:
 1) Pa iu njohur Kosovës statusi i Republikës në kuadër të federatës jugosllave;
2) Po iu njohur shqiptarëve në Jugosllavi statusi i kombit dhe, rrjedhimisht, e drejta demokratike e leniniste për vetëvendosje deri në shkëputje;
3) Pa u marrë masat konkrete të të gjithë bashkësisë jugosllave që ritmi i zhvillimit të Kosovës të shpejtohet së paku në shkallën e parashikuar dhe të premtuar nga federata – do të thotë 60 për qind mbi mesataren jugosllave;
4) Pa u marrë masa të menjëhershme kundër papunësisë katastrofike në viset shqiptare, që në afatin sa më të shpejt të inkuadrohet krahu i lirë (ekzistues) i punës dhe të tërhiqen punonjësit tanë të shkapërderdhur në Perëndim dhe nëpër Republikat e zhvilluara të Jugosllavisë;
5) Pa shpalljen e amnistisë së përgjithshme, me të cilën do të liroheshin menjëherë dhe pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, që vuajnë dënime të rënda nëpër kazamatet jugosllave;
6) Pa marrë nga populli dënimin e merituar të gjithë ata udhëheqës politiko-shoqërorë, publicistë e njerëz të tjerë, qofshin nga Kosova ose republikat e Jugosllavisë, që janë implikuar në një mënyrë a në një tjetër në tragjedinë më të re të Kosovës, në fushatën e tërbuar antishqiptare të serbomëdhenjve, duke i shkaktuar popullit tonë plagë të reja dhe duke ndërsyer kundër tij popujt jugosllavë, të nxitur nga propaganda;
7) Pa formimin e një komisioni të posaçëm, që do të studiojë me themel dhe në hollësi aksionet shtetërore jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve, para e pas lufte, gjë që presupozon edhe publikimin e dokumenteve të fshehta shtetërore (të vjetra e të reja), që kanë të bëjnë me aksionin në fjalë; pa marrë dënimin e merituar të gjithë aktorët e gjallë (Çubrilloviçi me shokë) dhe të vdekur (Andriç, Vukotiçi etj.) të këtij akti barbar të gjenocidit; pa iu marrë e drejta qytetare publike të gjitha atyre veprave letrare (Duçiçi, Laliçi, Çosiçi, Bulatoviçi), kuazishkencore (Gjorgjeviçi, Cvijiçi etj.) e publicistike, në të cilat pasqyrohet përçmimi kombëtar e synimet antishqiptare, dhe mbi to të vihet embargo e përhershme jo vetëm në Kosovë po në mbarë Jugosllavinë;
8) Pa u rivendosur e pa u zhvilluar më tej marrëdhëniet e filluara kohë më parë mes popullit shqiptar (dhe popujve tjerë) në Jugosllavi me shtetin dhe me popullin shqiptar në RPS të Shqipërisë, të ndërprera në mënyrë të njëanshme arbitrare e me qëllime thellësisht antishqiptare –
– Pa këto masa të menjëhershme, rigorozisht të plota, populli shqiptar i martirizuar nuk do ta ketë as satisfaksionin më të vogël për krimet e vazhdueshme 70-vjeçare të gjenocidit nën regjimet e egra jugosllave, sidomos nën regjimin e vetëquajtur socialist dhe vetadministrues të klikës titiste-rankoviçiste, rrjedhimisht, nuk do të qetësohet deri në ngadhënjimin e plotë të të drejtave dhe të lirisë së tij." (Zëri i Kosovës, nëntor 1981, faqe 2-3)
 Demonstrata në Frankfurt, korrik 1981; Sefidin Tafallari me grushtin lartë duke brohoritur "Kosova–Republikë!" TËRNAVA MUHAMET, – Muhamet Tërnava, historian i shquar shqiptar.
Jusuf Gërvalla: "Kërkonin prej meje makinën tjetër të shkrimit, atë të punës (makinën ilegale e kishin gjetur). Atë makinë e kisha në banesë të Muhamet Tërnavës, e Muhameti ishte zyrtarisht në Gjermani. Pasi nuk e gjetëm të vëllain, që të na e çelte derën e banesës, inspektorët e SPB-së shkuan dhe e morën një mjeshtër, e çelën derën me dhunë, e morën çantën, dhe ata i vunë derës dry të ri, e çelësat m'i dhanë mua." (Shënime nga Ditari)
TËRPEZA HAJRULLA, veprimtar në Gjermani. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Hajrulla Tërpeza, D-8264 Waldkraiburg, Rangenueg. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 5.
TITO, – JOSIP BROZ TITO, (Kumrovec, Austro-Hungaria, lindi më 7 maj, 1892 - Lubjanë, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, më 4 maj, 1980). Ishte Presidenti i Republikës "Socialiste" Federative të Jugosllavisë në periudhën 1953-1980, kreu i Partisë "Komuniste" të Jugosllavisë (më pas Lidhjes "Komuniste" të Jugosllavisë), komandant suprem i forcave të armatosura të Jugosllavisë.
Jusuf Gërvalla, mendimet për satrapin Josip Broz Tito, në mënyrë të përsosur i ka të përmbledhura mendimet në dy punime: I pari; Letër e hapur satrapit J. B. Tito, Njeriu ka një të metë: ai di të mendojë!, Janar, 1980, që është botuar në gazetën Bashkimi, Organ i Frontit të Kuq, shkurt 1980, faqe 1. Punimi i dytë; Rekuiem për një monark, është botuar në Lajmëtari i lirisë, gusht 1980, faqe 6-8.
Jusuf Gërvalla: "REKUIEM PËR NJË MONARK
Me rastin e vdekjes së monstrumit revizionit, J. B. Tito, këtij armiku të përbetuar të popullit shqiptar
I teket burrit të botës për të vdekur. Një e drejtë e amshueshme, e patjetërsueshme. As arsyet nuk mungojnë. Jeta – halle shumë. Dergja e gjatë e ka përpirë edhe pikën e fundme të durimit. Pastaj mosha, more vëlla. S’janë shaka 88 vjet!
Patjetër duhet të vdes, thotë ai.
Menjëherë!
Dhe, një ditë prej ditësh, ndërsa Konziliumi i mjekëve po i injektonte në trup pikën e fundme të gjakut të stërnipërve të tij dhe thërminë e fundme të truve të zogjve të Ballkanit, ai, pa një pa dy, ia dha në dorëzim djallit shpirtin e vet prej përbindëshi. Mbi mbeturinat e kurmit të tij të qelbur mbetën pezull raskapitja disamujore (disavjeçare?) e Konziliumit të mjekëve dhe hutesa e Familjes së Pikëlluar.
