Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NË MES TË VETËVENDOSJES DHE INTEGRITETIT TERRITORIAL
Publikuar më 08 dhjetor, 2008 në orën 13:43 ( ) Avni Klinaku | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Avni KLINAKU

Kryetar i Lëvizjes për Bashkim


1. Ruajtja e paqes dhe e sigurisë në arenën ndërkombëtare

Në skenën moderne politike e juridike ndërkombëtare, në rregullimin e raporteve ndërshtetërore, në drejtim të ruajtjes së paqes e stabilitetit, që nga shekulli XIX e këtej zhvillohet një luftë e pandërprerë, herë e heshtur e herë fare e hapur, në mes të konceptit të ruajtjes së integritetit territorial të shteteve dhe vetëvendosjes së kombeve deri në shkëputje.

Këto dy koncepte shpesh gjenden në pajtueshmëri e shpesh në kolizion te plotë. Ato gjenden në pajtueshmëri vetëm në ato vende ku çështja kombëtare është e zgjidhur plotësisht, ndërsa vazhdon të jetë aktuale dhe në kundërthënie të thellë dhe burim i luftërave e konflikteve në ato vende ku çështja kombëtare mbetet e pazgjidhur.

Në qoftë se popujt janë të interesuar për zbatimin e parimit të vetëvendosjes si rregullatori më efikas në ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë, qeveritë e shumicës së shteteve janë të interesuara për ruajtjen e integritetit territorial. Te shtetet që çështjen kombëtare e kanë të zgjidhur plotësisht, parimi i ruajtjes së integritetit territorial është i mjaftueshëm, ndërsa parimi i vetëvendosjes te këto vende është plotësisht i tejkaluar.

Në aktet dhe normat juridike padyshim se ka zënë vend parimi i ruajtjes së integritetit territorial të shteteve ekzistuese, edhe pse ky parim shkelet vazhdimisht dhe nuk respektohet nga ata popuj që akoma nuk e kanë çështjen kombëtare të zgjidhur.

Parimi i ruajtjes së integritetit territorial në formën më të prerë ka zënë vend në Konferencën për Siguri e Bashkëpunim të njohur si Akti Final i Helsinkit – 1975. Ndërsa, në aktet normative të OKB-së, edhe pse përparësi i jepet parimit të ruajtjes së integritetit territorial, edhe parimi i vetëvendosjes, sado që në formë shumë të mjegulluar dhe të paqartë, është i njohur si parim.

Parimi i ruajtjes së integritetit territorial është bërë politikë dominuese e pothuajse e të gjitha institucioneve evropiane. Ndërsa në politikën e jashtme të SHBA-ve, në përputhje me interesin shtetëror amerikan, bashkëjetojnë këto dy parime dhe zbatohen nga rasti në rast, edhe pse termi vetëvendosje në politikën e ShBA-ve vazhdimisht zëvendësohet me terma si “çështje humanitare”, “pengim i gjenocidit e dhunës”, ”mbrojte e të drejtave të njeriut” etj.

Diçka më ndryshe qëndron çështja në politikën e jashtme ruse. Rusia, duke u ballafaquar me probleme të shumta me fqinjët e saj për shkak të çështjeve të mbetura pezull nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, në përputhje ekskluzive me interesat shtetërore ruse, herë del si mbrojtëse e parimit të vetëvendosjes e herë del në favor të parimit të ruajtjes së integritetit territorial të shteteve.



2. Përplasja e këtyre dy parimeve në Kosovë



Parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe parimi i vetëvendosjes në Kosovë ka kohë që përplasen ndërmjet veti dhe e përjashtojnë njëri-tjetrin. Në periudhën kur Kosova ishte nën sovranitetin e Jugosllavisë dhe të Serbisë, pushteti i atëhershëm serb e jugosllav padyshim ngulnin këmbë në respektimin e parimit të ruajtjes së integritetit territorial ose ruajtjes së tërësisë territoriale të ish-Jugosllavisë. Mirëpo popujt e Jugosllavisë, për të cilët Jugosllavia ishte shndërruar në burg të popujve, ngulën këmbë në shfrytëzimin e së drejtës vetëvendosjes dhe padyshim erdhi deri te shpërbërja e federatës jugosllave, fakt të cilin u deshtë ta pranojnë edhe faktorët relevant ndërkombëtarë, edhe pse ata ishin për ruajtjen e Jugosllavisë, pra në bazë të parimit të ruajtjes së integritetit territorial. Parimi i vetëvendosjes triumfoi mbi parimin e integritetit territorial, edhe pse ky parim nuk u lejua dhe vazhdon të mohohet për popullin shqiptar.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe opozita e shoqëria civile ngulin këmbë në parimin e ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës. Kjo është e sanksionuar edhe në dokumentet kryesore me të cilat qeveriset Kosova si në Kushtetutë, si në Pakon e Ahtisarit po ashtu edhe në Gjashtëpikëshin e Ban Ki Mun-it.

