Politika e pamundur |
Publikuar më 25 shtator, 2013 në orën 22:11 ( ) |
Albin Kurti | Opinion | |
|
|
Idetë dhe projektet për të cilat nuk mund të mendohet menjëherë se janë të realizueshme, kollaj bëhen të diskreditueshme në Kosovë. S’është e mundur, thuhet, dhe aty përfundon diskutimi. Dialogjet e këtilla i ekzekutojnë monologjet e vullnetit. Kur dy apo më shumë veta bisedojnë më e rëndësishme sesa çfarë filloi është ajo që përfundoi: idetë a projektet e imagjinuara për ndonjë ndryshim.
Kësisoj, ndryshimet e transformimet e paramenduara vlerësohen pikësëpari nga gjasat e përmbarimit të tyre. Mendimi i çdo nisme i lë vend saora mendimit të gjasës për atë nismë. Ky mendim i dytë mbi shansin e probabilitetin e zbatimit të nismës e ka një efekt të menjëherëshëm: mbytjen e mendimit të parë. Pra, mendimi mbi gjasën është shndërruar në mendim atentator për nismën që synon ndryshime të caktuara politike, shoqërore, ekonomike, kulturore apo të tjera.
E, nëse dikush propozon disa herë radhazi plane për ndryshim, atëherë shpallet idealist! Logjika e probabilitetit e shndërron emërtimin idealist në një damkë etiketuese që aspiron përcaktimin dhe veçimin kategorik të idealistit. Ashtu sikurse që i pandehuri në gjykatë shpallet fajtor, edhe idealistit i shqiptohet verdikti shoqëror e publik (para se të izolohet).
Te probabilteti në fjalë nuk ka asgjë shkencore a matematikore. Bëhet fjalë për perceptime, përshtypje e ndjesi subjektive të njerëzve të cilët japin qëndrime cilësore mbi pamundësinë e një ndërmarrjeje të propozuar. Nuk ka analizë sasiore paraprake të faktorëve e të kushteve që i paraprin qëndrimit të caktuar. Këtë gjë e vërteton edhe qasja tipike: pikënisja është ajo e pamundësisë dhe jo e mundësisë, e pamundësisë së pashmangshme dhe jo e mundësisë së gjasshme. Gjasat përdoren si model për pamundësinë e jo për mundësitë.
Janë disa shkaqe që shoqërinë tonë e kanë sjellur në këtë gjendje. Po përpiqem t’i rendis disa prej tyre duke mos pretenduar shterrimin e tyre. Së pari, është historia e dështimit, përkatësisht përvoja e hidhur e njerëzve në vitet e pasluftës. Janë të shumta rastet kur qytetarët kanë parë shembuj të dështimit të ndërmarrjeve të mira. Ata janë bërë skeptikë sepse kollaj gjërat shkojnë keq në kushtet kur nuk kemi shtetndërtim e aq më pak shtet të së drejtës. Jetojmë në një ambient ku përditë shohim individë e klane më të fuqishme sesa shteti dhe ligji.
Së dyti, kemi historinë e suksesit, e cila përbëhet prej shembujve të arritjeve individuale pa punë e dije, por me shkathtësi e lidhje. Nëpër mediet kosovare shfaqen vazhdimisht personalitete që të arriturat personale nuk ia kanë borxh punës së palodhshme, virtyteve të larta apo diturisë së gjerë, por marifeteve të panumërta të renditura në një zinxhir të përsosur. Nëse do që të keshë sukses duhet të kombinosh bukur e jo të punosh fort: suksesi e ka trajtën e spekulimit financiar apo fatit në kazino e jo mënyrën e rendimenteve bujqësore ose produktivitetit industrial.