Po era e thatë e ditës së shënuar dimërore, 14 shkurt A.D. 1980 e humbi gjithë athëtimën e përparshme, dhe moti i zënë pisk deri më atë çast sikur u çmpi e mori frymë thellë.
Kish vdekur satrapi monstruoz, Josip Broz- Tito!
Kush ma zuri diellin…
Nga çmpirja e përgjithshme, që erdhi papritmas si dhunti hyjnore në këtë pjesë të Evropës, qielli sikur u kthye në elementin e vet: barkun do t’ia stolisnin sërish zogjtë e lirë të gadishullit Ilirik. Sikur u shkrinë gur e dru: nuk do t’i përdhoste më hapi i rëndë i përbindëshit. U gëzua shpirti i ri: nuk do t’i merrnin më gjak për të mbajtur gjallë fosilet e monstrumit. Fëmijët ia thanë këngës:
Kush ma zuri diellin,
Ia zëntë therra shpirtin!
Po Familja e Pikëlluar ra në hall. I vdekuri kishte pasur hije të rëndë dhe kishte lënë prapa shumë ngatërresa.
Veç kësaj, gjatë dergjës së përbindëshit, në kufij ishte dukur një përbindësh tjetër, më i madh e më i tmerrshëm, me disa kambiale, që i tundte në erë si somnambul.
Dhe u mblodhën kokë më kokë anëtarët e Familjes së Pikëlluar. “Si guxoi të na linte kaq paturpshëm, në ditë kaq të ligë!” Vërtet, si kishte guxuar ai të vdiste pa pyetur njeri, dhe ç’vdekje na qenka vdekja në pikë të dimrit?! A s’ka thënë mirë poeti: “Dua të vdes në pranverë!” Po udhët e të madhërishmit janë shumë.
I vdekuri, me shkopin dhe me strajcën e lypës në dorë, kishte bërë për të gjallë të vet një arkë të madhe. Paraja ka pushtet. Mashën ta bën tangar. Pos parasë, ai kish lënë trashëgim edhe një mekanizëm të përsosur për shfrytëzimin maksimal të të mirave që sjell gënjeshtra dhe demagogjia.
Kështu, po në frymën e ish zotit të shtëpisë, Familja e Pikëlluar, me paratë e lypura dhe me arsenalin e pasur të gënjeshtrës, e ktheu në gjysmë të rrugës tellallin që ishte nisur të shpallte ngordhjen e përbindëshit.
Dy datëlindje – dy datëvdekje
Dhe vdekja, që s’kishte si të mos quhej vdekje, sepse kish vdekur trupi, kish tretur edhe shpirti (a kishte fare shpirt?), me emrin e zotit dhe të Xhebrailit, që e ngrënkan shumë ryshfetin, u bëj jo vdekje. U shty për tre muaj!
Më 4 maj A.D. 1980, tellalli doli dhe e pështyu fjalën e përpirë, të përtypur me mundim tre muaj rresht. U shtrua ngeshëm sofra e zisë dhe erdhën sa çel e mbyll sytë edhe të ftuarit, që, për çudi, kishin qenë të gatshëm: të larë e të lyer, të veshur e të mbathur.
Në rekuiemin e monstrumit ia behën pothuaj të gjitha specimenet e kësaj bote. Thua se ky rekuiem ishte një Barkë e dytë e një Noe të dytë.. Me kucë e me mace. Zonja dhelpër e Brigjeve Britanike. Gjeldeti i larëm dhe i butë i Brigjeve të Azyrit; çakalli i Jermanisë; pumat, anakondat dhe kameleonët e Andeve. Nuk munguan as specimenet ngjyrë pjeshke të papjekur nga Dheu i Largët i Diellit në Lindje. Dhe, siç është fare e kuptueshme, Ariu Plak i Siberisë. Kish disa muaj që ata e kishin lënë takimin te kufoma e qelbur e përbindëshit të ngordhur.
Sa lotin e derdhi Krokodili i Nilit! Të mëshirohen gur e dru. Sa shlirshëm u derdhën inxhinjtë e sinqeritetit të Zonjës Dhelpër! Të të shkrihet shpirti. Besëlidhja ndërmjet maces dhe miut, që u bënë pikërisht në këtë sofër zie, premtonte se nuk do të thyhej përjetë fjala e dhënë një herë në kuvend… Kurse Ariu i Siberisë, i cili disa muaj më parë e kishte vënë shputën e madhe kaba në kufijtë e Familjes së Pikëlluar, betohej se as që i ka shkuar dhe as i shkon mendja për ndonjë prapti arinjsh!
Privilegjin për të pasur dy vdekje, më saktësisht, dy data të vdekjes, dy datëvdekje; një të hershme, orë e pa kohë- prandaj edhe të vërtetë. Dhe më vonë të dytën, datëvdekjen artistike- me mot të porositur ( maj, pranverë, romantikë…) një privilegj të tillë nuk mund ta gëzojë kushdo.
Ta vdesësh një herë faktikisht trupin më 14 shkurt 1980, është dashur të kesh lindur faktikisht 88 vjet më parë, më 7 maj. Të të bëjnë me vdekje të dytë artistike, më 4 maj, është dashur të ta kenë kremtuar një ditëlindje të dytë, artistike, atëherë kur s’e ke pasur – do të thotë më 25 maj. (Maj, maj… vetëm maj. Ç’kërkon këtu shkurti kryengritës, si një bisht i këputur!) Pra, për të gëzuar dy datëvdekje, duhet të kesh gëzuar dy datëlindje.
Dy emra, shumë fytyra
Gjatë këtij shekulli, një nga kushtet për të vdekur dyfish ka qenë edhe ky: mos të të mjaftojë një emër i vetëm. Ta zëmë: Josip Broz. Një emër i tillë, ndoshta, ka mjaftuar për të hyrë së prapthi në një parti dhe në një luftë. Por ai nuk mjaftoi dot për t’u mbajtur në krye të një partie dhe në një luftë. Por ai nuk mjaftoi dot për t’u mbajtur në krye të një partie dhe të një shteti revizionit – siç doli puna pastaj. Për këtë duhej një emër i dytë, përkëdhelës, sugjestionues: Tito. Kusht i posaçëm për ta gëzuar me popullaritet këtë emër, ka qenë që t’i shërbesh afro dyzet vjet, me përunjësi të pashembullt, imperializmit dhe kapitalizmit botëror, e në anën tjetër ta mbash ndezur dritën e drejtimit të socializmit. Dhe të mos mjaftohesh me kaq. Për maskë, të krijosh edhe një bllok, me emrin e çuditshëm: të painkuadruarit!
