Bedri Tahiri dhe Kadare |
Publikuar më 28 maj, 2016 në orën 23:26 ( ) |
Kulturë | |
|
|
(Si e njoha Profesorin Bedri Tahiri)
Ismail Kadare ishte ndaluar nga pushteti i kohës, por jo nga zemrat tona.
Ai frymonte në çdo shtëpi dhe në secilën familje shqiptare në Kosovë.
Si sot më kujtohet profesori i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe, Bedri Tahiri, i cili shquhej për urtësinë, maturinë, largpamësinë, zgjuarsinë, zemërgjerësinë, guximin dhe trimërinë e tij. E them trimërinë, sepse në kohën kur isha nxënëse e vitit të parë të shkollës së mesme, sistemi jugosllav, pas demonstratave të vitit 1981, kishte marrë disa masa, jo vetëm politike, që kishin prekur edhe arsimin.
![](fotot/lajme_foto/may_16/538bdriu.jpg) Bedri Tahiri dhe Ismail Kadare Një ditë profesori hyri në klasë, paksa me një shqetësim, por me një vendosmëri që kurrë s’e kishte shprehur më parë.
- Nxënës të dashur, për fundjavën e ardhshme, e keni për detyrë ta lexoni e ta punoni me shkrim romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare.
Unë, si tingëlloi zili, pa një pa dy, u nisa drejt bibliotekës së shkollës sonë ta merrja librin që na e dha profesori për ta lexuar. Atë libër e kishim në bibliotekën familjare, por e kishte marrë vajza e hallës për ta lexuar.
- Po vetë ai, ku po e di ti?- i thashë unë, disi çuditshëm.
- E mora me mend, vetëm ai po u jep nxënësve libra nga Ismail Kadare, që tashmë është i ndaluar dhe e kanë hequr nga planprogrami shkollor,- vazhdoi ajo të më sqaronte me një seriozitet befasues.
-Çka po thua ore?!,- iu drejtova me një habi, duke e shikuar në sy, a mos po tallej me mua.
-Kjo është e vërtetë, mos i paça borxh profesorit që ka rrezikuar tua shpjegoi Kadarenë e t’u jep librat e tij për lektyrë. Më fal, por unë nuk guxoi ta thejë urdhrin që na ka mbërritur nga lart,- ma priti shkurt ajo, duke më bërë të kuptojë se s’kisha pse ta zgjatja më.
-Pushteti e ka larguar Kadarenë nga programi shkollor, por Kadare është në zemrat tona dhe në shtëpinë e çdo shqiptari,- ia ktheva unë tërë inat.
Siç duket ajo e pa shqetësimin tim të vrullit rinor dhe zuri të më fliste me fjalë më të buta.
-Kujdes vajzushë, mos fol kështu diku tjetër, kaq mund të të them, - ishte porosia e saj e fundit.
Kur dola në korridor, i vura gisht kokës. Edhe pse e re, e kuptova. Ajo nuk ishte fajtore, sepse ishte një kohë e rëndë që për këso gjërash mund të shkoje edhe në burg. Ishte viti 1983. Ishin këto vitet e stuhishme të pas demonstratave masive të popullit shqiptar në Kosovë, të cilat gjeniu i letrave shqipe i kishte mbështetur fuqishëm, ngase ishin të drejta dhe demokratike.
Të nesërmen profesori, që ishte edhe psikolog i shkëlqyer, e vërejti gjendjen time shpirtërore. Ende pa më pyetur ç’kisha, unë fillova t’i flasë.
-Profesor, Ismail Kadarenë e paskan larguar nga planprogrami mësimor dhe librin e tij nuk ma dhanë në bibliotekën e shkollës sonë.
- Mos u mërzit, nxënësja ime. Është e vërtetë që Kadarenë e kanë vënë në thumb të kritikës, për momentin e kanë hequr nga planprogramet shkollore, veprat ia kanë ndaluar, por unë çdo herë do ta shpjegoj dhe librat e tij do tua jap t’i lexoni,- më foli ai me atë butësinë e tij karakteristike e mbresëlënëse.
Me kujdes e plot maturi hapi çantën dhe prej andej nxori pesë ekzemplarë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Isha e privilegjuar që librin e parë ma dha mua. I zgjodhi edhe katër nxënës të tjerë që dalloheshin në mësime.
Pas leximit të romanit erdhi dita të rrëfejmë përshtypjet tona për librin. Thuaja se çdo herë isha e para që shpjegoja lekturën shkollore, të cilën e përgatisnim edhe me shkrim e që u thoshim referate.
-Remzije na fol diçka për librin e lexuar,- m’u drejtua kësaj radhe vetë profesori, pa pritur që ta ngrija dorën dhe, si zakonisht, fletoren time e mori që me laps të kuq të bënte korrigjimet.
-Po filloj nga titulli, i nderuari profesor, i cili vetë na bënë të kuptojmë se, secila ushtri e huaj që shkon të sundojë një vend e një popull tjetër, është e gjykuar të humb, secili që e fillon luftën, është humbësi, dhe ata janë të gjykuar t’i mbledhin eshtrat e ushtarëve të tyre. Kështu po vepronin edhe italianët në romanin që e kam lexuar. Një vend të veçantë gjatë shpjegimit tim zuri zhdukja e eshtrave të kolonelit Z., të cilëve ekspedita kërkimore assesi nuk po u binte në gjurmë... Gjatë një dasme në fshat, u ftuan edhe udhëheqësit e ekspeditës, prifti e gjenerali, ku i pritën mirë. Por, dikur, gjenerali, i ndezur nga muzika, nuk durohet dhe ngrihet e ia kërcet valles me dasmorët? Në momentin kur ai shkon përkrah nuses së re shqiptare, plakës Nicë i kujtohet ngjarja se si koloneli i egër italian ia kishte vrarë burrin dhe ia kishte marrë vajzën. Ajo, e shkretat sapo kthehet në shtëpi e mbyt veten...Kur të nesërmen vjen prapë koloneli, pa e ditur se vajza kishte vajtur në atë botë, plaka Nicë ia çan kokën me sëpatë...
- Çka mendon Remzije, pse plaka Nicë i kishte varrosur eshtrat e kolonelit Z. pikërisht nën pragun e derës së shtëpisë?,- më pyeti Profesori.
-I nderuari profesor, po ishte kohë lufte, dhe që të mos e vërenin ushtarët e tjerë, e kishte varrosur nën pragun e shtëpisë. Pra, për shkak të sigurisë së lagjes që okupatori të mos hakmerrej për vrasjen e kolonelit.
- Mirë, mirë, po pse pikërisht aty e jo në oborr, afër ndonjë gardhi?- vazhdoi ai, siç duket, i pakënaqur me përgjigjen time
Unë prapë ngulja këmbë në atë se plaka trimëreshë atë e kishte bërë që të mos vërehej nga ushtarët okupatorë.
Profesori, ashtu siç ishte afër meje vajti tek dërrasa e zezë dhe pasi mori një qëndrim prej një ushtaraku, filloi të fliste me një zë të qetë, por shumë të vendosur:
-Nxënës të dashur, Remzija u përgjigj mirë, por unë po shtojë edhe këtë dhe, kujdes, mos e harroni. Plaka Nicë është personazhi më interesant e më domethënës në romanin e shkëlqyer të Kadaresë që ju e keni lexuar. Koloneli Z. kishte hyrë në shtëpinë e saj me qëllime të ulëta, ia kishte vrarë burrin, paskëtaj ia kishte marrë vajzën katërmbëdhjetë vjeçare dhe e kishte dërguar në çadrën e tij për t’ia marrë nderin. E siç e dini edhe ju, nderi për shqiptarin është më shumë se vetë jeta. Dhe, vajza e gjorë, posa kthehet të nesërmen në shtëpi, vetëflijohet, mbytet në pus. Kur natën tjetër erdhi sërish koloneli gjakatar, për ta marrë prapë vajzën, sepse nuk e dinte se ajo kishte vajtur në atë botë, plaka Nicë e priti afër derës me sëpatë dhe ia mori shpirtin. Trupin e tij e varrosi vetë nën pragun e shtëpisë, në mënyrë që, sa herë të hyjë e të dalë, ta shkelte me këmbë...
E gjithë klasa mbetëm më syhapur nga profesori, i cili aq bukur na e shpjegoi simbolikën e varrimit të kolonelit dhe gjithë romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, saqë leximi i veprave letrare na hyri në gjak. Aty u bindëm se, qysh thoshin të mençurit: Misioni i mësuesit është i shenjtë! Puna e profesorëve tanë ishte edhe një detyrë patriotike. Ata rrezikonin jetën dhe punën e tyre dhe, fshehurazi nga pushteti e politika e kohës, na sillnin libra të ndaluar.
Ky është një kujtim i skalitur thellë në mendjen tim e që, në shpirtin tim mbolli edhe dashurinë për librin e për letërsinë. E rikujtova sivjet, më 2016, ngase ndërthuret me dy përvjetorë të mëdhenj për mua: 80- vjetorin e lindjes se Kadaresë dhe 60-vjetorin e lindjes së profesorit tim të nderuar, Bedri Tahiri.
Urime, suksese e gëzuar edhe shumë e shumë pranvera!
Remzije Zekolli
poete
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
![](images/star48.png) |
![](images/star48.png) |
![](images/star48.png) |
![](images/star48.png) |
![](images/star48.png) |
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 34 vizitorë |
Lexuar:
502 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|