Kam qenë në tension deri kur Kosova u bë me meritë anëtare e UEFA-s. Vendosa ta uroj me zemër, pasi pranimi i Kosovës në UEFA ashtu si çdo shqiptar, më ka bërë të ndjehem shumë krenar nga kjo ngjarje me rëndësi historike jo vetëm sportive por edhe politike e diplomatike.
Dua ta uroj dhe ta përshëndes Kosovën, Kosovën sportive, të gjithë sportistët e saj që janë paraqitur me identitetin e tyre kombëtar kudo dhe pavarësisht se për çfarë ekipi kanë luajtur, pasi ata janë prezantuar me dinjitet dhe krenar si shqiptar; por një urim i veçantë edhe për ekipin shqiptar të Kosovës në sportin e xhudos që i sollën Kosovës lavdinë në kampionatin europian zhvilluar në Rusi para disa ditëve; uroj dhe i përshendes të gjithë futbollistët shqiptarë nga Kosova që kontribuan aq shumë për kualifikimin e Shqipërisë për hërë të parë në një kampionat europian si dhe të gjithë tifozët kuq e zi nga Kosova që e kanë përkrahur me shumë zemër ekipin kombëtar të Shqipërisë kudo ku ai ka zhvilluar ndeshjet.
Urimin, respektin dhe mirënjohjen më të madhe e meritojnë i gjithë stafi i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kryetari i saj, futbollisti i legjendar shqiptar, Fadil Vokrri, për punën dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për arritjen e kësaj fitoreje të madhe me rëndësi kombëtare për të gjithë shqiptarët.
Fitorja sportive dhe antarësimi i Kosovës në UEFA është edhe një fitore tjeter e madhe për popullin e Kosovës edhe si fitore politike dhe diplomatike, dhe madje kontributi i sporteve dhe i sportistëve, i drejtuesve dhe trajnerëve të tyre është më i madh edhe se i politikës, politikanëve dhe pushtetarëve të Kosovës në rritjen e imazhit kombëtar, në konsolidimin dhe në njohjet ndërkombëtare të Kosovës, sepse me antarësimin e Kosovës në UEFA dhe së shpejti edhe në FIFA bën të mundur de fakto njohjen e Kosovës edhe nga ato shtete që nuk e kanë njohur akoma Kosovën, bën të mundur ndeshjen dhe përballjen me ta duke ua imponuar atyre që detyrimisht të pranojnë sfidën, garimin sportiv me Kosovën, pra ta pranojnë përfaqësuesen e Kosovës, himnin, flamurin, pra shtetin e Kosovës.
Pra, sporti kosovar është shumë e shumë më përpara se sa politika shqiptare i cili po mundëson njohjet dhe pranimin ndërkombëtar të Kosovës dhe që po i hap rrugën në antarësimin e saj në organizmat e tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar, në liberalizimin e vizave dhe të integrimit në BE. Dhe ashtu sikurse ndjehemi krenar për antarësimin e Kosovës në UEFA, dëshirojmë dhe i urojmë futbollistëve të përfaqësueses së Kosovës gjithmonë përfaqësim dinjitoz dhe rezultate e suksese në ndeshjet dhe në evenimentet e rëndësishme kombëtare, rajonale, europiane dhe botërore gjë e cila rrit dhe lartëson prestigjin dhe krenarinë tonë kombëtare. Ky urim për futbollin kosovar është urim për tërë Kosovën dhe për tërë kombin.
Ky antarësim i Kosovës me dt 03 Maj 2016 në Federatën Europiane të Futbollit, në UEFA, i ka hapur rrugën antarësimit të saj në Federatën Botërore të Fotbollit, në FIFA. Ky sukses i pranimit të Kosovës në Federatën Europiane të Futbollit nuk ka si të mos ketë dhënë edhe efektin dhe ndikimin e saj edhe për Liberalizimin e Vizave për qytetarët e Kosovës, dhe këtë e vertetoi edhe fakti dhe e ndihmoi fati paraprak i antarësimit në UEFA, e që Rekomandimi i Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës erdhi pikërisht të nesërmen me dt 04 Maj 2016, një ditë pas pranimit të Kosovës në UEFA.
Skënder S. KAPITI
|