Me një fjalë, për ta gëzuar me jetë të gjatë emrin e dytë artistik – Tito, ishte e domosdoshme të kishe jo një po shumë fytyra, që të bëje pa pengesa flirte të pashoqe, të apasionuara, per amica silentia lunae, me atë që është çuar i pari! Për të mos vdekur kur ke vdekur, rëndësi të posaçme ka që, në kohën e sundimit tënd prej monarku fashist, të kesh çuar jetë sa më të shfrenuar. Të kesh pasur në pronën e madhe mbretërore ullishte e vreshta, pyje si Igallo dhe, mundësisht ndonjë ishull të tërë, si Brioni. Disa dhjetëra vila! Këto mund t’i ketë edhe një drejtor i thjeshtë. Por, bën të kesh pasur pallate me qindra e qindra dhoma. Secila dhomë një krua dhe secili krua një çep të artë! Ndër të tjera, duhet të kesh qenë lahper. Të kesh futur nën kurorën mbretërore së paku pesë gra, të tjerat në harem, mundësisht sa më të reja, për salltanet, dhe rrallë e rrallë për – punët e natës!
Por, as këto nuk do të bëheshin kabull në çfarëdo kohe dhe në rrethana çfarëdo. Kusht i posaçëm është që vendin ta kesh futur deri në fyt në borxhe që arrijnë shifra astronomike. P.sh. 14.000.000.000 dollarë amerikanë! Që, sipas kursit të sotëm, bëjnë 36.400.000.000.000 dinarë të vjetër. Pra – 36 bilionë e 400 miliardë dinarë!
Trashëgimi madhështore për një rekuiem edhe më madhështor, që ia bëri monarkut Familja e Pikëlluar! (Pra, Kryesia e Federatës, se më në fund po i heqim dorëzat. S’ka lezet të flasim edhe më tutje me mesele).
Dy e dy bëjnë – 10 muaj me ajër të pastër!
Mendoj se ata që nuk bëjnë pjesë në Familjen e Pikëlluar – e të tillë jemi ne, shqiptarët e Kosovës, si dhe popujt e pafajshëm të Jugosllavisë – kanë edhe kohë për të bjerrë edhe deponime të sigurta për të mos u mërzitur. A s’jemi vallë duke jetuar në një regjim papunësie të shkallës më të lartë në Evropë, ndër më të lartat në botë?!10 Sidomos ne, shqiptarëve, koha na del e na tepron. Prandaj, mund të merremi edhe me “dokrra”. Për fillim, pakëz matematikë. Ndiqmëni me kujdes! Së paku me kujdesin, me të cilin e ndiqni një ndeshje futbolli.
Nëse Titua, me përkrahjen e zëshme të aparatit shtetëror revizionist të Jugosllavisë, për shtetin e vet 22-milionësh ka marrë hua te imperializmi dhe te kapitalizmi botëror 36 bilionë e 400 miliardë dinarë, atëherë ai çdo banor të Jugosllavisë, madje edhe Bali Katravellën tim kërthi, e ka ngarkuar me nga 1 654 550 dinarë borxh. Ju pyes: me se do ta lajë këtë borxh Bali Katravella im, të cilit e ëma ia lan tri herë në ditë mendelat e fëlliqura? Madje pa deterxhent!( Deterxhenti, siç e dimë, me vdekjen e parë faktike dhe me vdekjen ne dytë artistike të të përkëdhelurit Tito, humbi si shurra e pulës.) Vazhdojmë!
Nëse gjendesh në ballë të një shteti me 22 milionë banorë, prej të cilëve ke inkuadruar vetëm 5 milionë e 612 mijë banorë, atëherë, me ç’ banorë, prej të cilëve ke inkuadruar vetëm 5 milionë e 612 mijë banorë, atëherë, me çfarë shume të hollash e ke ngarkuar çdo të inkuadruar në larjen e borxheve prej 36 bilionë e 400 miliardë dinarësh? Përgjigja e saktë është: çdo i inkuadruar duhet të paguajë nga 6 milionë e 486 mijë e 100 dinarë. Po nëse këtij të inkuadruari nuk i ke dhënë të ardhura mujore më të larta se 607 300 dinarë ( mesatarja jugosllave), atëherë, për sa kohë mund ta lajë ai pjesën e vet të borxhit?
Matematika, punë e rëndë prej së cilës mund të të dhembë koka.
Përgjigja e saktë për pyetjen e mësipërme është se të gjithë punëtorët jugosllavë së bashku, për ta larë borxhin, me të cilin i ka ngarkuar ata Titua me titistët e vet, duhet t’i japin gjithë të ardhurat e tyre mujore në një periudhë kohore prej dhjetë muajsh e gjysmë! Pa lënë asnjë metelik anash.
Supozojmë se prej kësaj matematike i dhemb koka edhe Kryesisë së Jugosllavisë. Së paku sot. Jo edhe kur merrte hua.
Bile, ka indikacione se edhe atëherë edhe sot, që ajo po hy në borxhe të reja të imperializmit dhe të kapitalizmit botëror, ka harruar që “S’ka mbetë borxh pa u kthye, ja me pare ja me krye”.
Nuk është qejf i vogël të kesh një mecenë të madh, i cili e hap kuletën posa ta kesh hapur ti gojën për t’i lypur gjësend për mëshirë. Dhe klika titiste kotet dhe ëndërron se Amerika është aq zemërgjerë sa mezi pret ta shpenzojë dollarin e vet për t’u blerë sheqerka fëmijëve të llastuar. Ose cigare të trasha, të gjata – “tompus”, për monarkun Tito, me të cilat ky pat fituar në botë popullaritetin e një kryepari të fisit, që e rreshk llullën e paqes pranë zjarrit indian, në një kohë që amerikani ia merr pëllëmbë-pëllëmbë gjithë tokën, kurse atë, indianin, e mbërthen në rezervate!
Po nëse një ditë mecena i madh kërkon t’i lahen me cenë borxhet? Atëherë, sipas matematikës reale, dy e dy që bëjnë gjithmonë katër, do të na dalin diçka tjetër. Ose duhet t’ia lëshosh shtëpinë, që e ke ngritur me të hollat e tij, ose t’ia thajsh paret në dërrasë. E, “për t’ia tharë paret në dërrasë”, të gjithë të inkuadruarit në Jugosllavi, siç u tha më sipër, duhet të punojnë për mecenën dhjetë muaj e gjysmë! Pa ngrënë e pa pirë, pa u veshur e pa u mbathur. Ose duke ngrënë çka s’blehet me pare dhe duke veshur ç’ka s’blehet me pare…
Banorët e Jugosllavisë, pra, pasi ta kenë ngrënë gjithë gjënë e gjallë, gjithë barishtet, lëvoret e verrave dhe të kërpnajave; pasi të kenë veshur dhjetë muaj e gjysmë gjethe gështenjash, për të mbuluar pjesët e turpshme të trupit, si Adami e Eva; pasi të kenë kaluar me banim në shpellat e dashura të të parëve të vet – se banimi në kushtet moderne kërkon shpenzime, pasi t’i kenë ngrënë edhe milionat e produksioneve me portretin e përbindëshit Tito në teknikën bardh-e zi-kolor, madje megjithë korniza, do të mund të kthehen e të hanë kulumria!
Diçka, megjithatë, u mbetet badihava titistëve: Ajri! Dhe ajri nuk është artikull jetësor pa rëndësi.. Ai na e mban gjallë frymën. Pos kësaj, në mos i gjetshin vetes tjetër çare, titistët mund ta shfrytëzojnë ajrin edhe për ndonjë udhëtim në kozmos. Deri në Mars, bie fjala. E, për një udhëtim të tillë ata do të kenë nevojë të madhe.
Pse? Pjesën dërmuese të firmave, Jugosllavia i ka ndërtuar me investime të përbashkëta me imperializmin. Mecena mund të mos lejojë t’i lahen borxhet duke shfrytëzuar objektet e tij industriale etj.
Por, s’ka gjë.
Siç e dimë, titistët janë shumë të shkathët në shpikjen e termave të ndryshme politike e legjislative. Ka mundësi që, kur të kenë arritur në Mars ( prapë me fluturake amerikane), të shpikin edhe atje një vend, një Amerikë të Marsit ta zëmë, ku do të mund të marrin në të ardhmen hua për shpenzimet e mëdha që i duhen borgjezisë së këtushme!
Rrugë të mbarë, pra, titistë jugosllavë!
A mbahet shpirti me kulumria?4
Nuk them që rruga e titistëve dhe e titizmit është njëherit edhe rruga e të gjithë qytetarëve të Jugosllavisë fashiste. Sidomos klasës punëtore dhe fshatarësisë së mashtruar, besoj, nuk do t’i shkonte aspak për lale një udhëtim i tillë në uri, në paqenësi. Udhëtim kah gjumi dimëror i arushës! Por, në rast të tillë, ata duhet të dinë se për çdo sëmundje ka ilaç. Mund të thonë shkurt: “Hiqe piten e ligë dhe sille të mirën!” Por, kjo gjë kërkon ca mundime. Ta zëmë, ndonjë kryengritje masive, eventualisht një revolucion të ri.
Apo mos edhe punëtorisë dhe fshatarësisë jugosllave titistët ua kanë prerë rrënjë, si me brisk, motivin e kryengritjes dhe të revolucionit?!
Kjo s’përputhet me asnjë ligj të shoqërisë, prandaj nuk do t’i besojë as Bali Katravella im.
Po ne, vëllezër shqiptarë. Do të udhëtojmë edhe ne tok me jugosllavët? Fadili, Mahmuti, Xhaviti, Xhevdeti… thonë se “rruga e Titos është rruga jonë”. Dhe duhet t’u besojmë. Vërtet, nuk di a mund të ketë rrugë tjetër për këta renegatë me kompani, pos rrugës së titizmit? Rruga e kryengritjes dhe e revolucionit është rruga e vdekjes së tyre.
Prandaj, nuk e kam me ta po me ju: me punëtorinë, fshatarësinë, me inteligjencën, me popullin e robëruar shqiptar të Kosovës.
Na pyeti vallë Titua kur na e shkeli vendin? Kur hyri borxh te imperializmi? A na pyeti ai kur me pasuritë tona ngriti strofullin e çetnikëve – Beogradin, duke na e marrë kafshatën nga goja? U dashka tani që ne të marrim pjesë në larjen e borxheve të Jugosllavisë titiste?
Nuk di a na mësojnë kështu historia dhe tradita luftarake e popullit tonë, a na mësojnë kështu rrugët revolucionare të popullit tonë dhe të popujve të botës, që kanë hequr qafe përbindësh shumë më të mëdhenj se titizmin, i cili i ka të cekëta rrënjët. Nuk di, më në fund, a kemi hesap – thjesht, të udhëtojmë bashkë me Jugosllavinë titiste, duke larë borxhe tërë jetën!
Ose, ndoshta, ende nuk na u mbush mendja se nuk mbahet shpirti me kulumria! Lajmëtari i lirisë, gusht 1980, faqe 6-8)
TOFAJ SAHIT – Sahit Tofaj, aktivist i rrethit të Shtutgartit nga Juniku. Pjesëmarrës i demonstratave dhe i shumë aktiviteteve.
TOSKA RASIM – Rasim Toska, nga Gjilani, aktivist i dalluar i rrethit të Shtutgartit.
TOSKA TAIP, – Taip Toska, aktivist i dalluar i rrethit të Shtutgartit.
"Ndryshe nga Suzana, Tusha kishte vendosur të kthehej në Kosovë. Për t’i dalë në ndihmë kishte ardhur nga Kosova babai i saj, Haxhi Tahiri. Ishte e qartë se pas ikjes së Tushës duhej liruar banesën ku kishte jetuar familja Gërvalla. Të shtunën e 8 majit në mbrëmje, derisa po bisedonim rreth kësaj çështjeje, në familjen Gërvalla erdhën për vizitë Nami Ramadani, Fahredin Tafallari dhe Sahit Tofaj. E vazhduam bisedën me brengën se pasi të largohej Tusha, gjithsesi duhej liruar banesa. Aty kishte shumë materiale. Kishte parulla, afishe, flamuj e materiale të tjera propagandistike që duhej larguar. Ishte makineria radhitëse e shtypshkronjës së Jusufit dhe disa gjëra tjera ndoshta edhe të panevojshme. Propozova që punën e parullave të ma linin mua për ruajtje të sigurt. Nuk pranoi Xhafer Durmishi, duke e arsyetuar kundërshtimin e vet me atë se gjoja unë nuk marrkam vesh në këto punë të thella!
Ishin përgatitjet e fundit të Tushës për të udhëtuar në Kosovë. Ne e angazhuam Taip Toskin, që ditën e shtunë, të 15 majit 1982, t’i bartte me veturën e tij. Pasi i kishte përgatitur valixhet, u mor me përgatitjen e tre fëmijëve, Mirjetës, Visarit dhe Bardhoshes së porsalindur. Me mundësitë e mia ia dhurova 500 marka. Pastaj u përshëndeta me ta." (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, Prishtinë 2010, f.137-138)
TOSKIQ ALIJA, djalë 22 vjeçar nga Priboji, i mbytur nga dhuna e policisë jugosllave. Për te shkruan Jusuf Gërvalla në Lajmëtarin e lirisë, në artikullin: Lugati në këndin e parë të rrugës.
Jusuf Gërvalla: "Sa vlen jeta e qytetarit në sytë e policisë fashiste Jugosllave Alija Toskiqi, djalë 22 vjeç nga Priboji, as që do ta ketë marrë me mend sa lehtë është të t’i shëmtojnë ato pak stinë behari dhe të ta shuajnë fare jetën e njomë. Tragjikën e beftë të kësaj mundësie, që të kërcënohet në çdo kënd të rrugës ai e kuptoi vonë: kur po vdiste për gazep në grushtat, shkelmat dhe kërbaçët e tre policëve. Në pikë të ditës!
Tragjika e Alija Toskiqit në krahasim me fatin e shumë qytetarëve të tjerë që e kanë pësuar njësoj ose edhe më keq se ai, ka megjithatë një satisfaksion të vockël. Krimi i policëve mbi këtë jetë të njomë u shqyrtua në forume të larta dhe bëri njëfarë buje edhe në shtypin revizionist jugosllav." (Lajmëtari, tetor 1980, f. 11)
total institutions rregullime të shoqërisë si janë shtëpitë e pleqve, spitalet psikiatrike, sanatoriumet, burgjet, kazermat ushtarake, shkollat-internate dhe manastiret. Një dukuri e përbashkët për këto institucione është se ato, për ata që janë nën kulmin e tyre, në masë të madhe i thyejnë ato barriera, të cilat në raste të rëndomta ekzistojnë në mes gjumit, kohës së lirë dhe punës. Të gjitha format e këtyre aktiviteteve kryhen në të njejtin vend dhe nën të njejtave autoritete. Aktivitetet zhvillohen së bashku me shumë individë të tjerë, të cilët trajtohen në të njejtën mënyrë. Të gjitha aktivitetet bëhen sipas orarit, dhe një kor i të punësuarve i mbikëqyrë në mënyrë ato të kryhen me kohë dhe sipas rregulloreve të caktuara. Ato aktivitete të cilat, për ata që gjenden në këto institucione, janë të detyrueshme, kombinohen sipas një plani racional që ka për qëllim përmbushjen e detyrave zyrtare të institucionit. Këto dukuri veç e veç mund të gjenden tek institucione tjera, por të gjitha së bashku ekzistojnë vetëm tek një institucion total.
TUCOVIÇ DIMITRIJE – Dimitrije Tucoviç (1881-1914) teoricien i dalluar dhe udhëheqës i lëvizjes punëtore në Mbretërinë e Serbisë, themelues i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, gazetar dhe redaktor i "Radniçke novine" dhe "Borba". Vepra e tij më të rëndësishme është libri "Serbija dhe Shqipëria", një prej studimeve të hershme për popullin shqiptar.
TH
THAÇI SYLË, veprimtar në Gjermani. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Sylë Thaçi, Kolskstr. 26, 46. Dortmund. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 40.
U
UKËHAXHAJ HASAN – Aktgjykim: "Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë publike të qarkut në Pejë, P. nr. 106/81; Të akuzuarit Hasan Ukëhaxhaj, nga f. Carabreg, KK – Deçan, i lindur më 15 mars 1943, në të njejtin fshat, me profesion profesor i gjuhës shqipe pranë QAMO “Vëllezërit Frashëri” në Deçan,... i shqiptohet dënimi me burg në kohëzgjatje prej 11 (njëmbëdhjetë) vjetësh."
universalism tendencë tek një person që e ka një rol që të veproj në bazë të disa rregullave, pamvarësisht se ndaj kujt i është drejtuar veprimi. P. sh. nga një gjykatës pritet që ai të gjykoj, rigorozisht në bazë të rregullave, pamvarësisht se cili është personi i dënuar. E kundërta e universalizmit është partikularizmi.
utilitarism drejtim filozofik që potencon se një veprim është i drejtë, nëse ai çon tek lumturia më e madhe e mundshme për numrin më të madh të mundshëm të njerëzve. Ky princip utilitaristik, autori i tij, filozofi anglez Jeremy Bentham (1748-1832), mendon se është i mundur të aplikohet në të gjitha rregullat e sjelljes njerëzore. Utilitarizmi ka pasur rëndësi të madhe veçanërisht në zhvillimin e ekonomive kombëtare.
V
valence valencë në social-psikologji paraqet atë ngarkesë që një objekt e ka për një individ. Nëse individi ka përvoja pozitive prej një dukurie, ngarkesa bëhet pozitive, nëse përvojat janë negative ngarkesa bëhet negative. Valenca mund të shihet edhe si veti tek një atitud. Valenca nuk tregon vetëm atë se a është një atityd pozitive apo negative por edhe sa pozitive e sa negative ajo (atityda) mund të jetë.
value vlerë term qendror në sociologji që mund të ketë kuptimet vijuese:
1. Emërtim për objekte që konsiderohen se kanë relevancë për atitydat dhe nevojat e një individi apo grupi.
2. Emërtim për atë apo ato pjesë të një objekti, që konsiderohet se kanë relevancë për atitydat dhe nevojat e një individi apo grupi. Vlera në këtë kuptim, e shprehur në mënyrë të thjeshtë është, gjithçka që një individ apo një grup ka një atitud ndaj diçkaje.
3. Veti tek një objekt apo tek një pjesë, apo tek disa pjesë të një objekti, që ndikojnë, që objekti të bëhet relevant për një individ apo një grup.