Në anën tjetër Serbia ende ngulë këmbë në ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe sovranitetin e saj mbi Kosovën, edhe pse veprimet e saj konkrete japin shenja të qarta se Serbia është duke punuar në mënyrë intensive për ndarjen e Kosovës në vija etnike.

Pala shqiptare (pozita dhe opozita duke u bazuar në qëndrimin e Grupit të Kontaktit dhe Pakon e Ahtisarit, ndërsa shoqëria civile thjesht duke u bazuar në parimin e ruajtjes së integritetit territorial) ngulë këmbë në tërësinë territoriale të Kosovës dhe ruajtjen e kufijve aktualë dhe kjo më së shumti ka të bëjë me veriun e Kosovës, të cilin aktualisht e qeverisin serbët, ndërsa pala serbe, duke u thirrur në rezolutën 1244 të KS të OKB-së si dhe në dokumente tjera ndërkombëtare të cilat janë në favor të ruajtjes së integritetit territorial të shteteve dhe kundër vetëvendosje së kombeve.

Pra, të dyja palët, si pala shqiptare, si pala serbe, të nisura nga interesa të ndryshëm, këmbëngulin në ruajtjen e kufijve aktualë të Kosovës, të cilët nuk janë të caktuar nga vullneti i popullit por nga diktati dhe qëllimet koloniale të pushtuesit serb dhe të cilët do të vazhdojnë të jenë shkaktarë të tensioneve dhe konflikteve sepse brenda këtyre kufijve kanë mbetur pjesë të popullit serb (veriu i Kosovës) me karakteristika të kombit dhe me mundësi të shfrytëzimit të së drejtës së kombeve për vetëvendosje dhe jashtë këtyre kufijve të Kosovës së sotme kanë mbetur pjesë të popullit shqiptar (Presheva, Bujanoci e Medvegja) me karakteristika të padiskutueshme të kombit dhe me të drejtë e mundësi të shfrytëzimit të së drejtës së kombeve për vetëvendosje.



3. Maqedonia, ruajtja e integritetit territorial dhe vetëvendosja



Në Maqedoni çështja e përplasjes së parimit të ruajtjes së integritetit territorial dhe vetëvendosjes së kombeve është jo më pak e komplikuar dhe është gjithashtu burim i vetëm i tensioneve të vazhdueshme e i konflikteve.

Maqedonia përbëhet nga maqedonasit (mbi 50%) dhe nga shqiptarët (25-40%).

Kontestimi i emrit nga ana e Greqisë, kontestimi i identitetit maqedonas na ana e Bullgarisë si dhe kontestimi i integritetit territorial nga ana e popullit shqiptar e bëjnë Maqedoninë një shtet mjaft të brishtë dhe të paqëndrueshëm.

Aktualisht Maqedonia mbahet në këmbë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit të arritur nga maqedonasit dhe shqiptarët (nën diktatin e faktorit ndërkombëtar) pas luftës së vitit 2001. Në këtë marrëveshje spikatë fuqishëm parimi i ruajtjes së integritetit territorial të Maqedonisë dhe shkelja flagrante e parimit të vetëvendosjes së kombeve. Populli shqiptar në këtë marrëveshje trajtohet si pakicë kombëtare ndërsa maqedonasit trajtohen si komb shtetformues. Maqedonasit ngulin këmbë në ruajtjen e integritetit territorial dhe arrijnë ta ruajnë këtë gjendje vetëm falë dëgjueshmërisë apo ndihmës së partive politike shqiptare në Maqedoni, të cilat nuk e artikulojnë as për së afërmi interesin kombëtar të popullit të pushtuar nga Maqedonia.



Përfundimisht



Populli shqiptar në Kosovë, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e në Maqedoni vazhdon të jetë i privuar nga e drejta e kombeve për vetëvendosje dhe atë në bazë të tri marrëveshjeve të arritura pas tri luftërave: në bazë të Pakos së Ahtisarirt (si derivat i Rambujesë), në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe në bazë të Marrëveshjes së Konçulit. Prandaj, populli shqiptar në përgjithësi, nuk e ka asnjë arsye të shëndoshë që të jetë në anën e parimit të ruajtjes së integritetit territorial në vendet ku jeton. Populli shqiptar duhet në mënyrë energjike ta shprehë interesin e vet kombëtar përmes së drejtës së kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje. Do të vijë koha kur edhe populli shqiptar do ta ketë interes kombëtar ruajtjen e integritetit territorial dhe vetëm atëherë do të jetë në gjendje t’u qaset me sukses integrimeve të mëtutjeshme ndërkombëtare.



avniklinaku@levizjaperbashkim.com



Prishtinë, 8.12.208





Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Avni Klinaku
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 1,847 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi