Partia për Prosperitet Demokratik, doli sot në një konferencë për shtyp, ku zëdhënësja e saj, Afërdita Hamidi paraqiti para medieve punën e Komisionit të Kongresit të VI-t të PPD që do të mbahet më 17 Janar 2015, në Tetovë.
Partia për Prosperitet Demokratik e njofton opinionin e gjerë publik se përgatitjet për mbajtjen e Kongresit të VI-të të partisë janë në përfundim e sipër dhe i njëjti do të mbahet më 17 janar në lokalet e Hotelit “Dinamika” në Tetovë me fillim në orën 13.00h.
Në Kongres do të marrin pjesë mysafirë të ftuar, nismëtarë dhe ish struktura udhëheqëse të kësaj partie deputetë, ministra, këshilltarë komunalë dhe delegate të deleguar nga nëndegët dhe degët e PPD-së.
Delegatët e Kongresit do të aprovojnë Statutin e partisë, Platformën politike, ekonomike, sociale e kulturore të saj si dhe do të zgjedhin anëtarët e Kuvendit Qendror dhe kryetarin e partisë.
Kongresi i VI-të i PPD-së vjen pas një aktiviteti politik të gjatë dhe të mundimshëm si dhe pas tentativave të pasuksesshme për bashkëngjitje të kësaj partie me PDSH-në dhe përpjekjeve dhe trusnive të pafundta të udhëheqësve të partisë shqiptare në Qeveri ta pamundësojë rikthimin në skenë të kësaj partie.
Përndryshe PPD është partia e dytë më e vjetër nga të gjitha trojet shqiptare fill pas LDK-së e cila si lëvizje kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë i vuri themelet e lëvizjes demokratike shqiptare, i aktualizoj kërkesat kombëtare shqiptare në
Kuvendin e Maqedonisë, afirmoi çështjen shqiptare në organizatat ndërkombëtare në Evropë dhe botë dhe e dha kontributin e saj maksimal në ndaljen e konfliktit të vitit 2001. Platforma e saj politike ishte baza kryesore për hartimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ekspertët e saj në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët ndërkombëtarë ishin ndër hartuesit më të shquar të kësaj Marrëveshjeje.
Zyra për informim e PPD-së
Tetovë, më 13, Janar, 2015
|