4. Emërtim i atyre normave themelore në një shoqëri apo në një grup. Në këtë kuptim, më të rëndomtin, të gjitha vlerat janë norma, por të gjitha normat nuk janë vlera. Vlerat shërbejnë si udhëzime për një individ ose një grup me rastin e zgjedhjes në mes alternativave të ndryshme të veprimit, apo orientimeve të ndryshme. Shembuj për vlera në këtë kuptim janë ndershmëria, në disa kultura suksesi dhe rezultatet e mëdha, demokracia, drejtësia etj.
value orientation veti tek një individ për të zgjedhur disa vlera para të tjerave, si udhëzim për sjelljet e tij. P. sh. një zyrtar që merret me çështje sociale mund të ketë; orientim-klienti, d. m. th. sjellja e tij diktohet në radhë të parë nga kujdesi për klientin, ose orientim-procedural, d. m. th. sjellja e tij diktohet në radhë të parë nga rregullat ekzistuese.
variable variabël një veti e matshme, e cila mund të merr vlera të ndryshme tek objektet e ndryshme që hulumtohen. Ato veti që nuk mund të maten në mënyrë kvantitative quhen variabla kvalitative, dhe ato të cilat mund të marrin vetëm dy vlera quhen atribut. Kombësia (nënshtetësia) është një variabël kvalitative, dhe gjinia është një atribut. Veti që mund të marrin vlera numerike quhen variabla kvantitative. Bëhet dallim në mes variablave kontinuale, që mund të marrin vlera të shumta, pa një kufi si p. sh. gjatësia, dhe variabla diskrete, të cilat mund të marrin vetëm disa vlera, p. sh. variabla numri i banorëve që mund të ketë vetëm numra të plotë. Një klasifikim i variablave mund të bëhet në bazë të relacionit të tyre me variablat tjera. Një variabël që ndikon në të tjerat quhet variabël e pamvarur dhe ajo që ndikohet quhet variabël e mvarur.
VARREZAT kryesore të Shtutgartit, Hauptfriedhof, Steinhaldenstrasse 52, 70378 Stuttgart, ku nga 5 shkurti 1982 deri më 24 shkurt 2002 ishin të varrosur Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Weltanschauung, term i dituri-sociologjisë që paraqet masën e grumbulluar të diturisë së një kulture. Kjo masë diturie rritet organikisht dhe ndryshon shumë ngadalë. Ato elemente që hyjnë në Weltanschauung përgjithësisht ndahen në:
A) Mite dhe legjenda.
B) Dituri që është e gatuar në folklorin popullor.
C) Njohuritë fetare, prej atyre më të thjeshta e deri tek sistemi kompleks i dogmave.
D) Dituri me karakter të misticizmit.
E) Dituri filozofike dhe metafizike.
F) Dituri shkencore në matematikë, shkencat natyrore dhe shkencat kulturore. G) Dituri teknologjike dhe dituri mbi aplikimin e atyre diturive që u përmendën nën pikën F.
Llojet e diturisë janë renditur prej atyre më primitive deri tek ato më të avancuarat. Sa më i avancuar që të jetë një lloj i diturisë aq më shpejt ndryshon ai.
verification verifikim ai proces përmes të cilit një deklarim sqarohet si i vërtetë. Deklarimi formulohet si hipotezë apo pohim. Dukuritë që kanë lidhje me deklarimin vrojtohen, vrojtimet analizohen dhe bëhet hulumtimi se si, deklarimet e pohimet, i përgjigjen realitetit të cilin ato përpiqen ta reprezentojnë. Funksioni më i rëndësishëm i verifikimit në metodën shkencore është futja e gjykimeve të reja në teoritë ekzistuese, vërtetimi i një gjykimi shkencor në mënyrë aq themelore sa ai gjykim të konsiderohet ligj shkencor dhe të shtojë masën e diturive shkencore. Nganjëherë bëhen këto dallime në mes formave të verifikimit:
A) Verifikim-replikativ, me domethënien se vërtetohet edhe një gjykim shtesë për ta rritur vlershmërinë.
B) Verifikim-konstistenc. Bëhet hulumtim se deri në çfarë shkalle një pohim logjikisht është i lidhur me një teori ekzistuese.
C) Verifikim-korrespondues, ku provohet vlershmëria e një teorie me anën e hulumtimit, se deri në çfarë shkalle përputhet ajo më të dhënat empirike.
verstehen metodë sociologjike e introduktuar nga sociologu gjerman Max Weber. Me verstehen Weber e mendon pjesërisht një proces dhe pjesërisht rezultatin, cakun final të këtij procesi, sqarimin e një sjelljeje, në të cilin procesi rezulton. Weber mendon se shkencëtari, përveç sqarimit të sjelljes në mënyrë racionale, përmes intuitës e vendosë veten në vendin e atij individi, sjelljen e të cilit don ta sqaroj. Përmes verstehen aktuale ai e sqaron përmbajtjen e veprimit, përmes verstehen sqaruese, ai (shkencëtari) i sqaron ato motive, që përbëjnë bazën e një veprimi.
vertical mobility lëvizshmëri sociale në drejtim të lartë dhe të poshtëm. Martesa me një person të një klase më të lartë është mobilitet vertikal, si dhe avancimi në vendin e punës, ashtu siç është shkarkimi nga detyra-puna.
VESELAJ HASAN, – Hasan Veselaj, aktivist i rrethit të Shtutgartit i cili mori pjesë në shumë aktivitete.
VËRTETA, (e vërtata- ang. truth, fr. verite, lat. veritas, gjerm. Wahrheit) përcaktim, mbishkrim i "të vërtetës" si e kundërta e "asaj që është false".
1. Në kuptim më të gjerë mund flitet për një shtet të vërtetë, një jetë të vërtetë, një vepër të vërtetë arti, e kështu me radhë, me ç'rast mendohet se shteti, jeta apo vepra e artit janë të vërteta ashtu siç duken në pamje, që ekzistojnë dhe mund perceptohen me anë të shqisave, apo janë të këndshme.
Nëse ky kuptim i gjerë i fjalës "e vërtetë" lidhet me një teori idesh atëherë mund të flitet për diçka se a është e vërtetë nëse përputhet me idenë e vetë (p. sh. Platon, Hegel dhe Kierkegaard). Më tej vlen në mënyrë të veçantë, se një vepër arti mund të thuhet se është e vërtetë nëse ajo në një apo tjetër kuptim është paraqitje e besueshme e realitetit (ose paraqitjen faktike ashtu siç duket, ose një realitet esenacial). Si minimum, këtu duhet patjetër të kërkohet që vepra e artit të mos shpreh diçka që është në kundërshtim me ligjet e realitetit.