Mbi të gjitha, pra, së treti, shoqëria jonë vuan nga ajo çfarë është bërë me politikën dhe çfarë ka mbetur prej saj. Pra, nuk është dëmi vetëm se çka i bëri politika e pasluftës shoqërisë dhe qytetarëve, por edhe çka i ngjau vetë kësaj politike, si u ndërrua vetë nocioni e figura e politikës në Kosovë. Mbase do të mund të thoshim që më shumë ka ndryshuar (për të keq) politika në kuptimin, formën e përmbajtjen e saj sesa që vetë politika ka sjellur ndryshime (për të mirë) p.sh. në ekonomi, arsim e shëndetësi.
Përgjatë këtyre 14 viteve kemi degradim sistematik të politikës. Ajo është zbrazur nga substanca duke degjeneruar në teknikë e teknikalitete. Politika u arratis prej shoqërisë e qytetarëve për t’u mbyllur në institucione dhe më pas u arratis edhe nga institucionet për t’u bërë në kuloare e për t’u shfaqur në medie. Politika u rrudh nga sferat e ndryshme të jetës së popullsisë kurse partitë u zgjeruan me praninë dhe ndikimin e tyre. Fituam shumë parti por humbëm shumë politikë. Partitë politike janë bërë së tepërmi parti e fare pak politike.
Në vend se politika të jetë koncept, vullnet dhe veprim ajo ka rënë te regjistri tjetër ku shënon: ndërmjetësim, përfaqësim dhe negociatë. Nuk ka botëkuptime që organizojnë qëndrimet, kritikën dhe idetë, që ushqejnë guximin, përkushtimin dhe besnikërinë, që nxisin veprimet, aktivitetet dhe punën. Ka veçse taktikë e intriga, pazare e kompromise, poste e para. Dhe, para së gjithash, nuk ka ide sepse nuk ka ideal. Barazia, liria, drejtësia etj. nuk janë ideale politikanësh dhe nuk bëhen dot ide në politikë.
Mungesa e idealeve në politikë është përkthyer në teknikalitete dhe cinizëm gjithandej fushës së politikës institucionale dhe jo vetëm asaj. Gjendja gjithnjë e më e rëndë në Kosovë nuk është pasojë e idealeve të ndjekura por pikërisht e mungesës së tyre. Edhe shtetet e fuqishme anekënd globit nuk ia dalin dot të bëjnë hapa përpara pa idealizëm e lëre më shtetet si puna e Kosovës.
Politika është art i së mundshmes? Kjo thënie, që më parë i përket diplomacisë sesa politikës, është shndërruar në justifikim: përkundër artit nuk është e mundshme dhe meqë është e pamundshme s’ke pse bën as art aty, apo jo? Mirëpo, ata që konstatojnë pamundësi nuk janë jashtë pamundësisë. Nuk janë spektatorë siç mund të mendojnë. Nuk janë jashtë situatës – thjesht, janë qytetarë të (vetë)suspenduar në spektatorë; lojtarë që dolën a u nxorën nga fusha për t’u ulur në tribina.
Vullneti dhe mundësia nuk janë të ndara e aq më pak pavarura nga njëra-tjetra. Mundësitë nuk paraqesin hapsirën që mbetet kur nga realiteti zbriten të gjitha faktet penguese. Faktet penguese janë zakonisht vullnete të tjera të të tjerëve dhe nuk mund të ketë aty vullnet tonin kur pikënisje i kemi vullnetet e të tjerëve të mishëruara e pranuara si fakte për neve.
E, nëse megjithatë insistohet që diçka assesi nuk është e mundur, kjo në rastin më të keq vlen vetëm tash për tash. Dhe, përfundimisht, atë që kushtimisht nuk mundemi tani, nuk duhet ta shpallim që nuk (na) duhet, apo jo? P.sh. bashkimin e Mitrovicës e integrimin e veriut. Republika Federale e Gjermanisë asnjëherë nuk ka hequr dorë nga Gjermania lindore për më shumë se katër dekada në dokumentet e saj zyrtare dhe politikat e saj institucionale e shoqërore.
Prishtinë, 24 shtator 2013
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 44 vizitorë |
Lexuar:
830 herë
|
|
|
|
|
|
|