2. Në kuptim më të ngushtë, e vërteta është një përcaktim ose tek aktet dhe gjendjet mentale (gjykime, parafytyrime besimesh) ose diçka gjuhësore (siç janë fjalitë indikative) ose tek të thëniet-deklarimet.
Teoritë më të rëndësishme rreth të vërtetës, në mesin e këtyre kuptimeve më të ngushta janë si vijon:
Teoria korresponduese për të vërtetën (nga latinishtja co- me dhe respondere-përgjegj) do me thënë teoria e adekuatshmërisë për të vërtetën, në bazë të së cilës diçka është e vërtetë nëse "përgjigjet ndaj" apo "është adekuate" me atë që thuhet. P. sh. thënia "Diametri i diellit është 1400 000 km" është e vërtetë, vetëm dhe vetëm nëse thënia është adekuate me realitetin. Teoria korresponduese për të vërtetën gjurmohet në të kaluarën deri tek Aristoteli, por formulimin klasik e ka marrë së pari tek Thomas Aquinas përmes formulës "Veritas est adaequatio rei et intelectus" ("e vërteta qëndron në adekuatshmërinë në mes sendeve dhe intelektit").
Diskutimi modern mbi këtë teori përpiqet veçanërisht të precizoj se çka do të thotë se diçka "është adekuate" me diçka tjetër. Tek Wittgenstein dhe Russell teoria korresponduese e merr një formulim me ç'rast shtrohen kërkesa të forta, ku adekuatshmëria kuptohet si një relacion në mes dy gjërave: ajo çka është e vërtetë (një thënie, një parafytyrim besimi, një pohim e kështu me radhë) dhe atë që e bënë të vërtetë (një ngjarje, një fakt, një rrethanë). Adekuatshmëria qëndron në atë se dy "gjërat" kanë strukturë të njejtë, në atë mënyrë që mund të thuhet se një deklarim e "kopjon" apo "pasqyron" stukturën e një fakti.
Ky interpretim i teorisë korresponduese është kritikuar ashpër dhe tani shumica e filozofëve janë larguar prej këtij interpretimi. Kritika pos të tjerash ka parashtruar, se struktura në një shprehje informative (p. sh. raporti në mes kryefjalës dhe kallëzuesit në fjalinë "Toka është një planet") është e një lloji krejt tjetër nga strukturat dhe relacionet në atë realitet për të cilit bënë fjalë fjalia. Pastaj është nënvizuar vlershmëria se një "send" ose një "fakt" nuk mund të identifikohen pamvarësisht prej shprehjeve të tyre specifike. Domethënie e kësaj është se "realiteti" dhe "gjuha" nuk përbëjnë dy dimenzione të pamvaruna, kontigjencë të jashtme - "relacion korrespondues".
Për t'iu shmangur këtyre vërejtjeve, teorisë korresponduese shpesh i jepet një formulim më i lirë, ku thuhet se një shprehje informative është e vërtetë, nëse ajo në një apo tjetër kuptim mund të "korrespondohet" me një fakt. (p. sh. tek Poper).
Teoria koherente për të vërtetën (nga latinishtja co- së bashku me, dhe haerere, e lidhur fortë) do me thënë jokontradiktore për të vërtetën, në bazë të së cilës një shprehje informative është e vërtetë, nëse ajo, në mënyrë të liruar prej kundërthënieve "është e lidhur" dhe e bashkueshëm me më të madhin sistem përfshirës të fjalive. Në fund të fundit, jo fjalitë e veçanta, por sistemi i lidhur i shprehjeve informative është ajo që është e vërtetë. Për këtë arsye mund të flitet për shkallë të së vërtetës, krejt sipas asaj se nëse një teori (do me thënë një shumë e shprehjeve të lidhura logjikisht) është sa pak apo sa shumë afër atij sistemi gjithëpërfshirës të shprehjeve të vërteta informative.
Teoria koherente për të vërtetën e ka marrë formulimin e saj klasik nga Leibniz dhe gjendet në forma të ndryshme tek filozofët idealist si Hegeli, Bradley dhe Blanshard. Teoria rëndom kritikohet për atë se nuk ka mundësi të sqaroj më afër se çka menedohet me "lidhshmëri" në mes shprehjeve informative, përveç asaj se ato përbëjnë një sistem të liruar prej kundërthënieve. Më tutje thuhet se mungojnë dëshmitë se do të ishte e pamundur për t'i ndërtuar dy sisteme të papajtueshme, të barabarta për nga gjerësia, të cilat të vështruara veç e veç do të përbënin një tërësi të përmbledhur.
Teoria evidente për të vërtetën (nga latinishtja evidentia; ex jashtë nga, dhe videre, shiko). do me thënë teori mbi atë se e vërteta është ajo që mund të tregohet në një përvojë evidente. Përvoja evidente mund të interpretohet si gjendje psikologjike – gjë që mohohet nga Brentano dhe Husserl. Brentano e mohon atë se do të kishte qenë e mundur për të përpunuar një teori rreth të vërtetës dhe evidencës e që nuk do të ishte një sjellje në rreth. Kështu e vërteta si evidencë merr karakterin e një koncepti themelor. Tek Husserl e vërteta definohet si "përputhmënia e plotë në mes asaj që mendohet dhe asaj që ipet", ndërsa evidenca definohet si përvoja e kësaj përputhmënie.
Argumentet kundër teorisë evidente për të vërtetën u përgjigjen fillim e mbarim argumenteve kundër asaj që mendohet si evidente.
Tek Heidegger zavendësohet teoria evidente me një teori mbi të vërtetën si aletheia (a-, jo, dhe lathein, mbulue) do me thënë e vërteta është diçka që nuk është e fshehur, nuk është e mbuluar, është ajo që është e zbuluar, demaskuar. Heidegger mendon se me këtë ka rizbuluar kuptimin mbi të vërtetën që ka ekzistuar para Aristotelit.
Teoria pragmatiste për të vërtetën (pragma, veprimtari) do me thënë kuptimi se diçka është e vërtetë nëse ajo është e frytshme dhe e dobishme në praktikë – ose nga këndvështrimi i jetës ose nga ai i shkencave. Krahasime në këtë pikë mund të bëhen me mendimet e Niçes. Tek Pierce dhe Apel teoria pragmatiste për të vërtetën lidhet me teorinë konsensusale për të vërtetën (nga latinishtja consesus, përputhmëni, unitet) do me thënë teoria mbi atë se e vërteta është ajo që një numër i pambarim i njerëzve kishte me ardhë në përfundim, nëse ata do të kishin mundësi që përjetësisht ta kontrollojnë një deklarim. Një deklarim për këtë arsye është i vërtetë, nëse ai mund në mënyrë të dobishme të hyj në kuadrin e një procesi të tillë pambarim shkencor.
Përveç këtyre në literaturë ndeshet teoria redundante për të vërtetën, no truth teoria për të vërtetën, teoria performative për të vërtetën, dito teori për të vërtetën.
Në gjykata e në drejtësi, kur nga dëshmitarët kërkohet ta bëjnë këtë betim: "Unë N.N., betohem dhe ju siguroj në nderin dhe ndërgjegjen time se do ta them krejt të vërtetën, asgjë nuk do të lë në heshtje, asgjë nuk do të shtoj dhe asgjë nuk do të ndryshoj" mendohet në teorinë korresponduese për të vërtetën, dhe në ato raste dëshmitarët nuk pyeten se sa janë të informuar me konceptet filozofike për të vërtetën, por ta tregojnë atë të vërtetë që e dinë, në mënyrë që, në raste të rënda kriminelët të dënohen dhe t'u prehet mundësia për të bërë krime tjera.
white collar crime emërtim për krime që mund të kryhen vetëm nga individët e shtresave të larta të shoqërisë gjatë ushtrimit të profesioneve të tyre. Shembuj të white color crime janë përvetësimi, thyerja e besimit, e deri dikur edhe deklarimi i rrejshëm i pasurisë. Shumat të cilat vidhen në forma të ndryshme janë shumë herë më të mëdha se sa ato që vidhen në mënyrë konvencionale. Krimet gjegjëse në klasën punëtore quhen blue collor crime. Kundërvajtje të tilla janë p.sh. vjedhje veglash (e një sharre, çekani) apo materiali (një thes beton etj.).
wildcat strike grevë lokale, spontane apo e inicuar nga sindikata lokale, pa aprovimin apo informimin e sindikatës qendrore (bashkimit profesional).
XH
XHAFERI SAMI, veprimtar në ShBA. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Sami Xhaferi, 1902 Brandley Dr. 60538 Montgomery Ili., USA. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 2.
XHEVITI MUSA, veprimtar në Gjermani. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Musa Xheviti, Militet str. 10 Delroth, 4047 Dormagen 11. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 2.
Y
yellow-dog contract, në ShBA një marrëveshje jo-ligjore në mes ndërmarrjeve dhe punëtorëve, ku këta të fundit për të pasur mundësi që të punësohen zotohen se nuk do të bëhen anëtarë të ndonjë bashkimi profesional.
YLDRIM SHABAN, ka qenë tregtar me shtetësi turke, i mallrave shqiptare, me banim në Munchen. Është personi që përmes Nijazi Saraçoglut, i ka ndihmuar Jusufit të marrë kontakt me Sabri Novosellën në Turqi, duke ia dhënë adresën e Nijaziut, Bardhoshit e Jusufit, në panairin e artizanatit, të mbajtur në Munchen më 14 mars 1981. Në vitet 1980-1984 (e ndoshta edhe më gjatë) firma e tij e ka pasur këtë adresë:
Shaban Yldrim, Bayerstr. 5, 8000 München
Jusuf Gërvalla: "Këtu kam një propozim. Ai shoku në Mynhen, përmes të cilit e mora lidhjen me Ty, Shabani, është një milioner. Nëse shokët që ke Ti atje kanë ndikim në të, atëhere ai do të mund të na ndihmonte në blerjen e një makine të tillë, bile nuk do t’i ndiente shpenzimet. Por, kjo është çështje që duhet ta vendosni ju." (Letër Sabri Novosellës, 13 maj 1981; Faridin Tafallari, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010 faqe 265)
YLLI "Psikologjia fashiste është e dukshme edhe atëherë kur mbi kapelën e bartësve të saj nuk qëndron kryqi i thyer nazifashist po ylli i tradhtuar e i përdhosur proletar."
(Jusuf Gërvalla)
Z
ZENELAJ A. (për Shaqir Shabanin), veprimtar në Francë. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: A. Zenelaj, 8 Avenue Maurice Thorez 69120 Voulx EN VELIN Lyon France. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 30.
ZENELI SADIK, veprimtar në Gjermani, në komunën e Vëllezërve Gërvalla. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Sadik Zeneli, (Uka) Münzerstr. 12, Bö 7100 Heilbronn. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 5.
ZEQIRI BRAHIM, veprimtar në Zvicër. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Brahim Zeqiri, Av Du LIGNON 21 Geneve SUISSE tel.564011. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës.
ZEQIRI SHAIP, veprimtar në Gjermani. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Shaip Zeqiri, Herrenbergerstr. 40. Zim, 305, 7400 Tübingen. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 30.
ZULFAJ MAKSUT, veprimtar në Gjermani. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Maksut Zulfaj, Vulkan str. 32 D-2820 Bremen 70. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 15.
ZH
ZHARKU AHMET, veprimtar në ShBA. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Ahmet Zharku, 207 E.Mosholu Pkwy Bronx, N.Y.10467 U.S.A. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 30.
____________________________________________________________
Libra nga Xhafer Durmishi – Skenderi i Shtutgartit, për Rilindasit e Shtutgartit
1. Protesta e Aspirata
2. Lëvizja e Jusuf Gërvallës
3. Zëri i popullit dhe Zëri i Jusuf Gërvallës
4. Të fala s'po na çojnë asnjëherë
5. Nuk pyesin për çmimin e lirisë
6. Pa taktizime
7. Fakte për Lëvizjen e Jusuf Gërvallës
8. Në rrethin e Shtutgartit
9. Luga dhe Lugina
10. Filharmonia e Jusuf Gërvallës
11. Shokët dhe Jusuf Gërvalla
12. Fjalori i Lëvizjes së Jusuf Gërvallës
Jusuf Gërvalla: "Kështu e pata kuptua më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit dhe timen në Komitetin Qendror."
XHAFER DURMISHI
MAJ 2013
(FUND)
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 51 vizitorë |
| Lexuar:
1,282 herë
|
|
|
|
|
|
|